RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (35)

Nga Asllan Muharremi

“Zëri i Kosovës”, organ i LRSShJ-së           

     Çarja në mes të krahut tonë dhe atij të Xhafer Shatrit ishte nisur  me rrëmbim dhe me gjaknxehtësi, por të gjithë ne që ishim përkrah kritikës së Sabri Novosellës,  ishim të një mendje se bëhej fjalë për dy vija të ndryshme politike. Xhafer Shatri përfaqësonte krahun dogmatik dhe që nuk ishte në dobi të luftës së popullit tonë për liri dhe barazi, ndërsa Sabri Novosella, përfaqësonte krahun revolucionar, që po kërkonte që lufta e popullit shqiptar për barazi me popujt tjerë të Federatës jugosllave të binte në binarë të drejtë.

      Që nga ardhja e Sabri Novosellës në Zvicër dhe përplasja me Xhafer Shatrin, shokët kishin bërë përpjekje për afrimin e qëndrimeve. Ata kishin mbajtur takime e kontakte të vazhdueshme me Xhafer Shatrin dhe gjithmonë e kishin mbajtur të shtrirë dorën e pajtimit. Mirëpo përkundër kësaj, sjellja e Xhafer Shatrit ishte dëmshme  dhe në kundërshtim me frymën e pajtimit dhe bashkimit tonë.

     Pas përplasjes me Sabri Novosellën, redaksia e “Zërit të Kosovës” ishte në kontroll të plotë të Xhafer Shatrit, i cili nuk po jepte as simptomën më të vogël të reflektimit dhe të rishikimit të politikës që kishte ndjekur. Asnjë autokritikë dhe asnjë përpjekje për t’i kuptuar drejtë qëndrimet tona nuk ishte bërë nga ana e tij. Përkundrazi, Xhafer Shatri, vazhdonte të mbronte me fanatizëm vijën e tij politike, e cila, për mendimin tonë, ishte në kundërshtim me kërkesat e popullit për barazi dhe republikë në kuadër të Federatës jugosllave!

     Të ndodhur në një gjendje ku mundësia e ndikimit në vijën politike të organit “Zëri i Kosovës” ishte bërë e pamundur dhe duke parë të domosdoshme shprehjen e qëndrimeve tona politike, vendosëm ta nxjerrim organin  e Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi “Zëri i Kosovës” me adresë në Suedi.

     Me një pëlqimin e  të gjithë shokëve në Gjermani, Zvicër dhe vendet tjera, Xhafer Durmishi u ngarkua me përgjegjësinë e nxjerrjes së organit “Zëri i Kosovës”, me adresë në Suedi. Xhafer Durmishi, që kishte vepruar pranë Jusuf Gërvallës dhe që më herët kishte pasur përgjegjësinë e redaktimit të “Zërit të Kosovës”, para se me një detyrë të tillë të ngarkohej Xhafer Shatrit, i kishte të gjitha përgatitjet intelektuale dhe ideologjike për ta kryer me përgjegjësi këtë detyrë. Ne të tjerët do ta ndihmonim organin, me shkrime, por edhe me punë të tjera praktike siç ishin shpërndarja, ndihma materiale si dhe propagandimi dhe përhapja e vijës sonë politike në terren, në mesin e bashkatdhetarëve tanë.

      Në kohën kur po bënim përgatitjet për publikimin e numrit të parë të “Zërit të Kosovës”, Xhafer Durmishi, kishte kaluar nga Franca dhe ishte vendosur në Suedi. Ai me ndihmën e shokëve tanë në Suedi, kishte siguruar  adresën e organit “Zëri i Kosovës” dhe një rreth shokësh që do ta ndihmonin daljen e organit dhe shpërndarjen e tij.

  • “Zëri i Kosovës”, organ i LRSSHJ-së, që e botonte Xhafer Durmishi në Suedi (1984 – 1985)

Dalja e numrit të parë, që ishte një shpartallim i vijës politike që ndiqte Xhafer Shatri, i cili ndihmohej tani edhe nga Ibrahim Kelmendi, zgjoi interesim shumë të madh në radhët e emigracionit tonë ekonomik dhe politikë, kudo në botë. Ky numër është pritur mirë edhe nga përfaqësues të shtetit shqiptar. Në të njëjtën vijë vazhdoi edhe numri i dytë.

      Mirëpo pas daljes së numrit të dytë të “Zërit të Kosovës”, që botohej në Suedi, qëndrimi i diplomacisë shqiptare ndryshoi për 360 shkallë. Shokët që kishin pasur kontakte me diplomatët shqiptarë në Stamboll, Vjenë e gjetiu, kishin dëgjuar edhe kritikat e para kundër daljes së dy “Zërave të Kosovës”! Tani nuk flitej kundër vijës politike që ta bënte “shkrumb e hi Jugosllavinë titiste”, por kritikohej “përçarja” që kishte ndodhur në radhët e lëvizjes sonë! Çuditërisht ata që na kishin “ndihmuar” ta ruajmë “Jugosllavinë nga bërja shkrumb e hi”, tani po na thoshin se ishin nxituar dhe po i përçanim masat!

     Kjo akrobaci e diplomacisë shqiptare nuk mund të neglizhohej dhe të mos merrej parasysh. Madje, akrobacia e diplomacisë shqiptare na nxori shumë telashe. Ne ishim të shpërndarë nëpër shtete të ndryshme dhe shumë prej nesh nuk kishim mundësi të takoheshim për shkak të mungesës së dokumenteve të udhëtimit. Megjithëkëtë s’kishim rrugë tjetër pos të takohemi, të shkruajmë shumë letra tek njëri-tjetri e të bëjmë shumë biseda telefonike. Dhe nga të gjitha takimet, bisedat dhe letërkëmbimet kemi dal të një mendje se vija jonë ishte e drejtë, përkundër politikës ditore, të pamëshirshme dhe të pandershme që bënte ndaj nesh edhe diplomacia shqiptare.

     Sabri Novosella, që ishte nismëtar i kësaj vije politike, ndjehej jo vetëm i tradhtuar, por edhe i zhgënjyer! Ne të tjerët që e kishim përkrahur Sabriun, të bindur se kishte të drejtë, vazhdonim ta përkrahnim punën e Xhafer Durmishit të shprehur dhe shkruar në dy numrat e “Zërit të Kosovës”.

Vizita e Rexhep Ahmetit në Zvicër

    Pas rreth dy muaj qëndrimi në kampin e  refugjatëve në Salzach, falë kontakteve të personelit të kampit, fillova punën si pjatalarës në një restorant në një fshat që quhej Bucheg dhe që shtrihej në mes Solloturnit dhe Bernit. Aty kisha edhe një dhomë gjumi.

     Disa muaj më vonë më vije për vizitë Rexhep Ahmeti. Gëzimi ishte i madh. Ky ishte kontakti im i parë me shokët në Kosovë, që nga largimi im nga atje para afër një viti.

      Rexhep Ahmeti me njohu me gjendjen politike në Kosovë, sidomos për gjendjen  e veprimtarisë së Lëvizjes në rrethin ku vepronin shokët tanë. Ai më njoftoi se pas kthimit të tij nga ushtria, lidhjet me Lëvizjen i kishte mbajtur nëpërmjet vëllait tim, Shabanit.

    Udhëtimi i Rexhes në Zvicër ishte i karakter konsultativ. Nëpërmjet Rexhës, shokët e Lëvizjes në Kosovë, dëshironin të njiheshin me gjendjen e Lëvizjes në emigracion si dhe mundësitë që kishim për ta ndihmuar veprimtarinë brenda në Kosovë.

     Gjatë javës, sa qëndroi në Zvicër, Rexhep Ahmetin e kam njoftuar me gjendjen e Lëvizjes në emigracion, në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë me problemet që kishin dal pas përplasjes në mes krahut tonë dhe krahut të Xhafer Shatrit e Ibrahim Kelmendit. Gjithashtu, Rexhep Ahmetin e kam njoftuar edhe me qëndrimin e shtetit shqiptar, lidhur me luftën tonë për barazi në kuadër të Federatës jugosllave dhe të veprimtarisë në përkrahje të kësaj lufte nga emigracioni.  Rexhep Ahmetit ia kam prezantuar edhe organin “Zëri i Kosovës” me adresë në Suedi, numri i dytë i të cilit sapo kishte dal nga shtypi dhe ia kam shprehur mendimin tim lidhur me programin e tij politik.

     Duke e njohur shokun e ardhur nga Kosova me gjendjen në emigracion, unë dëshiroja që shokëve në Kosovë t’jua përcillja një pasqyrë sa ma reale të kësaj gjendje, me qëllim, që pastaj, shokët në përputhje me situatën, t’i nxjerrin detyrat që i presin. Kishte një vit që isha larguar nga Kosova dhe unë nuk mund të jepja detyra, se çka duhet të bënin shokët e Lëvizjes atje. Gjithashtu unë dëshiroja që shokët të njiheshin me gjendjen e vërtetë në emigracion dhe me punët që mund të bëheshin në emigracion, por edhe që ata ta kuptonin se veprimtaria nga emigracioni ka një rol të rëndësishëm për luftën tonë, por jo atë vendimtar, se lufta për liri duhet të bëhet në Kosovë.  Unë isha që Lëvizja në Kosovë të ngrihej dhe të bëhej e zonja që të ecte vetë në këmbët e veta e pa ndihmën tonë dhe që duke njohur më mirë se ne mundësitë dhe rrethanat edhe të nxirrnin detyrat e veprimit. Unë dhe shokët ishim për ndërtimin e një organizate në Kosovë që nuk do të drejtohej nga emigracioni, por që do ta bashkërendonte veprimtarinë me te.

     Rexhep Ahmeti, që asokohe ishte mësimdhënës, në Gjimnazin e Mitrovicës, ishte shoku më i përshtatshëm nëpërmjet të cilit unë dëshiroja ta përcillja këtë mesazh e frymë tek shokët tjerë në Kosovë. Ai si veprimtar i devotshëm i çështjes sonë kombëtare, kishte kapacitetin intelektual për ta kuptuar drejtë qëndrimin tim dhe të shokëve të mi në emigracion.                                         

      Ndodhesha në bodrum për të marrë pije dhe po e prisja tek dera  ashensorin. Krejt papritur shoh se sapo u hap dera e ashensorit, nga dera doli një polic! Pas përshëndetjes sime, polici nisi të më qortonte dhe tregonte se nuk kisha të drejtë të mbaja njerëz të huaj në dhomën time! Polici, gjithashtu më kërcënoi se nëse e përsëritja këtë gabim do të kisha pasoja në të ardhmen.

       Së bashku me policin e morëm ashensorin dhe arritëm në restorant, ku edhe punoja. Polici u largua dhe shkoi. Unë ngela i vetëm me shefin tim, i cili me sjelljen e tij, më zhgënjeu shumë. U ngrita lartë në dhomën time dhe pashë se Rexhep Ahmetin e kishin detyruar ta linte dhomën time dhe e kishin shoqëruar në drejtim të panjohur! Sipas policit që më erdhi në bodrum, Rexhep Ahmetin do ta detyronin të largohej nga Zvicra.

      U ngjita shpejtë në dhomë dhe pashë se Rexhep Ahmeti ishte detyruar të kthehej! Zbrita përsëri poshtë dhe e pyeta punëdhënësin tim se përse e kishte thirrur policinë, meqë as unë e as shoku ime nuk kishim bërë asgjë të kundërligjshme, sepse shoku im kishte ardhur me dokumente të rregullta dhe unë e paguaja dhomën time? Punëdhënësi im e mbante kokën të ulur dhe nuk fliste asnjë fjalë.

  • Asllan Muharremi – Mihaliqi dhe Haxhi Berisha

Mirëpo, shqetësimi për Rexhep Ahmetin, më nxiti të bëhesha joracional në të menduar dhe menjëherë e dhashë dorëheqjen nga puna. “Tungjatjeta,-i thashë punëdhënësit, shkova në dhomën time, mblodha rrobat që kisha dhe ika drejtë e në Selzah, ku kisha qëndruar edhe më parë në kampin e refugjatëve.

       Isha shumë i shqetësuar për fatin  e Rexhep Ahmetit. Policët më kishin thënë se e kanë kthyer në Jugosllavi!

       Në mbrëmje e mora në telefon Haxhi Berishën dhe nga ai mësova se Rexhep Ahmeti ishte ndalur tek ai në Amriswil. U gëzova shumë dhe menjëherë u nisa për Amriswil.

       Gjatë qëndrimit në Amriswil, Rexhep Ahmeti më njoftoi, se gjersa po lexonte, një burrë e kishte hapur derën e dhomës dhe pa thënë asnjë fjalë, e kishte mbyllur përsëri derën dhe ishte larguar. Pas, rreth një gjysmë ore, në dhomën e tij kishte trokitur policia e cila ia kishte kërkuar pasaportën dhe e kishte shoqëruar deri tek Stacioni i Trenit në Solloturn.

      Pas dy ditësh të qëndrimit në Amriswil e përcollëm Rexhep Ahmetin për Kosovë.

     Disa javë më vonë fillova punën si pjatalarës në një restorant  tjetër në  fshatin Krigshtetten, që ishte afër Bernit. Edhe aty punoja gjithë ditën (07.00-23.00 me një pushim nga ora 11.00 deri në ora 14.00) dhe isha i lirë vetëm ditën e hëne dhe ditën e marte.

      Puna ishte një pengesë në vete për veprimtarinë time politike.  Por sidomos orari i punës ishte pengesa kryesore. Unë isha i zënë gjithë ditën dhe mbrëmjeve, por edhe ditëve të fundjavës kur shumica e mërgimtarëve tanë ishin të lirë dhe kjo e pamundësonte veprimtarinë time.

    Përkundër vështirësive dhe largësinë e madhe gjeografike që kisha nga shokët, zakonisht ditët e lira i kaloja tek shokët, sidomos tek Haxhi Berisha në Amriswil dhe tek Demë Mustafaj në Zug. Aty vinin edhe shokët tjerë ose së bashku i vizitonim shokët nëpër rrethet të ndryshme.

      Në Zvicër kishim një rreth të gjerë shokësh dhe pas konsultimeve  edhe me Sabri Novosellën dhe Xhafer Durmishin, ishim pajtuar që ta krijonim Degën  e LRSShJ-së në Zvicër. Për ndërtimin e Degës së LRSShJ-së në Zvicër punonin këta shokë: Haxhi Berisha, Elmaz Ademi, Demë Mustafaj, Januz Mustafa, Xhemajl Dauti dhe  unë.

     Shokët e  krahut të Lëvizjes për Zvicër kishin ndikim të madh në rrethet e ndryshme. Ata mbanin takime të vazhdueshme dhe shumë të shpeshta me bashkatdhetarët tanë dhe e propagandonin vijën tonë politike.

     Meqenëse krahu ynë politikë në programin e tij politikë e kishte shpalosur botërisht se ne luftonim që Krahinës së Kosovës t’i njihej statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave, krahu i Xhafer Shatrit, bënte përpjekje të ngjallte huti në radhët e shqiptarëve nga viset shqiptare jashtë territorit të Kosovës se gjoja ne kemi tradhtuar idealet e bashkimit kombëtar, por edhe interesat e shqiptarëve të atyre anëve!

      Mëgjithëkëtë, bashkatdhetarët tanë nga trojet shqiptare në Maqedoni si Elmaz Ademi, Xhamajl Dauti, Xhemil Beçiri  etj., e kishin kuptuar drejtë luftën tonë dhe faktin se të luftosh për “Kosovën-Republikë” nënkuptonte se je duke luftuar për të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Federatën Jugosllave, se Republika e Kosovës u jepte statusin e kombeve shtet-formues edhe shqiptarëve të Federatës Jugosllave.

      Nga shokët kisha dëgjuar se Elmaz Ademi gjatë takimeve me mërgimtarë kur ishte pyetur se përse po luftonte për Republikën e Kosovës përderisa jashtë territorit të saj do të ngeleshin viset shqiptare ishte përgjigjur: “Unë jam në përkrahje jo vetëm të kërkesës që Krahina e Kosovës ta fitoj statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave, por do të dal në përkrahje edhe të një qyteti të vetëm shqiptar që do ta shtronte një kërkesë të tillë, pa marrë parasysh se a do të hynte në kuadër të asaj republike Tetova ime!”

     Ndjehesha i mahnitur nga ky qëndrim shumë i zgjuar dhe largpamës i Elmaz Ademit.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (36)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura