BILAL ALAJ, MËSIMDHËNËS MODEL …

Bilal Alaj, mësimdhënës model dhe  drejtues  i aftë

Nga Gjekë Gjonaj

Se arsimimi është shpirti i kombit, këtë e kishte thënë që moti patrioti i shquar demokrat, personaliteti i rrallë e heroi i madh i kombit tonë, Hasan Prishtina. E meqë ishte pishtar i flaktë i arsimit shqip, ai edhe e kishte jetësuar këtë thënie me shkollimin e tij personal duke shkrirë tërë pasurinë e tij për arsimin shqip. Këtë rrugë  të mësimdhënies e zgjodhi dhe e ushtroi me shumë dashuri, entuziazëm e përgjegjësi edhe mësuesi  Bilal Alaj , nga fshati Katërkollë (Anë të Malit), Komuna e Ulqinit.   Shkollimin fillor e ka kryer në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë,, kurse Shkollën Normale në Prishtinë. Nuk u kënaq me kaq dhe diplomoi në Fakultetin e Mësuesisë , në Universitetin e Prishtinës. 

Sikur e ka bekuar Zoti me profesionin e mësuesit!

Bilal Alaj ndjehet i lumtur që ëndrra dhe dëshira e tij për t’u bërë mësues  iu plotësua, sepse ky profesion për të është i shenjtë, ashtu siç janë vet nxënësit me çiltërsinë, dashurinë dhe botën e tyre fëmijërore e të padjallëzuar.  Profesionin e mësuesit  e ka zgjedhur me dëshirën  më të madhe  prandaj shprehet: “Sikur të ndodhte ajo që nuk do të ndodhë, përsëri do të zgjidhja profesionin e mësuesit”. Sikur e ka bekuar Zoti me profesionin e mësuesit! Në përvojën e tij  shumëvjeçare gjithmonë ishte dhe mbetet parimi se të edukosh dhe të mësosh gjenerata të tëra nxënësish është mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe detyrim dhe përgjegjësi e madhe.

Fillimet e punës me ditar në dorë

Profesionin e mësimdhënies e filloi,  pasi  e mbaroi me sukses  Shkollën Normale në Prishtinë, në paralelen e shpërndarë të SHF” Bedri Elezaga” të Katërtkollës, në fshatin Megjureç, kumësimi zhvillohej në gjuhën joamtare (serbokroate).  Në këtë fshat  të largët  mësuesi i ri  Bilal , me përgatitje të lartë profesionale,  në shkurt të vitit  1972 mori për herë të parë ditarin në dorë.  Për të ishte një ndjesi e rrallë   dhe e papërshkruar, që iu krijua  mundësia  dhe pati fatin të kthehet në vendlindje dhe të punojë në shkollën, ku i kishte  marrë mësimet e para,  ku mësuesit e tij  ia kishin shtuar dashurinë për dije, për  gjuhën e atdheun, lashtësinë e kombit tonë,  mësimet dhe shkathtësitë për jetën. Edhe pse prej atëherë  kanë kaluar 52 vjet  ende e ka të freskët dhe kurrë nuk do harrojë takimin e  parë dhe njohjen me nxënës. Përshëndetja e ëmbël, buzëqeshja e çiltër, hyjnore e engjëllore e nxënësve  e  përcjellin dhe  e shoqërojnë edhe sot.

Hapi rreze diturie në fshat dhe qytet

Mësuesi entuziast  Bilal Alaj,  pas dy vitesh pune në fshatin Megjureç dhe kryerjes së shërbimit ushtarak,  përsëri punësohet në SHF “Bedri Elezaga” në vendlindjen e tij, ku ka punuar deri në vitin 1978.  Prej aty  shkëputet nga arsimi dhe në vitin 1979  kalon në  Ulqin, ku punësohet në Sekretariatin e Mbrojtjes Popullore.  Në këtë sekretariat ka punuar gjashtë vite dhe  ka  përjetuar  atë që nuk e kishte menduar asnjëherë, largimin nga puna  dhe arrestimin, duke e akuzuar   si nacionalist. Ky dënim i rëndë dhe i padrejtë  që iu bë  këtij   personaliteti të  shquar të arsimit   i  ndaloi    atij të drejtën e  punës,  deri në  kohën e  ndryshimeve  demokratike  në Mal të Zi. Por,  nuk ia  theu  fuqinë e madhe , moralin dhe dashurinë  e  tij  të flaktë shpirtërore,  që  të vazhdojë të hapë rreze diturie tek  nxënësit shqiptarë në fshat  dhe qytet.  Në vitin 1990  u  punësua  në SHF “ Marshall Tito” në Ulqin,  ku ka punuar deri në vitin 2006.

Mësues i mirë  dhe udhëheqës i aftë

Mënyra e sjelljes si mësues të  Bilal Alajt  vazhdimisht është  shprehur me fjalë dhe veprime.  Një nga parimet  kryesore të tij në punën e mësuesit dhe drejtuesit, ka qenë disiplina e punës, të cilën ai gjithnjë e ka vlerësuar si një nga faktorët kryesorë të drejtimit të shkollës dhe klasës. Parimi i  këtij mësuesi ambicioz,  në punën e vet edukative -mësimore, ka qenë dhe është udhëhequr nga koncepti se  një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë objektivat që i vënë vetes.

Si mësues  dhe  edukator i mirë   dhe drejtues  i aftë i shkollës Bilal Alaj  vazhdimisht është dalluar për inteligjencë, njohje të profesionit, kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësin, durim, qëndrim të drejtë dhe sinqeritet. Ai gjithnjë dhe gjithmonë i ka dashur  nxënësit dhe shkollën,  duke punuar me këmbëngulje e durim për mbarëvajtjen e tyre.  Shumë  nxënës që  janë  edukuar dhe mësuar  nga “dora” e tij, janë dalluar dhe vazhdojnë të dallohen për  vullnetin e mirë për të mësuar sistematikisht.

Të gjithë  kolegët dhe  bashkëpunëtorët e tij,   që së bashku kanë punuar  dhe   kanë kontribuar  në edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë dhe në përmirësimin e kushteve  të jetës  sociale-ekonomike të fëmijëve me aftësi të kufizuara, natyrisht që vazhdojnë të ruajnë  respektin e dashurinë për këtë njeri dhe intelektual të veçantë. Të flasësh për cilësitë njerëzore të Bilal Alajt , nuk mund të  mos thuash  se ai është  një  njeri modest,  shembull i veçantë  në  komunikim,  me nxënës, kolegë dhe bashkëqytetarët e vet.

Ta duam dhe ta respektojmë profesionin e mësuesit Kjo  thënie është porosia e këtij mësimdhënësi model, tashmë në pension, i cili gjithherë procesin  edukativ e vuri  para atij arsimor, duke menduar se njeriu i edukuar mirë mund të jetë i dobishëm për familjen e tij, për rrethin ku jeton e  vepron, për kombin dhe atdheun. Ai  shprehet se  ky profesion është zbavitës, sfidues i vështirë dhe ekzistues. “Toni Bler ka thënë: “Ashtu siç është arsimi sot është kombi nesër”, kurse Sami Frashëri  ka thënë: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh për gjithmonë mbill arsim e kulturë”. Këto thënie, vlerëson Bilali na këshillojnë ne mësuesve  që nëse gabojmë në procesin edukativo-arsimor, ky gabim kurrë nuk do të përmirësohet. “Prandaj  ta duam, ta respektojmë dhe ta aplikojmë me shpirt ngrohtësinë e profesionit të mësuesit, sepse do të përfitojnë nxënësit tanë, që janë ardhmëria jonë”, na tha ai  në përfundim të  bisedës sonë. (Koha Javore)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MOTIVE JETIKE

MOTIVE JETIKE Nga Meti Rexhepi Hysen Këqiku: “LULELALET  VESHIN  PETALE” (Poezi dhe tregime për fëmijë) Shtëpia botuese, KURORA,…