(Durrës, 22. 02. 2013) – Do të lexojmë vetëm 1 fragment nga vepra “Lufta e Peloponezit” dhe pastaj të shqyrtojmë ç’të dhëna na ka vënë në dispozicion Tuqididi, një nga historianët më të mëdhenj të Antikitetit. (Bot.Almera, Tiranë, 2008, f.7)
“Dobësinë e qytetevet të vjetër e tregon, sipas mendimit tim, sidomos kjo: përpara Luftës Trojane Helada s’duket të ketë bërë ndonjë veprim e tëra bashkë; madje më duket se ky emër nuk shtrihej në gjithë vendin, dhe se përpara Helenit, birit të Deukalionit, as nuk ekzistonte fare ky emër; popuj të tjerë veç e veç dhe, veçan, Pellazgët për shumë kohë i jepnin emrin e tyre vendit që pushtonin. Por kur Heleni dhe djemtë e tij u bënë aq të fuqishëm në Erthiotinë, sa qytetet e tjerë kërkonin ndihmën e tyre, atëherë fiset e ndryshëm sa më shpesh vinin në kontakt me ta, aq më shumë filluan të quhen me emrin Helenë; ja pse u desh të kalojë shumë kohë gjersa të gjithë ta pranojnë këtë emër. Këtë e vërteton më së miri Homeri; ky, ndonëse jetoi shumë kohë pas Luftës së Trojës, në asnjë vend (të poemavet të tija) nuk i ka quajtur kështu të gjithë, përveç atyre që erdhën bashkë me Akilin nga Fthiotida, të cilët, me të vërtetë, ishin të parët që u quajtën Helenë – të tjerët, ndër poemat e tija, vazhdimisht i quan Danai, Argjivë dhe Akej. Po as fjalën “barbar” nuk e ka përdorur, mbasi, siç më duket, edhe Helenët ende s’qenë ndarë me një emër unik dhe të kundërt me barbarët. Helenët, pra, edhe veç e veç, edhe ata që mblidheshin nëpër qytete – të cilët më vonë bashkarisht u quajtën Helenë – s’kishin bërë asgjë të gjithë së bashku nga dobësia politike dhe nga mungesa e marrëdhënivet në mes tyre. Po edhe këtë ekspeditën e Trojës e bënë atëherë, kur filluan ta rrahin më shumë detin.” (Fundi i citatit,f.7)
Tuqididi (460 – 400 para erës sonë)
* * *
Përkthimi besoj se është bërë i saktë.
Vëmendjen tonë, si fillim, e meritojnë veçanërisht 3 të dhëna:
1. “Qytetet e tjerë kërkonin ndihmën e (helenëvet)”. Kjo do të thotë që, PARA HELENËVET, në Heladën e mëvonshme KA PASUR QYTETE! Kjo ka shumë rëndësi. QYTETËRIMI ka ekziastuar! Nuk e kanë sjellë, as nuk e kanë krijuar helenët.
2. “Fiset e ndryshëm filluan të quhen helenë”. Pra, morën emrin helenë, pa qenë helenë! Kjo do të thotë, as më pak, as më sdhumë, por që HELENËT E MËVONSHËM NUK ISHIN HELENË TË MIRËFILLTË!
3. “U desh të kalojë shumë kohë, gjersa të gjithë ta pranojnë këtë emër.” Kjo do të thotë që procesi i asimilimit, i të shndërruarit të popujvet johelenë në “helenë”, ka zgjatur, sepse PARAHELENËT KANË QENË POPUJ ME KULTURË TË QËNDRUESHME.
Mbi bazën e vetëm këtyre 3 të dhënave do të mund të ndryshohej, madje do të duhet të ndryshohet, në të ardhshmen, krejt ajo pjesë e diturisë që e ka emrin HELENISTIKË.
Lufta e Trojës ka ndodhur 800 vjet para se Tuqididi t’i ketë shkruar këta rreshta. Megjithatë, si informacioni, ashtu edhe gjykimi i tij, janë shumë të saktë.
Në ekspeditën e Trojës, siç e quan Tuqididi, helenët mundën të bëhen subjekt i rëndësishëm në histori, (jo si ndërtues, por si shkatërrues qytetërimesh, Gj.D.) vetëm në saje të daljes së tyre në det. Në saje të faktit që ata tashmë ishin në një farë mase edhe detarë. Por analizat na çojnë te konkluzioni që as shkatërrimin e Trojës ata nuk do të mund ta bënin vetëm, pa futur në atë valle të përbindshme trojëdjegëse, vendësit johelenë, siç ishin Odiseu dhe Akili.
(Historia e Luftës së Peloponezit, sipas autorit është “një vepër për përjetësinë”, ka ndikuar papushim politikën, politikën ndërkombëtare dhe strategjinë. Lufta e Peloponezit, 431 – 404 para erës sonë, mes fuqive të Athinës dhe Spartës dhe aleatëve përkatës, u shkaktua nga konfliktet për lundrimin, tregtinë dhe kolonitë dhe mbaroi me rënien e hegjemonisë detare të Athinës. – pashtriku.org)
* * *
Mbështetur në mitologji, Tuqididi thotë se Heleni ishte biri i DEUKALIONIT. Nëse do t’i besojmë tezës që gjuha e pellazgëvet ka qenë paraardhësja ose krahasekzistuesja e ilirishtes, dhe, në vazhdim, pellazgo-ilirishtja, paraardhësja e arbro-shqipes, atëherë emrin e të jatit mitologjik të Helenit do të mund ta shpjegonim disi kështu: Njeriu që ka KALUAR DHEUN, njeriu që ka shtegtuar. Me fjalë tjera, imigranti, i ardhuri. Me këtë emër do të mund ta kishin thirrur vendësit, nëse është e vërtetë që ata kanë folur këtë gjuhë. Emri DEUKALION , kështu do të dilte një kompozitë, një fjalë e përbërë nga emri DHEU dhe nga folja ME KALUE, në formën KALON. Dihet që kompozitat në Antikitet kanë qenë shumë të përdorura dhe kjo ndodhte ngaqë pjesët e ligjëratës, në ato kohë të largëta, vinin drejtpërsëdrejti nga fjalitë dhe nga frazat. Ata pak ndryshime fonetikë midis formës DEUKALION,-I dhe DHEKALON,-I, janë të shpjegueshëm, madje duket e çuditshme si ngjajnë kaq shumë këto 2 fjalë.
Vetë miti i DEUKALIONIT e ka lidhur atë me DHEUN, me tokën. Është i biri i Prometeut dhe gati identik me Noen. (Këtu del tepër i lashtë.) Shpëtimin nga përmbytja e gjen në malin e Parnasit, pra, në brigjet e këtij gadishulli. E shoqja e DEUKALIONIT e ka emrin PIRRË. Në gjuhën shqipe, sot, PIRRË quhet një bar i ashpër, i cili rritet midis gurëvet nëpër male. Banorët që u krijuan prej DEUKALIONIT dhe PIRRËS, janë banorë prej guri (Lexo mitin.). Kjo do të na çonte te mendimi që helenët, pasardhës të këtij çifti TË ARDHUR, ishin njerëz të ashpër, lindur e rritur midis gurëvet. Gjithsesi, edhe emrat DHE, tokë, PIRRË, lloj bari, edhe folja ME KALUE (KALON), që çuditërisht e hasim edhe te emri i një personazhi të Aristofanit, KALONIQI, janë fjalë të shqipes së sotme.
Tuqididi e pohon që, në kohët para Luftës së Trojës, nuk ekzistonte fare emri gjithpërfshirës i helenëvet. Popuj të tjerë, veç e veç, thotë Tuqididi, por veçan Pellazgët i jepnin emrin e tyre vendit që pushtonin. Thënë ndryshe, në këta vende, ku tashmë jetonin edhe helenët, pasardhës të DEUKALIONIT e PIRRËS, kish popuj të tjerë të stabilizuar prej kohësh. Midis tyre, më të fuqishmit del se ishin Pellazgët.
Na bie në sy edhe emri i vendit në të cilin helenët jetonin dhe ku tashmë kishin filluar të fuqizohen. Ai vend quhet ERTHIOTINË. (Shih tekstin e cituar!) Në shqipen e sotme kemi foljen ME ARDHË. Veta III njëjës e kohës së kryer të thjeshtë, e aoristit, bën ERDHI, por shqiptohet edhe pa I-në fundore: ERDH, me ç’rast DH-ja shurdhohet në TH dhe del ERTH. Ç’kuptim do të kishte toponimi ERTHIOTINË, nëse do të shpjegohej me këtë folje? Do të kish, pra, kuptimin: VENDI I TË ARDHURVET.
Tuqididi thotë: Djemtë e Helenit, dmth brezat pasardhës të Helenit, u bënë aq të fuqishëm në ERTHIOTINË, sa qytetet e tjerë kërkonin ndihmën e tyre. Është kjo një ecuri krejt normale e cilitdo popull të ardhur. Ai, ose fuqizonet, natyrisht, duke pëvetësuar përvojën e popujvet më të hershëm, ose shkrihet midis popujvet më të hershëm. Me helenët ka ndodhur dukuria e parë: Ata janë fuqizuar, duke iu përshtatur vendbanimit të ri, doemos, duke marrë shumë prej popujvet të gjetur, por duke ruajtur disa tipare të identitetit, psh gjuhën, ngjashëm me spanjollët në Meksikë dhe me portugezët në Brazil.
Citat nga nga libri i Tuqididit…
* * *
Është tepër e rëndësishme të kuptohet dhe të mbahet mirë parasysh konkluzioni prej historiani të mirëfilltë i Tuqididit, kur thotë: Fiset e ndryshëm, sa më shpesh vinin në kontakt me helenët, aq më shumë filluan të quhen me emrin helenë. Kemi të bëjmë këtu me dukurinë, të njohur gjithandej, të asimilimit. Me qenë se helenët u fuqizuan ekonomikisht, që do të thotë, edhe politikisht, sidomos mbas Luftës së Trojës, popujt vendës iu nënshtruan procesit të asimilimit nga ana e tyre. Ata lashtovendës çuan te helenët të gjithë elementët e kulturës së vet, mitologjinë, folklorin, kulturën e ndërtimtarisë, bërjen e shtetit, por morën emrin dhe gjuhën, tashmë të shartuar, të të ardhurvet. Kështu do të duhet shpjeguar, psh, edhe përkthimi në gjuhën e shartuar helene edhe i poemavet të quajtura homerike.
U desh një kohë shumë e gjatë gjersa të gjithë ta pranojnë këtë emër, thotë Tuqididi. Është proces dhe procesi doemos kërkon shumë kohë. I njëjti proces ka ndodhur edhe me sllavizimin e ilirëvet në Kroacinë e sotme, në Bosnjë, në Mal të Zi etj.
Por, për ne ka shumë rëndësi të konkludohet: Cili është SHKAKU KRYESOR i asimilimit të një mase kaq të madhe popullsie vendëse prej popullsish të ardhura, shumë më të pakta në numër (rasti i helenëvet), ose krahasimisht më të pakta (rasti i sllavëvet)? SHKAKU KRYESOR (Këtë nuk mund të na e thotë Tuqididi), është që, si helenët në Jug, ashtu edhe sllavët në Veri, e KËRKUAN, e GJETËN dhe e RUAJTËN me shumë kujdes ÇELËSIN e të mbijetuarit dhe të zhvillimit të vet, dhe ky është SHKRIMI.
Në Jug, konsiderohet, gjykohet, që poemat e quajtura homerike janë krijuar në gjuhën e vendësvet dhe janë përkthyer në gjuhën helene dhe SHKRUAR në gjuhën helene. Në Veri, epika legjendare e arbërvet ka përshkuar rrugë të ngjashme, duke u përkthyer në gjuhët slavojugore prej rapsodësh gjysmë të asimiluar dhe, madje, duke u quajtur, duke u emërtuar si krijimtari e sllavëvet. Eposi ynë i Veriut shkoi edhe më tutje: Personazhet e tij, në shumicë, edhe “u bënë” myslimanë.
Tuqididi thotë pak më poshtë: Homeri, ndonëse jetoi shumë kohë pas Luftës Trojane (mbase, gati 4 shekuj, Gj.D), në asnjë vend (të poemavet të tija) nuk i ka quajtur (helenë, Gj.D) të gjithë (ata që sulmuan e shkatërruan Trojën, Gj.D), përveç atyre që erdhën bashkë me Akilin. (Krahaso me citatin.) Vëmë re këtu shprehjen “përveç atyre që erdhën bashkë me Akilin”. Pra, jo Akilin, se Akili, siç dihet, ishte mirmidon e jo helen. Kështu Tuqididi na sugjeron që as danajt, as argjivët, as akejtë e kohës trojane, nuk duhet t’i quajmë helenë. Të gjitha këto kërkojnë komentime të hollësishëm.
I rëndësishëm është edhe konkluzioni i fundit (në këtë citat) i Tuqididit, të cilin e përmenda edhe më lart: Ekspeditën e Trojës (helenët) e bënë atëherë, kur filluan ta rrahin më shumë detin. Qytetërimi pellazg, qytetërimi i dardanëvet të Trojës, qytetërimi ilir, qytetërimi teukër, qytetërimi thrakas, qytetërimi frigas, dhe të tjerë qytetërime, që realisht, me gjithë dallimet, përbëjnë një të vetëm qytetërim, atë parahelen, i cili nuk u shua as në epokat pas’helene, u detyrua t’i nënshtrohet procesit të tjetërsimit, edhe me anë të dhunës (shkatërrimi i Trojës), atëherë kur helenët e ardhur FILLUAN TË RRAHIN DETIN.
Tuqididi nuk e thotë, por unë dua të shtoj: Atëherë kur helenët, jo vetëm filluan të rrahin detin, por praktikuan QËNDRUESHËM edhe një SHKRIM (të vetin apo të huazuar, nuk ka shumë rëndësi). Nuk do harruar të themi QËNDRUESHËM, pasi po ashtu arriti më vonë, një popull tjetër i vogël, populli latin, të bëhet i madh, pikërisht sepse SHKRIMIN e praktikoi QËNDRUESHËM, dhe po ashtu popujt sllavë arritën të mbeten sllavë, pikërisht sepse SHKRIMIN e huazuar, e praktikuan QËNDRUESHËM në gjuhët e veta.
Ky fragment i veprës së Tuqididit na e përforcon edhe njëherë mendimin tonë që, në themelin e kulturës së quajtur HELENE, qëndron një tjetër kulturë PARAHELENE. Nëse është i pranueshëm shpjegimi që te fjalët DEUKALION, PIRRË dhe ERTHIONË, gjejmë fjalë të sotme shqipe, si emrat DHE e PIRRË dhe foljet ME KALUE e ME ARDHË, atëherë kjo do të përbënte një ndër mbështetjet e forta për të pohuar që, ajo kulturë PARAHELENE ka qenë pikërisht kultura e paraardhësvet të shqiptarëvet të sotëm.
Po kush janë grekët e sotëm, sipas kësaj që na e sugjeron Tuqididi?
Deri sa helenët e dikurshëm, në procesin e tyre të fuqizimit, nuk mbetën dot mirëfilli helenë, vetëkuptohet që grekët e sotëm janë helenë shumë më pak se ata të dikurshmit. Madje aq pak sa, në sulmet e tjerë kundët Trojavet, që ata planifikojnë, do t’u duhej prapë të përdornin Akilë dhe Uliksë jogrekë.
……………………………………………….
FAKTE HISTORIKE
* * *
* * *
* * *
===========================
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)