KOMISIA LETRARE E SHKODRËS NË KONTEKST TË RAPORTIT TË NORBERT JOKLIT PËR GJUHËN SHQIPE

KOMISIA LETRARE E SHKODRËS NË KONTEKST TË RAPORTIT TË NORBERT JOKLIT PËR GJUHËN SHQIPE

Nga Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu & Prof. dr. Begzad Baliu

Në vend të hyrjes

Do të donim që në këtë shkrim studimor të merremi me tri raportet, sigurisht më të rëndësishmet, që lidhen me Komisinë Letrare të Shkodrës dhe kohën e saj, por për hapësirën që na jepet, mendojmë të përzgjedhim raportin më të rëndësishëm që e ka bërë njëri prej albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX, Norbert Jokli. Rëndësia e tij, para se gjithash, qëndron në faktin se ai është pothuajse i panjohur edhe sot, pavarësisht se në një mënyrë a një tjetër përfaqëson nismën e një projekti të madh të Akademisë Austriake. E vërteta, në këtë periudhë janë shkruar tri raporte, që fillojnë me Norbert Joklin, vazhdojnë me Maksimilian Lambercin dhe kulmojnë me Rajko Nahtigalin. Pra, Raporti i parë i takon Norbert Joklit dhe është shkruar në vitin 1915 , i dyti është shkruar nga Maksimilian Lamberc një vit më vonë, në vitin 1916 , ndërsa i treti është shkruar nga Rajko Nahtigal dhe i takon vitit 1917 . Që të tri Raportet janë shkruar me porosi të institucioneve akademike e ushtarake austriake. Që të tria lidhen fort me përpjekjet e institucioneve akademike austriake për krijimin e një gjuhe, përkatësisht përcaktimin e një tradite gjuhësore të përbashkët për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për institucionet shtetërore e lokale që po krijoheshin në Shqipërinë e pavarur nga Perandoria Osmane.

Raporti i parë, i shkruar nga Norbert Jokli më 1915, megjithëse nuk jep ndonjë shenjë për krijimin e një institucioni për përcaktimin e dialektit bazë të shqipes zyrtare, paraqet rezultatet e tij provizore mbi “studimin e dialektit të gegërishtes së verilindjes me urdhër të Komisionit Ballkanik të Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, më 1915”. Raporti në një mënyrë a një tjetër shpreh paradigmën orientuese të institucioneve akademike dhe ushtarake austriake mbi bazën dialektore dhe gjeografike të përzgjedhjes së të folmeve të Shqipërisë së Mesme për krijimin e një gjuhe të shkrimit për institucionet qeveritare që po krijoheshin, në një kohë që osmanishtja vazhdonte të mbetej gjuhë zyrtare e komunikimit jo vetëm në Elbasan po edhe në Shkodër. Në të vërtetë, sikur do ta theksoj në fund të Raportit të tij Rajko Nahtigal, në këtë ndërmarrje që nuk ishte e rastit, ishte përzgjedhur modeli i standardizimit të gjuhës serbokroate nga filologu serb i shkollës austriake Vuk Karaxhiç, “Gramatika e vogël” e tij dhe “Fjalori i madh”, prandaj jo rastësisht ishte përzgjedhur për referencë Konstantin Kristoforidhi i parealizueshëm nga Lëvizja protestante dhe ”Gramatika e vogël” e tij e “Fjalori i madh”.

Raporti i Norbert Joklit është shkruar me një korrektësi prej shkencëtari që albanologjinë do ta bëjë dije europiane të shekullit XX, por duke qenë në fillimet e formimit të tij në këtë fushë, ai njëkohësisht reflekton edhe disa premisa të diskursit politik, historik, kulturor dhe shkencor të kohës, të cilat nuk i vëmë re më tej në tekstet e tij shkencore, kulturore, polemizuese, kritike, vlerësuese dhe bibliografike. Ai është shkruar në rrethana të vështira të kohës, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe mbarimit të Luftërave Ballkanike, prandaj autori i këtij raporti nuk ka mundur të shkonte në Shqipërinë Verilindore, por në vend të udhëtimit në krahinat shqiptare ka përzgjedhur një model tjetër: anketimin e disa punëtorëve të këtyre zonave në Hungari. Si i tillë, prandaj edhe raporti, në kontekstin shkencor, mund të thuhet se ka vlera të rëndësishme, por të cilat sigurisht edhe mund të diskutohen.

Mbi studimet dialektore të shqipes

Teksti Raport provizor mbi studimin e dialektit të gegënishtes së veri-lindjes me urdhër të Komisionit Ballkanik të Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, prej Dr. Norbert Jokl-it 1915, hapet me një vlerësim konstatues: “Studimi i dialekteve të gjuhës ka filluar tash”, për të vazhduar me disa shembuj konkretë. Prej dialekteve të gegërishtes, shkruan Jokli, e njohim pak shkodranishten, pak ma mirë atë të Elbasanit sa i përket dialektologjisë, pastaj dialektin e kolonisë shqiptare të Borgo-Erizzos në Dalmaci (prej Weygandit); prej dialekteve të toskërishtes atë të Korçës, i cili në përgjithësi është baza e veprave të letërsisë shqiptare (të toskërishtes), pastaj atë të Çamërisë (prej Pedersenit), dialektet e Greqisë dhe më në fund dialektet e Italisë, lëvrimin e të cilave e ka marrë përsipër Lamberci. Është për të theksuar se edhe Maksimilian Lamberci Raportin e tij e fillon me të dhëna shteruese jo vetëm për studimet specifike dialektologjike po edhe me të dhëna të tjera të përafërta, madje në mënyrë kronologjike, sikur janë tekstet toskërishte në veprën e Hahnit “Albanisch Studier (1854); vepra e Reinholdit “Noctes Pelazgicae (1855); apendeksi i “Gramatologjisë” së Dhimitër Kamardës (1866); vepra e A. Dozonit, “Manuel (1878); vepra e Thimi Mitkos (1881); veprat e Jarnikut, G. Meyerit, S. Dines, E. Kurillës etj. Kësaj serie Lamberci ia bashkonte edhe tekstet e krijuesve bashkëkohës të shkrimtarëve shqiptarë, të cilët shkruanin në dialektin gegë apo toskë, si: vjershat e N. Mjedës, N. Curanit, Naim Frashërit etj. Vlerësimet e tij për studimet dialektologjike në fushë të shqipes, Lamberci i përmbyllte me të dhëna kronologjike e shteruese për studimet me karakter të ngushtë dialektor dhe në një masë edhe gramatikor, sado që në fillim theksonte faktin se “deri tash përshkrime speciale mbi dialektet janë botuar fare rrallë”, për të marrë në shqyrtim sheshazi disa nga ato, si: librin e Psikos mbi gegërishten e veriut (1896), për të cilin theksonte se është një libër mësimi shumë i mirë, por nuk është një monografi e dialektit lokal të Shkodrës. Mendime mjaft të çmuara kishte edhe për veprën e G. Weigandit, për të cilën theksonte se është një studim shumë i mirë mbi dialektin lokal të Gegërishtes të Borgo Erizzo-s afër Zarës, që u përshtatet kërkesave shkencore; veprën tjetër të tij “Albanisch Grammatik” (1913) me një përshkrim praktik dhe shkencor të dialektit lokal të Elbasanit; veprën e H. Pedersenit “Albanesische Texte” (1895), në të cilën është bërë një skicë e mirë e gramatikës së dialektit të Çamërisë; veprën e G. de Radës “Grammatica della lingua Albanese (1870), e cila bazohet mbi dialektin lokal italo-shqiptar të Naccarizzo-s në Kalabri; veprën e Librandit “Grammatica Albanese (1897), e kështu me radhë, deri tek botimet e fundit, që reflektonin në Raportin e tij.

Mbi kontekstin historik dhe etnopsikologjik të shqiptarëve

Pasi thekson disa shembuj të hulumtimit dhe studimit të dialektologjisë në hapësirën shqiptare, Norbert Jokli në Raportin e tij konstatonte se shembujt më të mirë i takojnë hapësirës perëndimore të gegërishtes, prej së cilës kemi trashëguar jo vetëm fjalorë por edhe gramatika. Për Joklin ky interesim dhe këto rezultate nuk janë të rastit dhe nuk janë për t’u habitur, sepse siç theksonte: “Shkodra është qendra fetare dhe kulturore e katolikëve, të gegërisë”, kurse dialekti i Elbasanit pritet që të përdoret si gjuhë letrare, kur një ditë kjo të vendoset si gjuhë letrare e përbashkët. Konstatimi i Joklit se dialekti i Elbasanit pritet të vendoset si gjuhë e përbashkët letrare, është një indikacion se ai ishte i njoftuar që më parë me përgatitjet që po bëheshin për krijimin e Komisisë Letrare të Shkodrës, përkatësisht për krijimin e një standardi të përbashkët gjuhësor për të gjithë shqiptarët. Ndryshe nga dialektet e Gegërisë Perëndimore, dialektet e Gegërisë Lindore, theksonte Jokli në raportin e tij, kanë qenë dhe janë akoma sot pothuajse të vobekta për nga madhësia dhe për nga lënda përkatëse, prandaj sot kushdo dëshiron të merret me studimet albanologjike, ndjenë dëshirën t’i njoh edhe këto dialekte lokale. “Por, – vazhdon Norbert Jokli – ka qenë si një punë e zorshme për t’i studiuar këto dialekte. Sepse ndër të gjithë djemtë e Shqipërisë, banorët e këtyre krahinave (të Kosovës, të Maqedonisë Veri-Perëndimore, të krahinës së Malit të Sharrit, të Korabit dhe të Rekës) janë ma të egrit, dhe ma pak të prekur nga kultura europiane”. Konstatime të tilla në këtë periudhë, si këto të Norbert Joklit, nuk ishte vështirë të gjendeshin, sepse këto konstatime ishin kryesisht të autorëve të proveniencës sllave, të cilat do të kulmojnë me veprën e A. M. Seliščev-it, “Slavяnskoe naselenie v Albanii”, Sofiя (1931). Nuk e dimë a mund të thuhet vërtet se Jokli kishte të drejtë të identifikonte kështu banorët e këtyre krahinave, të cilët më parë se sa me egërsinë, identifikoheshin me kryengritësit e fillimit të shekullit XX, përkatësisht me Lëvizjen kaçake (komite), pastaj me zonën qendrore të vilajeteve shqiptare, me qendrat më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë së mesme (Manastirin e Elbasanin) etj. Por, ai vazhdon më tej duke identifikuar edhe cilësi të tjera të banorëve të saj, veprime të cilat nuk janë të njohura për natyrën etno-psikologjike të shqiptarëve të kësaj ane, si dhe përshkrime të politikave ditore të ndërhyrjeve ndërkombëtare Lindje-Perëndim në Lëvizjen kombëtare dhe të grupeve të interesit. “Një studim shkencor-gjuhësor në këto krahina ishte një ndërmarrje krejt pa shpresa për shkak të grindjeve të vazhdueshme mes fiseve, i trazirave të tjera, pjesërisht i vendit të egër, i hajdutëve dhe i dyshimit të qeverisë, krejt e kuptueshme, pasi vazhdonte pa pushim propaganda politike. Por ma në fund edhe populli nuk tregon asnjë interes për kërkime të kësaj natyre. Për më tej erdhi edhe kryengritja e madhe e shqiptarëve dhe e dy luftërave ballkanike”. Ka shumë të vërteta për këto konstatime që i takojnë përgjithësisht mentalitetit të popullit shqiptar të Shqipërisë së Veriut, por nuk mund t’ia referosh të tërat një krahine etnografike. Bie fjala, nuk mund të mohohet fakti se në Shqipërinë Verilindore dhe Veriperëndimore, ku dora e pushtetit ishte pothuajse inekzistente, nuk kishte grindje mes fisesh; nuk mund të thuhet se në krahinën etnografike të Mirditës hajdutëria mungonte; nuk mund të thuhet se në qytetin e Manastirit dhe të Gostivarit mungonte ndikimi politik, ekonomik dhe ai strategjik ndërkombëtar dhe nuk mund të thuhet se nuk flitej turqishtja në këto qytete, por a nuk ishte pikërisht ky qyteti, ku lindi një dekadë më parë alfabeti latin dhe ku shqiptarët shfaqen edhe njëherë fytyrën europiane të trashëgimisë kombëtare të tyre.

Modeli i hetimeve dialektore të Norbert Joklit

Me gjithë dëshirën që kishte dhe me gjithë pretendimet shkencore që synonte, Jokli nuk mund të udhëtonte në zonë, ashtu sikur do të udhëtojnë më vonë bashkëkohësit e tij: Lamberc dhe Nahtigal në Shqipërinë Veriore. Por, në këto rrethana dhe i gjetur brenda këtyre vlerësimeve, për fatin e tij, Norbert Jokli takon një zotëri, i cili e njofton se në jug të Hungarisë gjendej një grup bozaxhinjsh dhe hallvaxhinjsh, të cilët ishin të gjithë nga Rapshishti, nga një fshat i madh në mes të Tetovës dhe Gostivarit. Prej prejardhjes krahinore që kishin, ata në të vërtetë duhej të flisnin një dialekt të gegërishtes, i cili i përket grupit të dialekteve më lindore. Jokli e përcakton këtë fshat si një nga vendbanimet që përfaqëson kufirin e të folmeve shqiptare, por nuk harron të theksoj faktin se banorët e qytetit të Gostivarit ende flasin turqisht.

=I përkrahur nga Komisionit Ballkanik i Akademisë Perandorake të Shkencave, gjatë marsit dhe prillit të vitit 1914 e sjell njërin prej tyre në Vjenë, një 38 vjeçar nga Hungaria, prej të cilit vjelë tekste orale, por sikur e kujton Jokli, me gjithë rezultatet e arrira dëshironte që ato t’i kontrollonte edhe njëherë prej personave të tjerë që gjendeshin në Hungari dhe këtë e bëri në qershor të atij viti, duke i incizuar dhe krahasuar edhe pesëmbëdhjetë bashkëkombës e bashkëfshatarë të tij. Kërkimet e tij janë të gjithanshme, prandaj edhe shpjegimet e tij janë gjithëpërfshirëse. “Për fat të mirë, shkruan në Raportin e tij, Norbert Jokli, – ndër 15 burrat që kishte ky grup, mbasi i provova të gjithë një nga një a ishin të përshtatshëm për qëllimet e mija apo jo, gjeta një burrë që ishte shumë i përshtatshëm për studimet e mija gjuhësore. Sepse në qoftë se personi i parë dinte të kallëzonte përralla, i dyti nuk kishte një talent tregimi, por kundrejt të parit kishte disa të mira, si për shembull: dhëmbë shumë shumë të mirë, dhe një artikulacion të qartë. Veç kësaj ky burrë, një 30 vjeçar, kishte një ndjenjë shumë të hollë të gjuhës shqipe; ai deri pak kohë ma përpara kishte punuar në atdheun e tij shërbëtor ndër bujq, si druvar”. Në këtë rrjedhë, kujton Jokli, personat e përcaktuar për kërkimet e tij, veç tjerash dinë të flasin përveç shqipes edhe turqishten e nga pak edhe bullgarishten. “Banorët e krahinave lindore të gegërisë janë muhamedanë, – thekson Jokli, për të vazhduar me një përkufizim mjaft arbitrar dhe i ndikuar prej lajmeve të shtypit serb, – e të tillë janë edhe banorët e Rapshishtit. Në viset malore që kufizohen me Rapshishtin natyrisht fliten të dy gjuhët e përmendura më sipër. Por do të kalojë edhe shumë kohë, derisa krahina me atë terren kodrinor, e banuar prej këtyre fiseve më të egra shqiptare, prej të cilëve vuajnë shume fiset e fushave, të hapet për të bërë studime shkencore-gjuhësore”. (!)

Gjatë qëndrimit dyjavor në Hungari, Jokli do të punojë me hallvaxhinjtë e bozaxhinjtë shqiptarë nga 9-10 orë në ditë, duke plotësuar kërkimet e tij e duke përmirësuar regjistrimet e mëhershme. Studimet e tij me gjasë do të hapeshin e do të kurorëzoheshin larg pretendimeve fillestare, sikur një ditë, papritmas, të mos ndërhynte policia shtetërore, me motivacionin se Jokli po merrej “me bartësit e fesit”. Megjithëse Jokli në këtë hulumtim shkonte me lejen e Akademisë, për ekzaminimin e këtyre kërkimeve angazhohet madje edhe policia qeveritare hungareze, ndërsa për t’i shpëtuar arrestimit dhe burgosjes së tij, në anën tjetër, angazhohet zyrtarisht stafi i Akademisë së Vjenës. Gjatë kësaj kohe, Jokli do të njohë edhe persona të tjerë, e madje edhe grupe të tjera të këtij fshati dhe të kësaj zone. Me përkushtimin që kishte, ai do të shfrytëzojë çdo rast për të marrë në pyetje e për të vjelë të dhëna të reja gjuhësore, duke e ushqyer shpresën se një ditë do të mund të bëjë kërkime edhe në fshatrat dhe krahinat e tjera të Shqipërisë Verilindore, sidomos pas luftërave ballkanike, sado mbante shpresën se me materialin e mbledhur nga personat e kësaj zone në Hungari, kishte krijuar një ide themelore të mjaftueshme për një sintezë gjuhësore të këtij dialekti.

Gjatë kësaj kohe “unë mblodha fjalë, paradigma dhe tekste popullore”, shkruan në Raportin e tij Norbert Jokli. “Shënova njëmbëdhjetë përralla dhe rreth gjashtëmbëdhjetë anekdota, shaka, tregime fetare dhe tregime nga jeta profesionale. Përrallat dhe tregimet fetare janë me karakter muhamedan, bile te disa persona feja muhamedane kishte lëshuar rrënjë të thella dhe gjithë rrojtja dhe idetë e tyre kishin një ngjyrë fetare islame. Madje edhe detyrat fetare i kryenin pikë për pikë”.

Duke shënuar tekste popullore (përralla, anekdota, shakara dhe tekste të tjera), Jokli vëren me të drejtë se ato kishin burimin jo vetëm te tradita krahinore po edhe te hapësira përgjithësisht shqiptare. Jokli vërente madje se disa prej përrallave ishin identike me ato që ishin botuar më parë në Shkodër apo edhe ndër arbëreshët e Italisë. Ka shumë rëndësi këtu një konstatim i Joklit në kontekstin krahasues dhe antropologjik. Ai vërente, me mprehtësinë e filologut, se disa nga përrallat, ndonëse ishin veshur me vellon orientale, në thelb ruanin një traditën më të vjetër krishtere, të krahasuar madje edhe me ato të botuara ndër arbëreshët.

Çështje të metodës

Në këtë Raport të albanologut Norbert Jokl, është me interes të theksohet edhe metodologjia shkencore të cilën e ka përdorur në hetimet e tij, një model të cilin jo gjithnjë e respektojnë edhe sot kërkuesit e kësaj fushe. Duke arsyetuar mungesën e teksteve të këngëve në kërkimet e tij, Jokli kujton se, pavarësisht dëshirës për të shënuar këngë të gjinive a llojeve të ndryshme, arsyet pse nuk e kishte vazhduar regjistrimin, ishin dy: e para, mosinteresimi i personave prej të cilëve eksploronte materialet për të kënduar; dhe e dyta, këngët që kishte regjistruar ishin tekste me karakter të përgjithshëm historik dhe me ndërndikime dielektore, që sillnin imazhe të luftërave shqiptaro-malazeze gjatë Lidhjes së Prizrenit. Duke qenë tekste këngësh që udhëtonin nga njëri Han në tjetrin, këngët, sikur vinte re edhe Jokli, përgjithësisht ruanin jo vetëm mesazhin, vargjet, historinë, po deri diku edhe kodin dialektor verior të tyre, e cila tek të eksploruarit e tij, ruhej i zbehur dhe pa interes për një studiues të përkushtuar e serioz, sikur ishte Jokli. Në këtë gjendje ato nuk përfaqësonin në asnjë mënyrë qëllimin e tij për hulumtimin e të folmes së shqipes veri-lindore. “Nuk është një punë e lehtë të mbledhësh fjalë, – shkruan Jokli, – veçanërisht paradigma. “Këtu duhet një kujdes i veçantë. Këtë e kupton çdo njeri që është marrë me studime të tilla”. Në të vërtetë, Jokli e pranon se nuk kishte një njohje paraprake as me dialektin as me jetën e banorëve të kësaj krahine. Për dialektin, e dinte se ishte kufiri i gegërishtes, por jo i përafërt me shkodranishten; i afërt gjeografikisht me qytetin e Elbasanit, por jo gjuhësisht me dialektin e këtij qyteti. Kjo e obligonte që nga aspekti metodologjik hetimeve të tij t’iu qasej sa më gjithanshëm, madje të krijonte edhe sprova krejt origjinale nga përvoja e gjeratëhershme. Për t’ia arritur qëllimit ai udhëton me të intervistuarit e tij edhe në fushat, arat e malet e fshatrave përreth në jug të Hungarisë, duke bërë pyetje e marrë përgjigje në kontekst të hapësirës e të objekteve bujqësore e blegtorale. Në këtë rast ai vlerësonte njëkohësisht edhe inteligjencën natyrale të folësve, si dhe përparimet e mira në lëmin e “gramatikës”. Është mjaft me interes, për kontekstin metodologjik, të shihet se si e bënte kontrollimin e tekstit të regjistruar që më parë, qoftë në Vjenë, qoftë në Hungarinë Jugore. Në praninë e treguesit të përrallës, Jokli ia lexonte vetë çdo rresht bashkëbiseduesit, për të bërë kontrollin dhe pastaj e detyronte ta përsëriste edhe një herë çdo rresht, ndërsa kur mendimet ndaheshin, atëherë bashkërisht saktësonin fenomenin apo dukurinë fonetike a morfologjike.

Projekti provizor i të folmes verilindore

Në fund të këtij projekti provizor, që në krye të tij e quan Raport, Norbert Jokli sjell shkurtimisht edhe përmbledhjen e veçorive karakteristike të këtij dialekti lokal, të cilin këtu po e citojmë të plotë:

“Siç e theksova më parë, – shkruan Jokli, – kjo gjuhë është një dialekt lokal krejt gegërisht. Ai ka -n- intervokalike dhe vokale nazale. Dialekti, lokal ka këto veçori:

1) Diftongimin e – ī-, ū etj.;

2) Prejotimin: Vįoetull = vetull, mbrięnda, ziȇz;

3) “Stërzgjatimin” e vokaleve të gjata: pęiês, vęien = venë, një fenomen, i cili rrjedh nga lëvizja e tonit të vokaleve (v). Për të shënuar këtë lloj intonacioni po e propozoj provizorisht të përdoret shenja e cirkumfleksit në ketë formë (^) për të dalluar prej shenjës së nazalizimit; kështu për shembull “bârδ, šât. Në këtë mënyrë fjala “pęiês ndryshon prej fjalës =bârδ vetëm prej -į- që dëgjohet në mes të dy pjesëve të vokalit. Por këtu mund të konstatojmë edhe h: toehet = tetë. Pjesa e parë e -e- në fjalën pęiês është krejt e mbyllur, kështu që unë mbas një kohe të gjatë u mësova të dalloj këtë -ę- prej -i-. Po shumë herë e dëgjojmë qartë –i-: kiįe, iįe, tšiįe;

4) Asibilimin e fortë: kutš, tšiįe, didžet, šieldže – shelk;

5) Grupet – dį, tį, të dialekteve të tjerë ju përgjigjen pra tingujt të palatalizuar; dâl = djal, dep, ťęri = tjerri, në fenomen, që shpjegohet nga afrimi energjik i majës së gjuhës në pjesën ma të përparshme të qiellzës së fortë;

6) Po mbi këtë fakt bazohet pra shenja karakteristike e këtij dialekti, e cila në fillim nuk dukej krejt e çuditshme: pl, pť dhe ť, bl> bd (…) këta tinguj kanë dalë nga pl`, pj pt; këtë e tregojnë gjithashtu po ai rezultat që kemi për -pį-, bį- të shqipes së përgjithshme;

7) dešk = pyll, ptȇll = i lindun, (biešk, piell). Po nga kjo mënyrë folje ka ardhur edhe ń> ndž e shqipes së përgjithshme: undžem = ulem;

8) fl` fx : fx`ok = flokë;

9) mį >mń- si edhe në disa dialekte të tjerë: mñaft = mjaftë;

10) Grupet konsonante të shqipes shumë të vjetra kl, gl bëhen në gegërishten e lindjes k, g, guh, guũ (=gû) glšt, kôeš.

Në vend të përfundimit

Me gjithë përpjekjet dhe punën që bëri për disa muaj me radhë, Norbert Jokli ishte i vetëdijshëm se, nuk është e thënë t’ia ketë arrirë qëllimit në përmasat rigoroze që i kërkonte dija filologjike e kohës. Rezultatet e tij brenda një dialekti krejt lokal, kushtëzoheshin para se gjithash prej dijes së përgjithshme në fushë të shqipes, përkatësisht prej lëvrimit modest të deriatëhershëm në fushë të fonetikës e të gramatikës së shqipes. E kjo do të thotë, se rezultatet e tij në fushë të të folmeve të shqipes, nuk mund të ishin të atyre përmasave që mund të arriheshin për të folmet e dialekteve të gjermanishtes apo të folmeve romane. Për më tej, tërhiqte vërejtjen Jokli “në këtë dialekt lokal gjejmë shumë fjalë të marra hua nga sllavishtja (bullgarishtja), të cilat dominojnë terminologjinë bujqësore dhe në përgjithësi luajnë një rol më të madh se, për shembull në Shkodër”. Natyrisht kjo është krejtësisht e natyrshme dhe për këtë ishte i vetëdijshëm edhe Jokli, pasi, sikur shprehej ai “sllavët janë fqinj imediat” të tyre. Kuptohet, ky visar fjalësh, termash e sinonimesh të tyre, dëshmonte për pasurinë e =tyre të shumëfishtë në jetën baritore, bujqësore e sedentare të tyre.

Duke e mbyllur Raportin e tij për të folmen e fshatit Rapshisht, në zonën më lindore të Shqipërisë së Mesme, Norbert Jokli, gjente rastin të falënderonte Komisionin Ballkanik të Akademisë Perandorake të Shkencave, si dhe disa personalitete të kohës, prej të cilëve duket me interes Franc Nopça, i cili sikur kuptohet ia kishte sqaruar disa çështje tingëllore, të cilat Nopça i njihte mirë falë qëndrimit të gjatë në Shqipërinë Veriore.

Me të gjitha këto të dhëna dhe këto veçori, Raport provizor mbi studimet që bëra për gegërishten verilindore si i ngarkuar nga Komisioni Ballkanik i Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, i shkruar nga njëri prej albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX, Norbert Jokli, mbetet një dëshmi e dorës së parë jo vetëm për Komisinë Letrare të Shkodrës, po edhe për aspektet e tjera të karakterit historiko-etnografik, etnopsikologjik, e në mënyrë të veçantë gjuhësor, përkatësisht dialektologjik. Sigurisht Raporti i Joklit nuk është i atyre përmasave, që është Raporti i Maksimilian Lambercit, për arsye se ndryshe nga Jokli, Lamberci bëri një udhëtim të gjatë dhe shumëplanësh në zonat për të cilat ishte i ngarkuar të shkruante, por ai është i rëndësishëm për faktin se merret me një krahinë etnografike shqiptare, për të cilën nuk ekzistonte shumë vullneti i studiuesve për ta vizituar. Raporti Lambercit prandaj del më i plotë dhe me të dhëna gjuhësore, historike, etnografike e madje edhe arkeologjike shumë më të pasura. Po kështu mund të thuhet edhe për Raportin e ballkanologut Rajko Nahtigal, i cili mori pjesë drejtpërdrejtë në Komisinë Letrare të Shkodrës dhe i shoqëruar nga njohësit më të mirë të gjuhësisë shqiptare të kohës, bëri edhe udhëtime, diskutime e kërkime shkencore në Elbasan. 

 Në të vërtetë, në kontekstin historik, megjithatë ky Raport dëshmon se ideja e nxitjes dhe organizimit të Komisisë Letrare të Shkodrës, shkon përtej njohjeve të gjertanishme që kishim; në kontekstin etnografik, aty sillen disa aspekte të karakterit edhe etnopsikologjik, të cilat përgjithësisht iu mungojnë studimeve shqiptare; ndërsa në kontekstin gjuhësor, ai sjell një dëshmi të saktë, themeltar dhe të vetëm, të përshkrimit dialektor të kësaj të folmeje me interes për të folmet lokale të Shqipërisë së Mesme dhe për të folmet dialektore të shqipes përgjithësisht.

Prishtinë, janar 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura