Në 43 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981
(Kujtime burgu)
DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NGA NJË KËNDVËSHTRIM TJETËR (1)
Shkruan: Xhafer Shatri
1. Një hyrje e domosdoshme
Ndëshkimorja e Mitrovicës së Sremit, fundverë e vitit 1980, ditë e diel.
Posa hëngrem drekë. Kur shkuam në sallën e ngrënies, kishin qenë ata gardianët e ri nga Kosova, që i kishin sjellur për ta kryer praktikën në një ndëshkimore të njohur. Ishin djem të mirë dhe silleshin me ne si të ishim familjarë të tyre. Tre ishin nga rrethi i Istogut. Nuk lëshonin asnjë rast pa na bërë me dije se janë shpirtërisht me ne; na e rrudhnin syrin, e bënin dorën grusht, dhe ndonjëri, pasi e rrotullonte shikimin se mos i po sheh kush, na përshëndeste duke i rënë, disa herë, gjoksit te zemra.
Kanë qenë shumë djem të mirë. Ishim krenarë me ta.
Aty vuanin dënimin shumë shqiptarë nga të gjitha krahinat e Kosovës. Ne kishim mbetur vetëm dy të burgosur politikë, Njazi Korça dhe unë. Të tjerët ishin për vepra të ndryshme penale, disa sish për vrasje… Por pavarësisht veprave që i kishin kryer, ne silleshim shumë mirë me ta, i ndihmonim, i inkurajonim dhe ndanim çdo gjë së bashku.
Ne, të burgosurit politikë ishim në ndërtesën e dytë që ndodhej në një oborr me pavilionin e parë, me sallën e ngrënies dhe me ndërtesën ku ishin shtypshkronja dhe punëtoria e rrobalarjes.
Unë e Njaziu punonim në Shtypshkronjë, të cilën e udhëhiqte një hungarez, shuuumë burrë i mirë. Na trajtonte me korrektësi maksimale. Raportet me të na i kishte rregulluar miku im i vjetër i ilegales, Xhavit Dërmaku, i burgosur politik gjithashtu, por që kishte dalur disa muaj më parë dhe si ekonomist para excellence që ishte e bënte administrimin e prodhimeve (libra, broshura, libërlidhje, dosje, fletore llogarish dhe shumëçka tjetër që i përkiste administratës.
Me ne punonin edhe dy shqiptarë, Mujë Berisha nga Prapaçani, një djalë i mrekullueshëm dhe mixha R., një spiun i regjur i drejtorisë së Ndëshkimores. Një vrasës i shumëfishtë, që krejt jetën e kishte kaluar nëpër burgje. Xhaviti e kishte hetuar me kohë se është spiun dhe në vend që ta bojkotonte ose ta demaskonte, kishte preferuar të luante me të. Para se të shkoja unë për të punuar në shtypshkronjë, Xhaviti i thotë Mixhës R.:
“Nesër vjen me punu këtu një djalë i Istogut. Me sa di unë është edhe më i pafajshëm se unë, prandaj kujdes me të se me ba me e prekë në tela të jetë në dorë…“
Kjo më ndihmoi shumë, sepse Mixha R. ruhej prej meje si prej arushe. Edhe unë vazhdova të njëjtën lojë me të. Por Njazi Korça nuk e honepste dot. “Mos më detyroni t’i qeshem me zor këtij qeni të Serbisë“-, na thoshte mua e Xhavitit.
Punëtorinë e rrobalarjes e udhëhiqte një grek, përndryshe një admirues i ne, të burgosurve politikë shqiptarë. Ne i bënim shërbime të ndryshme, ndërsa ai na i zgjidhte veshjet më të mira, na i bënte për trup dhe na i lante e na i hekuroste për pikë të marakut. Ishte kënaqësi me bisedu me të, sepse më tregonte gallata sa me e mbajt barkun tu qeshë dhe sidomos detaje se si kishte aritur ta korruptonte krejt Drejtorinë. Me të holla natyrisht, sepse ishte i pasur.
Ne dallonim me gjithçka nga të tjerët; të veshur me shije ani se ngjyra ishte e zymtë, ishim solidarë me njëri tjetrin dhe e vuanim burgun me një altruizëm krushqësh.
…
2. Kënga dhe liria
Siç e thash, ishte e diel dhe atë ditë nuk punonim. Pasi drekuam u kthyem në pavijon. Kur të na vinte radha do të dilnim në shëtitje. Ndërkohë, nga salla e televizorit u ndëgjua muzikë shqip. Shumë vjet nuk kisha ndëgjuar këngë shqipe. Dola shpejt nga çelia dhe drejt e në sallë të Televizorit. Çka me pa, një ansambël i ri, për të cilin nuk kisha ndëgjuar kurrë.
Sqarim i domosdoshëm: Nuk e di se a ka qenë praktikë e televizionit të Novisadit, apo praktikë e Televizionit qendror Federal, që çdo të diel me radhë ta japin një emision me muzikë nga çdonjëra prej njësive federale. Atë ditë e kishte pasur radhën Televizioni i Prishtinës me një emision muzikor të SHKA “Afërdita“ e Mushtishtit.
Talenti i këngëtarëve dhe sidomos përmbajtja e këngëve më lanë pa teskt.
Ishte viti i gjashtë i dënimit dhe pjesën më të madhe e kisha vuajtur nëpër izolime, prandaj isha krejt i painformuar për ecjen e madhe që kishte bërë Kosova gjatë kësaj kohe. Ky emision e pasqyronte këtë hapërim në mënyrën më origjinale. E ndëgjova, apo thënë më mirë e përbiva me sy, me vesh e me shpirt. Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm.
Posa u krye emisioni na nxorën në shëtitje. Pavijoni ynë, ku kishte kryesisht të burgosur politikë, të huaj dhe tipa problematikë, shëtiste në një oborr me plot kshtâja të egra shekullore, ndërkaq ata të pavijonit të dytë shëtisin në një park paralel pranë “tonit“. Por shëtitja bëhej ndaras… Në çdo oborr ishte të paktën nga një gardian. Pa llogaritur gardianët nëpër karakolle.
Pavijoni i tretë, kishte më shumë të rinj, dhe ishte i ndarë me murë.
Kur dola në oborr, çka me pâ! Të burgosurit shqiptarë ishin zbehë e bërë mejt, e kishin ulur kokën dhe ecnin kërrusur e me sy përdhé, si me e pasë krejt peshën e globit në shpinë…
Zëri magjik i Shkurte Fejzës, Shyhrete Behlulit dhe kolegëve të tyre e kishte nxjerrë nga humnera e shpirtit të gjithëcilit të burgosur mallin e shkretë e dërrmues për familjen, për njerëzit e shpirtit, për tokën e Kosovës dhe për çdo gjë të saj.
Unë fillova të ushtroj, me një mikun tim kroat, Ludvig Pavlloviq, i dënuar për terrorizëm me burg të përjetshëm… dhe gradualisht iu afrova aborrit tjetër ku ishin disa dhjetëra shqiptarë që ecnin vetmas, e të kredhur në një det dëshprimi.
Kur erdhën paralelisht me mua, u përpoqa me i ngushëllu:
“Djema, kokën lart, se do të vijnë ditë shumë më të mira dhe shumë më shpejt se që mendojmë ne, për Kosovën dhe për shqiptarët… Prandaj mos gaboni me u dorëzu!“
Çele gurë gojën! Ishin bërë dhé, si me qenë varrtarë.
Kur e bënë rrethin e dytë iu drejtova me të madhe: Djema, mos e koritni fisin!
U ndalën dhe më përshendetën me dorë mbi zemër.
Kur shkuam për darkë, e njëjta pamje. Edhe gardianët shqiptarë kishin rënë përdhé.
I thash Njaziut: Sa malli përvëlues është zgjuar sot, sa mërzia është dhezë flakë është e pamundur ne me shpëtu pa një sherr të madh këtu.
“Gjak u baftë, se s’kemi çka me humbë“,- më tha.
“Jo, i thash, na duhet me dalë prej këtu, se puna kryesore na ka mbetë pa e kry…”
…
Të nesërmen, shkuam në punë.
Muja nuk kishte ardhë, por na kishte dërgu një copë letër përmes Grekut:
“Nuk do të shkojmë në punë. Jemi shumë të revoltuem… shumica dërrmuese jemi për këtë opsion”
Biseduam me Njaziun dhe vendosëm:
Me i ndihmu me këshilla e sygjerime, sidomos në përpilimin e kërkesave, por ne mos me u përzi drejtpërdrejt, sepse do t’i dëmtojmë dhe greva e tyre do të marrë krejt tjetër kahje.
Mixha R. kënaqej. I kishte ardhë dita. I shkëlqenin sytë si macës së zezë. Njaziut nuk guxojke me iu afru. Erdhi te unë:
Mixha R.: Çka po ta merr mendja, apo e sheh se po donë me na e marrë fytyrën…
Unë: Jo, nuk është kjo punë fytyre, por i ka marrë malli për familjet, sepse asnjërit prej tyre nuk i vjen familja më shumë se dy-tri herë në vit… Ti e di se me ardhë me tren këtu duhet me udhëtu 12 orë, me u kthy edhe 12 të tjera, me prit këtu 5-6 orë…
Pa folë për shpenzimet kolosale…
Po të ishe në burg në Kosovë edhe ty t’kish ardhë familja për çdo muaj, ndërsa këtu të vijnë njëherë në vit…
Mixha R.: Janë të poshtër dhe ky kataliku që punon me ne po i nxitë…
E dija mirë se çkado që t’i them ky do t’ia përcjellë drejtorisë posa të kthehet në ndërtesë… Prandaj më duhej të jem shumë i kujdesshëm…
“Jo, i thash, nuk ka ai mundësi me i nxitë, se në këtë rast të kishte nxitë edhe ty edhe neve këtu… Por jam i sigurt se ata nuk e kanë me drejtorinë e burgut, se drejtoria nuk ka faj pse në Kosovë nuk ka një burg për vuatjen e dënimit…“
Fola me Njaziun dhe ua përgatitem një parashtresë për Nazmi Junikun, asokoha sekretar (ministër) i Jurisprudencës dhe Administratës së Përgjithshme të Kosovës.
U përpoqëm që grevës së tyre t’i japim ngjyrim ekskluzivisht social.
Te pasnesërmen më erdhi kopja e Peticionit që ata e kishin nënshkruar. Puna e parë që bëra ishte ta fus në kopertinën e një fjalori që të kem mundësi pastaj ta nxjerr jashtë në mënyrë të sigurt. Punonim në shtypshkronjë dhe kjo bëhej me lehtësi.
(4 vjet më vonë, kur ia tregova Melany Anderson, përfaqësuese e Amnesty International mbeti pa tekst…)
Pas dreke, Mixha R. u bë tepër këmbëngulës. Erdhi te shkallët, ku po i bëja do ushtrime fizike:
“Po na e prishin punën, jemi mirë këtu, ushqimi i mirë, nuk na ngucë kërkush. Asht droe me na shti të gjithëve në izolim, me na i ndalë vizitat, me na i ndalë paketat…“
J“o more, i thash, nuk na shtin në izolim se na nuk jemi në grevë, ata që janë në grevë sigurisht se i kanë mendu të gjitha prandaj ia kanë nisë…“ dhe për ta heqë qafe ia ktheva n’hajgare me një fore që e përdorja shpesh kur tallesha me të dhe të ngjashëm si ai:
“Mixha R. flej shlirë se sa të jetë gjallë Ali Shukria shqiptarët, kudo që janë, kanë me e ba kokrrën e sefasë…“
Nuk m’u çkap deri sa e nxori nga fundi i barkut:
“Njazia i ka shti, se e kam pa me Mujën tuj folë diçka pëshpëshpësh…“
Më plasi filmi, e t’ju kam kthy:
“More faqe zi, qe 30 vjet je nëpër burgje t’u vra shqiptarë jashtë e tu i spiunu brenda.
Po çka kujton ti, more gjakprishun? Po çka po të bëjnë ata ty. Pse po përpiqesh me e përzi Njaziun në këtë punë, a e din ti se i ka vetëm edhe tre muaj me dalë prej burgut dhe ti po don me ia shtu edhe ndoj vit…“
U zbeh e u bë mejt, ndërsa fytyra ju çaravesh e iu bë si papuçja e shqyer që e ka lagur shiu në kontejner… (Duke pasur mbi supe një bjeshkë të tërë me përvojë, kam konstatuar se të gjithë ata që pështyjnë dhe i shesin njerëzit e gjakut të vet, kur i mbështetë me shpatulla për muri, të gjithë bëhen fytyrënjëjtë, u hapen sytë e u zvogëlohen bebëzat, u shtrembërohen nofullat, u çaraveshen buzët… Të gjithë bëhen si të ishin të një moshe dhe të një familjeje…)
E lash dhe hyra në punëtori. Njaziu e kish pas ndëgju krejt dialogun tonë dhe po më thotë:
“Ooo Zoti ta baftë Çabe, po mirë ia bane!“
“Hajt se ia ninë krizmën shpejt, i thash…“
Njaziu: “Ishalla flaka i del në të katër anët!“
Te nesërmen e prishjes me Mixhën R. shkuam në punë. Rrinte larg, nuk e kqyra me sy. Pas drekës na mbyllën në ndërtesë, na i mbyllën edhe dyert e qelive me shul.
Isha i sigurt se dreqi i madh e kishte marrë timonin në dorë.
Pas nja një ore, ma hapën derën. Ishte Koziqi, një roje dhe neperkë e vërtetë. I qeshnin mustaqet:
Eja se kanë ardhur funksionarët nga Prishtina e po dojnë me folë me ty.
Shkova. Koziqi para unë pas. Kur mbërrimë te dera e sallës së vizitave, aty kishte qenë komandanti i Ndëshkimorës. Ka qenë shumë dinak, por, për të mos ia hëngër hakun, ndaj meje ka pasur qëndrim korrekt.
E bëri një reverensë, përkulje taman teatrale dhe i tha Koziqit: Hape derën!
Ishte një derë e madhe dykrahëshe dhe ai e hapi…
Çka me pa?!
Dy radhë, jo me gardianë, por me policë të njësive speciale! Kanë qenë më së pakut nja 60 veta. Ishin renditur në dy radhë, me fytyrë prej njëri tjetrit dhe në një distancë prej një metri njëra radhë nga tjetra. Unë duhej të kaloja mespërmes tyre… Ndërsa krejt në fund ishte një “maricë“, të cilës ia kishin hapur derën e pasme.
Ata nuk ishin aty për të shtypur një kryengritje, por të veshur ne tesha te verës, për të rrahur shqiptarë me duarlidhur.
Dy policët e parë, pasi m’i shkelën këmbët, m’i lidhën duart pas. Dhe pa shkelë fare në tokë, nja 50 metra, më bombarduan me grushte e me shqelma dhe më përplasën si thes në “maricë“…
Pasi e mbyllën derën, e lëviza trupin për të parë mos ma kanë thyer ndonjë gjymtyrë. Jo, çdo gjë ishte ok. Për fat isha shumë mirë me shëndet dhe ushtroja për çdo ditë të paktën nga dy orë.
ishte “investimi“ më i mirë për këso rastesh të pritshme.
Pesë minuta më vonë, e ndëgjova të njëjtën tollovi. Kur e hapën derën e maricës e hodhën brenda, si bashkë leshi, NjaziunI Ky e kishte pësuar më keq, sepse nuk ishte mirë me shëndet.
Ky lloj ndëshkimi e kishte origjinën nga Goli Otoku dhe quhej “lepuri i nxhehtë“. Emër i saktë, sepse të kalosh nëpër atë tunel bishash që shkepnin grushte e shqelma si me rrymë, nuk mund të kaloje ndryshe pos si lepuri përmes qenëve…
Nuk vonoi shumë dhe u nis “marica“.
Ne i kishim duart e lidhura mbrapa dhe kurrsesi nuk mund të qendronim në bangat e “maricës“, prandaj u shtrimë në dysheme dhe e qitëm kokën në kofshët e njëri-tjetrit. Ishte e vetmja mënyrë për ta përballuar udhëtimin e mundimshëm.
Të paktën nja dhjetë orë pa u ndalë kund. Kur hymë në një qytet, meqë tash i grahnin veturës më ngadalë, u ulem në karrigë dhe, duke shikuar përmes vrimave të ajrimit, m’u duk vend i njofshëm, disi si Prishtina…
Por vazhduan, nuk u ndalën… Dikur pas mesnate na futën në një burg të vogël dhe në dy qelia të ndryshme.
Në mëngjes ma nxori gjumin një zë që u dëgjua në oborr:
O Ismet, çoja agës Shyqë një çaj…
Ishim në Kosovë, në burgun e Ferizajit.
As nuk u gëzova, as nuk u idhnova.
Isha bërë krejt indiferent. Më ishte ngulitur në kokë vetëm një ojektiv:
mos me u dorëzu dhe mos me u koritë.
Në fakt ky ishte përbetim i të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë.
Pa përjashtim! /xhafershatri.info/
(VIJON)
© Pashtriku.org
———————————————-
Në 43 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981
(Kujtime burgu nga burgu)
DEMONSTRATAT E VITIT 1981, NGA NJË KËNDVËSHTRIM TJETËR (1)
Shkruan: Xhafer Shatri