Prot.nr.174/2023
I KMDLNj-së: FRYRJA E FATURAVE – “DHURATË” EDHE PËR KËTË FUNDVIT
Fryerja e faturave të energjisë elektrike edhe këtë fundvit është kryelajmi i fundvitit. Edhe më kryelajm se vet ndarja e dhuratave nga kryeministri i Kosovës. Për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, të cilët që nga paslufta janë diskriminuar nga të gjitha qeveritë, e po vazhdon edhe më tutje, sikur nuk po mjafton kjo ata po vazhdojnë edhe të plaçkiten përmes fryerjes së faturave në kohë festash, në kohën e një ekonomie gati të rrënuar dhe në prag të liberalizimit të vizave.
ZRrE ka deklaruar që nuk ka pranuar numër të lartë të ankesave, kurse po të hyjsh në rrjetet sociale dhe në portale, dëshmohet totalisht e kundërta. KMDLNj-ë mendon se qytetarët e Kosovës e kanë humbur (nëse ndonjëherë e kanë pasur) besimin në ZRrE që mund të mbajë anën e drejtë të qytetarëve të Kosovës. Deri më tani , për vite me radhë qytetarët shqiptarë të cilët janë detyruar që të paguajnë në kohë gjithë faturën e energjisë elektrike, përfshirë këtu edhe plaçkitjet që u janë bërë, e që për këtë ka dhe në vendim të Gjykatës Kushtetuese, se janë vjedhur qytetarët përmes fryrjes së faturave, ZRrE si autoritet rregullativ asnjëherë nuk ka treguar vullnet që të jetësojë me korrektësi detyrat e saj që e obligon edhe ligji. Jo që ende nuk kanë gjetur mënyrën e duhur t’ua kthej mjetet qytetarëve për plaçkitjet e mëparshme por po vazhdon të njejtën rrugë.
Që reagimi ka qenë vetëm përmes rrjeteve sociale dhe në mënyrë deklarative, e që ndoshta mund të tregojë mungesë të “dijes” për ekzistimin e institucioneve përkatëse ankuese ua kanë mësuar dhe vet përfaqësuesit e popullit, deputetët të cilët poashtu reaguan vetëm në mënyrë deklarative dhe jo në tempullin e përfaqësimit qytetarë, Kuvendin e Kosovës.
Prokuroria e Shtetit do të duhej që sipas detyrës zyrtare të fillojë hetimet sa i përket ankesave të qytetarëve për fryerje të faturave të energjise elektrike dhe të marrë për bazë edhe ankesat e shprehura edhe në rrjetet sociale.
KMDLNj u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrejnë zërin për shkeljen e të drejtave të tyre duke shfrytëzuar të gjitha mjetet demokratike. KMDLNj gjithashtu u kërkon që në mënyrë individuale të gjithë qytetarët të bëjnë padi kundrejt KEDS, KESCO dhe ZRrE për shkelje të të drejtave të tyre për fryrje të faturave të energjisë elektrike, për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthim të mjeteve të plaçkitura dhe në të njejtën kohë të paguajnë vetëm faturat e muajit të kaluar derisa të zbardhet e vërteta për fryrjet e këtij muaji.
KMDLNj-ë i rekomandon qytetarët e Kosovës që faturat t’i paguajnë vetëm në shumën e muajit paraprak.
KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme dhe të këmbëngulin për hetime për këto fatura të jashtëzakonshme.
KMDLNj kërkon dorëheqje të bordit të ZRrE dhe hetime për drejtuesin e Bordit.
KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës që të organizohen dhe të protestojnë pa ndërprerë para zyrave të ZRrE, Kuvendit të Kosovës dhe KEDS-it.
Qytetarët duhet t’i mbrojnë të drejtat e tyre kur ligji nuk po e bënë këtë.
Qytetarët duhet të protestojnë kundër diskriminimit në baza etnike me ç’rast serbëve iu paguhet rryma qe 23 vjet nga të gjitha qeveritë kurse shqiptarët dhe joserbët penalizohen.
Shërbimi për Informim
28 dhjetor 2023 Prishtinë
***
KËSHILLI PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE E TË LIRIVE TË NJERIUT
COUNCIL FOR THE DEFENCE OF HUMAN RIGHTS AND FREEDOMS
Rr. Nëna Terezë nr. 24/2 – I/I, Prishtinë-Kosovë; tel. 381 (0) 249006 fax: 381 (0) 38 244029
E-mail:[email protected]; http://www.cdhrf.org
Prot.nr.173/2023
Reagim i KMDLNj – së:
FATURAT JONORMALE TË RRYMËS, PROKURORIA E SHTETIT TË HETOJË ME URGJENCË!
Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregulltë me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar. KMDLNj –ë ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar me ato të muajit paraprak sikur edhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura që janë thejsht vjedhje e parasë nga buxheti, edhe ashtu shumë i rënduar i shumicës së familjeve në Kosovë. Në çdo vend normal kjo vjedhje klasike përmes faturave të rrymës do të ishte mundësi e artë për opozitën që fuqishishëm të kundërshtojë ndërsa te ne vetëm kishte reagime sporadike të deputetëve. Për këtë plaçkitje legale deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur të thërrasin seancë të jashtëzakonshme ndërsa qytetarët e Kosovës është dashur të reagojnë fuqishëm përmes një aktivizmi qytetar kundër KEDS, KES/CO dhe ZRrE –së. E keqja e gjithë kësaj është se ZRrE, si Rregullator i Energjisë Elektrike asgjë nuk ka ndërmarrë për mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës por se ka mbrojtur gjithmonë interesin e kompanive gllabëruese si KEDS dhe KES/CO. Në vendet ku bëhet një politikë e përgjegjshme dhe ku deputetët vërtetë përfaqësojnë intereset e qytetarëve/votuesve të tyre, më së paku që do të ndodhte do të ishte dorëheqja apo shkakrkimi i ministrisë përkatëse mbase edhe rënia e qeverisë. Këtu, përveç revoltës së shprehur nëpër rrjetet sociale nuk ka kundërshtim të vendosur dhe të organizuar qytetarë andaj edhe po legalizohen këto vjedhje të qytetarëve. Të gjithë jemi dëshmitarë se edhe në vendet me një standard dhe ekonomi shumë më të zhvilluar si Franca, Gjermania, Italia, Hungaria etj. për shtrenjtim shumë më të vogël ka apsur protesta shumëditëshe dhe përballje të qytetarëve me policinë deri kur shteti ka pranuar fajin dhe është thyer në pozitat e mëparshme. Në Kosovë përveç se qeveria diskriminon qytetarët në baza etnike, disave ua paguan rrymën qe 23 vjet ndërsa të tjerët i penalizon dhe i vjedhë gjithashtu qe 23 vjet, diskriminimi bëhet edhe në pagesën e shërbimeve tjera si uji, plehrat dhe kanalizimi, tatimi në pronë etj. dhe me këtë dukuri askush nuk merret seriozisht. Qytetarët e kosovës nuk mjafton të njoftohen dhe t’i dijnë të drejtat e tyre por ato të drejta duhet t’i mbrojnë me të gjitha mjetet e lejuara demokratike. Qytetarët po manipulohen nga subjektet politike sikur edhe nga pjesa përfituese dhe klienteliste e shoqërisë civile që po i zbehin protestat apo po i fusin në shërbim të tyre. Deri në kohën kur qytetarët nuk do të vetëdijësohen se të drejtat e tyre duhet t’i mbrojnë vet, do të marrin fatura shumë më të rënda se këto të dhjetorit.
Komuna e Prishtinës doli me një informatë se me ndryshimin e Rregullores, “Prishtina Parking“ më nuk do të ketë mundësi të dënojë qytetarët sikur që qytetarët do të lirohen nga pagesa për veturen e parë. Sa i përket shqiptimit të dënimit del se “Prishtina Parking“ edhe në të ardhmën do të dënojë qytetarët, tash pak më butë duke i detyruar që për parkim të gabuar apo mospagesë të paguajë 20 euro edhe në rast se jeni parkuar vetëm një apo dy orë. KMDLNj–ë mendon se “Prishtina Parking“ duhet të vendosë kamera në të gjitha hapësirat që i menaxhon ku saktë do të dihet se sa orë ka qëndruar vetura e parkuar në mënyrë jo të rregullt. Qytetari duhet të paguaj për aq orë sa ka parkuar në mënyrë të parregullt dhe eventualisht të paguajë një dënim prej maksimumi 30 % e shumës së papaguar.
Qytetarë të Prishtinës kanë informuar KMDLNj–në se lirimi i pagesës për veturë të parë vlenë vetëm për hapësirat jokomerciale sikur që janë lagjet periferike ndërkaq për lagjet me frekuentim të madh Rruga B dhe C, Vicianum dhe të tjera parkimi i vetures nuk zbatohet sipas Rregullores së re. Këtë fakt komuna e Prishtinës nuk ua ka bërë të ditur qytetarëve të Prishtinës prandaj po del se Rregullorja e re nuk ofron shumë privilegje për qytetarët e kryeqytetit.
26 dhjetor 2023 Prishtinë Shërbimi për Informim
***
Prot.nr.172/2023
Reagim i KMDLNj – së:
KUSARËT E KESCO-IT PLAÇKISIN RËNDË QYTETARËT E KOSOVËS!
Qeveria e Kosovës, si akt mëshire dhe lëmoshe ndau për fund të vitit nga 100 euro për fëmijët dhe nga 100 euro për pensionistët që me këto para mund të blejnë së paku barëra për shëndetin e tyre të rrënuar. Operatori për energji elektrike në Kosovë, KESCO-i, me pronarë nga Turqia kohë më parë nënshkroi një marrëveshje me operatorin nga Serbia Elektrosever në pamundësi të operojë në veri të Kosovës. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë serbët e veriut, si shumicë absolute, mbi 95 perqind kanë refuzuar të paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur edhe për shërbimet tjera. Deri sa janë zënë në hajni, faturat e serbëve dhe të tjerëve në veri të Kosovës janë paguar duke i fryrë faturat e shqiptarëve dhe joshqiptarëve poshtë lumit Ibër e që ishte vepër penale për të cilën askush nuk u dënua. Qytetarët e plaçkitur nga operatori dhe ZRrE asnjëherë nuk u kompensuan. Vetëm për dy vitet e fundit qeveria ndau mbi 113 milionë euro për serbët dhe të tjerët në Veri që nuk e paguajnë rrymën. As tash nuk e paguajnë rrymën. Sipas shumë qytetarëve që janë lajmëruar faturat e fundit që janë shpërndarë sot janë 100 përqind dhe më shumë se faturat e muajit paraprak. Kjo për KMDLNj paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut në baza etnike dhe diskriminim flagrant. As KES-CO-i e as ndërmarrja e përbashkët kriminale me akronim ZRrE nuk kanë informuar konsumatorët për ngritje eventuale të çmimit të rrymës në ndërkohë që shuma në fatura është dyfishuar. Është e pabesueshme mosreagimi i qeverisë ndaj kësaj plaçkitjeje ordinere të buxhetit të familjeve që edhe ashtu po përballen me mbijetesën e tyre. Paraprakisht tatimi në pronë ishte rritur 100 e më shumë përqind dhe qytetarët, jo se nuk kanë përfituar nga falja por kanë paguar kamata ndëshkuese për vonesë të pagesës së kësteve më të larta se 100 përqind krahasuar me vitin paraprak. Ky shtrenjtim i paparalajmëruar i rrymës në mënyrë zinxhirore do të ndikojë në rritjen e çmimeve të artikujve të domosdoshëm si dhe të gjitha shërbimeve. Edhe ashtu, gjatë këtij viti çmimet ishin ngritur përtej çdo mase duke varfëruar shumicën e familjeve dhe duke falimentuar shumë biznese. KMDLNj ftonë Prokurorinë e Shtetit të bëjë hetime për mënyrën se si erdhi te rritja e faturave për rrymë 100 e më shumë përqind krahasuar me myajin paraprak. KMDLNj ftonë qytetarët e Kosovës t’i bëjnë publike faturat e fundit dhe ato të muajit paraprak në mënyrë që të dëshmohet plaçkitja ordinere që e bëjnë KESCO dhe ZRrE në fund të vitit kur shumica e institucioneve pushojnë. Këto dy ndërmarrje të përbashkëta kriminale po veprojnë sipas rregullave të aksham pazarit. KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës që në mënyrë të organizuar të kundërshtojnë këto plaçkitje. KMDLNj thërret qeverinë e Kosovës të ndërprejë pagesën e rrymës për serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës dhe të mos diskriminojë qytetarët në baza etnike sepse është në kundërshtim me Kushtetuten e Kosovës dhe dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
23 dhjetor 2023 Prishtinë Shërbimi për Informim