PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (3)

Pashtriku.org, 23. 04. 2015-(Vazhdon me traditën e informimit edhe nr. 6, i “Përpjekjes Kosovare”) – Sikurse edhe numrat e parë të gazetës “Përpjekja Kosovare” edhe ky numër 6 (gjashtë), vazhdon të botohet në formatin A-4, me kopertina me ngjyra, dhe në 6 faqe tekst. Ky numër është i botuar me 25 shkurt, 1959, në Paris. Sipas të dhënave është viti i tretë i botimit.
Proteston mërgata shqiptare
Faqes së parë i paraprin shkrimi “Arrestime të reja në Kosovë”, po ashtu sikurse edhe shkrimet tjera nuk kanë emër të autorit dhe as iniciale. Në vazhdim Lidhja Kosovare shkruan se :”Sipas lajmeve që kemi, me 25 të Nëntorit të kaluar policia Jugosllave ka arrestuar nja 80 veta në Kosovën e robëruar nga Jugosllavia. Arsyeja e kësaj vale së re arrestimesh është se autoritetet komuniste të Beligradit i kishte zënë frika se do të bëhej një demonstratë e madhe në të tanë Kosovën, me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor. Thuhet në organin informativ të Lidhjes Kosovare.

Sipas gazetës thuhej se qendra e këtij organizimi të ri kundër pushtimit të huaj mbahej në Ferizaj, ku autoritetet jugosllave, me gjithë se nuk kanë dhënë asnjë komunikatë, pretendojnë se kanë gjet arsenale armësh: 20 mitraloza të rënda dhe shumë pushkë. Dhe të arrestuar të shumta kryesisht ishin nga Ferizaj, nga Gjilani, nga Prizreni dhe nga Prishtina.
Sipas të dhënave, thuhej se kryesisht të arrestuarit ishin intelektual si: arsimtar, student, por në mesin e tyre kishte edhe anëtar të partisë komuniste e këshilltar komunash. Të arrestuarit kryesor në këtë periudhë ishin: Metush Krasniqi , Mark Gashi , Nihat Maksuti , Qemal Kallaba , Xhemal Shaqiri , Sylë Dajkofci etj.

Gjykatat e Qarqeve ku ishin arrestuar të akuzuarit, akuzoheshin nga organet përkatëse se gjoja kanë qenë në lidhje me autoritetet komuniste të Shqipërisë për të organizuar një kryengritje në Kosovë. Ndërsa, gazeta thoshte se: “tërë bota e di se faji më i madh i një milion kosovarëve është se kanë guxim t’i thonë vetes shqiptar, të kërkojnë flamurin e tyre dhe t’i dalin zot gjuhës, traditave dhe të drejtave të tyre, si grup etnik” njoftonte gazeta.
Lidhja Kosovare nëpër mes organit të saj të informimit “Përpjekja Kosovare”, shpreh revoltën dhe informon opinionin e gjerë botëror se ajo me anëtarët e vet që veprojnë në mërgim, si edhe të gjithë shqiptarët, janë zemëruar shumë për këto masa shtypëse të qeverisë së Jugosllavisë kundër pakicës shqiptare në Jugosllavi. Mbase persekutimeve të tmerrshme edhe proceseve gjyqësore që u mbajtën dy vite më parë, tash po përsëritet po ajo punë, po zbulohen gjoja armë dhe po bëhet kryengritje”.
Në vazhdim thuhej se “Ne po protestojmë kundër këtyre metodave shtypëse dhe u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që ndodhen në botën e lirë, me e ngritur zërin për me i mbrojt vëllezërit e tyre në Kosovën e robëruar ” reagon Lidhja Kosovare.
Amnistitë që nuk i fitojnë shqiptarët
Zakonisht ndodhte që para festave shtetërore jugosllave, pushtetarët të bënin amnisti ndaj të burgosurve. Një amnisti të tillë, pushteti i Beogradit e kishte aplikua në prag të festës së 29 nëntorit, festë kombëtare e Jugosllavisë. Edhe pse amnistia vlente për të gjithë, pa dallim kombi apo gjinie, sipas gazetës “Përpjekja Kosovare”, në mesin e të amnistuarve nuk ndodheshin intelektualët shqiptar, të cilët ishin burgosur e arrestuar sepse kishin kundërshtuar hapjen e shkollave në gjuhën turke për nxënësit shqiptar, e disa nga ata ishin dënuar se kishin festuar ditën e flamurit , festën më të madhe shqiptare, duke shpalosur flamujt kombëtar. Edhe një “margaritar” i pushtetit serb që haptas ishte futur në sistem.

Në gazetë, lexuesi mundet me has edhe në informata të shkurtra por që kanë një peshë të madhe, ngase në mënyrë të shkurtër informohet lexuesi për padrejtësitë e shumta që bëhen ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi.
Një informatë e tillë vlen të cekët edhe ajo e shkrimit “Përvjetori i shkollës tetëvjeçare të Gjakovës”, ku thuhej se: ”Me 2 të dhjetorit të kaluam u kremtua përvjetori i Shkollës tetëvjeçare të Gjakovës. Gjakova, qendra e lëvizjeve kombëtare që dy vite më parë kishte organizua demonstratat nëpër rrugët e qytetit për “Liri e Shqipëri”, është dënua duke e bërë ndërrimin e emrit të shkollës nga emri i një shqiptari në emër të një luftëtari të Luftës së Dytë Botërore: “Voja Vllakçeviç”, edhe pse në këtë qytet popullata kryesisht, 100% është shqiptare , thuhej në shkrim.
Investimet false në Kosovë
Shpesh ndodhte në Jugosllavi dhe politika e saj false, të përhapte lajmin se shteti jugosllav do të investoj në Kosovë aq e aq para. Por shpesh ato të dhëna të premtuara u harronin dhe Kosova e pranuan o se pranuan pushtetarët, ngeli pjesa më e pa zhvilluar e Jugosllavisë. Në Kosovë investohej aq sa okupuesit i nevojitej sa për të shfrytëzuar resurset e pasura natyrore të saja, dhe ato që të gjitha përfundonin të përpunuara në tregun e brendshëm e të jashtëm Jugosllav.

Mërgata shqiptare e kishte kuptuar me kohë lojën që po bënte politika shkombëtarizuese e Beogradit, andaj edhe bënte sarkazëm me fjalët që i kishte përhap Beogradi se gjoja ajo do të investojë në Kosovë mbi 80 miliard dinar për me industrializua Kosovën dhe shkruante më tej se ende nuk dihej mirë se ky lajm i hapur është i vërtet apo është vetëm sa për propagandë. E këso lajmesh në shtypin e Beogradit gati-gati ishin të përditshme, po kush besonte në shkrimet e tyre.
Shpërngulja e shqiptarëve për Turqi
Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, në vitet e 1953-1960, me të madhe gjenden shkrimet që i kushtojnë rëndësi shpërnguljes së madhe të shqiptarëve për Turqi. Edhe ky numër i gazetës (nr. 6), në faqet e saja ka bërë një përmbledhje të gjerë për shpërnguljet e familjeve shqiptare për Turqi.
Në shkrimin “ Emigrimi për në Turqi”, gazeta shkruan se në muajt e fundit dukshëm vërehet një ngadalësim i shpërnguljeve të shqiptarëve për në Turqi. Sipas shtypit të Jugosllavisë thuhej se vetë autoritetet kanë fillua vetë mos me lejua shpërnguljen e tyre, ngase bota ka reaguar ashpër për këtë dukuri si brenda edhe jashtë saj, dhe me kohë kanë filluar reagimet nga jashtë.
Por, për të arritur qëllimin e vet shkombëtarizues, pushteti ka ndërmarr masa të tjera për t’ia arritur qëllimit. Megjithatë edhe pse kanë reaguar forcat ndërkombëtare, qëllimi i jugosllavëve ishte që shqiptaret në një farë mënyre t’i quanin Turq.
Gazeta në faqet e saja sjellë edhe lajme të cilat janë të argumentuara në mënyrën më të mirë, siç është rasti i Tetovës. Në Tetovë me të madhe shtrëngohen prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla turke duke iu kërcënua se nuk kanë me i punësua.

Në katundin e Tearrcës, fshat me mbi 500 shtëpi, nga shkaku i 20 familjeve të turqizuara të mbetura nga bazat e vjetra të ushtrisë otomane, i tanë fshati i quanin si kombësi turke dhe si të tillë e kanë futur në planin e ministrisë për ta emigruar në Turqi.
E njëjta gjë thuhej se i ka ndodhur edhe fshatit të Çiflikut, prej 100 shtëpish, në të cilin fshat nuk ka asnjë turk. Edhe fshatin e Miletinës prej 150 shtëpish krejt shqiptare, e quajnë turk dhe e kanë futur në planin e emigrimit për në Turqi.
Fshati Zhelinë, në rrethin e Tetovës, me 300 shtëpi i banuar me shqiptarë, edhe ky fshat quhej turk nga autoritetet maqedonase, sepse një lagje e vogël “Çajan” përbëhet nga familjet e sejmenëve të bejlerëve turq të kohëve të shkuara dhe nuk dinë shqip .
Vrapishti, një fshat i komunës së Gostivarit, me afër 500 shtëpi shqiptare, edhe ky quhej si fshat i populluar me turq, dhe është paraparë nga autoritete që të shpërngulej për Turqi. Se edhe këtu, sikurse në fshatrat e përmendura më herët, ka ndoshta dhjeta veta që flasin gjuhen turke.
Për këtë dukuri dhe për këtë shkombëtarizim të hapët që ushtron pushteti jugosllav, Lidhja Kosovare protestonte haptas duke e ngritur zërin lart dhe duke njoftuar opinionin e gjerë për padrejtësitë e shumta me të cilat bëhej presion tek popullata shqiptare në trojet e tyre etnike në Jugosllavi.
Reagimi i Beogradit ndaj Ballit Kombëtar
Pushtetarët e Beogradit duke e parë aktivitetin e madh të organizatës politike “Lidhja Kosovare”, dhe duke e parë se reagimet që i bënte ajo për padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar nga pushteti okupues dhe duke e vërejtur se të gjitha reagimet që i bënte kjo organizatë ishin me ndikim në politikën ndërkombëtare, ajo në radion e Beogradit kishte ndërmarrë një fushat për të deklasuar dhe denoncuar haptas një politik të tillë duke thënë se Balli Kombëtar po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Në shkrimin “Radio Beogradi padit “Ballin Kombëtar” se gjëja se po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë”, thuhej se “Me 3 dhjetor të vitit të kaluar, Radio e Beogradit ka sulmua Ballin Kombëtar”, i cili interesohej me të drejtë për Kosovën dhe shqiptarët, ajo i quan të gjitha këto se ai po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë.
Nga ana tjetër Mareshali Tito, në një fjalim që kishte mbajtur, ka thënë se shtypi shqiptar në emigracion ka botuar deri më sot mbi 170 shkrime mbi Kosovën duke dashur me vërtetua se kosovarët iu janë mohua të drejtat më elementare. Kurse sipas udhëheqësit jugosllav, pakica shqiptare në Jugosllavi i paska të gjitha të drejtat dhe paska shkolla në gjuhën shqipe, të cilat shkolla nuk i ka pas në kohën e regjimit monarkist e të tjera.
Të gjitha këto fjalë që i kishte thënë Tito-ja, me gjasë askujt nuk ia mbushin mendjen, ngase shkrimet e mëparshme që i kishte botua gazeta “Përpjekja Kosovare”, dëshmonin të kundërtën dhe gënjeshtrat nuk krahasoheshin me argumente të verifikuara mirë siç ishin botua për fshatrat shqiptare të Maqedonisë.
Artikullshkruesi thoshte se: ”ne duam që shqiptarët e Jugosllavisë të kenë po ato të drejta që i gëzojnë kombësitë e tjera atje. Por këtë duhet me na provua me fakte dhe jo me fjalë. Duhet që të lëshojnë nga burgu të gjithë të burgosurit politik, të mos bëjnë më presione mbi fshatrat shqiptare për t’u deklaruar turq, të mos iu bëjnë presione ekonomike dhe të tjera popullsisë dhe ta lënë krejt të lirë dhe të plotë arsimimin e mësimin në gjuhën shqipe. Vetëm atëherë mund të themi se fjalët e Mareshalit Tito kanë njëfarë vlere.
Ndërsa sa i përket reagimit ndaj “Ballit Kombëtar”, nuk mund të thuhej se po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë, sepse Balli Kombëtar nuk po bënë tjetër gjë veçse po e ngrit zërin e vet për me u dal zot të drejtave të ligjshme të pakicës sonë në Jugosllavi, të drejta që janë caktua nga Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut edhe nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare , thuhej në shkrimin e gazetës “Përpjekja Kosovare”.
Shtypi i mërgatës kroate shkruan për Kosovën
Sikur që e kemi cekur më herët, shtypi i mërgatës kroate çështjes dhe problemeve të shqiptarëve që jetonin të okupuar nën Jugosllavi vazhdimisht i kushtonte rëndësi në faqet e saja. Kështu kishte ndodhur edhe më 1958, në numrin 10-11, të gazetës “Danica”, që botohej në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo botonte intervistën e kryetarit të Lidhjes Kosovare, të Dr. Nexhat Mitrovicës, që më parë e kishte botua gazeta “Besa” që u botonte nga mërgata shqiptare e Stambollit, në gushtin e vitit të kaluar (1958).

Pasi që botonte intervistën, gazeta “Danica”, shtonte edhe këtë: “Deklaratës së Z. Mitrovicës dëshirojmë t’i shtojmë se edhe populli kroat e ndjek me simpati luftën e shqiptarëve të Kosovës për një vetëvendosje, edhe do të gëzohej kur këto krahina, të cilat janë pa dyshim shqiptare, do ti bashkohen një shteti Shqiptar, të lirë, demokratik dhe antikomunist”. Thuhej në gazetën “Danica”.
Radio Londra i kushton vëmendje të madhe Ditës së Flamurit shqiptarë
Gazeta “Përpjekja Kosovare” në dy faqe tekst jep të dhëna se si Radio Londra i kushton rëndësi të madhe ditës kombëtare të ngritjes së flamurit shqiptar. Gazeta nuk e jep në tersi fjalën e lexuar në emision të Radio-Londrës, por pjesë-pjesë e boton edhe fjalën që u dha për Kosovën dhe popullin e robëruar të saj.
Ajo fillon duke treguar gjendjen e rëndë të kosovarëve që jetojnë të robëruar dhe historikun që e solli Kosovën në kthetrat e ish-Jugosllavisë, se:“Sot na shqiptarët në mërgim festojmë përvjetorin e 46-të të Ditës së Flamurit. Nesër, ju në Shqipërinë e robëruar do të shtrëngoheni përsëri me marrë pjesë në demonstrata për nderë të 29 nëntorit… Si e dimë të gjithë, 29 nëntori është dita e shpalljes së republikës Jugosllave. Sa për pretendimin e Tiranës se kjo është edhe dita, kur ushtari i fundit gjerman u largua nga toka shqiptare, nuk ka asnjë provë dhe nuk ka asnjë fakt. Është vështirë me e marrë me mend se çka e shtyri ushtarin e fundit gjerman të largohej nga Shqipëria bash atë ditë kur Mareshali Tito kishte bërë planin me proklamua republikën e tij. Por, nga kjo del edhe shpjegimi fare i thjesht se Shqipëria ishte caktua nga Stalini të bëhej, me kohë, republika e shtatë e Jugosllavisë federative. Për të arrit këtë qëllim, ishte nevoja me farkua jo vetëm lidhjet vitale ekonomike, ushtarake e politike, si lidhja doganore, lidhja e valutave, standardizimi i forcave ushtarake dhe koordinimi i planeve ekonomike, por edhe disa lidhje historike, të cilat do të sheshonin rrugën për bashkimin e dy shteteve. Kjo është origjina, kuptimi dhe qëllimi i ditës së 29 Nëntorit, 1944, të cilën udhëheqësit e Tiranës po e reklamojnë edhe një herë si ditë çlirimi. Për Mareshalin Tito ky ishte një kurth shumë tinëzar. Për Hoxhën dhe Shehun servilitet dhe tradhti. Prandaj ata kanë nevojë kohë më kohë të fshehin fytyrën e tyre të shëmtuar prapa patriotizmit, si e bënë vitin e kaluar dhe si mund ta bëjnë edhe në të ardhmen , komenton Radio Londra.

Më vonë vazhdon Radio-Londra, shton se: ”Në rrethanat e tanishme, kur Shqipëria është bërë pararojë e fushatës antijugosllave, një ngjarje historike e tillë ka rreziqet e saja. Prandaj, për t’i pakua kokëçarjet, Hoxha dhe Shehu kanë gjet një fushë tjetër, ku të shiten si patriot. Tash ata po na mburrën si mbrojtës të Kosovës. Por, edhe këtu faktet flasin kundër tyre. Me qenë se Jugosllavia përbëhet nga kombësitë e ndryshme, Kremlini orvatet ta shfrytëzoi problemin e pakicave, për ta shtrëngua të bjerë në gjunjë. Si dihet, ky problem i ka sjell Evropës, dhe sidomos Ballkanit, shumë ngatërresa vjet me radhë. Problemi vetë i ka rrënjët në padrejtësi të kryera gjatë historisë moderne dhe si i tillë ka qenë shfrytëzua vazhdimisht nga fuqitë totalitare, ndër të cilat Rusia mban rekordin. Nga ana tjetër, Bota e Lirë është mundua gjatë këtyre 30-40 vjetëve ti gjejë një zgjidhje të drejtë me anë të Lidhjes së Kombeve dhe Kombeve të Bashkuara, bazua në parimin e vetëvendosjes së popujve dhe në idenë e një Evrope të Federueme. Kurse Rusia Sovjetike është mundua ta zgjidhë problemin me depërtime dhe shfarosje popullsish, si depërtimi i Tartarëve të Krimes, i Kalmukve etj. Dhe i një pjese të popujve të Baltikut. Prandaj, ankimi i Hoxhës për fatin e Kosovës tingëllon ashtu si asht: fund e maje hipokrit. Dhe aq më tepër, kur ngjarjet e zhvilluara në skenën shqiptare në këta 15 vjet tregojnë se sa çnjerëzore, negative dhe oportune ka qenë dhe është qëndrimi i komunistëve të Tiranës kundrejt problemit të Kosovës.
Më tej vazhdon Radio Londra, se kur Italia fashiste ishte në kapitullim e sipër, një konferencë me rëndësi u mbajt në Mukje të Tiranës, me 1 e 2 gusht 1943, ndërmjet Ballit Kombëtar, e kryesuar nga patrioti Midhat Frashëri dhe Lëvizjes Nacional Çlirimtare, ashtu si quhej atëherë Partia Komuniste e Shqipërisë. Mbas bisedimeve të gjata , një marrëveshje me gjashtë pika u lidhë dhe u nënshkrua nga përfaqësuesit e të dy palëve. Nuk zgjatë shumë as një javë, kur marrëveshja u prishë nga Komiteti Qendror i kësaj partie mbledhë në Labinot, me urdhër të emisarëve të Mareshalit Tito, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi. Ata kundërshtuan rreptësisht sidomos pikën 3 të Marrëveshjes, që thoshte: “Të dy palët do të punojnë për një Shqipëri etnike të pavarur”. Që donë të thotë se të dy palët japin besën me vazhdua përpjekjet për një zgjidhje të drejtë të problemit të Kosovës.
Nga mbarimi i luftës komunistët e Shqipërisë dërguan një brigadë të tanë, për të ndihmua Titonë të nënshtronte shqiptarët e Kosovës. Deri më 1948, për Hoxhën dhe regjimin e tij ky problem ishte zgjidhë një herë e përgjithëson. Vetëm mbas 1948-ës, e sidomos mbas prishjes së marrëdhënieve në mes Jugosllavisë dhe shteteve komuniste, filluan komunistët e Tiranës të bëjnë shumë zhurmë për një zgjidhje të drejtë të këtij problemi. Po të shikojmë të kaluarën sovjetike, është kollaj me marrë me mend se çfarë zgjidhje mund të jetë kjo- një zgjidhje sipas kallëpeve komuniste, të cilën asnjë shqiptar nuk e dëshiron.
Një problem si ky nuk zgjidhet duke derdhë lot krokodili. Problemi ekziston dhe të gjithë të interesuarit e pranojnë. Zgjidhja është shumë e vështir, por jo e pamundur. Nacionalizmi shqiptar këtë e kupton fare mirë dhe mbështetë në parim dhe metodat e demokracisë Perëndimore në përpjekjen e tij për një zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës.
Prandaj, orvatjet e kuislingëve të Tiranës me e shitë si mbrojtës e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare, qoftë duke mbrojtur të drejtat e Shqiptarëve të Kosovës, qoftë duke reklamua 29 nëntorin si ditën e çlirimit, janë dënua të dështojnë.
Dita që na shqiptarët, kudo që gjendemi, po festojmë sot, 28 Nëntorin 1912, është dita që u sjell popullit tonë lirinë dhe pavarësinë e vërtetë. Kjo liri dhe kjo pavarësi u shkelën më 7 prill 1939 dhe nuk janë rifitua ende. 29 Nëntori 1944 e shtrini zgjedhën nga tirania fashiste në territorin komunist. Sot shqiptari, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, apo në Botën Perëndimore, përulet me përbujtësi përpara Altarit të Atdheut edhe përkujton Etnitë, që lanë jetën për të.
GAZETA “PËRPJEKJA KOSOVARE”, NR. 12. SHKRUAN PËR DHUNËN SHTETËRORE NDAJ SHQIPTARËVE
Shumë vështirë ishte që të siguroheshin numrat e gazetës “Përpjekja Kosovare” që botohej jashtë Kosovës. Numrat e saj 3, 6 dhe 12 m’i ka huazuar Dr.Riza Sadiku, i cili merret me organizimin e shqiptarëve në mërgim, kryesisht që vepronin në SHBA. Dhe shfrytëzoi rastin që ta falënderoi përzemërsisht.

Po ashtu edhe numri i dymbëdhjetë (12 ), i gazetës ka të njëjtin dizajn sikurse edhe numrat e më parëm, veç se tani faqet e gazetës janë të shtuara në 12 fletë të shkruara tekës dhe në të, temat me të cilën merren redaksia janë më të shumta dhe trajtohen dhe analizohen më gjerësisht. Ndërsa sa i përket autorësisë së shkrimeve, vazhdon e njëjta formë, pa emra, pa pseudonime dhe pa iniciale. Megjithëse, mendoi se kanë mundur bile të shënonin ndonjë pseudonim, për hir se sot kishte qenë më lehtë të deshifrohen autorët e shkrimeve. Por, mendoi se edhe rreziku ka qenë më i vogël për tu ndjekur dhe arrestuar, në krahasim me autorët e shkrimeve e gazetave që janë botuar ilegalisht në Kosovë.
“Përpjekja Kosovare”, nr. 12, një vëmendje të posaçme i kushton kryesisht lajmeve që vijën nga Kosova. Në të gjitha ato shkrime përfshihet terrori i ushtruar ndaj shqiptarëve, por edhe arrestimet e shumta që bëheshin ndaj tyre. Sipas të dhënave që sjell gazeta vijmë deri tek të dhënat alarmante se vetëm brenda 6-7 muajve në Kosovë thuhej se janë arrestuar mbi 2.000 veta. Të gjitha këto të dhëna dhe informacione përmblidhen në shkrimin “Lajme nga Kosova”, me një nëntitull lemeritë: “Një valë e re terrori dhe arrestimesh ka shpërthyer mbi popullin e Kosovës qysh nga pranvera e këtij viti: deri më sot ma se 2.000 të arrestuar”.

Në shkrim më tej thuhej se në natën e 6 qershorit, policia dhe UDB-eja kishin bastisur shtëpizat e shqiptarëve në të gjitha qytetet e Kosovës dhe kishte arrestua me qindra dhe persekutua me mija veta dhe kishte malltretuar popullsinë për rreth. Operacioni i arrestimeve informon gazeta se kishte vazhdua me ditë të tëra, dhe qysh se prej asaj kohe ka vazhdua herë pas here dhe nuk ndalet. Sipas informatave që kishte sigurua mërgata, thuhej se kishte arritur deri në 2.000 veta, persona shqiptar të arrestuar. Të arrestuarit ishin kryesisht intelektual në mesin e të cilëve kishte mësues, student dhe të tjerë, por kishte një numër të madh fshatarësh e punëtor. Arrestimet kryesisht ishin kryer në qytete si: në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Gjilan, në Gjakovë, në Vushtrri, në Podujevë e në Mitrovicë.
Kurora e luleve mbi varrin e mësuesit Shaban Shala, shkak për arrestime
Gazeta “Përpjekja Kosovare” vije në përfundim se arrestimet dhe përndjekjet ndaj shqiptarëve në Jugosllavi tani më janë bërë përditshmëri. Por, bënë pyetje Lidhja Kosovare, ç’i shtyri ata të zgjedhin këtë moment për t’u dhënë kosovarëve një grusht kaq brutal sa edhe të papritur. Thuhet se autoritetet përdorën si shkak gjestin që disa nxënës shqiptar kishin vu lule tek varri i një mësuesi shqiptar, Shaban Shala, i cili kishte qenë i arrestuar nga policia dhe kishte pas vdekur nga torturat më 13 prill, 1963 . Një gjë kaq e thjesht dhe aspak djallëzore, pushtetarët e interpretuan ndryshe duke thënë se ata kishin tentua të bënin demonstratë të madhe ndaj sistemit jugosllav.
Më vonë në shkrim, thuhej se “pa mare parasysh se cila ka qenë vlera e këtyre preteksteve, e vërteta asht se arrestimet janë pjesë e një plani të kurdisur nga qeveria jugosllave me qëllim që me i zhdukë shqiptarët e Kosovës. Një pjesë tjetër janë reformat ekonomike, që po zbatohen në të gjithë Kosovën dhe që kanë për qëllim që të dëbojnë shqiptarët nga vendlindja e tyre dhe ti shpërndajnë anë e mbanë Jugosllavisë. Kooperativat bujqësore dhe fermat shtetërore po ja marrin tokat çdo ditë këtyre fshatarëve dhe po i braktisin si punëtor të thjeshtë. Fshatarët e fushës së Pejës për shembull janë dëbuar nga tokat e tyre, pse gjoja kjo fushë do t’u mbjellka rrepa sheqeri nga ndërmarrja shtetërore. Po këtë gjë e kanë bërë edhe fermat shtetërore me fshatarët shqiptar në fushën e Gjakovës, kurse malësoret e Rugovës, të cilët jetonin me shfrytëzimin e pyjeve, janë dëbua krejt nga fshatrat e tyre. thuhej në gazetë.
Gazeta vazhdon se “edhe për punëtoret shqiptarë nuk ka punë në Kosovë, pse gjoja ata nuk janë të specializuar. Kështu për shembull, në fabrikat e Obiliqit, pranë Prishtinës, ku punojnë më tepër se 50.000 punëtor, nuk pranojnë asnjë shqiptar. Kurse shqiptarëve të Shkupit iu është mohua edhe leja me rindërtua shtëpitë e tyre të shkatërruara nga tërmeti i vitit të kaluar. Kjo edhe është një nga masat më barbare dhe më të tmerrshmet që autoritetet jugosllave kanë marrë kundër viktimave të tërmetit.
Artikullshkruesi vije në konkludim se nga kjo del sheshit se vala e tashme e arrestimeve, që po vërshon mbi të gjithë popullsinë e Kosovës, është një pjesë e politikës jugosllave, që ka për qëllim zhdukjen e kësaj popullsie. Ç’do shkak shërben për të justifikuar këtë persekutim. Dhe nuk është fare e çuditshme, se këto ngjarje të këtij viti na kujton vitin 1956, kur policia jugosllave, duke pretendua se kishte zbulua armë të fshehura, lëshoi mbi shqiptarët e Kosovës një valë terrori aq të rreptë sa që tërhoqi edhe vëmendjen e shtypit ndërkombëtar. Shumë nga viktimat vdiqën nga torturat, të tjerët mbetën të gjymtë dhe disa vranë veten, që të shpëtonin nga duart e xhelatëve.

Edhe tani po ndodhë e njëjta gjë. Autoritete jugosllave me çdo kusht po mundohen që të fshehin krimet e tyre. Mirëpo, gjaku i shqiptarit të derdhur pafajsishtë, kërkon drejtësi përpara gjithë botës. Një pjesë e shtypit të huaj nuk ka mund të hesht përpara këtyre persekutimeve.
Gazeta i kërkon falje lexuesve që tani për tani nuk po mundet me dhënë një listë të personave të arrestuar dhe të persekutuar. Por ata besojnë thellë se të arrestuarit UDB-eja i ka dërgua në burgjet që ndodhen thellë në Serbi por, është e mundur se mund të ndodhen edhe në burgun e Pozharevcit.
Edhe pse pushtetarët e Jugosllavisë, të arrestuarit i akuzonin se kanë lidhje me pushtetin komunist të Tiranës, ata mendon se një gjë e tillë nuk është e vërtet ngase pushteti i Serbisë po mundohet kot që në këtë mënyrë të fsheh krimin që ka bërë ndaj tyre, duke iu hedhur hi syve bashkësisë ndërkombëtare. Më tej në gazetë thuhej se “të gjithë e din se shqiptarët e Kosovës nuk e duan komunizmin, qoftë i Beogradit apo i Tiranës. Një nga personat më me rëndësi ndër të arrestuarit, shkrimtari Adem Demaqi , pat kalua katër vjet në burg vetëm pse kishte shkrua romanin anti-komunist “Gjarpinjtë e gjakut”. Të tjerët si profesorë Mustafa Venhari , mësuesi Beqir Duraku , dhe Rahim Gashi , juristi Sabit Ratkoceri , gazetari Adem Beqiraj , studenti Zeqir Gërvalla , patrioti Ali Hoxha , Dilran Gashi e të tjerë, të gjithë njihen për ndjenjat e tyre anti-komuniste .
Dhe shtrohet pyetja, poqese shqiptarët reagojnë nga ndonjë pakënaqësi, atëherë pushtetarët nuk duhet ndërmarr aksione terroriste e ndëshkues ndaj tyre por duhet kërkuar shkaqet e pakënaqësisë. Thuhej në fund të shkrimit.

(VIJON…)

________________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (1)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3897
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (2)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3898

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura