BEHXHET Sh.SHALA BAJGORA: TË GJITHË E KANË DASHUR JABLLANOVIQIN PËR PARTNER, MADJE EDHE ‘VV’, SIKUR QË EDHE KY FARË NEOҪETNIKU U ËSHTË VARDISUR TË GJITHËVE DUKE E PËRJASHTUAR VETËM VV’në!!!

Prishtinë, 26. 01. 2015 – Ultimatume duke ngrënë llokume: Protesta e organizuar nga VV që ishte në krye të saj, ndërsa në bisht ishin AAK dhe Nisma për Kosovën, ndërkaq që Thirrjet e Nënave ishin brenda VV – ishte protesta me një numër të madh protestuesish, përkatësisht ishte protesta më e madhe e organiziur pas përfundimit të luftës në Kosovë! Parullat orientuese, mobilizuese dhe motivuese ishin “Jabllanoviq jashtë“ dhe ”Trepça është e jona”. Me të parën luhej qartazi me emocionet e qytetarëve të Kosovës sidomos me folkloristët politikë dhe simpatizuesit e tyre, ndërsa me të dytën synohej të mbrohej një pasuri strategjike e Kosovës që do të ishte e mirë po të ishte e sinqertë! Organizatorët e protestave nuk e kanë pasur e as që e kanë për qëllim rrëzimin e fashistit ortodoks Jabllanoviq sepse me ate (Aleksandrin e koalicionit) deri dje ishin shumë të përafërt dhe shumë të përzemërt. Ju kujtohen takimet e përditshme të gjithë liderëve, të pozitës dhe të opozitës me Jabllanoviqin dhe përpjekjet që me një serbishte të shëmtuar (as shqipen nuk e flasin si duhet) të duken më të pranueshëm për këtë pasardhës të Kosta Peçancit dhe paramilitarëve tjerë që aktualisht janë trupi i Serbisë në institucionet e Kosovës. Të gjithë e kanë dashur Jabllanoviqin për partner madje edhe VV sikur që edhe ky farë neoçetniku u është vardisur të gjithëve duke e përjashtuar vetëm VV.


Kukuvajkat shqiptare gjatë “ngërçit politik” e lakmonin Listën “SRBSKA”,

ndërsa “srbska” bënte përjashtime!! (sh.b)

================================== 
Shikoni videon: “Blloku – LVAN * Lista SRBSKA”!!!:
A1 Report – Zyrtare, Blloku dhe VV arrijnë marrëveshjen, nesër publikohet

Nuk është se VV nuk ka pranuar të hyjë në koalicion me formacionin paramilitar të Jabllanoviqit por Lista Srbijanska e ka refuzuar VV me sugjerimin e Beogradit, ndërkombëtarëve por edhe të toptanëve kosovarë! Në këtë drejtim kryeministri Mustafa ka plotësisht të drejtë kur thotë (si Skënderbeu) se Jabllanoviqin nuk ua solla unë por e gjeta në mesin tuaj! Askush në skenën politike të Kosovës nuk mund t’i lajë duart, (mos të flasim për fytyrën që për shumicën e tyre është vetëm shprehje anatomike) për futjen e Listës Srbijanska brenda institucioneve pa u vënë fare kushte dhe duke pranuar që ata të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës sipas Kushtetutës së Serbisë! Këso budallakie e kësi nënshtrimi nuk mund të gjeni as në mesin e fiseve të pazbuluara të xhungl]ës së Brazilit ! Është shumë e pamoralshme që dikend ta quani para tre muajve: “i nderuari akademik Mustafa “ndërsa tash e quani gënjeshtar dhe hipokrit sepse e paska tradhëtuar Marrëveshjen e Mukes! Karakteri, morali dhe nderi nuk janë kategori që as krijohen brenda ditës apo muajit e as që humbën brenda ditës dhe muajit! Po të ishte kriter vlerësues karakteri , morali dhe nderi, disa organizatorë të protestave , jo që do të dilnin në protesta por edhe në rrugë do të ndjeheshin të turpëruar të dilnin. Aq për moalin e të pamoralshmëve! Prandaj, këta Jabllanoviqin po e (sh) përdorin në luftë për pushtet ndërsa sa i përket Trepçës e kaluara e tyre nuk jep shpresë se e duan Trepçën për Kosovën prandaj e kanë zbërthyer në sloganin” Trepça është e jona “ parullë kjo tepër sinjifikative dhe posesive. Po të ishte Jabllanoviqi problem , lehtë do t’i gjindej zgjidhja. Idoli im politik dhe ndoshta njeriu i vetëm në Kosovë që i besoj duke mos i komentuar fare postimet e tij por duke i miratuar edhe nëse nuk i kam lexuar fare, Zafir Berisha pati thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të mos e lejojnë fare të hyjë në Kuvend Aca Jabllanoviqin dhe pas kësaj shumë jam frikësuar se Kosova mund të mbetet pa politikanin më të shkëlqyer që e ka, Zafir Berishën me akronimin ZAFA! Deputetët tanë janë trima dhe të paparashikueshëm. Mbahen mend bllokimet që u bëheshin deputetëve kur donin të hynin në Kuvend, kacafytjet me ambasadorë dhe truprojat e tyre, rrahjen pa mëshirë të policëve dhe policeve të Kosovës, marrja e dhunshme e mikrofonit të kryetarit të dikurshëm të Kuvendit dhe protestuesit të sotëm, këpucja e Ganes , përgjakja e Kamishit dhe shumë vepra të tjera në “dobi të kombit dhe shtetit“! Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë mbase ZAFA ka plane të tjera. Po presim! Baca Adem ishte personi më i sulmuar dhe më i fyer kur e tha një të vërtetë se Jabllanoviqi nuk është shkaku por pasoja duke përmendur të gjitha lëshimet (fleksibilitetin) e liderëve, që nga Rambujeja deri më sot! Shkonë Jabllanoviqi, vjen Stojanoviqi e pastaj edhe Nikoliqi, Tadiqi apo Shesheli! Ky është realiteti sot në Kosovë! Nuk mbahet mend askund në botë që një listë (nuk është i regjistruar si subjekt politik) formohet një muaj para zgjedhjeve dhe fiton 95% të votave. Kandidatët e së cilës para dite janë ministra apo deputetë të Serbisë ndërsa në mesditë bëhen ministra apo deputetë të Kosovës! Që marrin dhe vjedhin para të Kosovës ndërsa i shërbejnë Serbisë dhe këtë e thonë haptas! Që nuk i përgjigjen Isa Mustafës ndërsa për një pordhë të Vulinit, Vuçiqit apo Nikoliqit shkojnë në Beograd! Pa , pa sa poshtë kemi rënë ! Jo për ta mbrojtur Bacën Adem e as Isa Mustafën e as për t’i sulmuar ata pa parime dhe pa moral e që tash e bartinë flamurin e parimeve dhe flasin në emër të moralit ju them se të gjithë keni kontribuar duke e futur kudrën në oborr brenda e tash kot e keni t’ia ndiqni këlyshët sepse ajo përsëri, edhe nëse ia largoni të gjithë këlyshët , pas një viti sjellin këlysh të rinjë që nuk do të jenë aspak më falenderues. Këtu është pra problemi, te kudra e jo te këlyshët!
Isa Mustafa dhe Gjergj Kastrioti
Isa Mustafa, kryeministër aktual i Kosovës e përsëriti thënien e Skenderbeut se: ”Jabllanoviqin nuk ua solla unë por e gjeta në mesin tuaj…”. Fantastike, me një fjalë! Vetëm këtij deklarimi i mungon edhe diçka, jo fort e madhe por shumë domethënëse apo vendimtare në mbrojtje të qëndrimit! Isa Mustafa nuk i ka koçet e Gjergj Kastriotit! Prandaj, skajshmërisht e devalvon këtë sloganin arsyetues dhe mobilizues. Isa Mustafa është kryeministër i cili nuk duhet të merret me të kaluarën por me ate çka po ndodhë sot! Anëtarët e kabinetit qeveritar nuk duhet t’i trajtojë në baza etnike , fetare , gjinore apo të tjera por vetëm në përputhje me ligjin. Ai që e shkelë ligjin, duhet të shkarkohet pavarësisht emrit dhe mbiemrit. Jabllanoviq dhe ministrat serbë qartazi nuk e njohin Kosovën si shtet të tyre prandaj duhen të shkarkohen. Në Kushtetutë është e përcaktuar qartë detyrimi i Kosovës ndaj pakicës serbe mirëpo edhe detyrimi i serbëve që pranojnë të bëhen pjesë e institucioneve ndaj Kosovës! Konventat ndërkombëtare dhe dokumentet e tjera për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave kombëtare nuk parashohin ato që kërkojnë serbët në Kosovë! Askund në botë , madje edhe aty ku demokracia ka standardet më të larta. Askush nuk duhet të lejojë që një pakicë e instrumentalizuar dhe e kriminalizuar të bëhet penguese e proceseve integruese dhe zhvillimeve të përgjithshme. Çdo shantazhim është i dënueshëm me ligj ndërkaq që Serbia , përmes serbëve të Kosovës , një pjese të “ miqve “ ndërkombëtarë dhe një copë të klasës esadiste të Kosovës po kontribuon në destabilizim permanent të situatës në Kosovë! Posti i kryeministrit është post me përgjegjësi sidomos në këtë fazë të proceseve që po kalon Kosova prandaj Thaçi nuk deshi të bëhet kryeministër! Jo se nuk pati mundësi por Isën e ka pa dhimbtë! Jam i bindur se Thaçit më shumë i është dhimbsur Mbreti Abdullah i familje Sahud (prandaj ka shkuar për ngushëllime) se kryeministri Isa Mustafa i familjes së Fanalive (prandaj nuk është në krah të tij)! Isa Mustafa duhet ta largojë Jabllanoviqin nga qeveria, jo se dikush po vë ultimatume duke ngrënë llokume, por se duhet të vendosë rend dhe rregull në qeveri! Në të kundërtën do të mbetet edhe pa Jabllanoviqin, pa qeverinë dhe pa askend! Me zbatimin e ligjit do të sulmohet nga jashtë por do të forcohet nga brenda. Nëse vazhdon të trimërohet duke cituar Skënderbeun dhe arsyetuar Jabllanoviqin, protestat vetëm sa do të forcohen, masovizohen dhe do ta fitojnë legjitimitetin që tash, pasi po bëhen përpjekje të keqpërdoren nga opozita, këtë legjitimitet e kanë të mohuar!
Çka pas protestave
Protestat filluan mirë dhe përfunduan me dhunë! Kjo dhunë nuk i shërben fare Isa Mustafës por i bënë mirë opozitës së Isës brenda qeverisë dhe Kuvendit. Ndonëse e kanë gjykuar këtë dhunim , edhe AAK , Nisma për Kosovën por sidomos VV e llogarisin si pikë në favor të tyre. Ndërkombëtarët nuk e kanë brengën e Kosovës por sugjerojnë se: ”bëni ç’të bëni por mos i shqetësoni serbët“. Kjo është formula e tyre për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e situatës së sigurisë! Definitivisht Kosova ka nevojë për protesta. Për shumë protesta kundër migrimit ilegal dhe legal, kundër varfësisë shkatërruese, kundër papunësisë që vetëm sa po rritet. Kosova ka nevojë për protestë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova ka nevojë për protestë kundër plaçkitësve të buxhetit të mjerë të qytetarëve të Kosovës nga kusarët e uniformuar të KEDS-it të cilëve ua falën asetet e KEK-ut turkoshakët e politikës kosovare. Këta që po thërrasin për protesta, pasi nuk fituan zgjedhjet po bëjnë përpjekje që me përmbysje ta marrin pushtetin. E kanë bërë mirë llogarinë! Nëse shkohet në zgjedhje nuk do të fitonin asgjë. Nisma do të mbulohej nga pluhuri i arkivës ndërsa AAK do t’i përjetonte vuajtjet e Tantalit për ta kaluar pragun zgjedhor! Në skenë do të mbeteshin vetëm PDK, LDK dhe VV (eplagosur). Opozita e ka vlerësuar se me përmbysje të pushtetit mund ta rifitojë dhe forcojë pozicionin politik. Prandaj brohorisin parulla demagogjike: “se do të jenë me popullin deri në fund “. Po t’i dëgjojë këta ndonjë kinez apo mik verikorean , do të mbeteshin pa frymë! Kështu, të gjithë njihemi mirë dhe populli ka votuar ! Skena politike në Kosovë është aq e paskrupullt sa akterët mund të shahen dhe t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit muaj me radhë e kur është në pyetje ndarja e pushtetit lehtësisht merren vesh . Shahen një vit ndërsa merren vesh për pushtet për një minutë! Tipike mafioze!
Bartës dhe organizues të protestave duhet të jenë të rinjët sepse ata po e pësojnë më së shumti. Të rinjtë nuk duhet të lejojnë të manipulohen nga subjektet politike sepse nuk do të ketë fare ndryshim! Protestat që kanë lëvizur proceset dhe kanë bërë historinë në Kosovë nuk kanë pasur ngjyrime politike por kanë qenë shprehje e vullnetit kombëtar! Pjesa më e madhe e ushëheqësve në Kosovë e kanë humbur besueshmërinë prandaj nuk meritojnë t’u besohet pafundësisht! Protestat politike nuk e ndryshojnë gjendjen por e zëvendësojnë një gjendje të keqe me një gjendje tjetër të keqe! Pjesa më e madhe e kanë shkërdhyer besimin tonë! Kanë mbetur shumë pak që mund t’u besojmë. Edhe ndonjë ditë! Pra, reflektimi nuk vlenë vetëm për Isa Mustafën por edhe për opozitën. Vlenë shumë edhe për ne, dyfytyrëshit e shoqërisë civile!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura