NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (XI)

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (XI)

Nga Ajaz Emini

Disa nga ngjarjet më interesante të pasluftës

Zakonisht gjatë ditës na vinin shumë ankesa apo kërkesa të ndryshme nga popullata lokale shqiptare dhe serbe, por edhe rome. Në njërën prej ditëve na erdhi ankesa nga një fshat serb, sa më kujtohet quhej Parallovë diku në rrethin e Gjilanit. Ankesa e tyre ishte se gjatë natës dikush po gjuante me lloj-lloj armësh në drejtim të fshatit të tyre, në shenjë provokuese dhe për të mbjellë frikë nga bjeshkët përballë, në afërsi ku ndodhej fshati shqiptar! Të nesërmen shkuam në fshatin shqiptar për të cilin bëhej ankesa, biseduam me disa fshatarë që takuam, edhe i treguam problemin e fshatit fqinjë në lidhje me ankesën. Ata na thanë se në realitet serbët janë ata që po gjuajnë me armë të ndryshme gjatë tërë natës! I këshilluam që mos të ndodhë përsëri diçka e tillë, sepse për ndryshe pa marrë parasysh se kush është, do të arrestohet për një akt të tillë.

Pas kthimit në vendqëndrimin tonë në Gjilan, përsëri vazhduan që të na vinin ankesat e njëjta, por tani nga të dy fshatrat, ai me shqiptarë dhe tjetri me serbë.

Kapiteni Wiggis na tha: “Njëri prej këtyre të dyve po na gënjen, sepse që të dy kanë të njëjtën ankesë, por sidoqoftë ne do ta vërtetojmë se kush po gënjen.”

Disa ditë më vonë kapiteni më tha se sonte do të shkojmë për të vëzhguar prej së afërmi se kush po gjuan, edhe pse  sipas të gjitha  gjasave e dimë  se gjithnjë popullata serbe po ankohet shumë më tepër dhe për gjithçka!

Në mbrëmjen që kishim caktuar që të shkonim në vendin e ngjarjes, po mbante një natë me erëra të forta dhe me vranësira. I gjithë grupi ynë u pajisën me mjetet e natës si: dylbi të natës (Night vision), dylbitë me nxehtësi të trupit (Thermal vision), armatimin e tyre edhe u nisëm rrugës për të shkuar diku në mes të dy fshatrave. Ishte rreth orës 1:00 pas mesnate, dhe si zakonisht edhe sonte shkuam me dy makina Hamvee. Prej Gjilanit vazhduam rrugën në drejtim të Prishtinës. Pas dhjetëra kilometrash dolëm në të majtë të rrugës nga rruga kryesore, dhe aty në afërsi të një lumi të vogël u ndalëm dhe parkuam.

I fikëm makinat me qëllim që mos të dëgjohej asgjë, sepse nuk ishim shumë larg nga vendet që ankoheshin. Posa u ndalëm filloi një rrebesh shiu i tmerrshëm, për çka kapiteni më tha që unë të qëndrojë në makinë, e ai me kolegët e tij të dalin në malin përsipër që nuk ishte aq larg fshatrave, dhe të vëzhgojnë për një kohë për ndonjë gjuajtje armësh.

-Pas dy orësh në bjeshkët e përsipër rrugës të vëzhgimit që të gjithë u kthyen, të rraskapitur nga era e fortë dhe rrebeshi i shiut. Nuk kishin dëgjuar asgjë, e që sipas të gjitha gjasave dukej se që të dy palët vetëm se po na gënjenin neve. Njëri nga kolegët i quajtur “Baba” e filloi tregimin e vetë se çka i kishte ndodhur atje lartë në pyllin e dendur. Ai rrëfente se gjatë vëzhgimit derisa kishin qëndruar brenda pyllit të dendur, kishte dëgjuar një zë që gjithnjë e më tepër po i  afrohej atij. Mirëpo kishte kërkuar gjithandej dhe nuk kishte parë askënd! E kishte provuar për të parë me dylbitë e territ night vision, edhe me dylbitë thermo që tregojnë trupat e gjallë edhe prapa lisave apo edhe prapa murit, dhe nuk kishte parë asgjë. Zhurma e ecjes nëpër gjethet e thata të drunjëve që ishin për tokë gjithnjë e më tepër po i afrohej, por me ndërprerje të vogla të sajë e që gati sa e kishin çmendur ushtarin e shkretë. Siç dukej “Baba” ishte frikësuar pa masë, sepse nuk kishte pasë mundësi që të shohë apo hetojë se kush apo çka ishte, e që po i afrohej gjithnjë e më afër tij! Kur iu kishte afruar krejt afër këmbëve të tij,  atëherë e kishte vërejte se ajo kishte qenë vetëm se një breshkë e thjeshtë mali! Në mbarim të rrëfimit të tij, që të gjithë filluam së qeshuri me të madhe, se sa shumë ishte trishtuar “Baba” i shkretë, në thellësi të atij pyllit të dendur. Mua personalisht më dukej si një tregim shumë interesant i një pjese të jetës ushtarake, për çka desha që ta ndajë edhe me ju lexues të dashur…

05 Gusht 1999, në gjykatën e parë të Kosovës së Lirë me Kapitenin Jurist Charles J. Kovats, Jr. në Kampin ushtarak Amerikan “Bondsteel” / Kosovë.

Në fund të Gushtit 1999 para se të fillojë viti i ri shkollorë, grupi  ynë i  Njësisë Speciale  të Armatës Amerikane u tërhoqëm nga objekti i shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan, dhe u transferuam me një shtëpi private të marrë me qira në qytetin e Ferizajit.

Në Ferizaj ishim dy grupe të Njësive të Forcave Speciale të Armatës Amerikane, në të dy anët dhe në afërsi të autostradës Shkup-Prishtinë. Unë isha me grupin në anën e majtë të rrugës e kurse në anën e djathtë ishte Shabani, me të cilin ishim nisur së bashku prej SHBA’s për në Shqipëri, atje ku unë po punoja me grupin e speciales në Kukës e ai në Bajram Curr.

Në Ferizaj për derisa qëndrova me njësinë e njëjtë, vazhduam të njëjtën detyrë.

Në Ferizaj patëm rastin të njihemi edhe shoqërohemi edhe me disa ish pjesëtarë të UÇK’s, si: Skender Bega, Miftar Bega (ish kampion Ballkanik në “Bodybillder”) dhe Avni Parllakun të cilët më vonë do të na ndihmojnë me zbardhjen e disa vendeve që supozohej se ishin varreza masive diku në mal në Nerodime të Ferizajit, andej ku ishin zhvilluar edhe shumë beteja në mes të UÇK’s dhe forcave të armikut serb.

Pas çlirimit të Kosovës filluan të mbahen shumë manifestime, dhe në njërin prej tyre që po mbahej gjatë Nëntorit të vitit 1999 të organizuar në Klubin “ABC” të Prishtinës, na ftuan edhe neve shokët nga Ferizaji: Miftar Bega me Avni Parllaku të cilën ftesë e pranuam me shumë dëshirë. Në mbrëmjen e ahengut nga Ferizaji u nisëm me dy makina, në njërën unë me dy pjesëtarë të Forcave  Speciale të Armatës Amerikane me veshje civile, por edhe makinën tonë SUV civile që Armata e SHBA’s tani na i kishte dhënë në shfrytëzim, kurse në makinën tjetër të tyre ishin Miftari me Avniun.

Në manifstimin e organizuar po merrnin pjesë shumë yje të estradës së muzikës popullore Shqipëtare si: Ilir Shaqiri, Nusret Muçiqi, Afrim Muçiqi, Dani, etj.

Ambienti, muzika, ushqimi dhe shoqëria ishin në nivel të shkëlqyer, përveçse njërit të pranishmëve, ndoshta e kishte edhe nga alkooli apo edhe xhelozia e një femre nga Ferizaji që po na shoqëronte, filloi që të na bezdisë dhe kohë pas kohe gjatë vallëzimit po e shtynte njërin nga kolegët e mijë ushtarak, i cili na tregoi dhe me shumë mjeshtri po i largohej ngatërresës. Pas përfundimit të programit muzikorë, derisa ne po largoheshim në drejtim të makinës që kishim, ai maskarai që donte të ngatërrohej me ushtarin. Por tani kishte edhe njërin nga shokët e tij, që të dy ishin shtat ligësht, por karagjozë që po na ndjekin pas. Kur u afruan afër makinës tonë për njëherë njëri prej tyre deshi që ta grushtojë kolegun tonë pa kurrfarë arsye!

Sa për njoftim, pjesëtarët e Forcave Speciale në Armatën Amerikane janë elita ushtarake Amerikane, që donë të thotë se ata janë më të aftit e të aftëve, sepse ata janë në ushtrime të përditshme fizike e po ashtu edhe psikikisht mjaftë të përgatitur! Për të qenë pjesë e Forcave Speciale këta ushtarë kanë kurse specifike dhe tepër të vështira për t’i kaluar për derisa të pranohen që të jenë pjesëtarë të kësaj elite!

Derisa ngriti grushtin lartë shqiptari i shkretë shtat lagësht që t’i bjerë kolegut tonë ushtarak, atë veçse e pamë të shtrirë në asfalt nga grushti që e mori prej ushtarakut. Aksionin e tijë e vazhdoi shoku tjetër i tij, por në të njëjtën mënyrë si i pari edhe ky derisa po ia mësynte ta grushtojë ushtarakun, edhe ky u pa më keq i shtrirë në asfalt. Po, vetëm se nga një e mëshuar nga grushti i rëndë i ushtarit dhe tepër të fuqishëm që i ra si prej qiellit, edhe pësoi edhe më keq se i pari, të cilit pas rënies vetëm se iu rrotulluan edhe sytë e s’po dinte asgjë.

Meqenëse ishte fundi i mbrëmjes shumica kishin dalë jashtë në parking dhe në ndërkohë shumë prej tyre vrapuan drejtë nesh për të na ndërhyrë, që të na ndajnë nga ky sherr i pa pritur, e në mesin e të cilëve ishte edhe vetë këngëtari Nusret Muçiqi. Meqenëse edhe kolegë të mijë ushtarakë e kishin tepruar me alkool, unë me të shpejtë ia mora çelësat e makinës ushtarit që na kishte vozitë për në aheng edhe i tërhoqa pas vete që të dy. Hymë në makinë edhe unë me shpejtësi që mos të na ndodhë edhe ndonjë gjë edhe më e keqe sepse kolegët e mijë ishin nxehë pakë nga alkooli, por edhe nga ngatërresa, edhe ishin të armatosur me revolet e tyre ushtarake, me të shpejtë u larguam në drejtim të Ferizajt nga ky vend i sherrit. Gjatë rrugës u përbetuam që në lidhje me këtë incident mos ta dijë askush, as kapiteni e as kolegët tjerë, sepse përndryshe dihej se ç’do t’i ndodhte karrierës së tyre ushtarake! Jo vetëm që do t’i largonin nga njësiti i tyre, por ndoshta edhe do t’i dënonin me burg ushtarak…

Me të gjitha rregulloret ushtarake ne e kishim të ndaluar rreptësishtë konsumin e alkoolit, e mos të flasim për shkuarjen në ahengje private… (vijon)

KALIMI IM NË NJËSINË E JURISPODENCËS SË ARMATËS AMERIKANE (JAG / JUDGE ADVOCATE GENERALS CORP) NGA NJËSIA E FORCAVE SPECIALE TË ARMATËS AMERIKANE

Pas një viti të punës time me Njësinë e Forcave Speciale të Armatës Amerikane filluan shumë gjëra të ndryshojnë, sidomos pas ardhjes së personelit të rijë. Nga ana tjetër tani në bazën ushrarake të Bondsteel’it e kisha edhe bashkëshorten Shahadijen, si dhe kishim sjellë edhe fëmijët te familja e vëllaut Murtezanit në fshatin Llojan.Mu për këtë arsye vendosa që të bëjë lëvizje nga Njësia e Forcat Speciale në Njësinë e Jurispodencës “JAG” (The Judge Advocate Generals Corp), e cila mirret me të gjitha lëndët e drejtësisë ushtarake dhe civile, si dhe mbrojtjen dhe këshillëdhënien juridike, si dhe ku po punonte edhe bashkëshortja ime Shahadija.

Kalimi im në JAG u prit shumë mirë dhe me shumë entuziazëm nga i gjithë personeli i grupit ushtarak që udhehiqej nga Kapiteni Kovach,dhe ai civil i shqiptarëve që kryesohej nga Gjykatësi Selman Bogiqi dhe Prokurori Miftar Jasiqi nga Gjykata e Prishtinës.

Në këtë detyrë të re e kisha edhe një përparësi të madhe, sepse shumë më herët në Universitetin e Prishtinës kisha studjuar Gazetari/Drejtësi, dhe deri diku e kisha të njohur edhe terminologjinë e fjalëve të ndryshme juridike që përdoreshin.

Shahadija që nga ardhja e sajë në Bondsteel kishte  qenë  e  caktuar  që  të  punojë  me  këtë  grup juristësh, gjë e cila më lehtësoi shumë edhe adoptimin tim në këtë detyrë të re.

Puna kryesore e këtijë grupi juristësh ushtarak, ishte punët juridike për ushtarakët e Bondsteel’it si dhe kontrolli edhe vurja e themeleve të drejtësisë në Kosovë.

Në zyrën tonë të drejtësisë, apo si me thënë në çadrën tonë të gjykatës së drejtësisë (sepse gjatë kësajë kohe ende gjithëçka ishte në çadra ushtarake),ku po punonim nga e Hëna e deri të Premten, e ku kishim edhe bashkëpunëtorët tanë të grupit të juristëve kosovarë i cili udhëhiqej nga: Selman Bogiqi- Gjykatës dhe Miftar Jasiqit -Prokurorë nga Prishtina si dhe Ymer Huruglica –i Gjykatës së Gjilanit dhe grupeve të juristëve të tjerë të Gjykatës së Ferizajit dhe Gjykatës së Gjilanit.

Në fillim, afër çadrës tonë të gjykatës kishim edhe 3 çadra më të mëdha, të cilat ishin të rrethuara në tela me gjemba dhe me roje ushtarake. Njëra prej tyre shfrytëzohej nga policia ushtarake, aty ku kishin zyrën e tyre, kurse dy të tjerat po shfrytëzoheshin për burgje të mbajtjes së popullatës lokale.

Në njërën çadër ishin të vendosur të burgosurit shqiptarë e kurse në tjetrën ishin vendosur të burgosurit serbë, dhe që të gjithë akuzoheshin për veprat e ndryshme penale.

Në fillim të gjitha gjykimet kryheshin nën mbikqyrjen tonë këtu në Kampin Amerikan “Bondsteel” në këtë çadër të thjeshtë të gjykatës, e më vonë me kalimin e kohës filluam edhe funkcionimin e Gjykatës së Gjilanit dhe Gjykatës së Ferizajit.

Më 23 nëntor 1999, gjatë festës amerikane të faleminderimeve, na erdhën për vizitë në Kampin Ushtarak Amerikan “Bondsteel” të Sojevës: Presidenti i SHBA-së Bill Clinton me të bijën Chelsea, Sekretaresha e Shtetit Amerikan Madeleine Albright, Gjenerali i NATO-së Wesley Clark, i cili udhëhoqi Operacionin e Forcave Aleatea të (bombardimet e NATO’s mbi Serbinë dhe forcat serbe) pjesë e së cilës isha edhe unë, Shefi i Kabinetit John Podesta, Këshilltari i Mbrojtjes Kombëtare Sandy Berger, si dhe 4 pjesëtarët e Kongresit Amerikan: Përfaqësuesi Jack Kingston i Georgia’s, Përfaqësuesi Peter Dutsch i Floridës, Përfaqësuesja Carrolyn Maloney e qytetit të Nju Jorkut si dhe Përfaqësuesi dhe miku më i madhë i shqiptarëve Eliot Engel. Mundë të themi lirisht se këtu në Kosovën e lirë sot na erdhi gati se i gjithë kabineti i SHBA-së

Këtu në Kampin “Bondsteel” të Kosovës për të parën herë ne patëm rastin që të takonim dhe të përshëndeteshim me Presidentin Clinton me Sekretareshën e SHBA’s Albright, si dhe Gjeneralin e NATO-së, Clark, me të cilët shkëmbyem edhe një bisedë të shkurtër, e cila ishte më tepër në shenjë faleminderimi për operacionin që kishin ndërmarrë në çlirimin e Kosovës! Gjithashtu edhe ata u interesuan për jetën tonë këtu në kampin ushtarak, dhe më vonë shkrepëm edhe disa fotografi kujtimi, e që do të jenë si fotografi historike sepse në foto kishim çlirimtarët e shtetit më të rijë të Kosovës.

Në fund, derisa po bënim një foto së bashku me Gjeneralin më të dashur të shqiptarëve Komandantin Suprem të NATO- së Gjeneralin Wesley Clark, e që do ta shkrepte për ne Shahadija, pasi se ne u bëmë gati dhe pozuam me gjeneralin, Shahadija e shkrepi aparatin por më e keqja ishte se filmi i aparatit na ishte harxhuar. Për çka edhe gjenerali me një buzëqeshje na tha: “Kjo që na ndodhi është e zakonshme, kur fillon të pozojsh shpeshëherë të harxhohet filmi ose të prishet fotoaparati, por sigurisht se do të shihemi herave tjera”!

Gjatë kësajë vizite presidenti Clinton mbajti edhe një fjalim para personelit ushtarak të cilin e filloi me fjalët: “Ju faleminderit dhe përshëndetje”. Pasi na faleminderoi të gjithëve për punën që po bënim këtu në Kampet Ushtarake Amerikane në “Bondsteel” dhe “Monteith”, ai vazhdoi; “Ju faleminderit, ne e rikthyem në normale çdo gë që shkaktoi pastrimi etnik. Ne kemi misionin e suksesëshëm ushtarak i cili në mënyrë brilante u ekzekutua edhe atë pa asnjë viktimë ushtarake, dhe tani ne kemi shancë, jo garancion por shancë, që të bashkëpunojmë me këta njerëz dhe të ndërtojmë paqe të qëndrueshme në Ballkan. Tani Operacioni i Forcave Aleate u krye, tani është një detyrë tjetër, po Kampi “Bondsteel” është në vijën e parë të frontit, Operacioni i Përbashkët Kujdestarë (Operation Joint Guardian) do të mbrojë dhe thellësojë paqen dhe ne po punojmë që ta bëjmë të përjetshëm. Ju në të vërtetë nuk humbët aspak kohë, dhe tregimi i Bondsteel’it lexohet si diçka e levizjeve të Perendimit të vjetër. Jo shumë kohë më herët këtu ishte livadhe, dhe menjëherë pas ardhjes së NATO’s në Kosovë, kjo u bë një koshere aktivitetesh, nëpërmjet të inxhinierisë së Armatës dhe Marinës Detare…”

E martë 2 maj 2000

Ishte ditë me diell dhe ditë e ngrohët pranverore, me punë nuk ishim të nxanun, por sa për të kaluar kohën po lexoja një libër. Papritmas erdhi cimeri im Mentor Hajdari, atdhetar dhe aktivist i madh nga Nju Jersey i SHBA-së, i moshës mesatare, dhe njeri i fjalës me prejardhje nga Struga. Mentori ishte përkthyes i caktuar që të punonte me Gjeneralët amerikan në Kampin e Bondsteel’it dhe tani ai po kthehej  nga puna . Posa hyri mbrenda më pyeti se a mundem më vonë që të shkojmë së bashku edhe ta shoqëronim Komandantin Suprem të Aleancës së NATO-së për Evrope Gjeneralin Wasley K. Clark, i cili kishte ardhë në vizitën e tijë  të fundit lamtumirëse në Kampin Bondsteel, dhe më vonë po planifikonte të vizitojë edhe vendet për rreth, si Kllokotin, Vitinë dhe Gjilanin. Menjëherë e pranova kërkesën e kolegut tim, me të cilin kishim marrëdhënie shumë të mira shoqërore. Rreth orës 14:00 pas dite, nga dhoma jonë u nisëm unë me Mentorin dhe shkuam para zyrës së Gjeneralit, dhe atje takuam edhe iu bashkangjitëm eskortës ushtarake.

Kjo ishte hera e dytë që po e takoja Gjeneralin Wesley Clark në Kosovë, këtu në kampin e ushtrisë amerikane, në Bondsteel. Pas disa minutash doli edhe Gjenerali Clark, i cili me një buzëqeshje na u afrua dhe u njoftua me të gjithë grupin që do ta shoqëronim, dhe pas disa çastesh u nisëm në drejtim të Kllokotit.

Në Kllokot arritëm pas disa minutash, së pari u ndalëm në fabrikën e ujit mineral Kllokoti. Në fabrikë u njoftuam me grupin e punëtorëve që ende ishin shumicë serbe, si duket kishin mbetur nga koha e Millosheviqit të cilët edhe me ne nuk u treguan aq entuziast për ne kur na panë se ne ishim pjesëtarë të Armatës Amerikane, dhe pas disa minutash vazhduam rrugën për në Viti.

Rrugëve të Vitisë takuam shumë njerëz, por kuptohet   të   nacionalitetit   shqiptarë   edhe   secilin qytetarë që po takonim ishin shumë entuziastë të bisedonin si dhe mjaftë të kënaqur për vizitën që po i bënte atyre Gjeneralit Clark. Por, edhe Gjenerali Clark ndjehej mjaftë i kënaqur nga mikëpritja e tyre që po i bëhej.

Nga Vitia u larguam në drejtim të Gjilanit diku rrreth orës 15:30 pas dite. Në të hyrë në qytetin e Gjilanit, morëm rrugën alternative e cila ndahej nga rruga kryesore dhe shkon majtas dhe pershkon për rreth dhe jashta qytetit.

Pas disa kilometrash arritëm në arterjen tjetër të rrugës e cila të çonte për në fshatin Ponesh, dhe aty ku ndahen rrugët Gjenerali Clark shprehi dëshirën që të ndalemi pakë për të parë qytetin nga ajo pikë. U ndalëm e gjithë eskorta dhe që të gjithë dolëm nga makinat, poashtu edhe Gjenerali Clark doli nga makina dhe po shiqonte rreth e rrotull qytetin e Gjilanit nga kjo pikë e që po shtrihej para nesh dhe ndërkohë po bisedonim.

Gjatë kohës së kësajë pauze që po bënim aty, të njejtës rrugë po shihej prej së largu se drejtë nesh po na vinte dhe po na afrohej një plak, i cili ishte i dobët por shtat gjatë dhe me plis të bardhë mbi kokë,e që po i grahte një biciklete të vjetër prodhim i ish Jugoslla- visë. Derisa ne po bisedonim me gjeneralin në lidhje me historikun e qytetit të Gjilanit, plaku që po i grahte bicikletës kur na u afrua rreth 4-5 m. erdhi, ndali bicikletën në vend dhe derisa kishte një këmbë në tokë e tjetrën në bicikletë, pa e dijtë se kush ishte me ne na u drejtua me duar lartë nga qielli edhe me za të lartë na tha: “Zoti para dhe Amerika pas”. Përnjëherë vazhdoi tempon e tijë mbi bicikletë, edhe u largua rrugës te poshtë drejt qytetit! Gjenerali Clark disi i habitur nga gjesti i plakut mu drejtua mua sepse gjatë këtijë momenti unë qëllova më afër tij, edhe më pyeti se: “Çka na tha plaku me plisin e bardhë?” Menjëherë ia përktheva fjalët e plakut, “ Plaku na tha: Zoti para dhe Amerika Pas”, fjalët e të cilit disi e shokuan Gje- neralin.

Gjenerali Clark u ndal për një moment dhe po mendonte diçka dhe po e përcillte me shumë vëmen- dje largimin e plakut, dhe luhati kokën, e iu mbushën sytë me lot. Pastaj na u kthye neve që ishim për rreth tij edhe na tha: “Ndjehemi mëse të kënaqur për shpëtimin e të gjithë këtyre jetërave të njerëzve të pafajshëm.”

Pas kësajë ndalese përsëri e gjithë eskorta ushta- rake vazhduam rrugën e mëtejme në dretim të qendrës së qytetit. Para arritjes në qendrën e qytetit stopuam edhe në afërsi të kishës ortodokse serbe, aty takuam një plakë të veshur në të zeza të kombësisë serbe. Gjenerali Clark shprehi dëshirën që ta pyes atë se si po kalojnë mirëpo ajo nuk pranoi që të flasë me ne, e cila përnjëherë u largua duke na e dhënë një shikim irritues!

Me Gjeneralin dhe eskortën që kishim, ngadalë kaluam qendrën e qytetit të Gjilanit, aty ku u ndalëm dhe dolëm nga makinat për ca minuta dhe hecëm në këmbë qendrës së qytetit dhe me vonë përsëri i hypëm makinave dhe u larguam për në Kampin e Ushtrisë Amerikane në Bondsteel.

Pas kthimit në kampin ushtarak Bondsteel, Gjenerali Wesly Clark na u faleminderua që të gjithëve që ishim me të për shërbimin në forcat amerikane, si dhe për shoqërimin e tij gjatë ditës së sotme. Pastaj bëmë edhe përshëndetjen e fundit lamtumirëse me gjeneralin i cili tani po largohej nga detyra e tij në Armatën Amerikane për në pension.

Gjatë kohës së bombardimeve 78 ditore mbi forcat serbe, Gjenerali Wesley K. Clark ishte Koman- dant Suprem i NATO’s për Evropë, si dhe udhëhoqi kampanjën e “Operacionit të Forcave Aleate” në bombardimet mbi forcat serbe në Kosovë si dhe pikat më strategjike mbrenda Serbisë në çlirimin e Kosovës, pjesë e së cilës pata fatin që të jemë dhe unë, gati se që nga fillimi i këtijë operacioni, nga i cili edhe ne bartim Medaljen “KOSOVO CAMAPAIGN / IN DEFENSE

OF HUMANITY” (Fushata e Kosovës / Në Mbrojtje të Njerëzimit) dhe medaljen tjetër “NATO / IN SERVICE OF PEACE AND FREEDOM” (Nato / Në Shërbim të Paqes dhe Lirisë)…

Ky ishte edhe moment i fundit që po takonim Gjeneralin Clark në uniformën ushtarake, sepse kjo ishte edhe vizita e tij e fundit që po i bënte Kosovës dhe bazës ushtarake Amerikane të Bondsteel’it para ikjes së tij në pension nga Armata e SHBA’s.

Njësia e Jurispodencës së Përgjithëshme e Armatës Amerikane

Puna jonë në JAG të Armatës Amerikane ishte edhe një lloj privilegji, sepse me këtë njësi të Juristëve të Armatës Amerikane po venim edhe themelet e drejtësisë në Kosovë, drejtësi e cila më vonë do të drejtohej krejtësisht nga juristët kosovarë!

Gjatë gjithë këtyre viteve drejtësia kosovare ishte praktikuar nga një shumicë juristësh kriminel serbë, e cila zgjati deri para disa muajsh para fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi ish Jugosllavinë. Deri atëherë kur diskriminohej e tërë popullata shqiptare në të gjitha sferat e jetës, e sidomos në denimet më drastike të shtetit serb ndaj shqiptarëve të pa fajshëm. Po, atëherë kur nuk kishte kurrëfarë drejtësie, atëherë kur ishte në këto anë dhe po sundonte shteti i aparthajdit serb.

Në JAG ishim të angazhuar që të bënim punën e përkthyesit, por unë dhe Shahadija më tepër bëmë edhe punën e këshilltarëve për personelin ushtarak të kësajë njësie juristesh. -Në fillim më tepër u morrëm me përkthimet e kërkesave pronësore, të tokave të uzurpuara pas ngritjes së bazës ushtarake të Bondsteel’it, në Sojevë të Ferizajit.

Pas kryerjes së këtijë dokumentacioni të pronësisë, vazhduam për një kohe edhe me shqyrtimin e lutjeve të pjesëtarëve të UÇK-së , në transformimin nga statuti i ushtarëve të UÇK së në atë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Në këtë kohë patëm rastin të vizitojmë shumë herë edhe kazermat e TMK-së në Gjilan dhe Ferizaj, ku edhe u njoftuam dhe biseduam me shumicën e ish eprorëve të UÇK’s, e tani ishin eprorë të TMK-së me të cilët ne gjithmonë patëm një bashkëpunim shumë të mirë.

Me fillimin e punës së gjykatave, tani të pamvarura në Gjilan dhe Ferizaj, ne me Kapitenin Kovach pastaj Brian S. Hesline të tjerët e kishim për detyrë që të bënim këshillimin si dhe mbikqyrjen për zhvillimin e seancave të ndryshme gjyqësore, e në veçanti ato ndëretnike, me qëllim që mos të diskriminohej askush nga qytetarët në Kosovë nga lëmia e drejtësisë.

Gjatë kësajë kohe patëm rastin të merremi nga fillimi edhe me dy lëndë shumë të rënda, ku kryerësit e krimit ishin ushtarët amerikanë prej bazës së Bondsteel’it, e kurse viktima ishin: një vajzë11 vjeçare nga fshati Debëllde edhe më vonë edhe vrasja nga pakujdesia e një djali 6 vjeçarë nga fshati Sllatinë e Epërme, e që të dy fëmijët e familjeve shqiptare.

Pas krimeve qe na ndodhën, njësia jonë JAG ishim të angazhuar që t’i bënim vizita të njëpasnjëshme familjarëve të viktimës Shabiu në Debëllde dhe asajë Rexhepi në Sllatinë të Epërme, që të dy të rrethit të Vitisë. Më tepër shkonim për në shenjë ngushllimi por edhe keqardhje për fatkeqësitë që u kishin shkaktuar ushtarët e Armatës Amerikane në Kosovë këtyre dy familjeve shqiptare.

Për rastin e pare ishte përdhunimi dhe vrasjes së 11 vjeçares Merita Shabiut në Janar të vitit 2000, i akuzuari i së cilës ishte ushtari 36 vjeç Frank Ronghi i cili më vonë nga gjykata ushtarake në Werzburg të Gjermanisë, u denua me burg të përjetshëm.

Në lëndën e viktimës së 6 vjeçarit Gentrit Rexhepit, unë, Shahadija dhe Kapiteni i njësisë së JAG’ut ishim të angazhuar që prej fillimit, menjëherë pas ndodhjes së kësajë vepre. Për këtë vepër penale, gjatë gjykimit të ushtarit amerikan morrëm pjesë edhe ne si përkthyes; Shahadije Emini, Ajaz Emini dhe Mark Treshi së bashku me prindërit e të ndjerit, Deliun dhe Sanije Rexhepi dhe dajën e vogëlushit të ndjerë 6 vjeçar Gentritit. Morëm pjesë ne seancë gjyqësore që po mbahej kundër të pandehurit ushtarit të Armatës Amerikane 19 vjeçarit Nicholas Joung, në Gjykatën Ushtarake të bazës së Armatës Amerikane në qytetin Gizen të Gjermanisë. Në këtë seancë të gjykatës së lartë ushtarake prindërit e Gentritit të vogël erdhën prej Kosovës vetëm e vetëm sa për t’i treguar gjykatësve ushtarak se po ia falin gjakun e të birit të tyre Ushtrisë Amerikane dhe Shtetit Amerikan për ndihmën që i dhanë në Çlirimin e Kosovës!

Ushtarin 19 vjeçar Nicholas Joung, të cilit i kishte ardhë edhe e ëma e tij nga Amerika në këtë seancë e që po gjykohej për këtë vrasje nga moskujdesia, familja shqiptare Rexhepi e falën. Ia falën gjakun e të birit të tyre para nënës së tij dhe të tërë trupit gjykues për aksidentin që i kishte ndodhur në vrasjen e të birit të tyre 6 vjeçar Gentritit. Ata gjykatës i kërkuan që ushtari Nicholas Joung të lirohej menjëherë nga akuza edhe mos të dënohej aspak!

Ishte një gjest i familjes Rexhepi që tërë trupën e gjykatës ushtarake të Armatës Amerikane në Gizen të Gjermanisë e lanë pa fjalë! Për këtë gjest human të familjes së viktimës, shkroi edhe shtypi amerikan se si familja e viktimës shqiptare në Kosovë e fali ushtarin amerikan për vrasje nga pakujdesia të birit të tyre 6 vjeçarë Gentrit Rexhepi!

Pas dy netësh qëndrimi në Gizen teëGjermanisë, pakë para përfundimit të gjykimit të ushtarit Nicholas Joung, ne me kapitenin dhe familjen e viktimës u nisëm me aeroplanin ushtarak C-17 për në Shkup, aty ku mbërritëm rreth orës 20:00.

Në bazën ushtarake të KFOR’it në Aeroportin e Shkupit, aty darkuam dhe pas orës 21:00 së bashku i gjithë grupi që ishim u nisëm me makinat tona ushtarake në drejtim të pikës kufitare të Hanit të Elezit. Në pikën kufitare arritëm rreth orës 22:00, dhe pasi se me ne kishim edhe familjen e viktimës Rexhepi, policia maqedone i kërkoi pasaportat e udhëtimit të tyre, dokumente që nuk i kishin sepse UNMIK-u ende nuk kishte filluar me dhënien e dokumentacioneve të udhëtimit për banorët e Kosovës.Udhëtimi i tyre për në Gjermani ishte bërë vetëmse me dokumentacionin që ia bëmë nga komanda ushtarake në Bondsteel, por ky dokumentacion sa duket tani na qenka i pavlefshëm për policët sllavo-maqedon në kufirin e Bllacës. Po ndoshta aty ishin të njejtit policë që maltretuan me mijëra e mijëra shqiptarë duke i plaçkitur dhe dëbuar nga forcat kriminale serbe!

Për shkak të dokumentacionit të familjes Rexhepi u detyruam që të gjithë të kthehemi përsëri për në kampin ushtarak të KFOR-it në Aeroportin e Shkupit. Aty ku edhe kaluam natën. Të nesërmen që të gjithë së bashku, dikur pas mesditës fluturuam mbi pikën kufitare të Bllacës drejtë bazës ushtarake Bondsteel në Kosovë, me helikopterin transportues ushtarak Chinook të Armatës Amerikane!…

Më herët shkrova pakë edhe për vizitën time derisa me Njësine e Forcave Specaile në fshatin Llashticë të Gjilanit, aty ku takuam edhe Kanadezen, Louis Arbour të Komisionit të Lartë për të Drejtat e

Njeriut në OKB e cila po vizitonte grupin Kanadez të Forenstikës të cilët po bënin hetimet e krimeve serbe në këtë fshat të Kosovës.

Gjatë kësajë kohe me njësinë e juristëve JAG kishim marrë për detyrë që ta ndihmojmë edhe një vajzë të re 14 vjeçare e cila ishte viktimë nga masakra e fshatit Llashticë të Gjilanit. Për detyrë tani me JAG ishte  që  t’ia  bëjmë  lejen  e  udhëtimit  njërës  nga viktimat e krimit serb në Llashticë. E ajo ishte vajza 14 vjeçare Vlora Shabani, personi i vetëm që  kishte shpëtuar me plagë në fytyrë dhe në dorë nga ky krim. Ky krim kishte ndodhë vetëmse disa muaj para ardhjes tonë në Kosovë, më 13 Prill 1999, atëherë kur paramilitarët dhe ushtarët serbë kishin hyrë në fshat dhe kishin mbledhë 27 civil shqiptarë: gra, burra dhe fëmijë. I kishin pushkatu që të gjithë në një shtëpi, pastaj edhe ua kishin vënë zjarrin dhe i kishin djegë njerëzit e vrarë. Këtë e  kishin  bërë  me  qëllim  të zhdukjes së provave të krimeve të tyre, siç kishte ndodhë  edhe  në  shumë  vendbanime  të  tjera  me shqiptarët e Kosovës.

Nga ky grup u vranë 26 civil shqiptarë, 3 prej tyre ishin fëmijë të mitur e kurse e vetmja që kishte shpëtuar nga ky krim ishte Vlora Shabani. Në këtë masakër para syve të Vlorës i vranë: vëllaun e vogël të sajë, nënën, babin, gjyshin dhe shumë të afërm të tjerë, e kjo vogëlushe shpëtoi në mes të turmës së familjarëve të vrarë, ku mbeti e plagosur me plagë në fytyrë dhe në dorë!

Njësia ushtarake JAG kishte marrë përsipër që ta ndihmojmë Vlorën e cila kishte nevojë mjekësore dhe për rehabilitim.

Vlorës 14 vjeçare, iu kishin kushtuar fejtone të tëra edhe nga shtypi amerikan, e sidomos në gazetën më prestigjioze të Amerikës “The New York Times”!

Pas fejtonëve të shkruara në shtypin amerikan dhe duke e ditë gjendjen e Vlorës, shumë kush kishin shprehur dëshirën nga SHBA që ta ndihmojnë, por tani na kishin ardhë oferta që ta ndihmojnë edhe nga Kanadaja.

Meqenëse oferta e ndihmës së parë që na erdhi në JAG ishte nga Kanadaja, menjëherë grupi ynë ia bëmë lidhjen me Ambasadën Kanadeze në Vienë të Austrisë. Ata na premtuan se mbrenda disa javësh, prej Viene të Austrisë do të dërgojnë në Prishtinë njërin nga përfaqësuesit e tyre për të marrë shenimet dhe për t’i rregullu Vlorës dokumentet e udhëtimit për në Kanada. Në ditën e takimit me personelin e Ambasadës Kanadeze në Prishtinë, pjesëtarët e njësisë JAG sollën Vlorën me axhën e sajë Nehat Shabanin në Bondsteel, dhe pastaj së bashku unë me Shahadijen dhe Kapitenin Brian S. Heslin u nisëm për në vendëtakimin në Prishtinë. Në Prishtinë ne u takuam në kohën e planifikuar me personelin e Ambasadës Kanadeze që të takohemi në Hotelin “Grand”, kurse Shahadija gjatë kësajë kohe shkoi të vizitojë dajën e sajë që ishte krejtë afër Hotelit “Grand” për shkak se nuk kishim nevojë për të dytë.

Personeli i Ambasadës Kanadeze që takuam ishte zotëri Robert Mc Leman, Sekretar i parë në Ambasadën Kanadeze në Vijenë të Austrisë. Ishte një zyrtarë i moshës mesatare, dhe pa humbë aspakë kohë filloi me mbledhjen e informacioneve të duhura të tyre dhe na premtoi aty që mbrenda disa ditëshVlora me axhën e saj Nehatin do të kenë dokumentacionin e duhur për të udhëtuar për në Kanada.

Pas përfundimit të detyrës me përfaqësuesin kanadez, përsëri që të gjithë ne së bashku me makinat ushtarake shkuam para shtëpisë së dajës së Shahadijes edhe e morëm edhe atë. Pastaj, vazhduam rrugën për në Bondsteel . Por gjithsesi na duhej për t’i dërgu në shtëpinë e tyre në fshatin Llashticë edhe Vlorën me axhën e sajë Nehatin.

Pas disa ditësh Kapiteni Heslin më tha se ishte tepër i  mërzitur për rastin e Vlorës, sepse dikush kishte ardhë prej SHBA-së edhe e kishte marrë Vlorën për shërim në Amerikë! Ishte i mërzitur sepse nuk dinte se ç’ti thotë atyre të Ambasadës Kanadeze që kishin ardhë special për të prej Vienës së Austrisë, e tani kur gati se gjithëçka i bëmë gati për udhëtimin e tyre na doli ky farë zhgënjimi! Më tha se ishte mërzitur më tepër sepse ata të Ambasadës Kanadeze në Austri ndoshta do të mendonin se kjo e tëra ishte bërë me dijeninë tonë, edhe pse ne nuk kishim kurrëfarë dije dhe lidhje më tepër derisa na lajmëruan se Vlora udhëtoi për në Amerikë.

Gjatë kohës sa po punonim me Armatën Amerikane në Kosovë, ne sollëm në familjen e vëllaut tim e tani të ndjerë Murtezanit në fshatin Llojan të Kumanovës edhe dy vajazat e tona; Liridonën 7 vjeçare dhe Mimozën 6 vjeçare, kurse shtëpinë në Clevelend të Ohio’s së SHBA’s ua kishim lënë në shfrytëzim refugjatëve, familjarë të posa ardhur nga Kosova dhe Maqedonia.

Me këto lëvizje tona ne tani po planifikonim edhe kthimin tonë të përhershëm në trojet tona që i kishim lënë para 20 viteve, nga koha e ish Jugosllavisë.

Në Shtator të 1999, Liridona dhe Mimoza filluan mësimin, por kësajë here në gjuhën shqipe ku në fillim do ta kenë vështirë për derisa të adaptohen. Vajzat po shkonin po në të njejtën shkollë në “Rilindja” të Llojanit, aty ku unë para shumë dekadash fillova shkollimin tim fillor. Fillimi i tyre në Llojan nuk ishte aq i lehtë, nuk ishin mësuar të jenë largë neshë, si dhe transferimi prej mësimit në gjuhën angleze në shqipe, edhe pse në shtëpinë tonë në Amerikë gjithmonë është folur vetëmse shqip!

Në Llojan vajzat u adoptuan shpejtë, sepse aty kisha nënën time me familjen e vëllaut që kujdeseshin për to, si dhe familjen e gjërë me shoqërinë e tyre të re. Gjatë kësajë kohe mua me Shahadijen, njësia jonë ushtarake JAG që po punonim tani një kohë, na thanë poqëse doni të shkoni dhe të vizitoni vajzat tuaja në Maqedoni, mundë ta bëni pas punës së ditës së Premte por me kusht që të Hënën në mëngjes të jemi në punë, por edhe që mos të bëhet e madhe dhe mos t’i tregojmë as punëdhënësit tonë TRW!

Ky ishte një lehtësim i madh për ne sepse prej bazës ushtarake në Bondsteel të Sojevës, për në bazën ushtarake në Aeroportin e Shkupit kishim udhëtimin me autobusin e rregullt dy herë në ditë. Një herë në mëngjes dhe pastaj në mbremje që po bartë ushtarët dhe pjesëtarët e kompanisë Amerikane“Brown & Root”, që po mirreshin me rregullimin dhe mirë- mbajtjen e bazave ushtarake në Kosovë dhe Maqedoni. Por edhe për fat tonin, kishte punishten e tyre edhe në afërsi të stacionit hekurudhorë në Kumanovë.

Tani me këtë leje udhëtimi shumë gjëra u bënë shumë më të lehta për ne si familjarë, na u dha mun- dësia që pas pune,vikendin të shkojmë e ta kalojmë të gjithë së bashku me të gjithë familjen në Llojan.

Pas disa muajsh blemë edhe një makinë nga një i afërm i yni me të cilën gjithëçka u lehtësua edhe më tepër për ne dhe familjen në përgjithësi.

Nga padrejtësitë e mëdha që po i bëheshin popullatës shqiptare në Maqedoni, gjatë kësajë kohe në Karadakun e Kumanovës filluan edhe lëvizjet e përgaditjeve të popullatës për luftë. Në fshatin Llojan veçëse filluan me ardhjen e parë vëllezërit kosovarë për të bërë organizimin e luftës, si dhe për të luftuar ballë për ballë kundër armikut sllavo-maqedon.

Gjatë udhëtimit tonë prej Kumanovës për  në fshatin Llojan kishim disa pika kontrolli policore (punkte policore), njëra prej këtyre pikave ishte ajo afër hekurudhës në mes fshatit Vaksincë dhe Reçicë. Kjo pikë kontrolli e policisë maqedone që ishte aty, gjithmonë ishin 3-4 policë. Gati se çdo herë kishte ndonjë prej tyre që fliste nga pakë dhe anglishten, dhe pas së cilës ndalesë tonën në këtë pikë kontrolli, ata ishin tepër të dyshimtë për lëvizjet tona. Po, sepse gjatë kontrollës tonë ata po na shihnin se ne me dokumentacion ishim nënshtetas amerikanë.Pastaj ishim edhe me veshje ushtarake amerikane, kishim kartelat e njoftimit (Badges) të KFOR’it , kurse makinën që  po i grahnim  ishte  me regjistrim dhe sigurim të shtetit austriak! Ajo çka më tepër i irritonte këta policë kontrolle, ishte se ne nuk i flisnim asnjëherë në asnjë gjuhë sllave, gjuha jonë e vetme me to ishte shqipja ose anglishtja! Pas ndalesës dhe gjatë kontrollës së makinës, na urdhëronin të hapim edhe gepekun e makinës, aty ku mbanim xhaketat dhe helmetat ushtarake anti-plumb. Shpeshherë ata i ktheheshin njëritjetrit dhe i thonin në gjuhën maqedone: “A mos janë spiunë këta njerëz, i sheh janë të mobilizuar dhe me veshje ushtarake të KFOR-it?”

Ishte koha gjatë prillit 1999, derisa po ktheheshim prej Llojanit për në punë përsëri na ndali policia maqedone në pikën e përhershme të kontrollit policorë që kishin nën fshatin Vaksincë. Tani ishte koha kur po priteshin edhe krismat e para të luftës frontale shqiptare kundër pushtetit maqedon. Gjithëkund flitej se lufta ishte e mundur se do të fillojë në çdo moment. Sulmi i parë që po planifikohej tani, do të ishte sulmi mbi autoblindën e policisë kufitare maqedone e cila ishte në kthime nga pika kufitare Miratoc-Llojan për në Kumanovë gjatë ndërrimit të tyre të policisë kufitare.

Pas ndalimit tonë dhe pas kontrollit që na bënë, njëri nga policët më pyeti maqedonisht, por unë i thashë se ne nuk njohim gjuhët slave. Por, mundë të komunikojmë vetëmse shqip apo anglisht po deshtët. Pastaj njëri e filloi në Anglishten e deformuar të në bëjë pyetje se prej nga po vinim? I tregova se tash po ktheheshim nga fshati Llojan. Polici menjëherë ma priti: “Po si keni guxu me shku në fshatin Llojan, kur atje janë grupet terroriste?” Unë ia ktheva menjëherë: “Si më the, ti neve tani po na quan terrorist?” pastaj ndërhyri njëri prej shokëve të tij, edhe me një anglishte pak më të mirë më tha: “Jo, Jo, nuk po të quan ty terrorist, por po të thotë se atje lartë në fshatin Llojan qëndrojnë grupet terroriste”, edhe pse prej fillimit ne e kuptuam shumë mirë se ku e kishte fjalën polici sllavo-maqedon! Deri sa ne po sqaroheshim me këtë policin maqedon, e ndëgjova tjetrin polic duke i thënë shokut të tij: “Liroje më shpejtë se pastaj ata shkojnë atje poshtë dhe bëjnë ankesë në KFOR, edhe munden me na çitë probleme!”

Pas kontrollit ne vazhduam rrugën për në Shkup e pastaj nëpërmjet Grykës së Kaçanikut për në kampin “Bondsteel” të Sojevës. Gjatë rrugës në drejtim të Shkupit, pas daljes prej qytetit të Kumanovës në hyrje të pagesës së autostradës, gjithmonë edhe aty iu sjellsha telashe, sepse asnjëherë nuk ia paguaja taksën e autostradës. Diçka e tillë i iritonte pa masë punëtorët e mbledhjes së asajë takse, për shkak se edhe pse isha me uniformë ushtarake ne po i grahnim makinës private, dhe sipas rregullave ne duhej që ta paguanim këtë takes. Mirëpo uniforma e Armatës Amerikane disi i frikësonte që të më ndalonin, dhe të na detyronin që të paguajmë këtë taksë rrugore! Këtë e bëja më tepër nga mllefi që kisha për pushtetarët sllavë, të cilët tërë jetën na kishin nënçmuar si qenie njerëzore, edhe pse ne ishim popullata më e vjetër dhe autoktone e këtyre tokave të Dardanisë.

Të njejtën “arrogancë” si me thënë e bëja thuajse gati se sa herë që kaloja kufirin Kosovë-Maqedoni apo anasjelltas, kur polici kufitar maqedon më kërkonte pasaportën të cilën e kisha me vete por nuk ia jepsha që të kontrollohej. Shfrytëzonim vetëmse kartelat e KFOR-it amerikan, edhe atëherë kur nuk shfrytëzonim hyrje-daljet speciale që i kishim ne si pjesëtarë të KFOR-it.

Derisa po punonim me njësinë e jurispodencës ushtarake JAG në Bondsteel, patëm edhe viktimën e parë të Armatës Amerikane në Kosovë e që kishte ra në mina më 15 Dhjetor 1999 diku në afërsi të Kamenicës. Quhej Joseph Suponcic, ishte nga Pensilvanya me prejardhje Sllovene, dhe që fliste edhe serbo-kroatishten, ishte i qetë, mjaftë profesional dhe me sjellje shumë të mira. John, siç e quanim, ishte njëri nga pjesëtarët e grupit të Njësisë së Forcave Speciale të Armatës Amerikane, me të cilin kishim jetuar dhe bashkëpunuar, dhe njiheshim nga Kukësi, në Shqipëri, atje ku po shërbenim në koordinimin e bombardimeve të aviacionit të NATO-së mbi forcat paramilitaro-ushtarake serbe. Meqenëse John njihte serbo-kroatishten, pas ardhjes në Kosovë ai u caktua me njësinë e tij si person ndërlidhës me forcat ruse, që ishin të stacionuara në Kamenicë. Më 15 Dhjetor 1999 derisa John me kolegët e tij po udhëtonin me Humvee diku në afërsi të Kamenicës, kishin ra në një minë dhe makina e tyre ushtarake Humvee rrokulliset dhe lëndohen dhe nga lëndimet e marra Johni vdes.

Më vonë në lidhje me këtë rast forcat ruse kishin arrestuar një ish komandant të UÇK’s të cilin po e akuzonin se ai ishte personi që kishte vënduar minën në rrugë. Ai ishte Komandant Rahim Beqiri i quajtur “Roki”! Me Rahim Beqirin u njohëm nga Gjykata e Gjilanit, aty ku ai po mbahej si i dyshuar për vrasjen e ushtarit amerikan, që ishin sipas të dhënave të grupit hetues të ushtrisë ruse në Kamenicë. Meqenëse akuza kishte të bënte me vrasjen e ushtarit amerikan, Kapiteni Heslini JAG-ut të Aramatës Amerikane me të cilin po punonim tani një kohë, dhe një shok i mirë i yni na tha që t’i themi Kryetarit të Gjykatës së Gjilanit Ymer Huruglicës,që ta sjellin Komandant Rokin lartë në zyrën e gjykatës që ta ndëgjoje në lidhje me akuzën. Pas pak minutash Zotëri Huruglica e solli komandanin e UÇK’s që po mbahej aty, i shoqëruar nga një pjesëtarë i policisë së burgut. Policin shoqërues të burgut e urdhëruam që të dalë nga zyreja, që i akuzuari të jetë më i lirë gjatë bisedës. Gjatë marrjes në pyetje të Komandant Rokit u pa se ai nuk kishte lidhje me këtë incident, edhe pse ky ishte më tepër plani rus që t’ia mveshin vrasjen ndonjërit prej pjesëtarëve të UÇK’s. Po, pasi se trupat ruse nuk i kishin në sy të mirë pjesëtarët e UÇK’s dhe ishin shumë pro serb. Pas pak minutash kapiteni doli nga zyrja, mbetëm vetëm unë me Komandant Rokin, edhe në hajgare e pyeta prej nga e morët emrin Roki? Komandanti tha: “Ishim në një akcion kundër forcave serbe, dhe pas fitores së atijë akcioni prej qefit që i mundëm, hypa mbi tankun  serb, kur të gjithë bashkëluftëtarët e mi filluan të më thërrasin Roki, Roki, Roki sepse iu duk skena diçka si nga filmat “Roki” të Silvester Stalones. Prej atijë rasti më mbeti gallapi Komandant“Roki.” Më vonë e pyeta se:“Çfarë planesh ke, sepse tash Kapiteni Heslin do t’i japë urdhër gjykatës që të lirojnë, se nuk kanë kurrëfarë arsye dhe mos t’ju mbajnë për këtë akuzë. Ka mendim të njejtë edhe Kryetari i Gjykatës së Gjilanit Ymer Huruglica se kjo akuzë ishte vetëmse sa për të njollosur ish pjesëtarët e UÇK’s.” Nga ky lajm u gëzua shumë Komandant Roki dhe vazhdoi se “Unë nuk do të ndalem së luftuari për të drejtat e shqiptarëve kudo që janë, e kismet si të dalë prej këtu menjëherë do t’i bashkangjitem shokëve të mijë në Maqedoni”!…

Disa fjalë për Rahim Beqirin-Komandant Roki: Ishte i lindur në fshatin Koprivnicë të Kamenicës. Më 1988 i bashkangjitet forcave të UÇK’s dhe bëhet komandant në zonën e Marecit, më vonë kalon në UÇPMB (Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) në luftërat e Luginës së Preshevës. Në vitin 2001 shkon në Maqedoni edhe i bashkangjitet forcave të UÇK-së (Forcave Çlirimtare Kombëtare). Gjatë luftimit në Drenovc të Tetovës kundër forcave maqedone plagoset rëndë dhe pas transferimit të tij në spitalin e Prishtinës më 2 Gusht 2001 ndërron jetë për të mos vdekur kurrë!

Lavdi veprimtarisë së këtijë heroi kombëtarë, i cili nuk kurseu as jetën e tij për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve!

(VIJON)

© Pashtriku.org

_________________

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (XII) / FUND /

Nga Ajaz Emini / 06 / 10 / 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura