Nga Asllan Muharremi
Ardhja e Hysen dhe Avdyl Gërvallës në Zvicër
Gjatë pranverës së vitit 1985, nga shokët, dëgjova se në Zvicër kishin ardhur Hysen e Avdyl Gërvalla, dy vëllezërit e Jusuf e Bardhosh Gërvallës! Më erdhi keq që e kishin lëshuar Kosovën, por njëkohësisht edhe u gëzova që do t’i kishim në mesin tonë. Haxhi Berisha dhe Demë Mustafaj kishin edhe një lidhje familjare me ta dhe unë shpresoja se kjo lidhje do ta ndihmojë afrimin tonë me vëllezërit e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës. Gjithashtu, nga shokët mësova se Hysen dhe Abdyl Gërvalla ishin vendosur në qytetin Delemont, ku banonte dhe punonte edhe shoku ynë Xhemajl Dauti.
Së bashku me shokët Elmaz Ademi, Haxhi Berisha, Demë Mustafaj shkuam dhe i vizituam Hysen e Avdyl Gërvallën në Delemont. Atyre u shprehëm gëzimin që i kishim në mesin tonë, ashtu siç u folëm edhe për veprimtarinë tonë politike dhe përpjekjet që bënim për lirinë e Kosovës.
Nuk vonoi shumë kohë dhe Hysen Gërvalla na e shpjegoi se qëllimi ardhjes së tij në Evropën Perëndimore ishte: t’i bashkonte të gjitha organizatat politike shqiptare! Gjithashtu, Hysen Gërvalla aludonte se nuk ishte i vetëm në këtë mision dhe se prapa tij qëndronte dikush tjetër, që i dinte më mirë këto punë!
Ndonëse nuk e thoshin hapur, na e merrte mendja se Hysen dhe Avdyl Gërvalla kishin kaluar nga Kosova në Shqipëri dhe pastaj nga Shqipëria në Evropën Perëndimore.
Mirëpo ndonëse edhe ne pajtoheshim se bashkimi i të gjitha forcave politike shqiptare nuk kishte alternativ tjetër, ne nuk na pëlqente euforia e Hysen Gërvallës lidhur me çështjen e bashkimit të organizatave politike dhe aq më tepër nuk na pëlqente aludimi se prapa tij, dhe misionit të tij, qëndronte dikush tjetër!
Nganjëherë, gjatë bisedës, më krijohej përshtypja se Hysen Gërvalla nuk e kuptonte se çështja e bashkimit nuk ishte një çështje aq e thjeshtë, se bashkimi ynë nuk mund të arrihej vetëm me fjalë të bukura dhe premtime boshe!
Gjatë takimeve të vazhdueshme me shumë veprimtarë të Degës së Lëvizjes në Zvicër, por edhe shokët që gjendeshin në vendet tjera, kanë zhvilluar biseda me Hysen e Avdyl Gërvallën. Të gjithë kemi bërë përpjekje t’jua shpjegojmë Hysenit dhe Avdylit qëndrimin tonë lidhur me bashkimin e organizatave politike shqiptare.
- Verë 1984: Me një grup shokësh pranë brigjeve të liqenit Bodense në Zvicër. Nga e majta Xhemajl Dauti (nga Tetova), Demë Mustafaj dhe Hysen Gërvalla (ulur në rreshtin e parë), prapa, Elmaz Ademi (nga Tetova) dhe unë, në këmbë. (Fotografinë e ka shkrepur Haxhi Berisha).
Një ditë, së bashku edhe me disa nga shokët tanë ndodhesha në Delemont tek Xhemajl Dauti dhe aty gjendeshin edhe Hysen dhe Avdyl Gërvalla. Gjatë qëndrimit në banesë të Xhamajl Dautit, nga Suedia, thërret në telefon Sabri Novosella, i cili në atë rast zhvillon një bisedë të gjatë me Hysen Gërvallën. Ne të tjerët vetëm po prisnin fundin e bisedës së tyre, por Hysen Gërvalla ma dorëzoi mua receptorin e telefonit, pas mbarimit të bisedës. Në atë bisedë Sabriu më thotë kështu: “Prej sot do të fle rehat! Hyseni është shok i Organizatës sonë (LNÇKVShJ-së) dhe unë e propozoj atë për anëtar të KQ të Lëvizjes…!”
Pas largimit nga banesa e Xhemajl Dautit i kam njoftuar shokët për bisedën me Sabriun dhe për propozimin e tij.
Në çështjen e bashkimit të organizatave tona politike dolën edhe problemet e para në mes organizatës sonë edhe Hysen Gërvallës. Ne nuk ishim kundër bashkimit të organizatave politike shqiptare, por nuk ishim as për përqafime e bashkime sa për sy e faqe. “Zëri i Kosovës” që botohej në Zvicër dhe “Zëri i Kosovës” që botohej në Suedi, ishin përfaqësues të dy rrymave të ndryshme politike. Krahu ynë politik i Lëvizjes, kishte nxjerrë tetë numra të “Zërit të Kosovës” dhe kështu kishte shpalosur vijën tonë politike. Ne kishim nisur ndërtimin e organizatës sonë politike dhe po punonim për ndërtimin e degëve të saj nëpër vende të ndryshme. Veç kësaj, veprimtarisë dhe organizatës sonë i ishin bashkuar një numër i madh veprimtarësh dhe ne nuk mund të dilnim para anëtarëve të organizatës sonë e ta përkrahnim iniciativën për bashkim, pa u shpjeguar, edhe njëherë, se pse ishim ndarë dhe çka kishte ndodhur, e pse duhej të bashkohemi përsëri? Në përpjekje për bashkimin e shqiptarëve rreth platformës për Republikën e Kosovës, ishte derdhur gjak dhe dikush duhej të përgjigjej, veç të tjerash, bie fjala, për vrasjen në Heerbrugg?
Përkundër qëndrimeve tona, Hysen Gërvalla, na thoshte se ai i ka kontaktuar përfaqësuesit e të gjitha grupimeve politike dhe se të gjithë ishin për bashkim, se ne nuk do të duhej të bëhemi pengesë e bashkimit!
Hysen Gërvalla ishte shumë shpirtçiltër në misionin e tij. Ai dëshironte t’i bënte bashkë të gjitha organizatat politike shqiptare dhe t’i vinte në ballë të luftës për liri burrat e kombit! Asgjë të keqe nuk kishte kjo iniciativë. Në anën tjetër, krerët e organizatave tjera politike ishin treguar shumë “zemërgjerë” dhe e kishin “shtrirë” dorën e pajtimit. Të vetmit “pengues” të bashkimit dilnim ne që thërrisnim për maturi dhe bashkim pas platformës sonë politike.
Ky qëndrim i bacës Hysen më zhgënjente, ashtu siç më zhgënjente edhe përshtypja që kisha se ai na konsideronte si çiliminj që nuk duhej t’ia prishnim terezinë për asgjë, madje as në sjelljen e tij si kryeplak dhe burrë zakoni!
Ishte shumë dëshpërues edhe qëndrimi i Hysen Gërvallës lidhur me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Duke ditur se shokët e krahut tonë, disa prej të cilëve kishin qëndruar e vepruar pranë heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, qysh në fillim të takimeve tona me të, Hysen Gërvalla kishte shprehur pakënaqësinë e tij për punën tonë për zbulimin e vrasësve të Jusufit, Bardhit dhe Kadriut? Ai jo vetëm që ishte i pakënaqur me punën tonë në zbulimin e vrasësve të shokëve tanë, por madje edhe aludonte sikur qëllimi i arratisjes së tij nga Kosova na kishte qenë pikërisht edhe zbulimi i vrasësve! Qëndrimet tona se Jusufin, Bardhin dhe Kadri Zekën i ka vrarë Beogradi dhe se vetëm udhëheqja e UDB-ës e di se kush ua ka zënë pritën dhe kush e ka bërë vrasjen, nuk i pëlqenin bacës Hysen! Kjo na befasonte të gjithëve.
Disa javë pas ardhjes së Hysen Gërvallës në Zvicër dhe vendosjes së tij së bashku me të vëllain e tij në Delemont, nga autoritetet zvicerane më erdhi përgjigja, përfundimtare, lidhur me të drejtën e strehimit politik dhe vendimi shumë i padrejtë se duhej ta braktisja Zvicrën.
Ishte hetuesi që më kishte marrë në pyetje për tre ditë rresht, që më kishte fyer dhe sharë gjatë hetimeve, i cili më dha një muaj afat për ta lëshuar Zvicrën, se për ndryshe, do të më dërgonte duarlidhur në Beograd! Ç’të bëja unë? Me zor nuk mund të rrija në Zvicër! Më duhej të vazhdoja të rrokullisesha si guri që ka lënë vendin e tij.
E kontaktova avokatin tim dhe ju drejtova për ndihmë, por ai nuk tregohej i interesuar të merrej me çështjen e azilit tim! Ndonëse unë kisha disa dokumente të rëndësishme dhe që vërtetonin se unë isha një shqiptar i përndjekur nga regjimi jugosllav, as policia e Bernit dhe as avokati im nuk shprehën interesin për përkthimin e tyre. Këtë e konsideroja si një padrejtësi që po më bëhej.
Përkundër faktit se unë mendoja se më ishte bërë e padrejtë dhe se unë i plotësoja të gjitha kushtet që i kërkonte Konventa e Gjenevës, paragrafi tre, drejtësia zvicerane nuk qante kokën për mua dhe hallin tim. Edhe unë u pajtova që ta braktisja një vend që nuk tregon mirëkuptim për hallin tim.
Disa ditë pas marrjes së vendimit dhe ultimatumit të shefit të policisë së Solloturnit për ta braktisur Zvicrën, i kam njoftuar edhe shokët në Zvicër dhe me shokët kemi biseduar se nga t’ia mësyja. Jemi pajtuar që në fillim të kaloja në Gjermani dhe pastaj t’i shohim mundësit e qëndrimit aty apo të kalimit në ndonjë vend tjetër.
Nga shokët që po punonim për ndërtimin e Degës së LRShJ-së në Zvicër, leje pune dhe qëndrimi kishte Demë Mustafaj, Elmaz Ademi dhe Jonuz Mustafaj. Pa leje qëndrimi ishte Haxhi Berisha dhe Xhemajl Dauti.
Një mbrëmje maji 1985, shokët më përcollën deri në Bazel. Me Haxhi Berishën, Demë Mustafajn, Elmaz Ademin, Xhemajl Dautin dhe Januz Mustafën pimë një kafe së bashku në një restorant që gjendej shumë afër një ure të rrugës hekurudhore mbi lumin Rajnë, që ishte edhe kufi në mes Gjermanisë dhe Zvicrës.
Pas kalimit të një treni u përshëndeta me shokët, u nisa në drejtim të urës mbi lumin Rajnë dhe e kalova shpejtë e shpejtë gjersa arrita në anën gjermane. Pastaj, me vrap, i kalova disa kilometra gjersa arrita në një fshat që dukej se ishte brenda në territorin gjerman. Në mesin e disa ferrave e kalova natën deri në muzgun e ditës së re. Në mëngjes e mora trenin në drejtim të Freiburgut. Nga aty ia zura derën Hafiz Gagicës në Shtutgart.
(VIJON)
© Pashtriku.org
__________________________________
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (37)
Nga Asllan Muharremi