Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (V)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-12-
Konfidenciale
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 22 prill 1981
I nderuar Charles,
Kosova
1. Një prej ngjarjeve në Kosovë që mund të shpjegohet në mënyrë të kënaqshme është zjarri i vënë në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë, më 16 mars. Gazeta ortodokse serbe “Pravoslavlje” ka shtuar dyshimet e versionit zyrtar mbi shkakun e zjarrit.
2. Sipas njoftimit zyrtar të dhënë të nesërmen, zjarri ishte shkaktuar nga një defekt në instalimet elektrike si dhe nga oxhaqet dhe tubat e ndërtuara në mënyrë të parregullt në një furrë me lëndë djegëse. Zjarri filloi në 3.30 të mëngjesit në pjesën e majtë fundore të ndërtesës së vjetër për të ftuarit mbi dhomat e patriarkut. Njëra prej murgeshave i ra alarmit dhe thirri skuadrën zjarrfikëse, por makina e parë zjarrfikëse mbërriti me cisternë uji të boshatisur dhe makina e dytë zjarrfikëse u prish rrugës! Murgesha vuri re më pas se papritur shpërtheu një zjarr i dytë më i fuqishëm se i pari rreth 40 metra larg çatisë së ndërtesës. Ajo pohoi se zjarri nuk ishte përhapur nga vendi i parë. Skuadra zjarrfikëse filloi të shuante zjarrin në 4.30 të mëngjesit, por makinat e tjera zjarrfikëse arritën vetëm në intervalin kohor midis gjysmë ore dhe 2 orë më vonë dhe një cisternë e fuqishme me tub të gjerë arriti vetëm në orën 7.30 të mëngjesit, kur zjarri ishte përhapur në ndërtesën e re të miqve dhe deri tek Thesari. Klerikë të ndryshëm që qëndronin te kjo Patriarkanë, murgeshat dhe një numër punëtorësh arritën në shpëtonin një koleksion të paçmueshëm librash dhe objektesh të tjera fetare nga Thesari. Zjarri u shua përfundimisht pa shkaktuar dëme të kishës apo ndërtesave të tjera.
3. Shpejt u përhapën fjalë nëpër Beograd për zjarr vënie të qëllimshme që dilnin kryesisht nga Patriarkana, këtu duke u bazuar pa dyshim në ngjarjen e murgeshës më lart. Dyshimet u përqendruan në shpërthimin e zjarrit në dy vende që nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin dhe në mosreagimin e brigadës zjarrfikëse në mënyrë të menjëhershme dhe të efektshme. Ndjeshmëria zyrtare u tregua nga vizita e menjëhershme në këtë Patriarkanë në orën 10.00 të mëngjesit po në ditën e zjarrit nga Xhavit Nimani, kryetar i Kryesisë së Kosovës, Bahrija Oruçija, kryeministër dhe Mihailo Zvicer, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe të tjerë. Nimani urdhëroi ngritjen e komisionit ekspert për të shqyrtuar rindërtimin e shpejtë të ndërtesave të shkatërruara dhe të dëmtuara. Menjëherë u vunë në dispozicion para dhe materiale ndërtimi për të bërë të mundur që të bëhej e banueshme ndërtesa e re e ndërtuar pjesërisht për miqtë. Po shihej mundësia për të bërë çdo gjë të mundshme, por në mes serbëve mbetet dyshimi.
4. Dolanc, në konferencën e tij për shtyp, më 6 prill, mohoi mesa kishte të dhëna që të kishte ndonjë lidhje ndërmjet zjarrit të vënë dhe demonstratave nacionaliste. Megjithatë, ai shtoi se hetimi për këtë çështje ishte ende në proces dhe nëse do të zbulohej ndonjë lidhje në këtë drejtim, për rrjedhojë informacioni do të bëhej i ditur. Gjerë tani nuk është thënë asgjë tjetër në këtë drejtim. Sidoqoftë, ne dimë nga rrëfimet publike të demonstratave në Kosovë se ka pasur një paragjykim serb në këtë pikë dhe nëse organizatorët do të dëshironin të bënin një gjest mbresëlënës antiserb, çfarë do të shërbente më mirë se djegia e Patriarkanës serbe? Gjithsesi, askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë. Gjithashtu, komuniteti shqiptar mysliman i cili tradicionalisht e ka ruajtur Patriarkanën për breza të tërë, natyrisht u shqetësua shumë nga e gjithë kjo ndodhi.
5. Meqenëse kjo është një çështje kaq e ndezur (kërkoj ndjesë për këtë lojë fjalësh), dyshoj se cilido që të jetë shkaku i zjarrit, nuk do të thuhet më asgjë për të. Por serbët do ta mbajnë mend këtë.
I Juaji,
T. J. Clark
-13-
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 23 prill 1981
Londër, SW1A 2AH
Peter Blaker
I nderuar Tames,
Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 10 prill për Peter Carrington mbi përndjekjen fetare në Shqipëri.
Nuk kemi një konfirmim të pavarur për vdekjen e Peshkop Çobës megjithëse dimë që ai është internuar në një fermë kolektive në vitin 1975. Por, nuk ka dyshim se në përpjekjet e tyre për të krijuar shoqërinë e parë të vërtetë ateiste në botë, autoritetet shqiptare kanë praktikuar përndjekje në shkallë të gjerë dhe brutale ndaj të krishterëve dhe myslimanëve dhe se ka pasur disa të vdekur në këtë drejtim. Natyrisht, dënojmë pa rezervë një përndjekje të tillë.
Ju i referoheni dëshirës tonë aktuale për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Ndërkohë që jemi në dijeni të natyrës shtypëse të regjimit shqiptar, do të dëshironim ta shihnim këtë si një argument kundër rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ne kemi marrëdhënie me shumë vende, politikat e brendshme të të cilave i kundërshtojmë fuqimisht. Në të vërtetë, sipas mendimit tonë rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mund të ndihmojë vetëm për të komunikuar drejtpërdrejt me regjimin shqiptar dhe për të bërë kështu të qartë shqetësimin tonë të thellë për akuzat e përndjekjeve të llojit për të cilin keni tërhequr vëmendjen.
Po ju kthej shkresën e BBC të datës 2 prill.
I Juaji,
Tebi Bleku
J. Dempsey Esq MP
Dhoma e Komuneve
Londër, SW1A OAA
-14-
Konfidenciale
Rt. Hon Lord Carrington KCMG MC Ambasada britanike
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit Beograd
Londër S W1, 24 prill 1981
Shkëlqesia Juaj,
Kosova
1. Demonstratat dhe trazirat e kohëve të fundit në Kosovë, krahinë jugore e Serbisë, kanë theksuar përsëri problemet me sa duket të pazgjidhshme të kësaj pjesë të shtetit multinacional jugosllav. Në telegramin tim Nr. 45, të datës 7 prill, kam bërë një vlerësim fillestar të ngjarjeve. Në këtë dokument ju ofroj, mbi bazën e informacioneve që kam aktualisht në dispozicion, një përshkrim më të studiuar të asaj se çfarë ka ndodhur, pse dhe çfarë pasojash mund të ketë.
Ngjarjet
2. Demonstratat filluan rreth orës 7 pm më 11 mars pas disa ditë ankesash nga studentët e Universitetit të Prishtinës në lidhje me marrëveshjet e bëra për furnizimin e tyre me ushqime. Një student flaku tej me neveri një tabaka me ushqim, por kjo nuk e ndezi dhunën që pasoi. Dhuna u shkaktua me sa duket nga një grup prej rreth 30 studentësh, të cilët shpërthyen nëpër mensë, duke bërtitur dhe duke hedhur karrige dhe tryeza nga dritarja dhe në banakun e sportelit. Më pas studentët dolën në rrugë, duke formuar një turmë prej 400 vetash, dhe u drejtuan për në qendër të qytetit ku u përplasën me milicinë, duke plagosur rreth dhjetë prej tyre. Përfundimisht forcat e milicisë arritën që t’i kthenin mbrapsht studentët në konviktet e tyre, por një pjesë qëndruan jashtë deri rreth orës 2 am duke thirrur parulla politike. Të nesërmen, rektori dhe disa nga pedagogët e stafit u takuan me studentët dhe diskutuan mbi mënyrat për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe studimit. Dukej më pas sikur kjo trazirë kishte marrë fund, megjithëse një zjarr misterioz në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 16 mars, mund të ketë qenë vepër e nacionalistëve shqiptarë, me gjithë mohimet zyrtare, të cilat mbështeteshin me entuziazëm nga Kisha.
3. Megjithatë, më 26 mars një grup prej rreth 40 studentësh u hodhën përsëri në veprim rreth orës 6 am duke mbyllur dyert e tre konvikteve të studentëve, kështu që studentët e tjerë nuk mund të dilnin jashtë. Më pas ata i bindën këta të fundit që të bashkoheshin në territorin e Universitetit, ku formuan një turmë prej disa qindra vetash, e cila shpejt u takua me rektorin dhe disa prej stafit të pedagogëve. Udhëheqësit e studentëve filluan të negocionin me rektorin për të drejtat e tyre por ai i ndërpreu kur ata filluan të paraqisnin kërkesa politike. Demonstratat politike duket se kanë filluar në këtë pikë, kur demonstruesit nxorën flamujt e bërë gati dhe thirrën më zë të lartë parulla politike. Rreth orës 4 pm ata filluan të gjuanin me gurë milicinë, duke krijuar një kordon rreth tyre, në përpjekje për t’u larguar nga kampusi dhe për të dalë në qytet, ku rreth 40,000 veta ishin mbledhur për të përshëndetur mbërritjen e stafit përfaqësues të Titos në udhëtimin e tij përmes Kosovës me rastin e stafetës së përvitshme të rinisë përreth Jugosllavisë. Milicia u përgjigj fuqimisht, disa thonë brutalisht, dhe 23 demonstrues u plagosën, 22 veta nga udhëheqësit e tyre u arrestuan, ndërkohë që gjithashtu u plagosën 14 milicë. Gjatë ditëve në vazhdim, pati akte të tjera dhune, si p.sh. thyerja e xhamave të dritareve dhe prishja e makinave, veçanërisht në komunat përreth Prishtinës, por edhe deri në Prizren.
4. Trazirat rifilluan më 1 prill në Prishtinë me bojkotin e mësimit nga disa studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Rreth orës 1 pm tre grupe demonstruesish u zhvendosën drejt qendrës së qytetit, duke grumbulluar gjatë rrugës fëmijë shkollash dhe disa punëtorë. Sipas një dëshmitari okular britanik, dhuna filloi kur me turmën u bashkuan punëtorët dhe kur demonstruesit u tërbuan duke thyer xhamat e dritareve dhe duke i vënë flakën makinave dhe një shtëpie ndërkohë që marshonin drejt ndërtesës së Komitetit Krahinor. Grupet, secili i përbërë prej 6-800 vetash, u grumbulluan rreth orës 3 pm përpara ndërtesës, ku valëvitnin flamuj dhe thirrnin me zë të lartë parulla, të cilat qarkullonin më shirita letre, të tilla si: “Kosova Republikë”; “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”; “Nuk e duam kapitalizmin, duam socializmin”; “Poshtë revizionizmi” dhe “Duam Shqipërinë e bashkuar”. Rreth orës 6.30 pm dy nga demonstruesit iu afruan milicisë tek dyert dhe thanë se po prisnin që të fillonin negociata me dikë. Por, turma më pas filloi të shtynte përpara dhe milicia reagoi duke hedhur bomba me tym dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit. Këta të fundit duket se ishin të përgatitur për këtë: ata kishin peshqirë të lagur të gatshëm për të reduktuar efektet e gazit lotsjellës dhe vazhduan të grumbullohen sërish a thua se, siç thanë disa, po drejtoheshin me radio marrëdhëse-dhënëse. Në asnjë fazë forcat e milicisë nuk hapën zjarr në Prishtinë megjithëse dy demonstrues u gjetën të goditur për vdekje, por ata u detyruan t’i përgjigjeshin zjarrit në vende të tjera. Njësitë e Forcave të Armatosura u zhvendosën më pas në Prishtinë nga pjesë të ndryshme të vendit për të siguruar pikat strategjike në këtë qytet dhe gjetkë në zonat përreth, ku raportohej për demonstrata më 2 prill dhe, në mënyrë sporadike, gjatë dy ditëve në vazhdim.
5. Që atëherë, nuk janë raportuar shqetësime të tjera. Ndalimqarkullimi i vendosur më 2 prill u hoq më 8 prill, por masa të tjera kufizuese kanë mbetur në fuqi, duke përfshirë ndalimin e tubimeve jozyrtare publike, e madje edhe ndeshjet e futbollit, kontrollet e rrepta fizike për të gjithë udhëtarët në këtë zonë dhe ndalimin e vizitave nga të huaj. Pas mbylljes së shkollave fillore për një periudhë dy javore, ato u hapën përsëri më 13 prill, dhe një javë pas tyre u hapën shkollat e mesme dhe universiteti.
6. Duke folur para një grupi të ftuar gazetarësh të huaj në Prishtinë, më 17 prill, kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës, pranoi se të gjithë organizatorët dhe mbështetësit i përkisnin komunitetit shqiptar, se punëtorët dhe studentët ishin nga ky komunitet, dhe se ata përfshinin gjithashtu disa anëtarë të Lidhjes së Komunistëve. Ai dha statistika të shqyrtuara për të treguar se vetëm 75 civilë ishin dëmtuar dhe 8 ishin vrarë, ndërsa 131 anëtarë të forcave të sigurisë ishin dëmtuar, katër prej tyre rëndë dhe një ishte vrarë, të gjithë shqiptarë. Ndërkaq, 29 njerëz ishin burgosur nën akuzën e të qenit organizatorë të demonstratave, ndërsa 194 njerëz ishin dënuar se kishin marrë pjesë në demonstrata dhe veprime të tjera armiqësore.
Shkaqet
7. Të gjitha të dhënat tregojnë se demonstratat ishin organizuar dhe drejtuar me qëllim nga shqiptarë të motivuar politikisht, kryesisht studentë. Parullat dhe banderolat ishin qartazi të natyrës irredentiste dhe nacionaliste shqiptare. Mund të kenë qenë të përfshirë edhe elementë të tjerë të spektrit të majtë dhe të djathtë politik, siç pretendonin zëdhënës të ndryshëm zyrtarë, por shkakun kryesor duhet ta kërkojmë tek nacionalizmi shqiptar. Në të vërtetë, një anëtar drejtues i Komitetit Qendror i Sllovenisë tha kohët e fundit në lidhje me Kosovën se “shkaqet kryesore të të gjithë krizave të rënda të Jugosllavisë deri më sot duhet të gjenden tek nacionalizmi dhe jo aq shumë tek problemet sociale”.
8. Kosova ka dalë në shpërthime të dhunshme të nacionalizmit në disa raste që prej Luftës së Dytë Botërore. Që nga fillimi, Kosovarët ngurronin të bashkoheshin me Jugosllavinë dhe një kryengritje e viteve 1944-1945 u shtyp pa mëshirë, megjithëse pas kësaj vazhdoi për njëfarë kohe një rezistencë në shkallë të kufizuar. Në vitin 1955, u shpall gjendja e jashtëzakonshme për të shuar trazirat që me sa duket ishin nxitur prej terroristëve nga Shqipëria. Rankovic dhe policia e tij sekrete e dominuar nga serbët (UDBA) u shoqëruan veçanërisht me shtypjen brutale të shumicës shqiptare në Kosovë. Pas rrëzimit të tij në vitin 1966 dhe ndryshimeve në UDBA, shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni u ndjenë të inkurajuar në qershor 1967 që të kërkonin Republikë më vete brenda Federatës dhe organizuan demonstrata në shkallë të gjerë në nëntor 1968, të cilat u shtypën përfundimisht nga Forcat e Armatosura. Megjithatë, trazirat nacionaliste vazhduan gjatë gjithë viteve ‘70: anëtarët e “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” u burgosën në vitin 1975; 31 studentë u burgosën në vitin 1976 si anëtarë të Lëvizjes; arrestime të tjera vijuan në vitin 1979 dhe vetë Tito vizitoi Kosovën për të qetësuar situatën; dhe në vitin 1980, tetë nga personat e arrestuar më parë u dënuan me tre deri në tetë vite burgim. Kërkesat e nacionalistëve të Kosovës luhaten midis bashkimit me Shqipërinë dhe pavarësisë nga Serbia si Republikë brenda Jugosllavisë, megjithëse kjo e fundit mund të jetë gjithashtu vetëm një fazë drejt së parës. Përmes shpërthimeve dhe ndryshimeve të mëvonshme në statusin kushtetues të Krahinës, Kosova ka lëvizur një hap më afër vetëvendosjes në Jugosllavi, por është e qartë se nacionalistët nuk janë ende të kënaqur me tutelën formale të Serbisë, megjithëse ata kanë fituar barazinë pothuaj në çdo drejtim tjetër me Republikat e Jugosllavisë.
9. Ngjarjet kanë edhe një dimension ndërkombëtar. Unë nuk kam asnjë provë për përfshirjen e sovjetikëve dhe Grliçkov, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve, e përjashtoi hapur këtë, në një bisedë me mua, më 6 prill. Përfshirja e Shqipërisë, megjithëse është mohuar zyrtarisht në Tiranë dhe nuk është pranuar haptazi në Beograd, është e mundur. Natyrisht tundimi për bashkim mund të jetë i fortë, kur përtej kufirit jeton një popullsi shqiptare etnike që është sa gjysma e vetë popullsisë në Shqipëri. Dhe Tirana e bëri të qartë në një artikull të shprehur me forcë në gazetën “Zëri i Popullit” më 8 prill, gjë që e vuri Jugosllavinë në siklet, se Shqipëria kishte po aq të drejtë sa Jugosllavia apo ndonjë vend tjetër që të mbronte pakicat e veta kombëtare. Për më tepër, ambasadori shqiptar këtu nuk mban të fshehtë pakënaqësinë e vendit të tij në lidhje me kufijtë aktualë me Jugosllavinë. Por, siç kanë theksuar udhëheqës të ndryshëm jugosllavë në ripërtëritjen e shkëmbimeve kritike me Tiranën, stabiliteti në Kosovë është në interes të Shqipërisë po aq sa edhe të Jugosllavisë. Ata mund të kenë shtuar se kjo zbatohej veçanërisht kur Enver Hoxha po i afrohej fundit të mbretërimit të tij, dhe mund të zhvillohej luftë për pushtet. Me të vërtetë, ka shumë spekulime se në mesin e demonstruesve kishte elementë të cilët këtë situatë e kishin në mendje si një motiv për të krijuar shqetësime sot. Ka disa të dhëna për përfshirjen në demonstrata të kosovarëve të kthyer që kanë punuar jashtë vendit të cilët mund të kenë qenë në kontakt me organizata shqiptare emigrantësh që kërkojnë ndryshimin e vetëregjimit në Shqipëri. Raporte mbi protestat e emigrantëve në pjesë të ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara tregojnë të paktën mbështetje morale për demonstruesit e Kosovës.
10. Ka të ngjarë që këto shkaqe politike janë bërë më të dukshme nga ankesat ekonomike dhe sociale. Me gjithë përpjekjet e konsiderueshme për zhvillimin e Kosovës me ndihma nga Fondi Federal për zonat e pazhvilluara dhe kohët e fundit me investime direkte nga Republikat dhe ndërmarrjet individuale, Krahina ka mbetur ende prapa në çdo aspekt (përveç lindshmërisë fenomenale!). Perspektivat për punësim nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm me aspiratat e një numri tejet të lartë të rinjsh që lënë shkollën apo universitetin, të cilët meqenëse janë arsimuar kryesisht në gjuhën shqipe, nuk kanë të njëjtën lëvizshmëri për të gjetur punë tjetërkund në Jugosllavi. Kështu, popullsia kaloi nga 733,000 veta në vitin 1948 në 1,566,000 veta në vitin 1979, nga të cilët 382,000 ishin në shkollë dhe 47,497 ishin në universitet, ndërkohë që vetëm 168,000 ishin punësuar në sektorin social. Mungesa e punës nuk i ka penguar njerëzit, veçanërisht fshatarët me arsim të ulët, që të vërshojnë në Prishtinë dhe qytete të tjera, të cilat janë shumë të mbushura dhe mezi përballojnë problemet e panumërta sociale.
11. Një tjetër faktor, që po del në dritë, ishte dështimi i udhëheqjes lokale për të dëgjuar paralajmërimet për pakënaqësinë në rritje në mesin e studentëve dhe, natyrisht pas shpërthimit të parë më 11 mars, për të marrë masat e duhura korrigjuese. Kolegu im gjerman më tha se udhëheqësit e lartë të Partisë i folën për këtë z. Willy Brandt gjatë një vizite të fundit në Beograd, duke nënkuptuar se vetë Bakalli, kryetar i Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, ishte keqinformuar dhe i kënaqur.
Pasojat
12. Megjithëse ndoshta do të duhet kohë që të shfaqen pasojat e brendshme politike, ka të ngjarë që të ketë ndryshime në udhëheqjen e Kosovës për shkak të trajtimit të dobët të ngjarjeve nga ana e saj. Është pranuar qartazi nga udhëheqja e Partisë se shkaqet shtrihen jo në kërcënimin e jashtëm, por “në vetë dobësitë tona, në zhvillimin e pamjaftueshëm të sistemit socialist të vetëmenaxhimit.” Lidhja e Komunistëve dhe organizata të tjera socialo-politike po analizojnë se si ishte e mundur që ata të jenë zënë në befasi dhe të kenë llogaritur gabim shenjat e para të trazirave politike. Por, cilado qofshin rezultatet e këtyre kërkimeve, konkluzioni i pashmangshëm është se përsëri udhëheqja e Kosovës tregoi shenja paaftësie për të zgjidhur dilemën e vjetër që të përfaqësojë aspiratat kombëtare të Krahinës së saj duke iu përmbajtur vijës së Partisë e cila nuk pranon asnjë ndryshim themelor në statusin e Kosovës.
13. Duke u nisur nga çdo kriter logjik, Kosova brenda kufijve të saj aktualë, duhet të ketë status të barabartë në Jugosllavi me republikat e Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, meqenëse popullsia e saj është po aq e madhe dhe etnikisht homogjene sa ç’është secila prej tyre. Por, udhëheqja jugosllave ka refuzuar me vendosmëri që t’i hapte rrugë një logjike të tillë për arsye të brendshme politike dhe të sigurisë. Menjëherë pas Luftës, Partia nuk dëshironte t’i kundërvihej serbëve më tej duke shkëputur Kosovën, meqenëse këta të fundit e kishin “humbur” tashmë Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinën nga Serbia e Madhe e paraluftës. Kosova, si zemra e mbretërisë mesjetare serbe e shkatërruar nga turqit në vitin 1389, ka qenë atëherë dhe sot, në gjendje të trazojë ndjenjat e forta në radhët e serbëve. Për më tepër, pas vitit 1948 Shqipëria ka qenë një vend armiqësor dhe Jugosllavia nuk mund të rrezikonte të kishte një Republikë shqiptare më vete në Kosovë e cila mund të tjetërsohej. Duke miratuar një politikë të tillë, Partia ishte e detyruar të ndiqte atë pa kompromis që atëherë, sepse ndryshimi i saj tani do të thoshte hapja e Kutisë së Pandorës me kërkesa të tilla: së pari, nga komunitetet e konsiderueshme shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi për t’u bashkuar me Republikën e Kosovës; më pas nga Krahina Autonome e Vojvodinës për barazi, gjë që do të shqetësonte serbët si aty dhe në Serbi; dhe, përfundimisht, për rishikimin e kufijve të Republikave për të marrë parasysh dëshirat e pakicave. Siç është shprehur Dolanc, anëtar i Kryesisë së Partisë: “Krijimi i një Republike do të thoshte absolutisht pa dyshim një sulm për integritetin e Jugosllavisë”. Dhe Sekretari i Partisë, Dragosavac, tha pa mëdyshje: “Çështja e Kosovës është zgjidhur, ajo është pjesë integrale e Serbisë dhe Federatës Jugosllave.”
14. Kështu, duket se jemi edhe një herë dëshmitarë të një situate klasike të një force të parezistueshme të nacionalizmit që ndeshet me objektin e patundur të politikës zyrtare. Diçka, diku duhet të japë: problemi i Jugosllavisë duhet të vendosë se çfarë. Në të kaluarën, Jugosllavia ia ka dalë pas çdo shpërthimi të nacionalizmit në Kosovë që të qetësojë situatën duke ofruar lëshime kushtetuese të cilat në tërësinë e tyre i kanë dhënë Kosovës praktikisht statusin e Republikës. Vështirë të kuptohet – siç e pranojnë privatisht vetë udhëheqësit e Partisë – se sa larg ata mund të shkojnë menjëherë pas dhënies së statusit të Republikës. Por, nuk kam dyshim se ekspertët e zgjuar kushtetues të Jugosllavisë do ta rishqyrtojnë problemin.
15. Ndërkohë, një pjesë tjetër e aparatit të Lidhjes së Komunistëve është duke shqyrtuar gabimet që kanë zbuluar këto ngjarje në sistemin e informimit publik. Shtypi, i drejtuar nga disa kryeartikuj sarkastikë në gazetën “Politika”, është i mbushur me kritika për vonesa në sigurimin e informacioneve për atë që ka ndodhur në të vërtetë. Megjithëse sipas standardeve të shtypit të vendeve të tjera komuniste ngjarjet janë dokumentuar mjaft mirë, Kosova, dhe në të vërtetë autoritetet qendrore, ngurronin fillimisht të tregonin ndonjë gjë si ngjarje të plotë. Për shembull, një ditë pas përleshjeve të 1 prillit në Prishtinë, shtypi kishte të nesërmen vetëm një përmbledhje tepër të shkurtër të raporteve. Asnjë televizion nuk u lejua që të pasqyronte ngjarjet direkt. Siç e vunë në dukje shumë njerëz: “Ne jemi informuar më shumë për Brikston se për Kosovën”! Gazeta “Politika” u ankua se bllokimi fillestar dhe kufizimet e mëvonshme nuk ishin zgjedhje e medies. Në qarqet politike po bëhen pyetje për rolin e medies dhe detyrimin e saj për të informuar menjëherë publikun për çështje që kanë interes legjitim, të cilat mund të kenë rëndësi të konsiderueshme për zhvillimet e mëtejshme në Jugosllavi.
16. Nga ana e jashtme, pasoja kryesore politike ishte përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë pas një përmirësimi të qëndrueshëm gjatë dy viteve të fundit. Udhëheqja jugosllave ishte e kujdesshme në deklaratat e saj publike për të shmangur implikimin e Shqipërisë. Ky qëndrim ndryshoi pas artikullit të udhëheqësit në gazetën “Zëri i Popullit” i datës 8 prill, gjë që u denoncua si ndërhyrje në çështjet e brendshme për t’i ofruar mbështetje nacionalistëve dhe për t’i nxitur ata në revolta të hapura. Megjithatë, është e qartë se Jugosllavia nuk ka dëshirë të reagojë më shumë se kaq. Natyrisht Jugosllavia nuk mund t’i kalojë në heshtje komentet e formuluara me zgjuarsi nga shqiptarët për ngjarjet, por u përpoq t’i përgënjeshtronte akuzat për neglizhencë dhe prapambetje në Kosovë dhe të tregonte vendosmërinë e saj për të trajtuar çdo pretendim ndaj integritetit territorial të saj. Kjo nuk i ka dhënë fund tregtisë së mbarë dhe lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve, të cilat u ruajtën gjatë gjithë kohës së ngjarjeve, por marrëdhëniet politike kanë të ngjarë të mbeten të ngrira për një periudhe të gjatë në vazhdim.
17. Ndërkohë, autoritetet përleshen me problemet imediate për ndreqjen e situatës. Kështu është vënë re një fillim për përmirësimin e kushteve për studentët në Universitetin e Prishtinës dhe janë marrë masa të tjera afatshkurtra të tilla si ulja e çmimeve të disa produkteve ushqimore bazë. Udhëheqësit politikë nuk janë duke u përqendruar në masat afatgjata. Anëtarët e Lidhjes së Komunistëve i janë kthyer me vendosmëri rregullit dhe organizata të tjera politike dhe shoqërore janë duke marrë masat për të rikthyer linjën zyrtare. Gjatë pesë viteve të ardhshme Kosova do të marrë rreth 20 miliardë £ për zhvillimin e ekonomisë dhe shërbimeve sociale nga Fondi Federal, ku pjesa e saj është rritur nga 30 deri në 40%. Sipas Planit të ri 5-vjeçar, Kosova do të marrë gjithashtu fonde të tjera në një shkallë më të gjerë se kurrë më parë gjë që do të mundësojë një zgjerim të madh në arsim, kulturë dhe shëndetin publik, ngritjen e 40,000 apartamenteve të reja dhe ndërtimin ose zgjerimin e fabrikave industriale, veçanërisht për të shfrytëzuar burimet energjetike dhe pasuritë minerale të Kosovës, duke ofruar kështu më shumë punë dhe një normë rritjeje prej 60% mbi mesataren jugosllave.
Përmbledhje
18. Ngjarjet në Kosovë erdhën si një zgjim i ashpër ndaj udhëheqjes jugosllave në përfundim të vitit të parë të saj pa Titon. Sidoqoftë, këto ngjarje nxorën në pah jo një problem të ri, por një problem endemik, të cilin as vetë Tito nuk kishte mundur ta zgjidhte me gjithë autoritetin dhe karizmin e tij. Po kështu, as udhëheqësit aktualë, siç e pranojnë edhe vetë, nuk mund t’i japin zgjidhje këtij problemi. Por në këtë rast ata treguan, pas befasisë së fillimit, një pjekuri për t’u përshëndetur për mënyrën e përmbajtur dhe pozitive me të cilën e trajtuan situatën. Me një përdorim minimal të forcës, ata vunë me shpejtësi nën kontroll trazirat dhe nuk lejuan që të përfshihej i gjithë populli i Kosovës. Ky qëndrim së bashku me refuzimin e tyre për të pranuar thirrjet për përdorimin e “dorës së fortë” dhe në vend të kësaj, për të vazhduar me rrugën e zgjedhur drejt demokratizimit më të madh, ofrojnë argumente të arsyeshme për të besuar se udhëheqja do të jetë në gjendje që të mbajë Federatën të bashkuar.
19. A ka të ngjarë që ngjarjet në Kosovë të ndikojnë tek ne? Këto ngjarje ndikojnë në masën që autoritetet jugosllave mund të pritet të tregojnë rritje të shqetësimit të tyre në lidhje me unitetin dhe integritetin territorial të tyre, dhe për pasojë një ndjeshmëri më të mprehtë ndaj nacionalizmit si forcë përçarëse, e më në veçanti të shprehur në aktivitetet e emigrantëve apo fqinjëve të tyre. Nga ana jonë, pak gjë mund të bëhet në përmbushjen e kërkesave të jugosllavëve për të përmbajtur emigrantët e tyre armiqësorë dhe nuk kemi ndërmend të përfshihemi në mosmarrëveshjet lokale ballkanike. Por, me deklaratën e saj të vendosur vitin e kaluar mbi vlerën që i japim integritetit territorial dhe pavarësisë së vendit të tyre, Kryeministrja jonë i dha shumë kënaqësi jugosllavëve. Vizita e ardhshme në Londër në qershor e sekretarit të Jashtëm, z. Vrhovec, do të në japë një mundësi tjetër për të riafirmuar këtë mbështetje.
20. Këtë informacion po jua dërgoj përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Uashington, Moskë, Athinë, Sofje, Bukuresht, Budapest, Romë, Bon, Paris, përfaqësuesit të përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Konsullit të Përgjithshëm të Madhërisë së Saj në Zagreb.
Mbetem, Shkëlqesia Juaj,
I Juaji besnikërisht,
E. Bolland
Konfidenciale
Ambasada britanike Beograd 24 prill 1981
Përmbledhje
Kosova
1. Vlerësim i mëtejshëm i trazirave më të fundit në Kosovë (paragrafi 1).
Ngjarjet
2. Demonstratat e studentëve filluan në Prishtinë, më 11 mars, si një protestë kundër kushteve të jetesës dhe punës. Ato rifilluan, më 26 mars, por morën ngjyra politike dhe u shtypën me ashpërsi nga forcat e milicisë. Më 1 prill, shpërthyen demonstrata të dhunshme nacionaliste shqiptare nga nxënësit e shkollave dhe studentët të cilat zgjatën për disa ditë duke lënë nëntë persona të vdekur dhe 206 të plagosur (paragrafët 2-6).
Shkaqet
3. Demonstratat u frymëzuan nga nacionalistët shqiptarë dhe pasuan me një sërë përpjekjesh të dhunshme që nga lufta e kosovarëve për të arritur një identitet kombëtar më vete nga Serbia. Nuk ka të dhëna për përfshirje sovjetike apo shqiptare, me gjithë tundimet për këtë të fundit. Ankesat ekonomike dhe shoqërore gjithashtu kanë luajtur rolin e tyre. Udhëheqja nuk arriti të lexonte dhe t’i përgjigjej siç duhet shenjave paralajmëruese (paragrafët 7-11).
Pasojat
4. Mund të ketë ndryshime në udhëheqjen e Kosovës siç analiza nxjerr në pah dobësitë në trajtimin e ngjarjeve. Partia përballet me dilemën e hershme për të pajtuar pretendimin objektivisht të arsyeshëm të Kosovës për statusin e Republikës me kundërshtimet e brendshme politike dhe të sigurisë të perceptuara si parësore. Marrëdhëniet me Shqipërinë u përkeqësuan, por Jugosllavia nuk dëshironte të reagonte më shumë. Menjëherë pas marrjes së masave përmirësuese, autoritetet janë duke u përqendruar tashmë në masat afatgjata politike dhe ekonomike të zhvillimit (paragrafët 12-17).
Përmbledhje
5. Nacionalizmi në Kosovë është një problem endemik të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte. Pas goditjes së parë, udhëheqësit aktualë treguan pjekuri në trajtimin e këtij problemi. Jugosllavia ka të ngjarë që të rrisë shqetësimin për integritetin e saj territorial. Mbështetja jonë do të mirëpritet (paragrafët 18-19).
(VIJON)
© Pashtriku.org
___________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (VI)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba