PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: SPROVAT E QËNDRESËS SHQIPTARE NËPËR VITE

Pashtriku.org, 13. 03. 2015 – Me shumë vonesë më ra në dorë libri i atdhetarit të njohur Mehmet Hajrizit “Sprova të çlirimit”, por, thënë ndryshe, edhe pse isha e vonuar në lexim, pata përshtypjen se librat që kanë vlerë janë të qëndrueshme, dhe në çdo kohë përmbajtja dhe mesazhi që del nga ato, për gjenerata e gjenerata do të jenë aktuale.
Struktura e librit
Autori librin e ndan në gjashtë kapituj, por ka edhe parathënien që në pika të shkurtra na dëshmon se çka e shtyri që të grumbullojë, të sistemojë dhe të publikojë shkrimet e intervistat e shumta që gjatë viteve i kishte dhënë dhe botuar në gazeta e revista të ndryshme të vendit dhe jashtë tij. Vlen të përmendet se gati-gati gjatë gjithë shkrimeve që prezantohen në libër, ndjehet një gërshetim i dukshëm i ngjarjeve dhe i momenteve që lidhën ngushtë me të kaluarën dhe aktualen, çka vërteton edhe një herë se autori është njohës i mirë i së kaluarës, pjesëmarrës aktiv i së tashmes dhe vizionar konsekuent i së ardhmes. Autori siç ia kushtoi tërë jetën çlirimit të Kosovës, në shenjë respekti për çlirimin e saj i kushton edhe librin. Në parathënie të saj ai thotë, se të gjitha punimet që prezantohen këtu pasqyrojnë një pjesë të vogël të jetës së pasur të lëvizjes sonë kombëtare. Duke argumentuar se “Kosova kaloi nëpër sprova të rënda të çlirimit nga sundimi i huaj, por edhe nga vetvetja. Ajo duhet të këpuste prangat e robërisë së gjatë e vargonjtë e shpirtit dhe të çlirohej nga mentalitetet e robit e nga konceptet e vjetra…”. Mehmet Hajrizi, si gjatë tërë veprimtarisë së vet ilegale, njashtu edhe pas saj në çdo vend dhe në çdo kohë pati dhe ka një filozofi të veçantë të veprimit dhe të realizimit të qëllimeve supreme të popullit shqiptar. Ai me këmbëngulje kërkoi dhe kërkon që për çlirimin e popullit shqiptar ekziston një rrugë e vetme, “Kosovës i duhej bashkimi i gjithë potencialeve, i mendjes dhe i forcës, i guximit dhe i veprimit, i duhej organizimi serioz, unitetit politik e kombëtar dhe fryma e sakrificës e vetëmohimit”. Ai edhe sot thërret, kërkon që ti përmbahemi këtij parimi që do të jetë aktual në çdo kohë…

Kush është Mehmet Hajrizi
Për autorin Hajrizi mund të shkruhej shumë dhe mund të flitet gjatë, mund të shkruhen monografi për punën dhe aktivitetin ilegal politik të tij, por edhe për periudhat e më vonshme se ai kur e deshi nevoja si gjithmonë ishte në vendin ku e kërkonte Kosova e robëruar. Hajrizi gjatë tërë jetës pati dhe punoi për të vetmin gjakim, për gjakimin e shumë gjeneratave që ishte qëllimi suprem dhe synimi i fundit-Kosovën e lirë dhe ta shihte aty ku e kishte vendin. Një jetë të tërë, mund të thuhej lirshëm se ia kushtoi çështjes kombëtare. Por fal qëndrueshmërisë, angazhimit, sakrificës dhe dashurisë së tij për atdheun, ia arriti me dinjitet të sfidojë kohën e egër dhe të qëndrojë vertikalisht që shumë të tjerë do të kenë lakmi jetën e tij prej heroi të gjallë.
Ilegalisti Mehmet Hajrizi u lind me 7 shkurt 1948, në fshatin Strofc të Vushtrrisë. Ka mbaruar Shkollën Normale dhe Fakultetin e Filologjisë, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë. Që nga viti 1974 ishte njëri ndër më kryesoret në lëvizjen ilegale patriotike shqiptare në Kosovë. Fillimisht, ishte anëtar i organizatës ilegale “Grupit Revolucionar” që u formua në Prishtinë, por me zbulimin dhe arrestimin e anëtarëve të saj (1974), Mehmet Hajrizi me shok formojnë organizatën ilegale të quajtur “Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës”, ku shokët në mënyrë unanime e zgjedhin kryetar. Siç dihej nga të dhënat që kemi, organizata e OMLK-së, kohë pas kohe nxirrte edhe gazetat ilegale siç ishin: “Zëri i Kosovës” dhe “Liria”, që Mehmeti ishte kryeredaktor i tyre. Më 1981, pas demonstratave studentore, ai arrestohej, dhe në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i shqiptohet dënimi prej 12 viteve burg të rëndë, duke e cilësuar se ai kishte vepruar kundër shtetit dhe popullit. Për Hajrizin, viti 1981 nuk ishte kontakti i parë me burgun, ai edhe më herët ishte arrestuar (1979), por në mungesë të fakteve, në burg kishte qëndruar vetëm dy muaj dhe ishte cilësuar si propagandues që vepronte kundër pushtetit në fuqi.
Pas daljes nga burgu, ai përsëri iu rrek punës së lënë për gjysmë, për ta vazhduar më tej. Përsëri angazhohet edhe më me ngulm për qëllimin e madh të popullit dhe për lirin e tij.
Dhembja dhe krenaria
Pjesa e parë e librit e titulluar “Dhembje dhe krenari”, përbëhet prej shumë punimeve që autori në fillim të librit nënvizon se: Materialet e përzgjedhura në këtë përmbledhje janë shkruar gjatë një harku kohor dhjetëvjeçarë (1993-2003), por trajtohen edhe probleme e ngjarje të para të kësaj periudhe. Sidoqoftë, ato mbajnë vulën e kohës, prandaj duhet parë në kontekst të saj” , me të drejt konstaton autori dhe ashtu duhet të merren dhe të konsiderohen.
Një analizë më të gjerë, autori i bën me një përkushtim të madh pranverës shqiptare. Ai fillon që nga viti 1945 duke i dhënë aksent të posaçme pakënaqësisë së popullatës shqiptare dhe rezistencës së tyre e cila u manifestua me formimin e organizatave ilegale dhe angazhimit të tyre në luftërat për liri e pavarësi dhe bashkim kombëtar. Duke ecur nëpër vite, analizon demonstratat studentore të vitit 1968, demonstratat gjithë popullore të vitit 1981. Dhe shkrimin e përfundon me optimizëm se “Kosova ngjitet shkallëve ndërkombëtare në saje të qëndresës së vendosur, të gjakut të derdhur, të drejtësisë së çështjes së saj dhe të mbështetjes së miqve të shumtë”, përfundon artikullin të botuar me 16 mars 1996 në gazetën “Bujku” në Prishtinë. Po të kësaj natyre janë edhe intervistat e punimet dhënë e botuar në gazeta si: “Rezistenca shqiptare”, e botuar në “Nezvisni Vojvogjanski list”, “Frontet dhe fronet e Kosovës”në “Zëri”, “Vetëvendosja e popullit vulos fatin e Kosovës”dhënë me 6 qershor në TVSH.
Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare
Në punimin për orën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të titulluar “Drenica” e botuar në gazetën “Zëri”, autori na prezanton anatominë e dhembjes së Drenicës duke thënë se:” Drenica tërhoqi vëmendjen e të tjerëve vetëm duke shkrehur armët, si në kohën e Ahmet Delisë në fillim të shekullit, të Azem e Shote Galicës dhe të Shaban Polluzhës, në mes dhe të Tahir Mehës e të Adem Jasharit, në kapërcyell të këtij qindvjetëshi. Luftërat e Drenicës kanë qenë gjithmonë si alarme përkujtimi, por mbi të gjitha ato ishin orë zgjimi e ndërgjegjes kombëtare, sa herë kjo dremitej”. I ngjashëm është edhe trajtimi i invalidëve të luftës, në punimin me të njëjtin titull “Invalidët”, po ashtu edhe punimi “Dëshmorët”, që vije si një alarm në zyrat e brishta të administratës aktuale.
Punimet që të bëjnë të ndjesh mornica të ftohta në trup janë: “Nënat e mëdha”, “Të burgosurit”,”Strategjia e optimizmit e Komandant Adem Jasharit”, “Tre pishtarë të ndezur të lirisë kthehen në atdhe”dhe “Dy kapedanë të Lëvizjes kombëtare”, nga të gjitha këto shkrime përcillet nëpër vite mesazhi i autorit se: ”Le tu themi miqve dhe kundërshtarëve tanë kudo të jenë se po qe nevoja, Kosova do të nxjerrë nga gjiri i vet sërish rexhep mala e nuhi berisha, adem jashara e UÇK, por as sot as mot, kurrë më nuk do të lejojë që këmbë armiku ti shkelë tokën e saj”.

Reagimi ndaj librit të Qosiqit
Punimi “Fatkeqësia e refuzimit apo refuzimi i fatkeqësisë”, hap kaptinën e dytë të librit të titulluar ”Refuzimi i fatkeqësisë”, në të cilën autori reagon ndaj librit të Dobrica Qosiqit “L’efondrement de la Yougoslavi” (Shembja e Jugosllavisë), e botuar në Lozanë, në gjuhën frenge, bënë fjalë për të pavërtetat që mundohet Qosiqi që ti paraqet si të dhëna shkencore. Hajrizi reagon ashpër ndaj pjesës së librit me titull “Kosova-thelb i problemit”, ku përfshin tri çështje kryesore të problemit të Kosovës siç ishin: si u krijua problemi i Kosovës,paraqitja aktuale e saj dhe rrugët e zgjidhjes së tij.
Autori i kundërvihet Qosiqit se krijimi i problemit të Kosovës bartet dhe largohet nga e vërteta dhe vendoset në vitet e pas mbarimit të LDB, dhe se Kosova është problem që e krijoi Tito dhe PKJ-ja duke i dhënë kuptim ideologjik, duke harruar dhe anashkaluar me qëllim se problemi i Kosovës ka lindur historikisht më herët nga Jugosllavia dhe PKJ-ja. Burimin e tij duhet kërkuar në vitin 1912, kur Kosova e sapo[çliruar me forcat e veta nga sundimi shekullor osman, e sfilitur dhe e dërmuar nga lufta, aneksohet me dhunë nga Serbia me ndihmën e të tjerëve duke e futur popullin shqiptar të saj në një robëri të re edhe më të egër”. Ishte një leksion i mirë që i mbajti autori i librit, Qosiqit të ngarkuar tej mase me shovinizmin serbomadh. Edhe pse dihej botërisht se Kosova është tokë shqiptare dhe se atë e banojnë me mbi 90% populli shqiptar. Qosiqi, mundohej të hedh pluhur syve opinionit ndërkombëtar, duke thënë se ajo u “albanizua” shumë më vonë duke sjellë një “mori argumentesh” të pa baza që të vjen për të qeshur për broçkullat që i thotë akademiku i Beogradit.
Edhe pse shqiptarët arrestoheshin, vriteshin, ndiqeshin, u përjashtuan nga institucionet e Kosovës. Edhe pse në një mënyrë Serbia kishte bërë agresion ndaj Kosovës, ai-Qosiqi si edhe shumë të tjerë, në libër pohon se në Kosovë nuk ka luftë, as kontradikta ndëretnike apo ndër konfesionale, duke e mohuar të vërtetën se në Kosovë ka dhunë sistematike dhe terror shtetëror mbi një popull të tërë, sipas recetave të Çubrilloviqit famëkeq, për ta detyruar ti zbrazë trojet e veta etnike dhe për ti kolonizuar ato me serb” thotë Hajrizi në punimin të botuar me 20 gusht 1994 në gazetën “Bujku”. Po të kësaj natyre janë edhe punimet: “Një kriminel i luftës provokon paqen e popujve”, “Farsa e një “revolucioni” tragjik”, “Gënjeshtra dhe krime në funksion të politikës serbe kundër shqiptarëve” e shumë shkrime të tjera që vlen të lexohen me një përkushtim më të madh që në një farë mënyre janë dëshmi të një kohe.
“Bashkim”, parulla që bashkoi shqiptarët
Pjesa e tretë e librit “Sprova të institucionalizimit të lëvizjes kombëtare”, karakterizohet me një numër të madh të intervistave që autori i jep në gazeta të ndryshme të vendit. Por, strumbullar i tërë kapitullit, në një faqe e gjysmë tekst të shkruar është punimi “Rreth një parulle të vitit 1981”, që bënë fjalë për demonstratat e vitit 1981, që nga aty lindi edhe parulla- kushtrim “Bashkim” ose edhe tjetra parullë “Kush s’bashkohet është tradhtar”, e cila pati një efekt të madh tek popullata, gjatë demonstratave të vitit 1981, dhe varg e varg vinin pas saj duke u shtuar masat e gjera shqiptare dhe iu bashkoheshin studentëve për të bërë rezistencë.
Në punimet dhe intervistat e dhëna më vonë, të përfshira në libër kryesisht trajtohen tema nga aktualiteti politik në Kosovë si: Angazhimi për mbijetesën, Lëvizje dhe stagnim, Zgjedhjet dhe kuvendi, Takimi i rrezikshëm, grupi negociator, Qeveria e unitetit, Një vit pas konferencës së Rambujesë etj.
Ndërsa në kapitujt e tjerë si: “Në jetën e subjekteve politike”, “Çështje të informimit” autori paraqet më tepër çështje parimore lidhur me institucionet e Kosovës, Relacionet në mes politikës dhe informimit. Dhe në kapitullin e fundit: “Vitet e rimëkëmbjes”, Hajrizi trajton periudhën e pas luftës duke përfshirë: Tri sprova historike të Kosovës në rrugë drejt pavarësisë, Premtimet, Vit vendimtar i rindërtimit të Kosovës, Zemërgjerësia e donatorëve, Rindërtimi i Kosovës e shumë tema të ngjashme.
Krejt në fund, libri i autori Mehmet Hajrizi e vlen të lexohet dhe të studiohet me kujdes, ngase mesazhi që rrezaton nga ajo na bënë të jemi krenar dhe të jemi të gatshëm për përballje me sfida të reja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura