DR.MOIKOM ZEQO: ZBULOHEN ANIJET ILIRE NË BREGDETIN E BOSNJES

Pashtriku.org, 07. 02. 2014 – Deri më sot arkeologët nënujorë nuk kishin mundur të zbulonin relikte të anijeve ilire. Në 1975 në basenin e Bazës Detaro-ushtarake në Bisht Pallë unë kam zbuluar një anije të lashtë, zbulim të cilin e kam publikuar. Gjithmonë kam besuar se do të gjendeshin dhe mbeturina të anijeve ilire në gjiret e bregdetit shumë të gjatë të Gadishullit të Ilirisë. Dihet se liqeni i Shkodrës – kryeqytet i shtetit ilir, ka qenë edhe kantieri i anijeve, simboli i të cilave është fokusuar në monedhat ilire. Por kërkimet e kohëve të fundit nëndet kanë dhënë rezultate inkurajuese. Sapo janë zbuluar dy anije ilire.
Historia e tyre është e lashtë, plot 2200-vjeçare. Dhe mbart në vetvete një epokë të vjetër, atëherë kur mjetet e lundrimit ishin “armët” e vërteta të dominimit të një populli. Bëhet fjalë për dy anije ilire, reliket e të cilave janë zbuluar vetëm pak ditë më parë në Bosnje-Hercegovinë.
Mbetjet e këtyre anijeve janë zbuluar vetëm tetë metra nën sipërfaqen e detit, në gjirin e parkut natyror Hutovo Blato, në jug të Hercegovinës, në afërsi të grykëderdhjes së lumit Neretva.

– Zbulimi i dy anijeve ilire –

Ato kanë qëndruar për mijëra vjet të fshehur, si për ironi, në një thellësi jo shumë të madhe, dhe kanë arritur t’i mbijetojnë gërryerjes së ujit, baticave dhe zbaticave si dhe ndryshimit të kushteve atmosferike.
Gjithçka ndodhi gjatë kërkimeve të një ekipi arkeologësh nga Bosnja, përgjatë grykëderdhjes së lumit si dhe zonën e bregut të parkut natyror. Snjezhana Vasilji, drejtuesja e ekipit të arkeologëve që punonte në këtë zonë tha se dy anijet që u gjetën në zonën e quajtur Desilo kanë gjatësi 14 metra dhe gjerësi katër metra. Mjetet e lundrimit të ilirëve që dominonin detet në Ballkan kishin gjetur vend mes të dhënave historike greke dhe romake, por reliket e tyre nuk ishin zbuluar asnjëherë.

– Snjezhana Vasilji, drejtuesja e ekipit të arkeologëve –

Dy anijet e zbuluara pak ditë më parë janë të parat anije ilire që hedhin dritë mbi historinë e vërtetë të një popullsie të lashtë. Pjesëza nga amfora të ndryshme janë zbuluar brenda anijeve, 30 prej të cilave mbajnë shenjat e artizanëve që i kanë punuar ato.
Bashkë me to janë zbuluar edhe një varkë romake si dhe rrënojat e një vile të vjetër romake aty pranë Arkeologët kanë zbuluar edhe disa varre ilire, 8 të tilla, që janë edhe më të vjetra se anijet.
Deri tani ekspertët kanë ekzaminuar vetëm tetë metra katrorë përgjatë fundit të detit dhe verifikime e kërkime të tjera duhet të bëhen për të zbuluar se çfarë ka ndodhur vërtet dhe nëse kjo ishte një pikë strehimi për piratët ilirë.
Anijet ilire, që besohet se janë më të vjetra se 2 mijëvjeçare, janë të njohura për historianët dhe arkeologët vetëm nëpërmjet përshkrimeve të ndryshme, miteve dhe legjendave greke dhe romake. Por, ekzistenca e tyre fizike nuk është provuar asnjëherë në ditët e sotme.
Arkeologët tani besojnë se zona e Hutovos, në grykëderdhjen e lumit Neretva ka qenë një ndër destinacionet e këtyre anijeve që lundronin nëpër detin Adriatik që është i lidhur me lumin në fjalë. Duket se piratët ilirë, pasi kanë kapur një anije greke apo romake, kanë shkuar deri në grykëderdhjen e lumit Neretva për t’u strehuar në Hutovo Blato, ku anijet e ndjekura nga persekutorët e tyre, u mbytën.
Në zonën e Desilos ku u gjetën anijet janë zbuluar disa herë amfora të vjetra, që datojnë mijëra vjet më parë. Për sa i përket ndërtesës romake të gjetur në fund të këtij territori në deltën e lumit, besohet se ajo daton në epokën e Hekurit ose të Bronzit.
Arkeologët thonë se vetëm kërkimet e reja si dhe shqyrtimi me shumë hollësi i relikeve të gjetura mund të hedhë dritë mbi fakte të rëndësishme historike të ndodhura 2.200 vjet më parë. Ilirët kanë qenë banorët më të hershëm të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe zonën e Bosnjës, shumë kohë para se perandoria romake të pushtonte rajonin dhe të merrte kontrollin e tij.
Parku natyror nënujor ku u gjetën reliket e anijeve ilire është një pasuri e vërtetë arkeologjike për Bosnjën.
Ai ka një sipërfaqe prej rreth 7 mijë hektarësh dhe ka edhe gjashtë liqene të vegjël. Parku është shumë i famshëm për praninë e 200 specieve të zogjve.
Arkeologët besojnë se ky vend mban fshehur shumë relike të rëndësishme historike dhe ruhet nga policë të posaçëm për të mos u bërë pre e plaçkitësve.
Sipas banorëve lokalë, verën e kaluar trupat e Bashkimit Europian në Bosnjë Hercegovinë (EUFOR) zbuluan dhe morën rreth 50 amfora me shumë vlerë nga ky park natyror.
(Botuar për herë të parë –  më 24 mars 2007)

……………………………………………….

– Ekipi i arkeologëve gjatë kërkimeve për zbulimin e anijeve ilire –

—————————————

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura