RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (20)

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (19)

Nga Asllan Muharremi

Dhjetor 1981 

Që nga vera e vitit 1981 nuk kisha asnjë lajm për Xhafën (Xhafer Durmishin – shën.im). E dija se ndodhej diku në Evropën Perëndimore.

Me Xhemën e Ferkiun kisha biseduar, herë pas here, si për rrezikimin e Xhafës ashtu edhe për shpresën që kisha se ai nuk do të vononte e do të kthej përsëri në Kosovë. Largimin e tij e kisha menduar më tepër si përpjekje për t’ju ikur syve të UDB-ës dhe si një largim që nuk kishte si qëllim qëndrimin e tij jashtë vendit një kohë të gjatë.

Mirëpo duke e njohur angazhimin e tij në veprimtarinë liridashëse e atdhetare, unë mbaja shpresë se Xhafa, gjatë qëndrimit të tij në Evropën Perëndimore, do të krijonte lidhje me ndonjë organizatë revolucionare nga Kosova?! E dija se diku në Evropën Perëndimore botoheshin organet “Bashkimi”, “Liria” dhe revista “Lajmëtari i lirisë”.  Me shokët kisha folur edhe për Jusuf Gërvallën dhe kishim dëgjuar se ndodhej diku në Gjermani.  Xhema, gjatë një takimi me te me ka pas thënë se gjatë seancës gjyqësore kundër grupit të LNÇKVShJ-së (Shefqet Jasharit, Ramadan Pllanës, Avdi Kelmendit, Avdyl Lahut, Skënder Jasharit, Isa Demajt, Sylejman Qyqallës dhe Hysen Gërvallës) kishte dëgjuar se edhe Jusuf Gërvalla është akuzuar si anëtar i “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi”.  Shpresën e mbaja gjallë se Xhafa do të kthehej me lajme të mira, ndonëse nuk e dija a ishte apo jo anëtar i ndonjë organizate politike. Në anën tjetër, Xhafa  nuk më kishte folur asnjëherë për ndonjë organizatë të veçantë, ndonëse kishte vite që e njihja dhe viteve të fundit kisha këmbyer shumë libra dhe të gjitha gazetat ilegale që qarkullonin nëpër Kosovë.

  • Sheremet Saraçi dhe Xhafer Durmishi – Skenderi

*** 

Në fillim të dhjetorit 1981 (më 13 dhjetor – shën. im), një natë, gjersa isha duke shikuar televizorin, dëgjova një trokitje të lehtë në dritaren e odës. U ngrita shpejtë dhe e hapa  pak perden. Para derës së oborrit  e pashë dikë që nuk e njihja se kush ishte, ndonëse jashtë shndëriste drita e hënës.  Dola nga oda dhe shkova ta hapë derën e oborrit. Sapo hapa derën e pashë Sheremet Saraçin!

‒ Mirëmbrëma! Mirë se vini! Urdhëroni! – e përshëndeta dhe i dëshirova mirëseardhje.

‒ Mirëmbrëma! Nuk jam vetëm. Më vete e kam Xhafer Durmishin. Bëhu gati dhe eja se sonte do të shkojmë tek unë! – ma ktheu Sheremeti.

U futa shpejtë në odë, u vesha mirë dhe u ktheva tek Sheremet Saraçi, që po më priste tek dera e oborrit. Isha shumë i befasuar dhe nuk e prisja se Xhafer Durmishi do të kthehej e do të vinte tek unë së bashku me Sheremet Saraçin.

Së bashku u nisëm në drejtim të përroit, që ishte matanë rrugës. Pasi kaluam rrugën dhe përroin, duke ecur, nga larg, e pashë që po qëndronte dhe priste Xhafa, i cili sapo na pa u nis drejtë nesh. U përqafuam  fortë e me mall dhe të tre së bashku, pas rreth një gjysmë ore, arritëm në shtëpinë e Sheremet Saraçit, në  Bivolak, ku derën e shtëpisë na e hapi, e shoqja e tij, Elhemja.

Atë natë qëndruam së bashku gjer në mëngjes. Xhafa me njoftoi se gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani, kishte ra në kontakt me shokët e Lëvizjes dhe se me ta kishte biseduar edhe për mua dhe se para shokëve atje më kishte prezantuar si shok i krahut të Ramadan Pllanës.

Atë natë, Xhafa më ka njoftuar se ai ishte anëtar “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ). Ky lajm më gëzoi shumë!

Po atë natë, nga Xhafa jam njoftuar, gjithashtu, se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë ishte të rivendoste kontakte me shokët e “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” si dhe të bënte punën parapërgatitore për sjelljen dhe shpërndarjen e organit “Zëri i Kosovës”. Xhafa, gjithashtu më propozoi që edhe unë t’i bashkohesha “Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi”!

Pak pa zbardhur dita me Xhafën u pajtuam të takoheshim përsëri,  pas dy-tre ditësh, dhe u largova nga shtëpia e Sheremet Saraçit.

Kthimi  i Xhafës në Kosovë ishte një gëzim i madh për mua. Qysh kur ishte larguar, unë shpresoja se gjatë qëndrimit jashtë ai do të  vendoste lidhje me ndonjë organizatë revolucionare dhe kjo kishte ndodhur. Gëzimi ishte edhe më i madh meqë shoku im, i shumë viteve më parë, më doli se ishte anëtar i LNÇKVShJ-së, organizatës sime, kontaktin me të cilën së bashku me Xhemën dhe Ferkiun, po e kërkonim si i verbëri dritën… Gjithashtu, u gëzova shumë se nëpërmjet Xhafës u njoha me Sheremet Saraçin, të cilin e njihja si arsimtar të Shkollës Fillore “Liria” në Strofcë dhe e kisha takuar një herë tek kushëriri dhe shoku im, Hoxha i Vogël.

Mirëpo, për kthimin e shumëpritur, qëllimet dhe propozimet e Xhafës, unë duhej të bisedoja dhe ta merrja mendimin e Xhemës dhe Ferkiut. Ne të tre e konsideronim vetën tonë si një celulë e shkëputur e LNÇKVShJ-së dhe lajmet që po më jepte Xhafa ishin shumë të rëndësishme, jo vetëm për mua, por edhe për dy shokët e mi. 

Dy-tre ditë më vonë jam takuar me Xhemën dhe Ferkiun. Ata i kam njoftuar për kthimin e Xhafës, për qëllimin e kthimit dhe propozimet e tij. Gjithashtu shokëve jua thashë edhe mendimin tim lidhur me propozimin e Xhafës. Unë isha për përgjigje pozitive. 

Xhema dhe Ferkiu u pajtuan që unë ta pranoja propozimin e Xhafer Durmishit, por që lidhja jonë të ishte lidhje individuale dhe jo si grup, që nënkuptonte që unë të mos flisja në emër të shokëve, por në emrin tim personal.

Duke pasur parasysh përvojën e hidhur të burgosjes së nëntorit të vitit 1979, kjo mënyrë e mbajtjes së kontakteve me Lëvizjen, na dukej si mënyra më e mirë. Kështu mendonim ne se mund t’i ruanim shokët nga zbulimi.

Me kthimin e  Xhafës ne  krijuam lidhjen me “Lëvizja Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi”, pjesë e të cilës ishim edhe ne. Po fluturoja nga gëzimi.

Xhafa dhe Sheremeti, gjatë një takimi tjetër, e shtruan çështjen udhëtimit në Bled të Sllovenisë, për ta pritur organin e LNÇKVShJs-ë Zëri i Kosovës”. Për këtë qëllim duhej ta njoftonim një Shok në Gjermani. Këtë detyrë e mora unë përsipër. Në atë rast, Xhafa më tha se “ Shokut  duhet t’i prezantohesh si Aliu dhe se atë duhet ta njoftoja për ardhjen e Skënderit (Xhafer Durmishit)në Kosovë”. Nga Xhafa e mora një numër telefoni dhe një tekst në gjermanisht. Telefoni, ku do të telefonoja, ishte i një gjermani, mik e fqinjë i familjes Gërvalla. Gjithashtu, ato ditë, nga Xhafa mora edhe një aparat fotografik të markës Kodak, me të cilin do të bëja fotografi, me pamje nga vende dhe objekte të ndryshme nëpër Kosovë. Një detyrë tjetër, ishte edhe mbledhja e informacioneve,  fotografive dhe materialeve të tjera me rëndësi për personat e vrarë, të plagosur apo të burgosur gjatë demonstratave të pranverës së vitit 1981 e më vonë.

Për t’ia përcjell Shokut të Lëvizjes lajmin e arritjes së Xhafës (Skënderit) në Kosovë më është dashtë të bëjë disa përpjekje. Jam përpjekur ta marrë në telefon Shokun ngalokale të postës në Prishtinë, Obiliq, Mitrovicë dhe Vushtrri, por pa sukses. Nuk merrej lidhja telefonike! Në një rast, gjatë thirrjeve, kam pasur ndërhyrje të një zëri i cili më ka pyetur në serbisht: Sto ti treba? Ocesh pare od njega, ili? Ndërhyrësi në linjë i kam lëshuar një breshëri të sharash dhe kam dal nga kabina. E kam bërë pagesën, shpejtë e shpejtë, dhe kam ikur nga aty. Pas kësaj ndërhyrje e kisha të qartë se UDB-a i përgjonte bisedat jashtë vendi, dhe,  me siguri, këtë e bënte edhe me telefonin e Shokut.

Pas shumë përpjekje dhe dështimeve të bëra për ta marrë në telefon Shokun në Gjermani, më në fund nga posta e Obiliqit cingëroj telefoni i gjermanit dhe pas pak edhe përgjigja e tij:

      ‒ Alo!…

    Unë ia nisa me gjermanishten time të mësuar përmendësh:

      ‒ Guten tag!11 Kan ich schprehen mitt Herr Gervalla, bitte!

      ‒ Ein moment, bitte! ‒ u përgjigj gjermani.

     Pas disa minutash heshtje dhe pritje dëgjova një zë:

      ‒Alo, Gërvalla!

      ‒”Tungjatjeta! Jam Aliu. Skënderi është shëndoshë e mirë dhe ju bënë shumë të fala!” – ju përgjigja ashtu siç më patë porositur Xhafa..  

       ‒ Të faleminderit për telefonatën! Të fala Skënderit! – ma ktheu Gërvalla dhe linja u ndërpre.                    

Ndonëse u ndërpre lidhja, isha shumë i gëzuar! Kryesorja ishte se u morëm vesh se ne do ta prisnim “Zërin e Kosovës”, ashtu siç ishin marrë vesh Shoku dhe Skënderi. E bëra pagesën, dola menjëherë nga posta dhe ika për shtëpi.

Po atë mbrëmje shkova tek Sheremet Saraçi, ku e kishte folenë Xhafa dhe i njoha të dy për bisedën me Shokun  e Lëvizjes (Shoku, unë besoja se ishte Jusuf Gërvalla, por atëherë nuk e kam pyetur asnjëherë Xhafën për këtë).

Xhafa më tha:

‒Tani duhet të bëhemi gati menjëherë dhe të nisemi për në Bled të Sllovenisë. Sipas marrëveshjes me Shokun, “Zëri i Kosovës” do të niset nga Gjermania dhe ne duhet të arrijmë me kohë në Bled. Deri atje kemi bukur shumë rrugë për të bërë.

Atë natë biseduam se kush do të udhëtonte për Bled. Sheremeti dhe Xhafa ishin kundër që unë të udhëtoja në Bled. U pajtuam që të udhëtonte Xhafa dhe një shok i tij, emrin e të cilit nuk e dija.

Mbrëmjen e 17 dhjetorit 1981, Xhafa dhe Bahtir Haradinaj, erdhën tek unë në Mihaliq. Po atë natë, nga Xhafa mësova se Bahtir Haradinaj ishte shok i tij i studimeve dhe shoku me të cilin ai kishte udhëtuar në Bled. Xhafa më njoftoi se takimi me shokët, që do ta sillnin “Zërin e Kosovës”, nuk kishte ndodhur! Të gjithë ishim të dëshpëruar për këtë “dështim”.  Xhafa na tha:

‒Bisedova me shokët në Gjermani. Ata më këshilluan që menjëherë të largoheshim nga Bledi. Shokët e Lëvizjes ishin të shqetësuar se shokët që e kishin sjell “Zërin e Kosovës” nga Gjermania, ishin ndaluar nga policia jugosllave në kufi dhe se ka shumë gjasa që ata të jenë  arrestuar.”

  • Shaban Klaiqi i cili ishte arrestuar gjatë hyrjes nga Austria në Jugosllavi, duke sjellur numrin 1 të Zërit të Kosovës, organ i LNÇKVSHJ-së

Në mbrëmje, e hapa televizorin dhe ne të tre, po i shikonim lajmet. Spikeri i RTSh-së komunikoi lajmin se ishte vetëvrarë Mehmet Shehu! (Vetvrasja ka ndodhur në mesnatën 17/18 dhjetor 1981 – shën. im) Na pushtoi një heshtje e rëndë. E tmerrshme! Edhe një dëshpërim i ri na u shtua.

Ky lajm na duhej më së paku, i thashë vetës sime! Një Shqipëri e dobët, me probleme dhe ministra që vetëvriten! Kush e donë vallë një Shqipëri të tillë? Askush pos armiqve tanë, ju përgjigja kokës sime. Kjo që dëgjuam  ishte një goditje e rëndë edhe për ne. Ku do të mbështeteshim ne e ku do të qaheshim nëse i ndodh ndonjë e keqe atdheut tonë?! Vallë  çfarë është duke ndodhur në Shqipëri?! Pa ditur se çka ndodhur dhe çfarë janë motivet që e kanë shtyrë Mehmet Shehun të vetëvritej, ne e morëm si të vërtetë qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar dhe  ju bashkuam atij në “dënimin” e aktit e vetëvrasjes! Nuk kishim kah t’ia mbanim. Ne duhej të vazhdonim t’i dilnim krah Shqipërisë sonë të shtrenjtë!

Gjatë kohës së qëndrimit të Xhafer Durmishit në Kosovë, falë angazhimit të shokëve nëpër rrethe, arritën të mblidhnim materiale të rëndësishme edhe për organin “Zëri i Kosovës”. Materialet e mbledhura, Xhafa, do t’i merrte me vete  kur të kthehej në Gjermani.

Shokët me të cilët mbante lidhje Ferkiu: Behxhet Ahmeti dhe Burim Zagragja na kishin siguruar një fotografi të Naser Hajrizit, të riut që u vra gjatë demonstratave në Prishtinë dhe të Nesim Danës nga Gjakova. Ata dhe shokët tjerë mblodhën emrat e shumë shqiptarëve të vrarë, emrat e shumë të burgosurve si dhe mblodhën edhe  shumë materiale të tjera me rëndësi për “Zërin e Kosovës”, por edhe për sensibilizimin e opinionit botëror për dhunën dhe terrorin e egër serbomadh në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi.

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (21)

Nga Asllan Muharremi

https://pashtriku.org/rrugetimi-im-ne-radhet-e-lnckvshj-se-21/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura