DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (VII)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (VII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-19-

      Për përdorim të kufizuar

A. E. Montgomery Esq                                                                            Ambasada britanike
EESD                                                                                                                      Beograd          

FCO                                                                                                                   29 prill 1981

I nderuar Alan,

Jugosllavia/Shqipëria

1.         Ka pasur një kthesë në rritje në spiralen e polemikës së rihapur ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë mbi ngjarjet në Kosovë. Pa dyshim nuk duhet ta keni parë kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, i datës 23 prill, i cili prirej të bënte thirrje që Jugosllavia të reagonte. Shtypi parashikonte një përgjigje të fortë e cila për herë të parë erdhi më 27 prill në formën e një fjalimi të mbajtur nga Fadil Hoxha, anëtar i Kryesisë Federale të Kosovës para një grupimi aktivistësh të Partisë në Prishtinë. Së pari, ai trajtoi statusin e Kosovës brenda Federatës; së dyti trajtoi kritikën e Tiranës për prapambetjen ekonomike të Kosovës, dhe së treti, trajtoi marrëdhëniet Jugosllavi/Shqipëri. Më pas gazeta “Politika” ndërmori një kundërsulm përmes një artikulli të fuqishëm më 29 prill në vija të njëjta.

Statusi i Kosovës

2.         Hoxha bëri një shpjegim shumë mbrojtës të statusit të Kosovës ku pasqyrohej e gjithë palogjikshmëria e pozitës Federative. Ai pohoi se forcimi dhe jo shpërbërja e Jugosllavisë kishte rëndësi i jetësore për shqiptarët e Kosovës që të arrinin barazinë e tyre të plotë kombëtare. Kjo ishte shkaktuar përmes statusit kushtetues të Kosovës si element përbërës i Federatës Jugosllave dhe pjesë integrale e Serbisë. Në realitetin e ndërlikuar të Ballkanit, që rezulton nga zhvillimet historike, parullat që bënin thirrje për kalimin e Kosovës në Republikë në fakt u drejtuan drejt shkatërrimit të Jugosllavisë, realizimit të qëllimeve irredentiste të liga dhe rihapjes së çështjes së kufijve, e cila në Aktin Final të Helsinkit ishte vlerësuar si rrezik i madh për paqen në Evropë dhe në botë. Hoxha tha se ishte thellësisht i bindur se kjo nuk ishte në interesin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët e dinin mirë se e kishin arritur lirinë dhe zhvillimin e tyre të plotë kombëtar dhe mund t’i pasuronin më tej ato, jo përmes konfrontimit me kombin serb dhe kombet e tjera të Jugosllavisë, por përmes bashkëpunimit dhe unitetit. Nëse duhej nxitur nacionalizmi për Shqipërinë e Madhe, kjo do t’i jepte shkas thirrjes për Serbinë e Madhe, Bullgarinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe çdo lloj tjetër nacionalizmi në Ballkan, që lehtësisht do të bëhej bazë për forcat agresive në botë, për ta kthyer Ballkanin në një fuqi baruti.

3.         Duke e justifikuar statusin e Kosovës si Krahinë Autonome, Hoxha tha se çdokush e dinte se ky status kishte ardhur si rezultat i “dëshirës së të gjitha kombeve dhe kombësive tona përmes vendimeve të marra nga Krahina, Republikat dhe Federata në vitet 1945 dhe 1946, pra përmes vendimeve të lira mbi bazën e dëshirës së shprehur të popullit të Kosovës si dhe kombit dhe kombësive të Serbisë që ne duhet të shoqërohemi së bashku në Serbi brenda Federatës”. Krahina ishte tërësisht e barabartë dhe përgjegjëse për zhvillimin e saj, ndërkohë që i arrinte të drejtat e veta sovrane brenda Serbisë. “Prandaj”, ai tha “as ne dhe askush tjetër në Jugosllavi nuk sheh ndonjë nevojë për ndryshime në organizimin themelor të vendit tonë”. Hoxha la jashtë rrëfimit të tij aspiratat e nacionalistëve shqiptarë, të cilët shohin vërtetë nevojën për ndryshim dhe të cilët do të kenë në mendje, siç e theksoi me mjeshtëri gazeta “Zëri i Popullit”, se ajo që është e mirë për maqedonasit duhet të jetë e mirë për shqiptarët.

Prapambetja e Kosovës

4.         Hoxha kaloi më pas në një argument më të sigurt për të hedhur poshtë thumbimet e Tiranës lidhur me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai pyeti me ironi: “Nëse serbët supozohet se janë përgjegjës për prapambetjen e Kosovës, kush është përgjegjës për prapambetjen e Shqipërisë?”. Ai theksoi se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë ishte më i ulëti në Evropë; se vetëm Prishtina kishte më shumë automjete, pajisje shtëpiake elektrike, televizorë dhe radio sesa Shqipëria; dhe se Kosova kishte dyfishin e studentëve të një popullsie që përbënte gjysmën e asaj të Shqipërisë.

5.         Në një përpjekje të dukshme për t’ia kthyer Tiranës pretendimin e saj mbi të drejtën për t’u shqetësuar për shqiptarët e Kosovës, Hoxha tha se nëse duhej të ishte kështu, shqiptarët e Jugosllavisë duhet të kishin të njëjtën të drejtë të ishin të shqetësuar për vështirësitë dhe ngarkesat që mbartnin bashkëqytetarët e tyre në Shqipëri, veçanërisht mungesën e lirisë së udhëtimit të këtyre të fundit, qoftë brenda apo jashtë vendit të tyre.

Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri

6.         Hoxha e shprehu të gjithë këtë më shumë me dhimbje sesa me zemërim. Ai vazhdimisht i referohej keqardhjes së Jugosllavisë për situatën në Shqipëri, veçanërisht që populli në Shqipëri ishte aq i izoluar dhe i indoktrinuar për të pasur frikë nga fqinjët e vet. Ai e siguroi Shqipërinë se Jugosllavia nuk përbënte rrezik për të; se qëllimi i saj ishte që marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve të ishin sa më të mira; dhe që Kosova duhej të ishte një faktor miqësie. Jugosllavia ishte e përgatitur të kalonte mbështetjen pak a shumë të hapur ose të fshehtë të Shqipërisë për nacionalizmin e Shqipërisë së Madhe. Megjithatë ai bëri të qartë se ishte e papranueshme vënia në dyshim nga ana e Shqipërisë e kufijve që rezultonin nga Traktati i Londrës dhe Traktati i Versajës: Jugosllavia nuk do të lejonte askënd të kërcënojë kufijtë e saj. Ai i kujtoi Shqipërisë se Jugosllavia ende besonte në deklaratat e udhëheqësve shqiptarë se çdo sulm ndaj Jugosllavisë do të konsiderohej sulm ndaj vetë Shqipërisë! Megjithëse lëvizjet e fundit të Tiranës hedhin një hije të madhe dyshimi dhe pasigurie në marrëdhëniet midis tyre, Jugosllavia nuk do ta ndryshonte politikën e saj të fqinjësisë së mirë. Ai përfundoi duke bërë thirrje për vigjilencë ndaj çdo armiku dhe pohoi me vendosmëri se Jugosllavia nuk do të lejonte askënd që të luante me fatin e saj.

Komente

7.         Fakti që Fadil Hoxha, arma më e madhe e Kosovës, është përdorur për t’iu përgjigjur gazetës “Zëri i Popullit” tregon seriozitetin me të cilin Jugosllavia shikon kritikën e Shqipërisë. Megjithëse deklarata e tij e rastit për Kosovën që të mbetet Krahinë Autonome në Federatë është e mbushur me mospërputhje, udhëheqja e ndjeu qartazi se duhej të thoshte diçka më shumë se deklaratat monotone të Dolanc dhe Dragosovac mbi pandryshueshmërinë e politikës. Sidoqoftë, vlen të përmendet se Hoxha e kaloi në heshtje atë që Tito i kishte thënë Enver Hoxhës në vitin 1946 se “Kosova dhe zona të tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe ne do t’ju a kthejmë ato por jo tani pasi reagimi për Serbinë e Madhe nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Nëse kjo është e vërtetë, dyshoj se jugosllavët do të preferojnë që ta ruajnë këtë të fshehtë sesa të hapin diskutim për marrëveshjet e arritura në atë kohë nga Tito për oportunizëm të qartë politik.

                                                                                                                                 I Juaji,                                                                                                                                    T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq                                                                                      

Departamenti i Kërkimit, FCO

-20-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                 Ambasada britanike   

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                    Beograd  

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 29 prill 1981

I dashur Charles,

Kosova

1.         Duhet thënë se nuk kalon asnjë ditë pa pasur ndonjë zhvillim të ri në jehonën e ngjarjeve në Kosovë. Nuk na lejohet ende të shkojmë aty që të shohim situatën, por një nga punonjësit tanë tregtarë të angazhuar në atë zonë më ka dhënë përshkrimin e përvojës së tij nga një vizitë tregtare aty javën e kaluar.

2.         Dushko Sokiç ka udhëtuar me makinën e tij për arsye regjistrimi për llogari të Beogradit, nga Shkupi në Prishtinë, dhe më pas në Mitrovicë dhe sërish në Beograd. Ai, si të gjithë udhëtarët e tjerë, u ndalua rreth 10 km larg Shkupit nga forcat e milicisë me helmeta çeliku, por u lejua të kalonte pasi paraqiti kartën së tij të identitetit. Ai vuri re se dy makina me targa të huaja, ndoshta të Gastarbeiter me pushime, ishin ndaluar në anë të rrugës dhe u ishte kërkuar të prisnin. Ai u ndalua përsëri në periferi të Prishtinës nga policia e Malit të Zi (ai mund t’i dallonte nga aksenti) dhe përsëri u lejua të kalonte pa vështirësi. Ai dalloi police femra që kontrollonin pasagjeret femra në një autobus. Ai ndeshi pika të tilla të ngjashme kontrolli nga policia – pa postoblloqe – gjatë rrugës së tij për në Prishtinë.

3.         Në Prishtinë, lëvizja e njerëzve dhe automjeteve ishte pothuajse normale, megjithëse ai vuri se ana shqiptare e rrugës kryesore ishte më e qetë se zakonisht dhe kishte më pak njerëz në kafenenë kryesore. Hotelet nuk lejoheshin të pranonin të huaj pa leje të veçantë dhe, një shqetësim i madh për të zotët e hoteleve, ishte fakti se një delegacion i Bankës Botërore u refuzua që të pranohej në hotelin kryesor për një farë kohe, meqenëse nuk kishte njoftuar më përpara!

4.         Sokiç foli me një numër zyrtarësh dhe biznesmenësh drejtues shqiptarë. Ato ishin të shqetësuar veçanërisht për faktin se udhëheqësit kryesorë të demonstratave nuk ishin kapur ende dhe spekulonin se do të kishte më shumë trazira më 4 maj, ditën e përvjetorit të vdekjes së Titos. Ato kritikuan me unanimitet Bakallin, për trajtimin që i kishte bërë situatës dhe që nuk i kishte kushtuar vëmendje paralajmërimeve të trazirave studentore nga Azem Vllasi, udhëheqësi i mëparshëm i rinisë, i cili aktualisht është në Kryesinë e Aleancës Socialiste të Kosovës. Vllasi, në përgjithësi, konsiderohej nga kontaktet e Sokiç si një figurë në rritje, megjithëse kam dëgjuar se në një mbledhje të kohëve të fundit të studentëve në universitet ai është quajtur “tradhtar”, gjë që sugjeron se mund të ketë humbur mbështetjen e studentëve. Ai tha se problemi për heqjen pa zhurmë të Bakallit ishte se nuk ekzistonte më Tito për ta urdhëruar atë. Fadil Hoxha ishte shfaqur me reputacion në rritje dhe mendohej se ai ishte i vetmi njeri që mund të zgjidhte problemet e Kosovës.

5.         Sidoqoftë, Kryesia e Komitetit Krahinor të Kosovës u mblodh më 27 prill dhe shqyrtoi shkaqet, rrethanat dhe pasojat e ngjarjeve të fundit “me një këndvështrim të veçantë kritik ndaj veprimeve të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe organizatave të tjera socio-politike dhe organeve të vetëmbrojtjes sociale në krahinë”. Këtu ekziston mundësia që të përcaktohet përgjegjësia për individë konkretë. Le të shohim.

                                                                                                                                  I Juaji,
                                                                                                                             T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit, FCO

-21-

Konfidenciale

GR 420

Fm Beograd 3101255Z APR 81                                                                  

DIREKT PËR FCO                                                                                  Kopje origjinale

Nr. tel. 056, datë 30 prill ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje Washington (FCO PSE PASS)

Kosova

1.         Ka të dhëna se procesi i normalizimit të situatës në Kosovë nuk po shkon mirë siç do të donin autoritetet. Ka kaluar një muaj që prej demonstratave kryesore dhe Kosova është ende e mbyllur për të huajt, me përjashtim të atyre që punojnë në Kosovë; gjithashtu mbeten në fuqi masa të forta sigurie për të kontrolluar lëvizjen në këtë krahinë. Në një mbledhje të përbashkët të Kryesisë Federative dhe Këshillit Federativ për mbrojtjen e rendit kushtetues më 29 prill, Kolisevski tha se autoritetet nuk kishin zbuluar dhe shkatërruar ende forcat armiqësore që vepronin aty. U propozuan masa të mëtejshme konkrete për të përmirësuar sistemin e mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjes sociale ne krahinë.

2.         Nga Kosova janë infiltruar raporte mbi mundësinë e demonstratave të mëtejshme gjatë fundjavës së ardhshme që përfshin festën e 1 majit dhe përvjetorin e vdekjes së Titos më 4 maj. Një pjesë e përmbajtjes së këtyre raporteve është dhënë nga një gazetë e Prishtinës e datës 30 prill, e cila konfirmoi aktivitetin e vazhdueshëm armiqësor dhe përmendi në mënyrë të veçantë rastin e përpjekjes së nxënësve të shkollës në një zonë 10 kilometra nga Peja, për të shpërndarë fletushka ku bënin thirrje për demonstrata të reja. Një lektor francez në Universitetin e Prishtinës, ka raportuar gjithashtu se 50% e studentëve po bojkotojnë universitetin.

3.         Ka të dhëna se autoritetet janë vigjilente ndaj rrezikut dhe mund të pritet që të marrin të gjitha masat e mundshme paraprake për të evituar trazira të tjera. Sidoqoftë, ato duhet të jenë të shqetësuara se me gjithë përpjekjet e tyre të konsiderueshme deri më sot, duket se liderët kryesorë nuk janë kapur dhe janë ende në gjendje të organizojnë aktivitete armiqësore. Kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve u mblodh më 29 prill për të shqyrtuar ngjarjet e ndodhura dhe përgatiti masat për kapërcimin e situatës aktuale që do të diskutohet në një mbledhje të komitetit qendror më 7 maj.

Bolland                                                                                              [Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

-22-

PS/Z. Blaker

                                                                                                                            5 maj 1981

Vizitë e ambasadorit jugosllav: 6 maj ora 11.00 am

1.         Ambasadori jugosllav do të bëjë një vizitë nesër, me kërkesën e tij, tek z. Blaker. Ai ka nënkuptuar se dëshiron të diskutojë çështje të OSBE-së, politikën e BE-së në Azinë Jugore dhe Gjirin e Meksikës, dhe “marrëdhëniet e Jugosllavisë me një prej fqinjëve të saj” (që mendojmë se është Bullgaria ose ka të ngjarë Shqipëria). Bashkangjitur po ju dërgoj një notë me pikat që do të diskutoni dhe disa fakte thelbësore.

2.         Z. Gray do të marrë pjesë në vizitë për të mbajtur shënime.

                                                                                                                   A. E. Montgomery                                                    Departamenti Sovjetik & Evropës Lindore

-23-

Vizitë e ambasadorit jugosllav tek z. Blaker: 6 maj

Çështjet për diskutim

OSBE

… Shqipëria: Trazirat në Kosovë

18.       Ngjarjet janë ndjekur me shumë interes. Jemi të kënaqur që trazirat kanë rënë. Nuk ka rënie në mbështetjen e Qeverisë së Madhërisë së Saj për stabilitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. Shenjë e këtij qëndrimi është miratimi kohët e fundit nga ana jonë për të eksportuar në Jugosllavi një sasi të konsiderueshme pajisjesh të sigurta për kontrollin e trazirave.

-24-

Procesverbal i bisedës ndërmjet ambasadorit jugosllav dhe ministrit të shtetit, Zyra e Jashtme dhe Komonuelthit: 11 ammë 6 maj 1981

Të pranishëm:

Z. P A R Blaker                                                      Z. Berisavljeviç, ambasadori jugosllav

Z. J. Macgregor

Z. J C R Gray

1.         Pas përshëndetjeve të përzemërta, ambasadori tha se ishte i kënaqur me situatën e marrëdhënieve midis Britanisë dhe Jugosllavisë. Pas vizitës së kryeministres në shtator 1980 marrëdhëniet ruajtën po atë ritëm.

2.         Ambasadori dëshironte të diskutonte marrëdhëniet e Jugosllavisë me fqinjët e saj, dhe në veçanti me Shqipërinë: kjo marrëdhënie ishte ndërlikuar që prej trazirave të fundit në Kosovë. Autoritetet po i analizonin ende këto ngjarje, të cilat kishin ndodhur aq papritur. Duket se për këtë ka tre shpjegime themelore. Së pari, përkeqësimi ekonomik i Jugosllavisë kishte ndikuar disproporcionalisht në Kosovë, dhe kjo situatë nga ana e saj e ka rënduar pakënaqësinë që ndjehet në Kosovë për varfërinë e saj relative krahasuar me Slloveninë dhe Kroacinë të cilat gjatë viteve të fundit ishin zhvilluar shumë shpejt. Së fundmi, kishte faktorë të rëndësishëm politikë. Autoritetet e kishin nënvlerësuar forcën e ndjenjës kombëtare shqiptare. Por, pika më shqetësuese ishte se autoritetet shqiptare dukej qartazi që ishin përfshirë thellësisht në këto trazira në një kohë kur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ishin më të mirat që në vitin 1949. Tregtia ishte rritur me shpejtësi. Për pasojë, autoritetet jugosllave ishin veçanërisht të shqetësuara për këtë aspekt. Ato nuk kishin informacion të saktë se çfarë po ndodhte në Shqipëri por dukej që aty zhvillohej luftë për pushtet. Z. Blaker pyeti nëse ambasadori nënkuptonte se ngjarjet në Kosovë kishin lidhje me ndryshimet e mundshme në udhëheqjen shqiptare. Ambasadori theksoi se Shqipëria po përpiqej të kapërcente izolimin e vetimponuar. Kjo politikë duket se ka shkaktuar përçarje në radhët e udhëheqjes.

3.         Por, ky nuk ishte presioni i vetëm për Jugosllavinë. Edhe linja bullgare ishte shqetësuese. Polemikat e kohëve të fundit në veprat historike bullgare ishin frymëzuar qartazi nga burime zyrtare dhe sugjeronin, për shembull, se Jugosllavia ishte çliruar nga trupat bullgare në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe se maqedonasit ishin një komb “i shpikur”. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse jugosllavët ishin të shqetësuar për festimet e ardhshme të përvjetorit të 1300-të të shtetformimit të Bullgarisë. Siç sugjeronin disa analistë në Londër, ata e kishin të vështirë të besonin se festimet do të ishin një manifestim i nacionalizmit bullgar përballë Bashkimit Sovjetik. Një gjë e tillë ishte e paimagjinueshme. Nacionalizmi bullgar drejtohej gjithmonë kundër Jugosllavisë. Kështu, z. Blaker do ta kuptonte që jugosllavët ishin të shqetësuar se si mund të lindnin praktikisht njëherësh dy burime të veçanta presioni.

4.         Z. Blaker tha se shpresonte që ambasadori e kishte kuptuar qartë se mbështetja e Qeverisë britanike për unitetin e Jugosllavisë nuk kishte ndryshuar. Ambasadori e miratoi pohimin e tij. Z. Blaker tha se në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ekzistonin limite të qarta të influencës që qeveria britanike mund të sillte për qeverinë shqiptare. Por ne asnjëherë nuk do të mbështesnim asnjë kërcënim ndaj integritetit të Jugosllavisë. Gjithashtu, as nuk do të mbështesnim aspiratat bullgare ndaj territorit jugosllav. Për sa i përket përvjetorit të 1300-të, ambasadori u vu në dijeni se Komitetit Britanik i Nderit përbëhej nga figura akademike dhe kulturore të kryesuara nga Lordi Goronwy-Roberts. Nuk kishim arsye të besonim se bullgarët do të shfrytëzonin përvjetorin për propagandë antijugosllave në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike nuk do të hiqte dorë nga neutraliteti i saj i rreptë në çështjen e Maqedonisë dhe nuk do të bëhej palë në asnjë përpjekje për të shfrytëzuar festimet për propagandë në këtë çështje.

OSBE

5.         Z. Blaker tha se hartimi i një dokumenti neutral dhe mosangazhimi do të shërbente si bazë e dobishme për diskutime të mëtejshme. BRSS-ja vazhdonte ende me idenë e një konference për detantën ushtarake dhe çarmatimin. Por, nuk ka pasur progres në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, marrëdhëniet dhe çështje të informimit. Po bëhej e vështirë për ne t’i bënim rusët të përcaktonin se çfarë nënkuptonin me propozimin e tyre që CBM-të duhet të zbatohen për të gjithë pjesën evropiane të Bashkimit Sovjetik me kusht që në këtë mënyrë Perëndimi të zgjeronte zonën e besimit. Po kështu, nuk ishim të përgatitur që të ndaleshim përgjithmonë në çështjen e Madridit. Zvarritja e tepërt mund të zhvlerësonte OSBE-në siç kishte ndodhur me MBFR. Ambasadori pyeti nëse do të vendosnin diçka të ngjashme me formulën që ishte arritur në Beograd në rast se nuk përftohej një dokument thelbësor final. Z. Blaker tha se ne shpresonim për një marrëveshje më të ekuilibruar, por që në rast se nuk do ta arrinim këtë, atëherë do të pranonim minimalisht diçka të ngjashme me formulën e Beogradit me kusht që të nesërmen të përfshinte marrëveshjen.

6.         Takimi përfundoi në orën 11.00.

Shpërndahet për:

PS/Z.Blaker

Z. Bullard

Z. Fergusson

EESD

Departamenti i OSBE

Departamenti i Kërkimit

Kancelaritë: Beograd, Sofje             

-25-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                    Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                               Beograd       

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 5 maj 1981

I nderuar Charles,

Kosova: Situata e sigurisë

1.         Në telegramin tonë nr. 56, të datës 30 prill, tregohej vështirësia e vazhdueshme e autoriteteve për të dalë në krye të situatës së sigurisë në Kosovë. Gazeta “Politika”, në një dalje paraprake të artikullit të datës 4 maj për mbledhjen e sotme të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës për të cilën do të raportojmë më vete, ka shpjeguar në detaje seriozitetin e problemit.

2.         Gazeta “Politika” tha se sot, 35 ditë pas demonstratave, situata ishte “më e qetë” por mbetej “shumë e vështirë”. Gjatë ditëve të fundit, veçanërisht më 1 maj, armiku ka vazhduar të rrisë tensionin përmes akteve të vogla të provokimit. Gjatë 10 ditëve të fundit grupe të rinjsh janë shfaqur në të njëjtën kohë në disa qytete, duke vepruar në mënyrë provokative dhe nacionaliste, me veshje kombëtare shqiptare, simbole të veçanta apo bluza me shqiponjën dykrerëshe shqiptare. Udhëheqësi i një grupi prej 50 të rinjsh në Prizren ishte identifikuar si i biri i një emigranti shqiptar. Në fund të prillit dhe në fillim të majit ka patur incidente në Ferizaj, Suharekë, Lipjan, Rahovec, Istog dhe Pejë, të cilat nuk ishin lejuar të përshkallëzoheshin vetëm nga ndërhyrja energjike e forcave të sigurisë. Për të krijuar konfuzion për identifikimin e tyre, pjesëmarrësit në këto “demonstrata paqësore” vepronin qëllimisht jashtë qyteteve të tyre të lindjes. Me gjithë përpjekjet për të shkaktuar trazira, armiku nuk kishte arritur të ndërpriste punën apo festimin e 1 majit. Gazeta “Politika” konkludoi se detyra e autoriteteve nuk ishte kurrsesi e lehtë dhe nuk ishte diçka që mund të zgjidhej brenda pak ditësh. “Rrënjët janë më të thella dhe së pari nevojitet që këto rrënjë të priteshin”.

3.         Kështu, ky raport konfirmon se të rinjtë po vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të organizuar pak a shumë në të njëjtën zonë ku janë zhvilluar demonstratat e mëparshme. Raporti tregon se ata janë të përgatitur të rrezikojnë përballë prezencës së konsiderueshme të forcave të sigurisë dhe se liderët kryesorë nuk janë duke u kapur.

                                                                                                          I Juaji,

                                                                                                     T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

© Pashtriku.org

(VIJON)

……………………………………….

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (VIII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba


Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura