GJOKË DABAJ: NJË TEJTHËNIE PËR NJË LIBËR ÇAMËRIE

Durrës, 13. 10. 2014: (Shënim sqarues. Kjo tejthënie ka qenë shkruar për ta vënë në krye të një libri. Mirëpo, meqë libri ende nuk është gati për shtyp dhe meqë shteti grek shfaqi disa kërkesa të pastudiuara mirë në drejtim të Ministrisë sonë të Arsimit dhe Sportevet, ne po e publikojmë këtë tejthënie para se libri në fjalë të jetë bërë gati.) Nuk po them PARATHËNIE, siç është bërë traditë të thuhet në krye të libravet. Nuk po e quaj as INTRODUKTË, siç i quante Fan S. Noli perlat e tija librahyrëse. Po e quaj TEJTHËNIE dhe po gjykoj kështu: Nxitur nga ç’do të lexojmë në faqet e këtij libri, po e ndiej të nevojshme të themi, të gjithë së bashku, EDHE DIÇ MË TEPËR.
Një parathënie apo një tejthënie, për një libër Çamërie, është e pamundur të mos e fillosh me lot dhe të mos e mbarosh me lot. Bëhu burrë sa të duash! Quaje veten karakter të fortë! Ndaç mundohu të kesh një zemër prej guri! Lotët rrjedhin vetë dhe ti detyrohesh ta largosh fletën për të mos e lagur.

Ndoshta kjo u ndodh vetëm njerëzvet si unë, për arsye se edhe SHESTANI E TIVARI, ku unë i kam rrënjët, janë në të njëjtën ditë të hallit. Në të njëjtën ditë SHKRIRJEJE E SHUARJEJE, krejt të pakuptimtë dhe, rrjedhimisht, krejt TË PAPRANUESHME. Ndoshta s’u ndodh kështu atyre që i kanë qytetin dhe krahinën e tyre brenda kufijvet të shtetit të vet, por kjo do të ish një ngushtësi formimi dhe unë nuk uroj që të jetë kështu. Unë uroj e dëshiroj që, që të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të kenë të njëjtën dhimbje për copat që na kanë mbetur ca këndej e ca andej, si një lëkurë lope, shqyer ujqërish të çakërdisur. TË KENË TË NJËJTËN DHIMBJE, po them!
Po sjell këtu një poezi të I.Kadaresë, për të parë si e kupton dhe si e përjeton ai zhbërjen, qoftë edhe të një cope të Atdheut:
“Aty-këtu mbi djerrinë një shushurimë bari,
Ca shkëmbinj me gurmaz të shqyer,
Kjo është gjithçka
Që ka mbetur nga grahma e fundit e gjuhës.
Në hapësirë, a e sheh?
Vijnë rrotull ca rrathë të çuditshëm ajri,
Janë varret e valleve.
Ku janë baladat, eposi, kujtesa e kombit?”
(Revista “Dija”, 11/2013, f.17)

ASKUND!.. I ka zhdukur, i ka hëngër, i ka gëlltitur regjimi i huaj: PUSHTIMI. Shko në Çamëri dhe kërko të dëgjosh të flitet shqip! Kërko të dëgjosh një këngë vendi! Dëgjoji britmat e fëmijëve! Në ç’gjuhë bërtasin ata, duke vrapuar njëri pas tjetrit?!
—————
Jemi mbledhur në këtë libër, siç mund të shihet që në shfletimin e parë, të mëdhenj edhe të vegjël, të fuqishëm në punë pene e lapsi dhe më pak të fuqishëm e modestë. Kemi këtu edhe kolosë të Kombit, shtylla që nuk i thyejnë dot shekujt, kolosë, edhe të fjalës, edhe të veprës.
Në të vërtetë, jemi mbledhur ashtu siç kanë mundur të na gjejnë e të na shtien në këto faqe letre 2 autorët e këtij libri. Jemi doemos të ndryshëm, por një cilësi e kemi të përbashkët që të gjithë: NDJENJËN SUBLIME NDAJ KËSAJ PJESE TË SHQIPËRISË QË QUHET Ç A M Ë R I. Secili e kemi dhënë nga një mendim për Çamërinë dhe secili kemi lënë këtu nga një vrundull ndjenjash dhe emocionesh.
Bashkë me ne të gjallët, në këtë libër, janë edhe ata çamër e shqiptarë të tjerë, që bilogjikisht nuk jetojnë më, por që rrojnë dhe do të rrojnë përjetë në themelet e ekzistencës së kombit tonë. Janë, bashkë me ne, mu këtu, në këtë libër, ata të masakruarit, ata të djegurit dhe ata të dëbuarit. I kemi me shifra, i kemi me përshkrime, i kemi në vlimin e emocionevet, në këngë të popullit dhe në kujtime, përshkrime e poezi, hartuar në kohë të ndryshme e në gjendje të ndryshme, por që të gjitha të lidhura me të njëjtën brengë.
——————–
Ndër ne shqiptarët, në këta 2 shekuj, kanë ndodhur fatkeqësi shumë të rënda. NGA NJËRA ANË, ky komb prodhoi 2 NGA STRATEGJITË më progresive të mundshme: 1. TOLERANCËN NDËRFETARE DHE 2. DËSHIRËN PËR TË SHKUAR MIRË ME KOMBET E TJERË.
NGA ANA TJETËR, thënë me të atillë indinjatë që është vështirë, gati e pamundur, të konceptohet, ky komb E PËSOI TRAGJIKISHT prej kombevet të tjerë, për të vetmen arsye se ndër ta, nuk qenë kultivuar në shkallën e duhur pikërisht KËTO 2 STRATEGJI.
Në Çamëri dhe në pjesë të tjera të Jugut tonë, me ndërhyrjen vandalisht brutale të politikës destruktive e prapambetëse kishtaro-shtetërore greke, u nxuar jashtë funksionit maksima figurative gjithshqiptare: “FEJA E SHQYPTARIT ASHT SHQYPTARIJA”.
Me ndërhyrjen brutale të politikës kishtaro-shtetërore greke, por edhe me kokëngjeshësinë e disa prej atyre shqiptarëve që do të mund t’i bënin ndryshe punët, ndodhi që ne edhe sot jemi NJË KOMB I PLAGOSUR.
MARKO BOÇARI, njëri ndër më të hershmit, në mos më i hershmi rilindës i yni, ja ç’i ka thënë Alipashë Tepelenës! (Po citoj një këngë çame, nga më të mençurat që mund të gjenden në folklorin tonë):
“Medet për vezir Alinë,
Që kur s’dëgjoi Boçarinë
Të mblidhej me Bushatllinjë
Për të bërë Shqipërinë!
Marko Boçari i tha:
‘Dëgjomë, o Alipasha!
Po s’u bëmë me ata,
Shqipëri për ne nuk ka!
Do grihemi lakëra,
Do këndojë qyqeja!’”
(Filat, shënuar më 1945.)
Por Alipashai nuk e kuptoi në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur këtë kërkesë, për atëherë, më se të ngutshme, të kombit shqiptar. Përkundrazi, ai, jo vetëm nuk u muar vesh me pashallëkun tonë verior, por ushtroi dhunë prej katili edhe mbi pjesët tona jugore, të krishtera. Veç kësaj, ai, në vend që të përdorte gjuhën shqipe në administratë, në ushtri e në letërkëmbimet e shumtë dipolomatikë, në vend që të hapte shkolla në gjuhën shqipe (Të gjitha të këqiat do t’ia kishim falur!), vajti dhe hapi shkollë greke mu në Janinë! E pra, shkronjat arbërishte ekzistonin e pakta 250 vjet para Alipashait.
MARKO BOÇARI u përpoq t’i vërë në jetë 2 PARIMET më madhorë të Rilindjes sonë, ato që unë i quajta strategji: tolerancën ndërfetare dhe shkuarjen mirë me fqinjët. Madje u përpoq deri në sakrificën sublime, por u vra pikërisht prej bashkëkombësvet dhe nuk e realizoi dot qëllimin. U VRA MARKO BOÇARI!
Në MARGËLLIÇ qenë mbledhur 3000 shqiptarë për të promovuar vëllamërinë midis myslimanëvet dhe të krishterëvet, por nisma e tyre u paralizua. U shkoi huq gjaku i gishtavet që i prenë për njëri-tjetrin.
HOXHË HASAN TAHSINI, bëri edhe ai përpjekjet e tija, mbeti i madh, por vetëm për ata që e njohin. Shko nëpër shkollat e Çamërisë dhe shih: A e kanë kund portretin e HASAN TAHSINIT?
ABEDINPASHË DINOJA, gjithashtu, në mënyrën e vet, punoi për pavarësimin e Shqipërisë. Doemos, edhe për pavarësimin e Prevezës! Por shko e shih: A e ka ABEDINPASHAI një shtatore në Prevezë? Alipashai, i vrarë prej osmanllinjvet, i ka përkujtimoret në Janinë, në Konicë e gjetkë. ABEDINPASHAI, i helmuar prej osmanllinjvet, nuk i ka përkujtimoret, as në Prevezë, le më në ndonjë vend tjetër të Çamërisë. Pse, vallë, Alipashë Tepelena i paska e ABEDINPASHË DINOJA nuk i ka?!
—————-
Në shekullin XXI nuk ka mbetur tjetër, veçse, të 2 popujt, shqiptar e grek, t’i shohin me seriozitetin e duhur ngjarjet e 2 shekujvet që shkuan dhe, mbi NJOHJEN dhe PRANIMIN e gabimevet tragjikë që janë bërë, të projektohet një e ardhshme pa tragjedira.
Pjesa negative e njerëzimit ka gjetur rastin dhe e ka shprehur të keqtë e vet pikërisht mbi këtë popull, që e gjeti të paorganizuar dhe të paaftë për t’u mbrojtur. Pjesa negative e njerëzimit është sëmundje. Është epidemi. Duke folur për ato çfarë i kanë ndodhur popullit tonë në shekullin XX, ne po u tërheqim vëmendjen, fqinjësore dhe konstruktive, PASARDHËSVET TË ATYRE QË I BËNË KEQ KËTIJ POPULLI. Brezi i sotëm, pasardhës i dhunuesvet, i plaçkitësvet, i vrasësvet, i masakruesvet, logjikshëm nuk mban mbi vete ndonjë përgjegjësi.
Nuk mban përgjegjësi thjeshtë sepse ky brez atëherë nuk kishte lindur. Një bir krimineli S’ËSHTË PËRGJEGJËS për krimet e të jatit. Një nip krimineli s’është përgjegjës për krimet e gjyshit. Nuk është përgjegjës, por ai BËHET PËRGJEGJËS, nëse nuk i dënon krimet e të parëvet të vet. Bëhet edhe më shumë përgjegjës nëse i miraton ata krime.
Grekët e sotëm, grekët e shekullit XXI, N U K J A N Ë PËRGJEGJËS për krimet që kanë kryer grekët e shekullit XX, sa kohë që ata nuk i miratojnë e nuk i justifikojnë ata krime. Mirëpo, në ndodhtë që grekët e sotëm të mos i dënojnë ata krime, në ndodhtë që ata t’i justifikojnë apo t’i kalojnë në heshtje ata krime, atëherë edhe këta B Ë H E N BASHKËFAJTORË. A mund të thotë ndryshe cilado mendje njerëzore, mbështetur mbi një moral gjithnjerëzisht të pranuar?!
Politika shtetërore greke e shekullit XIX e në vazhdim, politikë që u ndërtua nën patronatin shpirtëror të Kishës Ortodokse Greke, i ka shkaktuar dëm të pallogaritshëm vetë kombit grek. Ajo politikë ka prodhuar në kombin grek (për të cilin nuk do harruar se ka cilësi shumë të mira), NJOHJE TË GABUAR të vetëvetes dhe NJOHJE TË GABUAR të të tjrëvet, deri në absurd, si dhe prirje, në grupe të caktuar, për të bërë edhe në vazhdimësi krime mbi popuj të tejrë.
Njohja e gabuar e vetëvetes dhe e të tjerëvet është kultivuar në shtetin grek edhe me anë të institucioenevet shkencorë të fushavet të filologjisë, gjeografisë dhe historisë, ndërsa kriminaliteti është kultivuar mbi bazën e kësaj njohjeje të gabuar, duke ngjallur në popull urrejtje fetare dhe urrejtje nacionale.
E gjithë kjo ka krijuar premisë që edhe në të ardhshmen kombi grek të jetë i rrëzikuar. Nuk ka si të mos jetë i rrëzikuar një komb që ushqehet me të pavërteta dhe me lloj-lloj urrejtjesh ndaj të tjerëvet. Prandaj dhe e thashë pak parë që brezi i sotëm i grekëvet MUND TË BËHET PËRGJEGJËS edhe për krimet e shekullit XX, nëse nuk reagon siç duhet reaguar.
Nisur pikërisht nga kjo, unë po e shoh të arsyeshme për të shënuar në këtë tejthënie tonën disa gjëra që ndoshta deri më sot edhe nuk janë thënë.
———————
Është pohuar shumë herë që “problemi çam” nuk mund të zgjidhet pa përkrahjen ndërkombëtare. Ne e korrigjojmë këtë shprehje dhe themi: “Problemi, jo vetëm i çamëvet, por i të gjithë shqiptarëvet të territorevet që i janë shkëputur shtetit shqiptar më 1913-n, si dhe i arvanitëvet, vërtet nuk zgjidhet pa përkrahjen ndëkombëtare, por ai nuk zgjidhet sidomos pa përkrahjen e FORCAVET PROGRESISTE GREKE, si dhe pa angazhimin e vetë SHQIPTARËVET TË ATJESHËM.” A mund të zgjidhet pa përkrahjen e forcavet progresiste greke ky problem?! Dhe, a mund të zgjidhet ky problem edhe pa angazhimin e arvanitëvet dhe shqiptarëvet ortodoksë që i ka zënë kufiri brenda shtetit grek, mbi të cilët është ushtruar një presion shkombëtarizimi nga më diskriminuesit?!
Madje, ne mendojmë që FORCAT PROGRESIVE GREKE dhe SHQIPTARËT ORTODOKSË, që i ka zënë kufiri brenda shtetit grek, në harmoni edhe me ARVANITËT tanë të lavdishëm, o do ta përkrahin e ndihmojnë zgjidhjen e këtyre problemieve, o do të ndodhin tragjedi të reja në shekullin XXI. E gjithë kjo duhet të ndodhë, natyrisht, edhe me ndihmën e armatës së madhe të IMIGRANTËVET shqiptarë që shkuan e u vendosën atje në kapërcyell të shekujvet XX-XXI.
——————
Në këtë mënyrë, nën dritën e situatës së re të krijuar në krejt Evropën e, rrjedhimisht, edhe në Ballkanin EUROPROBLEM, ne do t’u drejtohemi një nga një të gjithë subjekteve që lidhen me problemin e madh të Çamërisë dhe, akoma më tutje, me problemin e krejt marrëdhënievet shqiptaro-greke.
——————-
Në radhë të pare, ne po u drerjtohemi të gjithë TË RINJVET shqiptarë e arvanitas që jetojnë në tokat e veta në shtetin grek, me dëshirën mendje e shpirtkthjelluese: “Njihni vetëveten dhe kthehuni, ndjenjërisht dhe gjuhësisht, në gjirin e kombit tuaj! Kush humb ndjenjën dhe vetëdijen kombëtare, humb pashmangshëm edhe ndjenjën e humanizmit. Nuk mund të jesh atdhedashës, pa dashur në mënyrën e duhur familjen tënde dhe nuk mund të jesh një njeri human, pa e dashur kombin të cilit i përket.
Ju mund ta keni humbur gjuhën tuaj kombëtare e gjyshërore. Ju mund të mos e njihni historinë e kombit tuaj shqiptar ose edhe mund ta njihni atë histori së prapthi. Por vetëdijen që gjyshërit tuaj kanë folur shqip nuk mund ta keni humbur. Prandaj është detyra juaj, si njerëz të kohëvet të reja, të bëni përpjekje për t’i mësuar gjuhën shqipe dhe historinë e gjeografinë e atdheut tuaj, që është Shqipëria. Shqipëria gjeografike shtrihet që nga porti i Prevezës deri në portin e Tivarit dhe kjo nuk do të thotë kurrsesi që, në këtë mënyrë, cënohen Greqia apo Mali i Zi.
Bëhuni njerëz me kulturë dhe do të shihni që do ta ndieni veten të lumtur!”
——————-
Jo vetëm në emrin tonë, por edhe në emër të Theodhor Kollokotronit, Marko Boçarit, Laskarinë Bubulinës dhe mijëra shqiptarëvet e arvanitëvet të tjerë që punuan e luftuan për Greqinë moderne, ne shprehim dëshirën që të gjithë PARLAMENTARËT të sotëm shqiptarë dhe arvanitë, edhe ata të ardhshmit, të cilët në rrjedhë të kohës do të ulen në sallën e parlamentit të Republikës së Greqisë, TA NJOHIN VETEN SI SHQIPTARË E ARVANITË dhe TË DEKLAROHEN SHQIPTARË APO ARVANITË. Të punojnë për të njohur kombin, të cilit i përkasin, pra kombin shqiptar, të njohin mirë historinë e kombit të vet, kombit shqiptar, dhe të lidhen sa më fort shpirtërisht me këtë komb. “Kjo është kërkesa jonë e pare për ju, PARLAMENTARË shqiptarë e arvanitë. Kërkesat e tjera, pas kësaj, ju mund t’i shtroni edhe vetë sipas kohës e rastit që ju paraqitet. Ne po numërojmë vetëm disa prej tyre: 1.Të kërkoni që të rishikohen: historiografia, gjeografia, etnografia, arkeologjia dhe të gjitha shkencat humane, sidomos në lidhje me Shqipërinë dhe me shqiptarët. 2.Të kërkoni ndryshime në legjislacionin e Republikës së Greqisë lidhur me deklarimin e kombësisë arvanito-shqiptare dhe lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në të gjithë mjedoset ku jetojnë shqiptarë vendës dhe arvanitë. 3.Të kërkoni për shqiptarët vendës dhe për arvanitët shkollimin në gjuhën shqipe. 4.Të punoni për integrimin sa mirë të imigrantëvet shqiptarë në territorin e shtetit të sotëm grek. Të mbroni të drejtat e imigrantëvet shqiptarë në shtetin grek dhe të kërkoni për të gjithë fëmijët shqiptarë, të jenë të detyruar të mësojnë shqip në shkollat e tyre, sepse vetëm ashtu ata mund të bëhen të vlefshëm edhe për Greqinë.”
PARLAMENTARËT, SHQIPTARË e ARVANITË, të zgjedhur me votën e popullit në parlamendtin grek, kanë forcën ligjvënëse për të bërë epokë në histori.
——————-
Në emër të drejtësisë botërore, që brezat e shekullit XXI synojnë të vendosin, ne u bëjmë kërkesë, si bashkëkombës, të gjithë PUSHTETARËVET VENDORË, çamë dhe shqiptarë të tjerë vendës, që jetojnë e veprojnë në shtetin grek, si dhe pushtetarëvet vendorë arvanitë, të punojnë për të realizuar të drejtat themelore të popullatavet që i kanë zgjedhur. “Se ç’kuptohet me të drejta THEMELORE, secili prej jush e di fort mirë, njëlloj siç e dimë edhe ne, por, meqë ato popullata nuk i gëzojnë as përafërsisht të drejtat që u takojnë, ne po i vëmë në dukje fare thjeshtë: Krahas të drejtavet ekonomike dhe të drejtavet për të qenë të barabartë para ligjevet, popullata që ju ka zgjedhur dhe ju ka vënë ju në krye, duhet të gëzojë edhe të drejtën për të shfaqur lirisht PËRKATËSINË E VET KOMBËTARE. Kjo do të thotë që, ata zgjedhës, ajo pjesë e zgjedhësvet që ju përfaqësoni e që janë shqiptarë nga prejardhja, duhet të kenë të drejtën edhe TË SHKOLLOHEN NË GJUHËN E TË PARËVET TË VET.
E kemi fjalën për shqiptarët ortodoksë, sepse shqiptarë myslimanë të atyre anëve dihet që janë asgjësuar ose dëbuar.”
————————
U bëjmë thirrje të veçantë PRIFTËRINJVET dhe të gjithë KLERIKËVET tanë ortodoksë shqiptarë, të Çamërisë, të Konicës, të Kosturit e Follorinës, të kërkojnë dhe të zbatojnë MESHËN SHQIP në kishat ku ata shërbejnë. Të njëjtën thirrje ua bëjmë edhe PRIFTËRINJVET TANË ARVANITAS: “Thojeni meshën shqip në kishat arvanite!”
Shekulli XXI nuk duhet të jetë shekulli i priftërinjvet fanatikë e të prapambetur. Shekulli XXI kërkon edhe prej klerikëvet të jenë bashkëkohorë, përndryshe, në vend që të përhapin te besimtarët fjalën e mëshirës së Zotit, ata bëhen zjarrvënës të urrejtjevet ndërnjerëzore.
Ne, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Ksovës, nuk tolerojmë kurrfarë fundamentalizmi. Vetë komunitetet myslimanë kanë dalë me deklarata nga më njerëzoret kundër fundamentalizmit islamik dhe punojnë realisht kundër këtij fundamentalizmi.
Mirëpo, t’u thuash meshën greqisht, t’u shërbesh shqiptarëvet liturgjinë në gjuhën greke, s’është tjetër, veçse një FUNDAMENTALIZËM GREKO-ORTODOKS. “Të dalin në mes të Athinës dhe të bërtasin kundër shqiptarëvet, gjithfarë ekstremistësh, por gjithsesi greko-ortodoksë, të na kërcënojnë me çarje barqesh e me rjepje lëkurësh, e ju, priftërinjtë tanë, në ato kisha, të mos dilni me deklarata publike kundër të atillë kërcënimesh, kjo s’është tjetër, veçse tolerim, në mos kultivim i fundamentalizmit greko-ortodoks midis shqiptarëvet ortodoksë dhe midis arvanitëvet ortodoksë.”
“Ku do të arrihet me këtë lloj fundamentalizmi, të nderuar priftërinj dhe klerikë të tjerë të Çamërisë dhe të të gjithë shqiptarëvet, nënshtetas të sotëm të Republikës së Greqisë?! Me këtë lloj fundamentalizmi greko-ortodoks s’bëhet tjetër, veçse vihen përballë njëri-tjetrit shqiptarë me shqiptarë.”
“Është fare lehtë të kuptohet dhe nuk ka nevojë për shumë “filozofime”. Nëse ju nuk do ta ktheni meshën në shqip në kishat ku i luten Zotit shqiptarët ortodoksë, e ardhshmja edhe e besimtarëvet tuaj, edhe e shqiptarëvet të tjerë, por edhe e vetë grekëvet, s’mund të jetë ndryshe, veçse e përgjakur”.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë klerikëvet ortodoksë shqiptarë, kudo që ata gjenden: “Ndiqni rrugën e PAPA KRISTO NEGOVANIT, në mos doni të merrni me vete mallkimet e shpirtëravet të besimtarëvet tuaj!”
————-
Ne shqiptarët, të trishtuar dhe të revoltuar për ata paraardhës që na janë masakruar, por edhe më shumë të shqetësuar për fatin e brezavet që janë në hapat e parë të jetës ose që ende nuk kanë lindur, po mundohemi të përfytyrojmë: Cila është puna e MËSUESVET tanë të sotëm, që japin mësim nëpër shkollat tona në ato pjesë të Shqipërisë që i ka sot nën administrim shteti i Greqisë? “Ju jeni me qindra, mësues shqiptarë, të cilët, mbase edhe nuk e dini gjuhën shqipe, por e dini fort mirë që jeni shqiptarë me rrënjë e me degë. Ç’edukim po u jepni ju fëmijëvet tanë në qytetet e fshatrat e Çamërisë dhe në viset e tjerë shqiptarë e arvanitë? Papa Kristo Negovani, Musa Demi e dhjetëra mësimpërhapës të tjerë, kanë punuar e jetuar në kushte më pak demokratikë se ç’i keni ju kushtet në Bashkimin Evropian të sotmin. Nuk mund të themi që ju jeni më të rrëzikuar se ata, nëse do t’i hynit punës për t’u mësuar nxënësvet tuaj shqiptarë gjuhën shqipe.”
“Nuk ju bëjmë vetëm ne thirrje. Ju bëjnë thirrje krejt historia jonë dhe krejt e ardhshmja e këtyre vendeve: Mësojuni nxënësvet tuaj gjuhën shqipe! Nëse vetë nuk e njihni mirë këtë gjuhë (Sepse, Napolon Zerva, siç ka vrarë e prerë me thika mijëra bashkëkombës tuaj myslimanë, ka vrarë, me një farë megaliidheje, edhe shpirtin e gjyshërvet e të prindëvet tuaj, duke e ushqyer atë shpirt me urrejtje ndaj gjuhës së vet.), mësojeni së pari vetë këtë gjuhë dhe pastaj mësojuani edhe nxënësvet tuaj!”
“Në vend që të jetoni si qyqarë e servilë të një rroge mjerane, bëhuni heronj të idealit madhor të kombit tuaj dhe të krejt mbarëvajtjes në shtetin ku jetoni dhe në gadishullin ku jetojmë të gjithë bashkë, iliro-arbro-shqiptarë dhe heleno-grekë, të 2 popujt së bashku prej mijëra vjetësh! Bëhuni heronj të diturisë së vërtetë, në vend që të vdisni pa dinjitet, në një stol lulishteje, si pensionistë të harruar!”
———————
Shumë prej lexuesve të këtyre thirrjeve në formë dëshirash, që po i publikojmë në këtë mënyrë, në këtë tejthënie tonën, do të na thonë: “Kot e keni. Ata janë greqizuar që të gjithë.”
Është e vërtetë që bashkëkombësit tanë ortodoksë në shtetin grek i janë nënshtruar një GENOCIDI KULTUROR që rrallëkund mund të haset. Por është e vërtetë që, para jo shumë dekadash, pakkush besonte që zezakët e SHBA-së do të çliroheshin nga skllavëria e do të bëheshin të barabartë me të bardhët. Para jo shumë dekadash pakkush besonte që aparteidi në Afrikën e Jugut do të mund të zëvendësohej me demokraci. Një pjesë e madhe e kombit shqiptar, e konfesionit mysliman, është pozicionuar dhe KA LUFTUAR kundër Perandorisë Osmane myslimane! Sikur të mos ishin pozicionuar myslimanët tanë kundër atij shteti mysliman, ne sot nuk do t’i kishim 2 shtete shqiptarë!
A mjaftojnë këto për t’u mbushur mendjen skeptikëvet që, edhe BREZI I TË RINJVET shqiptarë që ka lindur e jeton në shtetin grek, edhe PARLAMENTARËT tanë të atjehsëm, edhe PUSHTETARËT tanë të atjeshëm VENDORË, edhe KLERIKËT tanë të atjeshëm ortodoksë, edhe MËSUESIT tanë të atjeshëm, që nuk janë të pakët, JO VETËM DUHET, POR EDHE MUND TË PUNOJNË PËR KOMBIN E VET, jo duke i prishur fqinjësinë e pëbashkësinë shtetërore me kombin grek, por duke realizuar midis këtyre 2 kombeve një miqësi të mirëfilltë.
———————-
Mirëpo, krejt natyrshëm, ne nuk mund të mos u drejtohemi edhe shqiptarëvet të Çamërisë sonë, të cilët jetojnë në REPUBLIKËN E TURQISË, në Stamboll, në Izmir e gjetkë. Ne atyre do t’u themi: “Kërkojini shtetit turk që t’u bëjë të mundur, të gjithë shqiptarëvet që jetojnë në atë shtet, po veçanërisht atyre të Çamërisë, regjistrimin si shqiptarë, në dokumentet e tyre të identifikimit, si dhe shkollimin shqip, të paktën në shkollat fillore.” Shteti turk jo vetëm duhet t’u lejojë shqiptarëvet të atjeshëm PËR T’U REGJISTRUAR SI SHQIPTARË E PËR T’U SHKOLLUAR SHQIP, por duhet të nxjerrë edhe LIGJE DETYRIMI për ta zbatuar këtë kërkesë nga më elementaret të kohëvet moderne. Nëse Turqia nuk vë në jetë regjistrimet si shqiptarë në dokumentet e identifikimit të tyre, ç’kuptim do të kishte që ajo t’i kërkojë shtetit grek për t’u dhënë shqiptarëvet të drejtat që u takojnë? Turqia nuk do të kish asnjë lloj të drejte morale për të mbrojtur legjitimitetin tonë në Greqi, sa kohë që nuk do ta pranonte të njëjtin legjitimitet tonin edhe në Turqi.  Le të mos harrojmë që, ata farë sojesorollopësh ekstremistë grekë, në këngët që këndojnë për ca rjepje lëkurësh e thurje opingash me zorrët tona, turqit dhe shqiptarët nuk i ndajnë nga njëri-tjetri!
——————-
Përfundimisht, jo përgjithmonë, por përfundimisht për sa thamë e tejthamë dhe që do ta përsërisim edhe qindra herë të tjera, fjala jonë, e të gjithë neve, të gjallët të revoltuar, të vdekurit të masakruar, është e do të jetë kjo: AS GREQISË E AS TURQISË, NË JETË TË JETËVET, NUK DO T’U VIJË KURRFARË E KEQE PREJ SHQIPTARËVET, nëse na i plotësojnë këta kushte, që po i kërkojmë me të drejtë të robit edhe të Zotit.
Sidoqoftë, nuk duhet t’i shkojë mendja ndokujt, që ne shqiptarët qenkemi një popull i dobët, edhe nëse ndonjëherë na rrjedh ndonjë pikë loti prej syvet dhembshurisht të mërzitur.
Gjokë Dabaj, Durrës, maj – teor 2014


Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura