Nga Rexhep Kasumaj, Mesprill, 2024
“Lufta e hyjnive” në yllin tokë…
1.
Ishte paralajmëruar. E, pra, Irani do të godiste Izraelin. Por vetëm në shkallë përpjestimore.
Mirëpo, me ç’duket, agresioni në distancë do të kalojë kufijtë e revanshit simbolik.
Është, ndaj, pjesë e një strategjie trepalëshe, Rusi, Kinë e Iran, për të marrë në dorëzim Afroazinë!
India e madhe dhe e heshtur, mund të jetë planprishëse. Por, anise rivaliteti me Kinën është kronik deri në armiqësi, indusët e Morit nuk e shohin me indiferencë epokën e dominimit perëndimor…
2.
Qysh kohëve lashta, një luftë midis popujve përceptohej, thjeshtë, si luftë midis hyjnive të tyre.
Kështu rrëfejnë kronikat, anise shpesh të errëta. Faraoni i anëve të Nilit, i biri i zotit të epërm Amun-Re, kishte urdhëruar mbytjen në ujërat e tij, të çdo hebreu të posalindur.
Moisiu foshnjë poashtu do gatitej për vdekje m’një kofin paluar. Por ishte mëshira e një prej bijave të Faraonit që i shpëtoi jetën.
U rrit fshehurazi, që njëj agu të praruar, të shfaqej beftas e sfidant para Zotmëkëmbësit me shkopin magjik.
Dhe, ashtu, arriti të çlironte popullin e tij nga vargorët poshtërues egjiptianë.
Rezultoi, prandaj, se në përpjekje mes tyre, Zoti i hebrenjëve të ishte më i fortë se Zoti i lodhur i faraonëve.
3.
Por, tani, ndërsa kujtojmë fatet e tyre, askujt më shumë nuk i shkon kjo histori besimvjetër se popujve të vegjël, në të gjitha Orët epike të botës.
A nuk është koha e re plot dëshmi kur, në fakt, lufta mes tyre nuk ishte veçse luftë mes zotave, tashmë të këndejbotshëm, që, natyrisht, interesash cytur, u mbulonin supet e këputura?
Dhe shpresat jetike, megjithë rezistencën, armët a dhelpërinë, vareshin si lavjerrës në epilogët e luftës midis dalëzotësve të mëdhenj.
Dhe kjo pikturë e vjetër kullon dhimbje ende sot. E do të kullojë përherë…
——————————-
Nga Rexhep Kasumaj, Mars, 2024
Kopshtet e Europës… (dhe robërit e Kamysë)
Vështroj oborrin i magjepsur nga blernaja e ringjallur e natyrës. E thashë, ah ajo ka zgjuar dhe ëndrrat që, në pakt me të, kishin dremitur pak…
Dhe, disi vetishëm, kujtoj kopshtet e Shlezisë me pëllumbat e degdisur, që trishtonin Kamynë në “Letrat një miku gjerman”.
Atëherë kur adolfjanët kishin vënë nën sund vetë dritën dhe lulëjetët e Europës. Francën e tij poashtu, madje të poshtëruar si asnjëherë në historinë e lavdisë.
Tani kjo gjethurinë poshtë dritares sime nuk mbytet në pellgje gjaku, a në shnderimin e përuljes.
Por frontet s’janë larg. Aty përtej. Vetëm një Poloni e pikëlluar në mes.
Mjafton sa të dëshmojnë gjenin unik të njeriut në fatkeqësinë e vet. (Në 3400 vitet e fundit, vetëm në 280 prej tyre pati paqe globale.)
Dhjetë shekuj inteligjencë, i shkruan Kamy mikut imagjinar gjerman, na mësuan shkencën e fisnikërisë. Dhe, pra, ne kurrë nuk i dhamë botës skllevër…
Por, nëse jo kopshteve franceze, robër, dhimbje e përbuzje do të dhuronte vendi i tij gjithandej rruzullisë.
Këtej kishin marshuar ushtritë e frëngjëve, viti 1800, dekada e parë, duke shtrirë shpatën mbi shpirtin, deri atje, në tokën e mbështjellë nga qefindimri i Rusisë…
E tek shihja fletëblertat që dridheshin nga një erë e lehtë, reflektoja në heshtje: Kamy thosh t’a donte vendin e tij përmes drejtësisë, po a s’kishte ai dorën e ligë në fatin e atdheut tim tash njëqind vjet…?
Por, kushedi, ndoshta mund t’a ketë fshehtas akoma sot.
Dhe kopshtet shqiptare që faj të vetëm kanë bukurinë e dëlirë, ruajnë kujtesën, e presin që (si thotë Niçe) varrmihësit të sëmuren duke hapur gropa, gropat e tyre…