T’i kujtojmë atdhetarët tanë
VEPRIMTARIA ATDHETARE E PROF. KOLË PARUBIT
Prof. Kolë Parubi (1906- u pushkatua më 24 nëntor 1946)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Profesori-Atdhetar, Kolë Parubi, u lind në fshatin Dajç të Bregut të lumit Buna, më 22 nëntor 1906. Ai kishte të kryer studimet e larta fetare për prift katolik dhe ishte shugurua si i tillë. Mirëpo, Kolë Parubi në ndërkohë dashurohet në Zinën, me të cilën shpejt u martua, dhe me të, patën një vajzë, të cilën e kishin pakësuar Nineta. Rrethi shoqëror në Shkodër nuk e priti mirë këtë martesë, andaj, ai vendos që të largohet nga aty dhe kaloi në Kosovë për të punua si profesor në gjimnazin e Prizrenit. Në ndërkohë punon në vende të ndryshme të Kosovës. Në fund punësohet si profesor në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Dihej se gjimnazi i Prishtinës ishte qerthe e madhe e patriotizmit shqiptarë. Puna në gjimnaz i sjell Kolë Parubit shumë njohje të reja me patriotë të shumtë shqiptarë. Aty punonin prof. Ymer Berisha, prof. Gjon Serreqi, nxënësit Hamdi Berisha, Galip Badivuku, Hamdi Mustafa, Xhahit Gafurri, Shefki Qitaku Ilias Neziri e shumë të tjerë. Ai, posa u njohtua me ta, krijoi miqësi me Prof. Ymer Berishën, prof. Gjon Serreqin e shumë atdhetar të tjerë. Me ndihmën e prof. Ymer Berishës iu bashkua radhëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, ku më herët kishin aderua Gjergj Martini, Marie Shllaku, at Bernard Llupi, Hajdar Pllaneja, Enver Sudi e shumë të tjerë.
Kolë Parubi në organizatën e LNDSH-së ishte caktua në sektorin e propagandës që kishte për detyrë përhapjen dhe masivizimin e LNDSH-së në tërë Kosovën. Prof. Parubi ishte i interesuar që në radhët e lëvizjes të ketë sa më shumë të rinj dhe të reja. Për të arritur këtë qëllim, Kolë Parubi, kishte vu kontakte me të riun nga Prizreni, Marsel Vuçaj dhe me shumë të rinj të tjerë, dhe me direktivat e at Bernard Llupit, bënin çmos që ta krijonin Komitetin Qendror të Rinisë Nacional Demokratike Shqiptare me seli në Prizren apo në Pejë.
Për bashkimin e tokave shqiptare duke sakrifikua çdo gjë, kontribut tё madh kishin dhënë: Atё Bernard Llupi (7 shkurt 1886), Kolё Parubi (5 dhjetor 1906), profesori Gjergj Martini (29 gusht 1917), Gjergj Bahtiri i cili shërbente si mësues nё Gjakovё dhe shumё shkodranë tё tjerё qё i shërbenin atdheut e Kosovës, duke e pasur çdo herё si qёllim suprem bashkimin e tokave shqiptare. Kontribut tё çmuar nё Lëvizjen Ilegale në Kosovë dha edhe Zef Mekaj, profesor nga Shkodra, qё tёrё aktivitёn e vet politik e pёrqёndroi nё Gjakovё.
Duhet theksuar se sipas aktgjykimit të Gjyqit Popullor për Kosovë e Metohi, në Prizren, sipas aktgjykimit P.nr.21/46, thuhej se “Shtylla më e fortë e këtij komiteti dhe anëtari më aktiv i saj ishte prof. Kolë Parubi, i cili kishte lënë pozitën priftërore, vetëm e vetëm që të angazhohej në realizimin e ëndrrës gjithë shqiptare për një shtet të përbashkët shqiptarë. Ai, qysh më 1939, me qëllime patriotike, kalon kufirin dhe vije në Kosovë, vetëm e vetëm që të bëjë organizimin e ilegales në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Kolë Parubi, me prof. Ymer Berishën njiheshin qysh herët, menjëherë pas okupimit të Jugosllavisë. Ai ishte, njëri ndër miqtë më të mirë të idealit. Atdhetari Kolë Parubi, për të ndihmuar luftëtaret e rezistencës shqiptare, nga Prof. Ymer Berisha, më 1944, në muajin nëntor, kishte marr një sasi armatim (mbi 70 pushkë, 1 mitraloz, 4-5 pushkë- mitraloza, 10 sënduk municion dhe shumë gjëra tjera ushtarake: këpucë, tesha, kazanë ushtarak, të cilat prof.Ymer Berisha i kishte marr nga gjermanet me rastin e tërheqjes së tyre, të cilat në realitet, Kolë Parubi më vonë i kishte dërgua në mal dhe kur merret parasysh lidhja e tij me at Bernard Llupin, dhe takimet që kishte pas në verën e vitit 1945, dhe kur merrej parasysh i tërë aktiviteti i tij në organizatën ilegale, na del se Kolë Parubi, ishte njëri ndër personalitet e shquara të ilegales, që kishte shumë ndikim në masat e gjëra shqiptare.
Gjithashtu dihej se me iniciativën e Kolë Parubit është formua komiteti ilegal në rrethin e Prizrenit, me qëllimin që të përfitonin popullatën dhe të tregonin realitetin për ri okupimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Ata punonin fortë dhe shumë, për shembjen e pushtetit në Jugosllavi, me qëllim që populli të jetë i përgatitur për luftë të armatosur kundër ushtrisë jugosllave dhe bandave çetnike serbe që bënin kërdinë në fshatrat e Kosovës. Edhe dëshmitë e shumta që kishte dhënë në hetuesi, vet Kolë Parubit, vërtetojnë se me datë 26 ose më 27 dhjetor të vitit 1943 në shtëpinë e Kolë Parubit, ishte mbajtur një mbledhje, të cilën e kishte udhëhequr vet Kolë Parubi, dhe aty ishte diskutua që sa më parë me u formua komiteti ilegal- qendror, ku ishin ndarë edhe detyrat. Kolë Parubi, ishte caktua që të udhëheqëte me sektorin më kryesorë, atë të propagandës. Ndërsa, Hajdar Pllanejës, që ishte një atdhetar i madh i lëvizjes për bashkim kombëtar, i ishte caktuar që të ishte kryetar i organizatës. Për Sektorin e informimit ishte caktua Gjergj Martini, e sektorin e armatimit ia kishin besua Enver Sudit. Për Sektorin sanitar ishte caktuar Marcel Vuçaj. Për tu bë anëtar i organizatës, kryesia e saj kishte caktua edhe kriteret që duhet plotësuar. Paraprakisht personi që donte të bëhej anëtar i saj: duhet të vinte nga një familje e pa njollosur kombëtarishtë; të jetë i pa njollosur; të jetë i besës; të ruaj fshehtësitë e organizatës dhe të shokëve dhe mbi të gjitha të jetë i gatshëm me u flijua për çështjet e atdheut. Bile, në shumë raste Kolë Parubi, shpesh iu shkruante letra anëtarëve të organizatës, nga të cilët kërkonte dhe i këshillonte se si duhet punuar në terren. Iniciator i formimit të Komitetit të Rrethit të LNSH-së, në Prizren, ishte prof. Kolë Parubit, që për kryetar kishin zgjedhur Seb Matejen.
Veç Ymer Berishës, ndikim të dukshëm në veprimtarin e Kolë Parubit kishte edhe at Bernard Llupin. Në verën e vitit 1945, s’bashku me atin e nderuar, kishte mbajtur dy mbledhje, në të cilat ishte bisedua për aksionet e tyre kundër forcave jugosllav. Me direktivën e tij, në mbarim të vitit 1945, në Prizren ishte formua Komiteti Qendror i LNDSH-së. Në këtë komitet, merrte pjesë edhe Enver Sudi, që thuhej se ishte njëri nga tre pjesëmarrësit që vranë Milladin Popoviqin.
Duke e parë aktivitetin e ilegales në terren, OZN-a i bie në gjurmë anëtarëve të organizatës dhe fillon arrestimin e tyre duke i mbushur burgjet me të rinj shqiptarë, si në Prizren, njashtu edhe në Pejë. I arrestoi idealistët e vërtet për ribërjen e Shqipërisë Etnike. Pas torturave të shumta në hetuesi, i nxori 27 atdhetar para gjyqit, në mesin e të cilëve ndodheshin At Bernard Llupi, Marie Shllaku, Kolë Parubi, Gjergj Martini dhe shumica e tyre ishin nxënës të gjimnazit dhe profesorët e tyre.
Procesi gjyqësor që zgjoi interesimin e masave tё gjëra shqiptare, pa dyshim se ishte ky proces: “Procesi i Atё Bernard Llupit”, siç u quajt ndryshe procesi i Atё Brnard Llupit, Kolё Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumё tё tjerёve, qё ishin bashkëpunëtoret e ngushtë tё prof. Ymer Berishёs.
Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor 1946 dhe përfundoi mё 11 korrik, po tё njëjtit vit, që do tё thotë se zgjati gjithsej 13 ditë pa i llogaritur ditët e hetuesisë. Në këtë proces u shqiptuan dënime drakonike: 4 vet u dënuan me pushkatim: Marie Shllaku, At Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe
Gjergj Martini, të cilët me 24 nëntor 1946, u ekzekutuan nga eskadroni i vdekjes jugosllave, në Prizrenin e bukur, ndërsa të tjerët u dënuan prej 1- 12 vjet burg.
Procesi gjyqësor i 27 vetave ose “Procesi i At Bernard Llupit” nuk ishte as i pari e as i fundit për shqiptarët e Kosovës. Burimet që disponojmë për këtë qëllim flasin se nga pushtimi i Kosovës më 1913, regjimi shoven serb kurrë nuk ka pushuar ndjekjen sistematike të shqiptarëve. Dënimet dhe proceset gjyqësore politike, as sot e as kurrë, nuk munden të shuajnë idealin e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar.
***
Ta kujtojmë atdhetarin, Mulla Idriz Gjilani
MULLA IDRIZ GJILANI – (1901- e djegin më 2.12.1949)
“Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe… një gjak, një gjuhë një diell e një Zot. … Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut…”
Mulla Idriz Velekinca (Gjilani), lindi në Velekincë, të Gjilanit, më 4 qershor të vitit 1901. Mësimet fillestare i ndoqi në mejtepin e Cërnicës të Gjilanit (1911), shkollën e mesme e mbaroi në medresenë “Atik” në Gjilan, ku dhe diplomoi më 1926. Në moshën 25 vjeçare bëhet imam dhe merr titullin “Mulla”. Shërbeu si Imamit në Karadak e në Hogosht të Dardanës. Më 1941 u zgjodh në postin e bashkë- ligjëruesit të Kuvendit fetar-arsimor të Vakëfit të Shkupit. Në edukimin e tij si fetar e atdhetar, ai u nis nga ky parim se ne shqiptaret : “Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe… një gjak, një gjuhë një diell e një Zot. … Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut…” Gjatë kohës që shërbente si hoxhë zhvilloi një veprimtari intensive në fushën e edukimit fetar me frymë atdhetare. Hapi mejtepin e Pidiçit për mësimin e djemve dhe të vajzave, organizoi ilegalisht mësimin e shkrim-leximit me alfabetin e gjuhës shqipe, futi mësimin shqip në medresenë “Atik”, ushqeu mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazëror me bazë kombëtare shqiptare në popullsinë myslimane-katolike të zonës së Karadakut. Në prill të vitit 1937, në ilegalitet të thellë, themeloi në Arllat të Drenicës Mulla Idriz Gjilani Organizatën e Rinisë Përparimtare “Drita” të Kosovës. Aktivitetet e tij fetare nuk dalloheshin nga ato atdhetare e humane. Mulla Idrizi ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Mulla Idrizi printe në aksionet për ndërtimin e urave, rrugëve, krojeve, mejtepeve, xhamive, mirëmbajtjes së varrezave, të cilat i shikonte si mjete dëshmues të bashkimit të popullsisë shqiptare. Uniforma e ndihmoi për të maskuar aktivitetin e tij patriotik. Në kohën kur Mulla Idriz Gjilani ushtronte detyrën e ligjëruesit numri i nxënësve të “Atik medresesë” të Gjilanit arriti në 734, nga të cilët 326 ishin femra. Po ashtu i organizoi shkollat lëvizëse me mësues shëtitës. Vetëm në zonën e Gjilanit u hapën 39 shkolla të tilla fetare, që zgjuan te brezi i ri ndjenjat fetare dhe ndërgjegjen kombëtare.
Nga prilli 1941 Mulla Idrizi, iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar, kundër komunizmit. Në qershor të 1944 -ës drejtoi betejën e Kikës, ku doli fitimtarë. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 dhe kallja e tij në zjarr më datën e 2 dhjetor 1949. Mulla Idrizi njihej edhe si intelektual që fliste disa gjuhë të huaja dhe gjatë asaj periudhe kishte botua disa punime fetare-shkencore.
Pas sulmit në Gjilan, që u bë pa pëlqimin e Mulla Idrisit, ai strehohet në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec. Aty qëndroi pesë vjet me popullin dhe në kontakt të përhershëm me Lëvizjen e Rezistencës. Një ditë, pas shumë kërkimesh, zbulohet dhe arrestohet në natën e 22-23 nëntorit 1949. Lajmi për arrestimin e Mulla Idrizit u përhap me shpejtësi. Gjatë kohës së kaluar në hetuesi, Mulla Idrizi përjetoi torturat më të tmerrshme, por s`u dorëzua. Në vazhdim do ceki një informacion nga dokumenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RFPJ, për rrethin e Gjilanit, ashtu siç e ka lëshua Arkivi Regjional i Gjilanit. Dokumenti është i lëshuar me 3 dhjetor të vitit 1949 dhe mban numrin 887, Gjilan. Në dokument nuk shkruan fare se kur është arrestuar dhe kur ka përfunduar burgu. Në vazhdim thuhej se është hapur hetuesia penale me burgim hetues (është caktuar burgimi) me vendimin e Prokurorit Publik të Rrethit të Gjilanit, me vendim të lëshuar me 26 Nëntori 1949, çka dëshmohet se Mulla Idrizi është arrestua me 26 nëntor, dhe dokumenti mbanë po këtë datë (26 nëntor), me nr. 18/49, me dyshimin se ka kryer vepër penale, sipas nenit 3, pika 3 dhe 8, të Ligjit penal të RFPJ. Pasi se gjatë hetuesisë, respektivisht me ditën e 2 Dhjetorit 1949, ka bërë “vetëvrasje” e ka “kall veten” (sipas UDB-es), andaj ata propozojnë që të ndërpritet burgu hetues dhe hetuesia e mëtejshme. Krejt këtë material e kishte nënshkrua organi i autorizuar, Dragi Popoviqi.
Pra, duke e lexuar dokumentin, pa dashur të kap frika, athua vallë sa e sa falsifikime janë bërë në dokumentet ndaj shqiptarëve të cilat përdorën pa ditë se prapaskenat e tyre ishin skandaloze e të tmerrshme. Dhe dokumenti i zbuluar, megjithatë, ishte një lajm i mirë, që na ofron një të dhënë të rëndësishme historiografike për kohën e arrestimit dhe gjithashtu edhe për likuidimin e tij, ngase ekziston një e dhënë sado e falsifikuar të jetë, por besoi se dita e arrestimit dhe e djegies së Mulla Idrizit duhet të jenë të sakta, ngase këto data nuk kanë pasur ndonjë peshë për udbashët. Ndërsa për mua si historiane dhe që jam ballafaqua goxha shumë me dokumente “top sekret”, nuk besoi dhe se jam shumë e bindur në falsifikimin e të dhënave për “vetë djegien” e Mulla Idrizit, ngase monstruoziteti dhe falsifikimi i udbashve ka qenë dhe vazhdon të jetë specialitet i tyre. Megjithatë, besoi, se sido që të jetë, ky dokument do të ketë rendësin e vet për opinionin e gjerë dhe në veçanti nga komuniteti i historianëve, ngase jeta e vepra e Mulla Idrizit do të jetë më e plotënume dhe është e lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të popullit të saj në Kosovë e më gjerë. Ishte krejt normale që pushtetarët e hetuan një rrezatim të patriotit të shquar dhe ndien rrezikun nga ai. Shpejtuan ta asgjësonin Mulla Idriz Gjilanin, sepse ai asnjëherë nuk deshi të bie në duart e tyre të pista, të bashkëpunonte me ta, të shpifte, t’i jepte shokët, të tjetërsohej dhe asnjëherë nuk pranoi ta mohonte veten. Çka është e vërteta atdhetari jetoi shkurt, por në këtë hark kohor veproi bujshëm e me guxim duke e tmerruar armikun shekullor. Dhe duhet shtuar se mu kjo, ndikoi që të tërhiqte vëmendjen e pushtetarëve e spiunëve, ndaj ndjekjet e vazhdueshme të okupuesit u bënë një me të, derisa edhe e arrestuan. Pushtetarët e ndienin dhe e nuhasnin rrezikun nga veprimtaria e Mulla Idrizit. E ajo frikë nga ai ishte e madhe… shumë e madhe… Kosova pas riokupimit më 1945, ishte fuçi baroti, së cilës i mungonte vetëm një fije shkrepëse për ta ndezur Ballkanin. Prandaj, ishte krejt e natyrshme që ata, shtuan represaliet e dhunën ndaj shqiptarëve, vetëm e vetëm për ta zbuluar se ku fshihej patrioti -Mulla Idrizi. Shekuj luftimesh bënë shqiptarët e shumtë, vetëm e vetëm pse gjakonin lirinë. Një fat të tillë e pati edhe Mulla Idriz Gjilani, i cili në veprimtarin e vet na shfaqet e na rishfaqet në një pamje shumëdimensionale: si hoxhë, si vizionar, si realist, si atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare, si diplomat e përfaqësues politik i shqiptarëve në shumë tubime kombëtare e ndërkombëtare, si njeri i patjetërsueshëm dhe si luftëtar i madh i lirisë, që një ditë, jo të largët, gjakonte për ta bërë e për të parë Kosovën në gjirin e shtetit amë.
E pikërisht, për këtë luftë që zhvilloi, ai u detyrua të qëndronte pesë vite në sarkofagun me madhësi 80X397X220 cm. pa u takuar me askënd dhe pa e ditur as familjarët e ngushtë të tij. Pa dashur të imponohet se fati i këtij atdhetari duket sikur vjen thellë nga kohët, por me një ndryshim të vockël, se jeta e tij ishte trinom me guximin, lirinë dhe vuajtjen. Duhet shtuar edhe këtë se Mulla Idrizi, pas vdekjeve të dy bashkëshorteve te para, ai u martua për herën e tretë me Hatixhe Rexhepin nga Gjilani, me të cilën pati tre fëmijë: vajzën Eminen, dhe dy djem: Musanë dhe Isanë. Gruaja e Mulla Idrizit jo që ishte bashkëshorte e devotshme e tij, por ishte edhe shoqe e idealeve, që e përkrahu pa rezervë në të gjitha ndeshtrashat e jetës. Ose thënë më ndryshe, jo vetëm që e përkrahu, por në momente të caktuara diti edhe ta nxiste, duke i dhënë kurajë për rrugën e filluar. Për këtë dëshmon edhe e dhëna që edhe pas shumë mundimeve e peripecive që kishte pësua nga udbashët, ajo kurrë nuk foli dhe nuk tregoi se ku ndodhej burri i saj. Përkrahja e saj kishte një domethënie të madhe për luftëtarin, se edhe në momente të rënda të jetës i jepte zemër për qëndresë dhe për ditët që vinin.
Duke shkruar, hulumtuar dhe analizuar jetën e veprën e Mulla Idrizit, vizioni i tij, në të shumtën e rasteve, na del jashtë kornizave të kohës, dhe në mënyrë ciklike vjen dhe na i kujton ngjarjet e shumta nga një kohë jo shumë e largët, kur kujtimet janë të freskëta dhe në momente lufta e madh i tij të bëhet më e rëndësishëm se çdo gjë tjetër në jetët tona. Sepse Mulla Idrizi ishte dhe mbeti një figurë e madhe, e dashur, me një natyrë kryengritëse, guximtar deri në vetë sakrificë. Në të njëjtën kohë ishte popullor, me një aktivitet e kontribut të spikatur në dobi të çështjes kombëtare.
***
Ta kujtojmë atdhetarin Rifat Krasniqi i cili tërë jetën e vuri në shërbim të kombit
Rifat Krasniqi, “Sokrati” dhe “Skenderbegu”, – gjykatësi që tërë jetën dhe mençurin e vet e vuri në shërbim të kombit (1917- u pushkatua më 1946)
Rifat Krasniqi ishte i lindur më 1917, në katundin Mamushë i Rahovecit. Ai ishte i biri i Abdyrrahmanit dhe i Dudijes. Me profesion ishte gjykatës në Gjyqin e Rrethit, një kohë ka studiuar në Beograd, ndërsa ka diplomuar në Zagreb, më 1942. Nuk ishte i martuar, kishte dy vëllezër dhe nënën. Ushtrinë nuk e kishte të kryer. Nuk ishte i dënuar. Fliste shqip, serbisht, turqisht dhe nga pak italisht. Me gjendje ekonomike mesatare, i pa dënuar ndonjëherë. Rifat Krasniqi sipas të gjithëve që merrën me lëvizjen ilegale llogarisin se ai ishte koka e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare për Prizren dhe rrethet tjera për rreth. Rifat Krasniqi gjatë veprimtarisë kishte formua shumë komitete të rretheve e komunave e fshatrave anë e këndë Kosovës.
Në veprimtari ilegale ai kishte pseudonimin “Sokrati” dhe “Skenderbegu”, ishte sekretar i organizatës në Komtetin e Rahovecit. Gjatë kohës së okupimit, qysh në fillim kishte punuar si sekretar i Komunës në Mamushë. Pas kësaj kishte shkuar në Zagreb për të përfunduar fakultetin. Në Zagreb ishte regjistruar dhe më 1942 në qershor kishte përfunduar fakultetin. Në Zagreb si student kishte qëndruar 8 muaj. Pasi se kishte përfunduar drejtësinë, kishte ardhur në Tiranë dhe kishte dorëzuar lutjen në Ministrin për Emërime. Pasi se ishte dashur të pres një kohë deri tek emërimi, ata e kishin dërguar në Kukës, në Gjykatën e Rrethit. Këtu kishte qëndrua një muaj, por pasi se nuk kishte pasur para për të jetuar, e lëshon punën dhe kthehet në shtëpi. Pas një muaji i kishte ardhur dekreti se e kishin emëruar si praktikant-gjykatës në Rahovec. Nga këtu shkon në Rahovec dhe ia fillon punës si praktikant i Gjykatës. Në këtë punë kishte qëndrua rreth 15 muaj. Më vonë ishte avancuar si gjykatës i klasit të dytë, i vendosur si gjykatës i klasit të dytë në gjykatën e Istogut. Në Istog kishte qëndruar katër muaj, nga këtu më vonë kishte kaluar në Prizren. Kjo ka ndodhur në vitin 1944. Në Prizren kishte shkuar kur kishte përfunduar lufta. Gjatë kohës së ardhjes së partizanëve, në Prizren kishte qëndruar një muaj dhe nga këtu kishte shkuar në Rahovec.
Në Rahovec ishte punësuar në Këshillin Popullor të Rrethit si gjykatës në gjykaë. Aty kishte punuar 5 muaj. Pastaj e kishin caktuar si sekretar të Seksionit Social, dhe në këtë pozitë kishte ngelur deri më 1 mars 1945. Por, pasi se në Komunën e Mamushës, sekretari kishte qenë i sëmur nga tuberkulozi, e dërgojnë atë për sekretar në Komunë. Në këtë pozitë kishte qëndrua deri në ditën e arrestimit. Në organizatën e ONDSH-së, ishte futur në muajin prill 1945. Lidhja e tij e parë për ilegale kishte qenë Kadri Minushi, nga Domaneku, i cili ishte shef i Seksionit Shëndetësor në Këshillin Popullor të Rrethit, në Rahovec, dhe i kishte thënë: “sonte do të takohemi që të mbajmë një konferencë për t’u organizuar”. I kishte treguar edhe këtë se do të vijnë Ahmet Dërguti, Kajtaz Ramadani, dhe asgjë më tepër. Kadri Minushi i kishte tregua se kishte thirrë edhe Ahmet Dërgutin. Kur kishte ardhur Ahmet Dërguti edhe ai i kishte përmendur konferencën. Ai nuk kishte kurrfarë njohurie se çfarë konference do të mbahet dhe nuk e kishte ditur se çfarë konference do të jetë. Shokët i kishin thënë se deri më tani nuk kishin guxuar që të thërrisnin në konferencë se dukej shumë serioz dhe nuk guxonin të lëshoheshin në biseda. Takimi ishte caktua që të mbahej në teqe, menjëherë posa të bie terri. Pastaj me Kadri Minushin kishin shkuar në teqe, tek Sheh Mujedini dhe aty kishin darkuar. Në darkë kishin marrë pjesë: Ahmet Dërguti, Kajtaz Ramadani, Kadri Minushi, Sheh Mujedini, Sheh Zylfiqari. Në mbledhje kishte fol Ahmet Dërguti, pastaj kishte folur edhe Rifat Krasniqi. Ishte biseduar për organizimin e Komitetit ilegal të ONDSH-es, me qëllim që Kosova e Metohia t’i bashkohen Shqipërisë.
Rifati kishte shtuar se duhet me punua për bashkimin e Kosovës e Metohisë me Shqipërinë, kishte folur për flamurin kombëtar, pastaj kishte thënë se shqiptarët duhet të jenë më së paku 80% në administratë, kishte folur edhe për padrejtësitë të cilat po bëhen nga ana e partizanëve, kishte thënë se në radhët e partizanëve ka më tepër shovinizëm, e cila vjen nga drazhiqevcat të cilët janë futur në radhët e partizanëve; komunistët e vërtetë kurrë nuk e kishin bërë këtë gjë. Kishte pyetur se kush i ka mbytur fshatarët. Ahmet Dërguti në këtë takim kishte kërkua se menjëherë duhet të formohet komiteti, dhe në komitet të futen disa seksione, si ai, i financave, propaganda etj. Rifati ishte pajtuar. Seksioni i financave duhet të grumbullojë ndihmat nga tregtarët për komitet, dhe komiteti duhet t’iu ndihmojë njerëzit që ndodheshin në male. Atëherë ishte propozua që të zgjidhët kryetari i Komitetit. Ahmet Dërguti kishte propozua që për kryetar të zgjidhet, Kajtaz Ramadani dhe ishte përkrah njëzëri. Pas kësaj Ahmet Dërguti kishte propozua që Rifat Krasniqi të jetë sekretar, ngase ai ishte më i përshtatshmi dhe të gjithë u pajtuan me të. Për arkëtar u zgjodh Ahmet Dërguti, veç kësaj ky ka pas për detyrë që të punojë edhe në sektorin e propagandës. Për nënkryetar u zgjedhë Kadri Minushi.
Në komitet hynë edhe Sheh Mujedini. Në këtë mbledhje u caktuan edhe emrat ilegal. Propozimin për emra ilegal e kishte bërë vet Rifati, se në rast të direktivave dhe të dërgimit të letrave për të mos u zbulua se kush është. Me mbledhjen e parë kishte udhëhequr Rifati. Si detyrë parësore kishin vu që në të gjitha komunat të formohen komitetet, dhe duhet të vehen kontakte me Prizrenin, Gjakovën dhe Drenicën. Për të formuar komitetet u angazhuan Kajtaz Ramadani dhe Kadri Minushi në komunat: Banjsk, Kijevë, Dollc, Crnilluk ose Caralluk, Ostrozub dhe Bratotim. Ata vetë pranuan që të formonin komitete në këto anë ngase ishin nga atje. Për Rahovec e mori për detyrë Sheh Mujedini dhe Ahmet Dërguti. Për Bellacerk e mori Sheh Mujedini. Për komunën e Mamushë e mori për detyrë, tek në mbledhjen e dytë Vahit Mustafa, i cili ishte anëtar i ri i Komitetit. Lidhjet me Drenicën u caktua që t’i mbante Kadri Minushi dhe Kajtazi. Rifati dhe Sheh Mujedini morëm përsipër që të krijojn lidhje me Prizrenin. Morën qëndrim që mbledhjen e dytë ta mbajmë sa më shpejt. Për organizim kishin dhanë direktiva Rifati dhe Ahmet Dërguti. Mbledhjen e dytë e kishin mbajtur pas 15 dite. Mbledhjen e kishte thirr Rifat Krasniqi. Mbledhja ishte mbajtur në shtëpinë e Halil Dërgutit, tregtar nga Rahoveci. Ai e kishte ditur se mbledhja do të mbahet në shtëpinë e tij. Përveç atyre që kishim qenë edhe më herët, në mbledhje kishin ardhur edhe disa të rinj: Vahid Mustafa, Halil Dërguti, Ismail Gashi-hoxha, Murati… tregtar nga Rahoveci.
Anëtarët e rinj ishin njoftuar se ne kishim mbajt një konferencë më herët dhe se çka kishim vendosur dhe çka kishim përfunduar. Ata u pajtuan me zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit. Për punën e Konferencës së parë kishte referuar Rifati. Edhe mbledhjen e dytë e kishte hapur Rifati dhe i kishte njoftuar për punën e mbledhjes së dytë. Në këtë mbledhje Vaid Mustafa kishte marrë për detyrë që të formojë komitetin në komunën e Mamushës, a Rifati kishte marrë për detyrë që të formoj komitetin në komunën e Opterushës, plus kësaj kishte pasur edhe të vej lidhje me Prizrenin. Halil Dërguti kishte marrë për detyrë që të mbledh ndihma në Rahovec së bashku me Sheh Mujedinin. Sheh Mujedini qysh në mbledhjen e parë kishte marrë për detyrë që të formonte komitetin e vendit në Rahovec dhe të marrë lidhje me Gjakovën. Pas kësaj me propozimin e Vaid Mustafës ka ardhur deri te dhënia e betimit. Qëllimi i dhënies së betimit ka qenë që mos të tradhtohen shokët në mes veti, dhe të punohet më tepër. Tekstin e betimit e kishin formuluar Rifat Krasniqi dhe Vaid Mustafa. Teksti i betimit ishte: “Betohemi në zot, në librin e shenjët Kuranin, të dërguarin e zotit, dhe flamurin, se do të punojmë të gjithë për të mirën e popullit, dhe nuk do të tradhtojmë shokët në komitet”. Rifati e kishte lexua i pari tekstin, pastaj shokët e kishin thënë pas tij. Kuranin e kishte sjellë Halil Dërguti, po ashtu edhe flamurin, ndërsa revolen e kishte pasur Kadri Minushi. Kjo ishte edhe mbledhja e fundit ngase, se pushteti e kishte diktuar se po mbahen mbledhjet ilegale. Rifati emrin e tij ilegal nga “Sokrati” e kishte ndërrua në Prizren. Në burgun hetues në Prizren, Rifat Krasniqi u mor në pyetje 3 herë: me 9 korrik, dhe dy herë me 30 gusht 1945. Gjyqi Popullor Krahinor i Kosovës e Metohisë, që kishte organizua procesin gjyqësor nga 20 -27 shtator 1945, me aktgjykimin Gj.nr. 17/45, iu shqiptua dënimi me vdekje- pushkatim: Halim Spahiut, Tahir Dedës, Rifat Krasniqit, Sefedin Ahmetit, Rexhep Avdullah Kabashit dhe Kajtaz Ramadanit,dhe dënimin e humbjes së përhershme të të gjitha të drejtave politike e qytetare dhe me konfiskimin e tërë pasurisë së tyre. Ata gjashtë patriot u ekzekutuan me 5 shkurtit 1946, në Prishtinë. Pushkatimi u bë në orën 06:00 (gjashtë) të mëngjesit, pa praninë e publikut në vendin e quajtur “Kiseli bunar”.
© Pashtriku.org