Nga Asallan Muharremi
Xhafer Shatri kishte vepruar me shpejtësi nëpër të gjitha rrethet dhe përçarja e LRSSHJ-së ishte, de facto, një çështje e kryer. E keqja ishte edhe më e madhe sepse LNÇKVShJ-ja dhe OMLK-ja e dikurshme ishin përçarë dhe gjendja ishte ashtu siç kishte qenë para bashkimit të pas vrasjes së shokëve në Untergrupenbach. Shumica absolute e ish anëtarëve të LNÇKVShJ-së u rreshtuam përkrah qëndrimeve të Sabri Novosellës, ndërsa shumica absolute e ish anëtarëve të OMLK-së u rreshtuan përkrah Xhafer Shatrit dhe Ibrahim Kelmendit.
Mirëpo, Sabri Novosella që e kishte nisur këtë ndarje, ishte kthyer në Turqi dhe dukej qartë se “grindja” dhe akuzat e ndërsjella në mes Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit kishin hedhur në “fushën e betejës” problemet e grumbulluara të lëvizjes sonë kombëtare. Duke pasur parasysh edhe shkapërderdhjen tonë, nëpër vende të ndryshme të Evropës, zgjedhja e problemeve që kishim para vetes, ishte një çështje shumë më e komplikuar sesa dukej në sipërfaqe.
Ndonëse ishim të shkapërderdhur nëpër shumë vende të Evropës Perëndimore dhe gjetiu nëpër botë dhe kishim shumë vështirësi për t’u takuar me njëri-tjetrin (për shkak se shumë prej nesh nuk kishim dokumente udhëtimi); ndonëse ishim, shumica prej nesh, të një moshe shumë të re dhe me moshë mesatare nën njëzet e pesë vjeç, në radhët tona mbretëronte një qartësi e jashtëzakonshme se nga duhej të ecnim. Kjo ishte një mrekulli e madhe dhe që të krijonte kënaqësi të ishte pjesë e një rrethi të tillë shokësh.
Krahu ynë që kishte në ballë Sabri Novosellën, Xhafer Durmishin, Faridin Tafallarin, Remzi Ademin, Haxhi Berishën, Elmaz Ademin, Hafiz Gagicën dhe shumë veprimtarë të tjerë në Gjermani, Zvicër, Francë, Suedi, Belgjikë, ShBA, Australi e Turqi e kishte të formuar qëndrimin politikë që duhej ta mbanin në këtë epokë të luftës sonë për Republikë dhe barazi me popujt tjerë të Jugosllavisë.
Kjo qartësi ishte me rëndësi shumë të madhe për të ecur më tutje në luftën tonë si dhe për të hedhur themelet e rindërtimit të organizatës sonë politike mbi themele të reja. Luftë pa kompromis i shpallëm qysh në fillim sektarizmit dhe njëkohësisht po kërkonim rrugët që do të na shpinin kah rritja e Lëvizjes sonë, duke shfrytëzuar të gjitha format e veprimtarisë legale dhe bashkërendimin e tyre me veprimtarinë ilegale. Gjatë kësaj kohe kemi mbajtur takime intensive nëpër rrethe dhe vende të ndryshme, por edhe kemi këmbyer letra dhe mendime për programin e ri definuar dhe përpunuar që do ta kishim si udhërrëfyes në luftën tonë për liri dhe barazi.
***
Në kampin e refugjatëve në Salzach, të gjithë refugjatët, gjatë javës, kishim disa ditë pune të detyrueshme. Puna që na kërkohej ta bënim, ishte punë në përgatitjen e ushqimit për banorët e kampit. Për këtë punë shpërbleheshim me diku rreth tetëdhjetë franga zviceran në muaj, që ishin të mjaftueshme për të blerë ndonjë zarf, apo artikull të higjienës personale.
Një ditë, gjersa isha në kuzhinë, erdhi një refugjatë dhe më tha se dy burra shqiptarë janë duke e kërkuar një shqiptar që banon këtu dhe që quhet Ali!
‒ A e njeh shqiptarin që quhet Ali dhe që banon në kampin tonë?! ‒ më pyeti, i habitur Hasani nga Kurdistani.
Edhe unë u bëra se nuk po njihja Aliun, që po e kërkonin dy burrat e panjohur. Së bashku me kurdin u nisa në drejtim të burrave që po qëndronin tek dera e shtëpisë së kampit. Kur u afrova afër tyre u prezantova se kush isha dhe njëri nga burrat u prezantua se ishte Albani (pseudonimi i Musa Hotit), ndërsa tjetri ishte Qamil Zekolli! E kuptova se kush po më kërkonte.
Nuk më mbeti tjetër pos të kërkoja leje nga personeli i kampit, për ta ndërprerë punën në kuzhinë dhe për të shkuar e pirë nga një kafe me zotërinjtë, që në të vërtetë, me ardhjen e tyre krejt të papritur, po më befasonin shumë. Po befasohesha edhe për faktin se Musa Hotin (Albanin) e dija se ndodhej në burg, diku në Belgjikë!
Musa Hotin sapo e pashë e njoha sepse e kisha parë në fotografi gjersa isha duke qëndruar tek Sabri Novosella në Turqi, ndërsa shokun e tij, s’e kisha parë asnjëherë. E dija se ata e kishin krijuar një Komitet të Degës së LRSShJ-së në Belgjikë që quhej “Murat Mehmeti” si dhe kishin nxjerrë një revistë që quhej “Republika”. E dija, gjithashtu, se gjithë kjo punë ishte mbështetur, sidomos nga Sabri Novosella, i cili mbante kontakte prej kohësh me Musa Hotin. Sabri Novosella më kishte vënë në lidhje me Musa Hotin dhe unë i kisha shkruar disa letra në adresë të tij. E merrja me mend se përkundër përdorimit të nofkës, Musa Hoti e dinte se kush isha dhe ndoshta edhe nga isha?! Qysh nga Turqia, nëpërmjet Belgjikës, unë ia kisha dërguar një kartolinë familjes sime në Kosovë. Pra kartolinën që ia kemi dërguar së pari Musa Hotit në Belgjikë, ai duhej ta ketë lexuar dhe pastaj e ka nisur për Kosovë.
Sa isha në Kosovë nuk e njihja Musa Hotin. Në Kosovë kisha dëgjuar edhe për rastin e vrasjes në Belgjikë dhe zhurmës që bënte televizioni dhe shtypi jugosllav rreth saj. Rezerva rreth angazhimit të tij në LRSShJ-ë, i kisha shprehur edhe Sabriut, sa isha në Turqi. Shokët, që i kisha pyetur për Musa Hotin, nuk më kishin thënë ndonjë fjalë të mirë për te. Flitej se vendi ku e kishte kryer vrasjen e një punonjësi të Ambasadës Jugosllave në Bruksel, kishte qenë një kafe bixhozi dhe se vrasja kishte ndodhur nën ndikimin e alkoolit! Të gjitha ato që kisha dëgjuar nga shokët më bënin të isha i rezervuar lidhur me Musa Hotin, ndonëse ato mund të mos ishin të vërteta apo të ishin shpifje të UDB-ës. Mirëpo, për mua vet akti i vrasjes, që kishte bërë Musa Hoti, nuk më pëlqente. Aktet e tilla, për mendimin tim, nuk ishin në dobi të çështjes sonë kombëtare. Prandaj, këto arsye më bëninqë Musa Hotin të mos e kisha as hero dhe as shembull që do të duhej ta ndiqnim në përpjekjet tona për liri! Isha i vetëdijshëm se mund të isha i padrejtë ndaj tij dhe t’i hyja në hak, pa të drejtë, por kështu unë e shihja punën e tij.
Shkuam dhe u ulëm në një restorant së bashku me Musa Hotin dhe Qamil Zekollin. Pas pak, e kuptova se ata ishin informuar për mua më tepër se ç’do të duhej! Kisha përshtypjen se mysafirët nga Belgjika ishin shumë kureshtar të dinin se si ishin duke shkuar punët pas përplasjes në mes Xhafer Shatrit dhe Sabri Novosellës, se ku isha unë dhe rrethi i shokëve në çështje të organizimit të radhëve tona e çështje të tjera? Kjo nuk më pëlqente. Dorën në zemër unë nuk dëshiroja të flisja me mysafirët e befasishëm për çështjet që i konsideroja si probleme të shokëve që i kisha më afër se sa Musa Hotin. Megjithëkëtë, mysafirët nga Brukseli vazhdonin të më pyesnin dhe ta shprehnin edhe përkrahjen e tyre të parezervë për punën e shokëve tonë! Pas rreth dy orësh, pasi e mbaruam drekën dolëm nga restoranti, Qamil Zekolli m’i la në dorë 200 franga zvicerane, përkundër kundërshtimit tim! U përshëndetëm me njëri-tjetrin dhe unë u ktheva në kamp.
Pas këtij takimi të papritur me mysafirët nga Belgjika ndjehesha shumë i dëshpëruar në Sabri Novosellën dhe futjen e Musa Hotit në “punët” tona. Tani po bindesha gjithnjë e më shumë se të gjitha materialet e lëshuara në emër të KQ të LRSShJ-së, pa dijen e shumicës së shokëve, ishin shkruar nga Sabri Novosella dhe redaktuar nga Musa Hoti! Kisha përshtypjen se ishte e njëjta makinë e shkrimit që i kishte shkruar materialet e KQ të LRSSHJ-së! Dërgimi i materialeve tek Musa Hoti, pa u këshilluar me asnjërin nga shokët e KQ të LRSShJ-së, dega jashtë atdheut, e konsideroja të ishte një gabim trashanik që kishte bërë Sabri Novosella dhe një keqpërdorim i rënd i emrit të KQ të LRSShJ-së. Asnjëri nga shokët (me përjashtim të Sabri Novosellës dhe Musa Hotit) nuk ka ditur se kush qëndronte prapa shkrimeve në emër të KQ të LRSShJ-së.
Zënia e pritës ndaj Hysen Zymberit
Hysen Zymberi, ashtu si edhe shumë bashkatdhetarë nga Tetova dhe viset tjera shqiptare në Maqedoni, kishte përqafuar vijën e krahut tonë politik. Nëpër tubime që bëheshin me bashkatdhetarët tanë në Zvicër, luftën për liri, veç të tjerash, Hysen Zymberi e bënte me çiftelinë e tij dhe këngët patriotike që këndonte. Kudo ku mbaheshin tubime të shqiptarëve, buçiste zëri dhe çiftelia e tij.
Një mbrëmje, e mora në telefon Haxhi Berishën në Amriswil dhe nga ai dëgjova për tragjedinë që kishte ndodhur në Heerbrugg: “Dje Hysen Zymberi është sulmuar nga tetë-nëntë persona të panjohur. Fatkeqësisht, një nga sulmuesit ka mbetur i vdekur, ndërsa Hysen Zymberi gjendet në spital dhe është në gjendje të rëndë. Sulmuesit tjerë kanë ikur nga vendi i krimit dhe nuk dimë se cilët janë, – më tha Haxhi Berisha!”
Haxhi Berisha ishte shumë i shqetësuar. Lajmi i hidhur më shqetësoj shumë edhe mua. Më vinte keq për viktimën, ndonëse viktima ia kishte zënë pritën shokut tonë dhe nuk dija se kush ishte dhe nga ishte. Mirëpo më vinte shumë keq edhe për Hysen Zymberin, shokun tonë, që ishte bërë cak i sulmit të kriminelëve!
Tragjedia që i kishte ndodhur Hysen Zymberit mund të na ndodhte edhe çdonjërit prej nesh. Një ditë më parë, i është zënë prita Hysen Zymberit, nesër mund të më zihej prita edhe mua. Pasnesër, shokut tjetër! Prita në Heerbrugg fliste qartë se në çfarë gjendje ndodhej lëvizja jonë politike! Ishte e qartë se ishim futur një gjendje shumë e rrezikshme. Isha i bindur, se askush më shumë se UDB-a jugosllave nuk dëshironte që shqiptarët të vriten me njëri-tjetrin! Unë nuk kisha fije dyshimi se autorët e këtij krimi ishin nxitur nga njerëz të UDB-ës dhe se kjo zënie prite, pa marrë parasysh se si është motivuar, kishte si qëllim vëllavrasjen tonë dhe shkatërrimin e Lëvizjes sonë.
- Xhafer Shatri
Sapo gjeta mundësin shkova tek Haxhi Berisha në Amriswil. Aty i kam takuar edhe Elmaz Ademin, Demë Mustafajn dhe shokë të tjerë. Nga shokët mësova më shumë për tragjedinë e Heerbruggut. Ata, kishin marrë vesh se viktima ishte një shqiptar nga Kosova dhe shokët dyshonin, se sipas të gjitha gjasave, edhe sulmuesit tjerë ishin shqiptarë. Gjithashtu, shokët më shpjeguan se Hysen Zymberit ia kishin zënë pritën tetë-nëntë persona të panjohur, në një nënkalim, gjersa ai ishte duke shkuar për vizitë tek Xhemil Beçiri. Hysen Zymberi ishte grushtuar e goditur me mjete të forta. Gjatë sulmit ai kishte bërë përpjekje të largohej nga vendi ku ishte sulmuar. Në një rast ai kishte arritur të largohej, por sulmuesit e kishin zënë dhe futur përsëri në nënkalim dhe kishin vazhduar ta qëllonin. Edhe disa gra zvicerane, kalimtare të rastit, ishin përpjekur t’ua largojnë Hysenin nga dora sulmuesve, por pa sukses. Në përpjekje, për jetë a vdekje, Hysen Zymberi, e ka nxjerrë nga xhepi një brisk dhe e ka qëlluar sulmuesin më të afërm, i cili pas goditjes së tij bie në tokë. Pas kësaj sulmuesit tjerë kanë ikur nga vendi i krimit, duke e lënë të shtrirë për toke shokun e tyre dhe të sulmuarin. Pas pak kohe në vendin e tragjedisë ka ardhur policia dhe ambulanca e i ka marrë dhe i ka dërguar në spital të dy: shokun e sulmuesve dhe Hysen Zymberin.
Disa ditë ma vonë mora vesh se Xhafer Shatri i kishte bërë një komentim për keqardhje, ngjarjes tragjike të Heerbruggut. Sipas Xhafer Shatrit fajtor për vdekjen e sulmuesit na qenkan shokët e krahut tanë politik! Ky qëndrim i Xhafer Shatrit më dëshpëroj shumë, sepse nuk ishim ne që ia kishim zënë pritën viktimës, përkundrazi, ishte i vdekuri dhe shokët e tij që ia kishin zënë pritën Hysen Zymberit. Pas këtij qëndrimi të Xhafer Shatrit, në mesin tonë janë shtuar dyshimet se njerëz afër tij, qëndronin prapa vëllavrasjes në Heerbrugg!
Pas vrasjes në Heerbrugg marrëdhëniet tona me krahun e Xhafer Shatrit u tensionuan shumë. Aktivistët e krahut të Xhafer Shatrit vazhdonin të krijonin ngatërresa dhe t’i kërcënonin veprimtarët e krahut tonë, duke u dhënë kështu edhe praktikisht fund përpjekjeve tona për t’u afruar dhe për gjetur një gjuhë të përbashkët në përpjekjet tona për liri.
(VIJON)
© Pashtriku.org
___________________________
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (35)
Nga Asllan Muharremi