KATËR DEKADA PËRPJEKJE…

Nga Arif Ejupi

Z.Gani Kosumi qëkur ishte fëmijë e kishte pasion sportin dhe leximin e materialeve që kishin të bënin me këtë fushë .

Ai përcillte rregullisht edhe transmetimet e ndeshjeve në Radio e Televizion të Prishtinës, pa e ditur që një ditë do të jetë pjesë e këtyre mediave.  Gjithashtu lexonte çdo artikull që kishte të bëjë me sportin në gazetën “Rilindja “të Prishtinës.

Vlerësonte punën e gazetarëve pionierë të kësaj gazete ditore si : Ali Shala, Fehmi Sejdiu, Besim Dobroshi, Abas Dula,Muharrem Bulliqi,Burim Hatipi etj.

Ganiu relaksohej dhe kënaqej  kur dëgjonte edhe zërin tërheqës të reporterëve ikona të sportit shqiptar si : Esat Stavileci, Veli Vraniqi, Azem Brovina, Gani Ajeti , Agim Kasapolli etj, të cilët nëpërmjet valëve të TVP- së, dhe Radios ,na sillnin atmosferën e ndeshjeve kur skuadrat tona KF.Prishtina, KF. Trepça, KF. Liria, KF.Vëllaznimi etj, luanin jashtë Kosovës.

Nuk mungonin as ngjarjet në basketboll e hendboll ku me sukseset e tyre na bënin krenar Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht Borci i Ferizajt dhe Trepça e Mitrovicës, Smadrexha e Vushtrrisë etj.

Ganiu si prishtinas i hershëm në të gjitha ngjarjet sportive që zhvilloheshin në kryeqytet ishte i  pranishëm. Aty ku gazeta Rilindja s’ mund  t’i mbulonte disa nga ngjarjet i mbulonte Ganiu, edhe pse ende ishte nxënës i shkollës së mesme në gjimnazin “ Xhevdet  Doda “ të Prishtinës

Ai përcillte edhe rrjedhën e ngjarjeve sportive në ish-Jugosllavi dhe shtetin Amë- Shqipëri.

Me shumë ëndje dëgjonte edhe transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit shqiptar në futboll në Radio Tiranë . Atij i bënin përshtypje me gjuhën e tyre të pasur dhe zërin melodik komentatorët Ismet Bellova dhe Ahmet  Shqarri .

Ganiu që shumë herët u mishërua me gazetarinë sportive prirjet e tij në këtë profesion do t’i testojë në fillim të viteve të’80- ta. Paraqitjet e para në cilësinë e gazetarit sportiv ai do t’i bëjë duke krijuar marrëdhënie të rregullt pune në Programin e Dytë të Radio Prishtinës.

Kosumi pa shkëputje nga puna studion në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës, drejtimi gjuhë dhe letërsi shqipe. Me gjithë angazhimin në punë edhe studimet i përfundon me sukses.

Meqenëse merrej me karate rëndësi të veçantë do t’u kushtojë sporteve luftarake. Gjithnjë i qetë e komunikues kudo i kishte dyert e hapura dhe mikpritjen e duhur.

Ai në kuadër të Programit të Dytë të Radio Prishtinës punoi deri në vitin 1988.  Në këtë Program realizoi qindra kronika, intervista dhe raporte nga disiplina të ndryshme sportive .

Me ndryshimin e skemës programore kalon në Programin e Parë të Radio Prishtinës, redaksia e sportit .

Ai edhe këtu prioritet u jep temave në sportet luftarake që dukeshin të lëna në harresë .

Përkushtimi i tij në masivizimin e këtyre sporteve do të bëjë që ai të jetë i preferuar si gazetar sporti nga boksierë, karateistë, mundës, peshëngritës, qitës, tenistë, volejbollistë, shahistë, pingpongistë, pa përjashtuar edhe disiplinat tjera të sportit si futbollin, basketbollin, hendbollin, atletikën, notin etj.

Edhe punën prej komentatori të futbollit Ganiu do ta provojë në ndeshjet Napredaku i Krushecit  – Vëllaznimi i Gjakovës dhe Radniçki i Pirotit – Prishtina 2 me 1.

Disiplina në punë dhe komunikimi tamam njerëzor i kanë krijuar Ganiut raporte të shkëlqyera me trajnerë e sportistë gjithandej Republikës së Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare.

Ganiu edhe kur Serbia më 5 korrik të vitit 1990, i dëboi me dhunë nga vendet e tyre të punës mbi 1300 punëtorë të këtij mediumi informativ nuk u dorëzua.

Me shkrimet dhe kronikat e tij të vazhdueshme pasqyroi deri në detaje dhunën serbe në sportin e Kosovës. Ganiu herë pas here ka shkruar edhe në gazetën” Bujku” të Prishtinës, që në realitet atëbotë bënte punën e Rilindjes së ndaluar nga pushteti gjenocidal i Milosheviqit.

Kosumi 8- vjet e disa muaj ka qenë edhe korrespondent i rregullt i sportit nga Kosova në Radio Televizionin Shqiptar të Tiranës.

Në kuadër të emisionit “Lajme “që përgatiteshin nga gazetarët kosovarë Ganiu ka raportuar nga Prishtina, mbi të gjitha ngjarjet sportive që mbaheshin në Kosovë, edhe pse ajo gjendej nënokupim të hekurt nga Serbia.

Falë punës së tij opinioni i brendshëm dhe ai i huaj është njoftuar me dhunën e vazhdueshme  dhe diskriminimin që Serbia ua bënte sportistëve të Kosovës.

Këtë barbari të policisë serbe z. Kosumi e ka prezantuar edhe nëpërmjet mijëra fotografive të cilat  kanë bërë xhiro edhe nëpër botë.

Shumëkujt i duket e pabesueshme por Ganiu i dhënë edhe pas fotografisë me Aparatin “ Nikon” dhuratë nga i vëllai Vehbiu, që jeton prej vitesh në Londër të Anglisë, i ka shkrepur mbi 100 mijë pamje nga aktiviteti i sportistëve tanë brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Pas çlirimit të Kosovës, Ganiu deri në pension të merituar kreu detyrën e Redaktorit Përgjegjës të Sportit në Radio Kosovë.

Ai me ndihmën e disa bamirësve është i vetmi nga gazetarët shqiptarë që më 2015, ka përcjellë në Baku të Azerbajxhanit, suksesin kulmor të vajzave tona xhudiste si:  Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria  Krasniqi. Kuptohet që ky sukses s’do të ishte arritur pa punën e palodhshme dhe shembullore të trajnerit tonë të mirënjohur  Driton Kukaj.

Për vetëmohim dhe angazhim të pakursyer Ganiu ka fituar çmime, fletëlavdërime dhe mirënjohje të shumta publike.

Z. Kosumi ndihet i plotësuar sepse atij për gjithë këto vite pune të pandërprera iu nda edhe Çmimi për vepër jetësore.

Po ashtu është shpërblyer dyherë radhazi me mirënjohje nga Federata Futbollistike e Republikës së Kosovës.

Kurse kolegu i tij Xhavit Kajtazi ,në shenjë konsiderate dhe respekti për punën e tij me vlerë ka shkruar librin “Gazetari për gazetarin “në të cilin përshkruhet puna dhe angazhimi dyzetvjeçar i z. Kosumi, si gazetar e fotoreporter.

Vite me radhë z. Kosumi i ndihmuar nga z. Esad R.Ejupi e ka mbajtur edhe portalin “Sporti i Republikës së Kosovës” Nëpërmjet kësaj faqeje sportdashësit janë furnizuar me lajme të nduarnduarta sportive nga vendi dhe bota.

Ganiu pati ndihmuar edhe ecurinë e punëve në Radio “Rilindja” të Prishtinës, duke u prezantuar me kronika e intervista të ndryshme nga zhvillimet sportive në Kosovë e Iliridë.

Fatkeqësisht, Ganiu për gjithë këtë angazhim dhe sakrificë s’ është shpërblyer nga institucionet e Republikës së Kosovës, me një pension që i garanton pleqëri të dinjëtetshme .

Ai në formë pensioni merr vetëm 100 euro, që është rentë për të gjithë qytetarët  e Kosovës, që kanë mbushur moshën 65 vjeçe, edhe pse disa prej tyre nuk kanë qenë asnjëherë në marrëdhënie pune.

Ky farë “pensioni” është ofendim jo vetëm për Ganiun,por dhe për familjen e tij, ngase ai një jetë ishte në shërbim të masivizimit të sportit në vendin  tonë.

Përkundër kësaj Ganiu nga 30 tetori i këtij muaj ka paraparë hapjen e një ekspozite në Prishtinë, ku ka seleksionuar diku 100 fotografi të xhiruara gjatë viteve 1991 -1999, që flasin mjaftueshëm për kohën kur Serbia i pati privuar nga çdo e drejtë shqiptarët e Kosovës.

Ai si çdoherë korrekt e i ndërgjegjshëm falënderon për mbështetjen Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës, si dhe Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Apelojmë që kjo ekspozitë të vizitohet nga të gjithë, sidomos nga të rinjtë që të kuptojnë që sporti  i Kosovës, jo vetëm që mbijetoi por edhe shënoi shkëputjen e tij të përjetshme nga Serbia, qysh në fillim të viteve të ’90- ta, edhe pse kudo ushtrohej  segregacion dhe dhunë e shfrenuar.

Kjo u arrit falë punës së përbashkët të donatorëve, udhëheqësve sportiv, gazetarëve e veçmas sportistëve që në kushte që s’ përshkruhen dot luajtën në ara e luadhe të fshatrave të Kosovës.

Me ta në vrap ishte edhe gazetari trim dhe i papërkulshëm Gani Kosumi, i cili aty ku iu dha mundësia shkroi për vuajtjet dhe sakrificat e të gjithë sportistëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura