Rexhep Kasumaj, Berlin – Mars, 2024
RRETHI I MBYLLUR I SË KEQES…
(Dhe përse alarmohet Belgradi?)
Marsi është i luftërave, kurse prilli i përket dashurisë.
Porse kjo ndarje perëndish, ka humbur qyshkur fijen e dukshme.
Dhe pra, përherë e më shumë ka vetëm Mars, një anëmarrje e tij mbi botën poshtë.
Me t’u zgjuar, dita, gati rëndom, niste me tmerrin. Ndërsa shfletoja shtypin, lexova lajmin e rr’feshëm: mbi 100 të vrarë në Moskë. Autorësia pranohet nga vetë shteti fantom i ISSI-it islamik.
Për një çast, një si inercie negative sikur më përcyste ndjenjën e padenjë: po fundja, thashë, është një rreth i mbyllur keqësie dhe terrori mbjell terror!
Dhe ashtu, vetishëm, u gjeta pa hir në kurthin e një simpatie të ndaluar.
Në fakt, do të doja që sulmëtarët të ishin një ushtri e rregullt çlirimtare (ruse apo landesh të kolonizuara nga brezi Kaukazjan) dhe të godiste vdekshëm, jo civilë koncerti, por drejt e në Kullat e Kremlinit…
(Po, në messhkrim, ç’ punë ka Serbia me aktin e Moskës? Dhe pse u thirr atje aq ngutshëm këshilli kombëtar i sigurisë? Apo mbase është trauma e lidhjes siameze…Se dhe ajo na qenkësh e kanosur nga elementë islamikë rreth saj!)
Sepse aty, tek dinosaurët e vjetër, është votra e të gjitha të ligave. Por edhe ajo ditë vjen njëherë. Nuk është kurrë e paardhshme.
Perandoritë, ashtu si natyra vetë, lulëzojnë e bien. Rusja poashtu dhe s’mund të jetë ndryshe kurrësesi.
Dialektika urren përjashtimet, e historia dëshmon këtë ligjësi përjetë.