PASHTRIKU: KANONIZMA E SHOQËRISË SË TË SHTYPURIT TË SHKRONJAVET SHQIP NË STAMBOLL – 1879

 (Pashtriku.org, 25. 02. 2013) – Një pjesë e parisë shqiptare të Stambollit themelon Shoqërinë e të shtypurit shkronjavet shqip (12 tetor 1879), e njohur ndryshe si Shoqëria e shkronjëzave, krahu letrar dhe kulturor i lëvizjes kombëtare shqiptare të përfaqësuar nga Lidhja shqiptare e Prizrenit. Nën kryesinë e Sami bej Frashërit dhe me pjesmarrjen e disa prej anëtarëve të Komitetit sekret të Stambollit si Abdyl bej Frashëri, Mehmet Ali bej Berati (Vrioni), Ferid pashë Vlora, vezir i ardhshëm i perandorisë, kjo shoqëri, ku Toskëria dhe Gegëria ishin të përfaqësuara, i dha vetes për qëllim të përpilonte një alfabet kombëtar dhe të bënte çmos për hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave shqip.
Anëtarët themelues përfaqësonin jo vetëm familjet kryesore shqiptare të kohës, por gjeografikisht të gjithë Shqipërinë. Myslimanë, ortodoksë, katolikë, gjirokastritë, shkodranë, toskë, gegë, të gjithë ishin të përfaqësuar. Shoqëria e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe shtypi kanonizmën (rregulloren) e saj, si dhe një abetare, të shtypur në shtypshkronjën e A. Zelicit, në Stamboll, në tetor të 1879.
Kjo abetare, me 136 faqe, u punua prej Jani Vretos, Sami bej Frashërit, Pashko Vasës, Koto Hoxhit dhe Anastas Konstandin Frashërit. Siç e kujton dhe Mit’hat bej Frashëri, në ato vite qeveria turke s’kish dhënë leje për të tilla mbledhje, ndaj dhe tubimet e shoqërisë, si edhe botimi i abetares bëheshin në ilegalitet dhe në rrezik për ta. Duhet kujtuar që një ekzemplar i abetares, i shtypur dhe lidhur bukur, ju dhurua sulltan Abdyl-Hamitit nëpërmjet një pushkëtari (silahsori) shqiptar të gardës perandorake. Sulltani pyeti pushkëtarin në dinte t’i këndonte ato shkronja, dhe pasi u sigurua që po, tha që për një javë, do ta shihte kush kishte për t’i kënduar më mirë, ai apo mbreti. Shqiptarët u gëzuan së tepërmi kur mësuan këto fjalë, me të cilat Sulltani shprehte gati gati dashuri për gjuhën shqipe. Po pa shkuar shumë kohë, shqiptarët mësuan se pasi kishte thënë ato fjalë mjaltore, Sulltani kishte dhënë urdhër në të gjitha postat dhe doganat e perandorisë që të mos lejonin të kalonte asnjë libër shqip, por t’i sekuestronin. “Gjithënjë kështu është politik’e Tyrkut” (M. Kokojka, Naim be Frashëri, f. 20).

Shoqëria i filloi punimet në një moment kur Kristoforidhi, De Rada, kleri katolik shkodran, kishin dhënë shembujt e parë të lëvrimit të shqipes moderne. Pas kanonizmës, shoqëria do të mblidhet një herë në muaj në selinë e saj në rrugën Merxan-jokusi, nën Serasqeton. Siç dëshmon Mit’hat beu, gjuhëtarët e shoqërisë mblidheshin më dendur në shtëpinë e Pashko Vasës për të përpunuar abetaren. Jani Vreto udhëtoi disa herë në Egjipt me shpresë që të themelonte një degë të shoqërisë edhe atje. Aty gjeti bashkëpunimin e patriotëve kushërinj Thimi Mitko dhe Thimi Marko. Këtu daton lindja e klubeve «Bashkimi» të cilët do të përpunojnë edhe ata një alfabet të tyrin dhe që së bashku me të ashtuquajturin alfabet «Frashëri» do të ndikojnë fuqishëm në punimet e Kongresit të Manastirit në 1908.
Në alfabetin e Stambollit u shtypën për herë të parë të gjithë shkrimet e Naim be Frashërit dhe me financimet e shoqërisë u krijuan shoqëritë e mësimit shqip të Korçës që arritën të hapnin shkollën e parë shqipe më 1887. Shoqëritë «Dituria» dhe «Bashkimi» të frymëzuara nga shoqëri e Stambollit morën stafetën në vitet që paraprijnë pavarësinë dhe kështu shoqëria e shkronjave, e goditur nga vdekja e Naim be Frashërit dhe e Sami beut, filloi të perëndonte. Megjithatë, fryma e saj mbeti shumë e gjallë. Dy nga anëtarët e saj, Mehmet bej Frashëri dhe Anastas Frashëri nxorën gazetën e parë shqip në Stamboll, «Besa», fill pas revolucionit xhon-turk. Klubet shqiptare të Stambollit e vazhduan punën e tyre dhe e fundit shfaqje e shoqërisë së shkronjëzave mund të konsiderohet klubi «Pragu shqiptar» që funksionoi në Stamboll deri në mesin e viteve ’20 dhe që përbëhej nga pasardhës së themeluesve të shoqërisë së shkronjave me 1879.
PROKLAMATA E KANONIZMËS (1879)
«Gjithë sa kombe janë të ndrituarë dhe të qytetëruarë janë ndrituarë dhe qytetëruarë prej skronjas ndë gjuhët të veta. Edhe çdo komb që nuk ka shkruar gjuhën e vet, edhe s’ka shkronja ndë gjuhët të vet është ndë t’errëtë dhe barbar. Edhe shqiptarët tue mos shkruarë gjuhën e tyre dhe tu me mos pasur shkronja ndë gjuhët të tyre, kështu gjenden edhe pa ndihma e shpresa këtu e tri mijë vjet përpara (sa që mund të njihet historia) që të ndriçoheshin dhe të qytetëroheshinë me gjuhët të fëqinjët e të huajët u dëftue e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë duart tona në prej shokësh, që dukemi shkruarë në fund secili me dorët të vet. Edhe nuk e kena, as duamë, ndonjë prej ma tepër se shokët e tjerë, që kanë me u ba pas nesh, por i lutemi Zotit të jetesë, te vejë mbarë shoqëria jone, Shoqëria e të shtypurit shkronja shqyp» (Kanonizmë e shoqërisë të shtypuri shkronja shqip, Konstandinopojë, Ndë shkronjështypëtoret të A. Zelicit, 1879, ff. 1-2).

Themeluesit:
M. Ferid Vlora
Mehmet Ali Vrioni
Vejsel Dino
Abdyl Frashëri
Sami Frashëri
Mustafa Janina
Sejfullah Zavalani
Ahmet Shefki Gjirokastriti
Dr. Ibrahim Starova
Pashko Vasa Shkodrani
Noc Xuxi
Nikollë Bonati
Gjon Bonati
Koto Hoxhi
Koto Sotiri
Pandeli Sotiri
Nano Petri Saraqinishtasi
Nikole Stavro Vasua Qestoratasi
Anastas Konstandin Frashëri
Vasil i P. Ndrekos Postenanasi
Danil i D. Adamit Oparaku
Mihal i A. Plumbit Përmetasi
Konstandin i N. Haxopulit Isgarasit
Vasil i Vangjelit Delvinasit
Janço Kosta Ogrenasi
Joan Vretua Postenanasi

KANONIZMA….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura