BEHAR GJOKA: HISTORIA E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE

 (Tiranë, 07. 03. 2013) – Kremtimi i 7 marsit, si dita e parë e shkollës shqipe, mbart shenja të dyfishta: Së pari: Kjo ditë shënon zanafillën e shkollës laike shqipe. Së dyti: A është mësuar shqipja në shkollë përpara kësaj date? Shkollimi laik, ndarja e shkencës nga feja, ndarja e shkollës nga kisha, shënojnë një moment thelbësor, që në mjediset perëndimore ka ndodhur me kohë. Në këtë kuptim, 7 marsi, dita e parë e shkollimit laik në gjuhën shqipe shenjon një etapë të re dhe cilësore në rrugën e nxënies së dijeve në mjediset shkollore . Prej aty zë fill kurba që pëson procesi i dijes në shkollat laike. Por 7 marsi i vitit 1887 nuk duhet marrë si viti i parë pas vitit “zero”, domethënë si caku i parë i mësimit të shqipes.
Sipas ndonjë dëshmie paraprake të lënë nga Budi, kryesisht të shprehur nëpër parathëniet dhe pasthëniet autoriale, dijet e para, siç na njofton vetë, ai i nxuri tek prelatët vendas. Në letrën drejtuar kardinal Gocadinos, Budi thotë: “…në rininë time kam qëndruar, pothuaj vazhdimisht në shërbim të disa ipeshkëvinjve të vendit tonë, pranë të cilëve jam marrë me studimin e këtyne pak ditunive deri në moshën 21 vjeçare…” (1963: 297).
– Po ku e nxuri ai shkrimin e gjuhës shqipe?
– Kush qenë mësuesit e ndritur që mëkuan dashurinë e madhe për shqipen?

Enigmat, që do të duhet të shvështillen, siç shihen, sa vijnë e shtohen, por bashkë me to, krejt natyrshëm, rritet kureshtja për të shkundur me çdo kusht ndryshkun e grumbulluar nëpër vite e shekuj.
Në dokumentacionin e Kolegjit të Loretos, një shkollë kjo në gjuhën latine, me drejtim teologjik, dëshmohet herë tërthorazi, herë si e nënkuptuar se dikush me emrin Budi a Buli, ka studiuar aty, pa harruar se në atë kolegj kanë studiuar edhe Bardhi, Bogdani, etj.
Sipas Selman Rizës, “… shënimi i Ferlatit se autori ynë qenka edukuar në kolegjin ilirik të Loretit (Itali), nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse kështu: në këtë kolegj Budi do të jetë regjistruar vetëm sa për të dhënë provimet e maturës, pa të cilën ai nuk mund të dorëzohej (shugurohej-B.Gj.) prift” (1996:556), duke e sqaruar edhe përcaktimin e dyzuar, jo krejt të ndërliqshëm. Edhe këto rrezatime, nëse vështrohen brenda qarkut veprues, gjithsesi, ndihmojnë për të shqyrtuar çështjen.

Shkolla e parë shqipe në Korçë.

*  *  *

Dokumentimi i hapjes së të parës shkollë shqipe, qëmtuar prej Dr. J. Rexhepagiçit, në një libër të gjatë studimor rreth kësaj çështjeje: “Shkollat janë hapur me iniciativën e priftërve, por shpesh edhe të kërkuara nga popullsia qytetare apo fshatare” (1968: 47), që është me interes, veçan, për shkollimin në gjuhën shqipe. Cytëse është e dhëna që sjell po ky autor mbi programin: “Pos disiplinave fetare të cilat rëndom i jepnin priftërit shqiptarë, në këto shkolla italisht, e nga gjysma e parë e shekullit të XVII edhe shqip, mësohej leximi, shkrimi, elementet e historisë dhe njohuri të tjera të dobishme” (1968: 48).
Diku tjetër ky autor nënvizon se “Në Shqipëri gjithashtu ka pasur disa shkolla fillore, që përmenden qysh në shekullin XVI.
Janë të njohura këto shkolla:
1. Shkolla fillore në Kurbin afër Krujës, e themeluar më 1632… Kjo është e para shkollë në territorin e vilajetit të Shkodrës. Shkollën e vijojnë një numër i vogël nxënësish (10 nxënës). Sipas raporteve të Mark Skurës, të datës 20.XII.1641 dhe 7.III.1650, që i janë dërguar Kongregatës, fëmijët në këtë shkollë kanë mësuar lexim e shkrim, kurse ata më të rriturit gramatikë, gjë që i përgjigjej shkollës së mesme.
2. Shkolla fillore në Korçë, e themeluar në vitin 1637. Ekziston mendimi se është shkolla më e vjetër. Në të paguhej taksa shkollore.
3. Në vitin 1638 u hap shkolla fillore në Pedhanë (rrethi i Shkodrës), ku mësonin fëmijët e atij fshati, “por edhe nga vise të afërta”. Shkolla punoi deri në vitin 1675.
4. Në të njëjtën kohë, në Pedhanë, u themelua një shkollë e mesme… Shkollën e vijonin ata që kishin dëshirë të bëhen anëtarë të klerit.
5. Në rrethinën e Shkodrës është themeluar shkolla fillore në Blinisht, më 1639… Megjithëse ishte shkollë fetare, mësimi në të është zhvilluar në gjuhën shqipe.
6. Me kërkesë të qytetarëve të Blinishtit, po atë vit u hap dhe shkolla e mesme, e pagëzuar “gymnasium”. Kjo ishte shkollë për të rinjtë…
7. Ka ekzistuar edhe një shkollë private në Shkodër, e hapur në vitin 1698. Këtë shkollë e vijonin fëmijët e tregtarëve dhe pasunarëve tjerë. Pos të tjerash mësonin edhe gjuhën shqipe… Shkollën e themeloi P. Filipi, françeskan i Shkodrës.
8. Shumë herët hasim në shkolla shqipe edhe në viset e Himarës…” (1968: 50, 51).

Pra duket qartë se kemi të bëjmë me një pasqyrë tërësore të fakteve të shkollimit në gjuhën shqipe në mjedise të njohura edhe nga dokumentet arkivore. Gjithashtu, interesante është edhe e dhëna që sjell po ky autor: “Është normale, pra, – thotë ai – të supozosh se qysh në shekullin XVI në këto vise ka pasur shkolla katolike shqipe. Dihet me siguri se një shkollë e këtillë ka ekzistuar në Janjevë…
Kryepeshkopi i Shkupit Andrea Bogdani, i shkruan Romës (15.XI.1664) nga Janjeva, ku kishte rezidencën e vet, duke i rekomanduar në letër Kongregatës për mësues të shkollës katolike në këtë vend shqiptarin Pjetër Mazreku (prizrenasin), i cili më 25 qershor 1666, njohton Kongregatën se me plot entusiazëm punon në shkollë dhe me ndërgjegje kryen detyrën që i është besuar” (1968: 48).
Po ashtu, me mjaft interes është edhe dëshmia që sjell Petro Marko në librin “Retë dhe gurët”, ku ndër të tjera thotë: “Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar Papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe – seminar për priftërinj në gjuhën shqipe” (2000: 44), duke e zgjeruar gamën shqyrtimore të çështjes së historisë së shkollimit në gjuhën shqipe. Për më tepër që kjo e dhënë pohohet edhe nga Rexhepagiçi, kur shprehet: “I gjejmë në Dhërmi, Vune, Palas. Edhe këtu priftërit u jepnin mësim fëmijëve, si Neofit Rodino (1630-1642), pastaj Kostandin Onofria dhe të tjerë” (1968:51).
Ndërsa pohimi i Markos se “Katekizmi në meshë këndohej në shqip”. Papa Dhimitri nga Dhërmiu, Gjileku, e përktheu ‘Katekizmin’ në gjuhën shqipe, po, sipas raporteve të bazilianëve, nuk u botua, se ishte botuar ai i Budit” (2000:46), hedh jo pak dritë mbi praninë e librave të Budit edhe në Jug, madje tek besimtarët ortodoksë.
Ekzistenca e shkollave të tilla në harkun e shtrirë të shekullit XVII-të dhe veçanërisht hapja e tyre, pothuaj në pjesën dërrmuese të trojeve arbënore, megjithëse janë të karakterit fetar, e shpërfaq si dukuri mbikrahinore, madje duke tentuar edhe programe të përcaktuara, gjithnjë në kuadrin e kishës katolike.
Aq më shumë që shkollat fetare të ritit latin dhe jo të tillë, ku mësohej edhe gjuha shqipe, gjenden në treva të një hartografie mjaft të shtrirë, por veprimtaria e tyre është tejet e prekshme në ato zona ku edhe ushtruan veprimtarinë e tyre kuarteti i priftërinjve katolikë, mes të cilëve edhe Budi, ta përforcon mendimin se ekzistonin parakushte për hapjen e shkollave shqipe.
Këto gjurmë dhe mjaft të tjera, që ende presin që të shpluhurosen, i japin jo pak moshë gjuhëshkrimit të shqipes ndër shkollat shqiptare, edhe pse fetare, dhe ofrojnë dëshmi të procesit shkollues, potencialisht aty nga fundi i shekullit XVI dhe të dokumentuara fare shkoqur në shekullin XVII.

Nëse, gjithnjë jo vetëm si qerthullim hipotetik, nisur nga dëshmitë e gjurmimeve dhe sa më larg dëshirave subjektiviste, por, kryekreje, vetëm si qëmtim dhe gjurmim dokumentash, si zanafillë të datuar të gjuhëshkollimit shqip do të mund të merrnim çeljen e shkollës së Dhërmiut më 1630, të shkollës së Kurbinit më 1632, të shkollës së Korçës më 1637, apo të Janjevës më 1666, të cilat konfirmohen edhe nga Petrotta, dhe në të cilat, përveç të tjerash, ka gjurmë dokumentare se janë përdorur si libra mësimorë edhe librat e Budit, veçanërisht Doktrina, katekizmi i përkthyer enkas nga ai për nevojat e shërbesave fetare.
Në të mirë të ilustrimit të idesë së hedhur është edhe gjykimi i dhënë prej Rexhepagiçit mbi Matrëngën, kur shprehet: “Mendim pedagogjik hasim edhe në “Katekizmin” e arbëreshit Lekë Matrënga, i cili e përktheu këtë vepër… Ky formulim ka rëndësi të posaçme pedagogjike dhe ka këtë përmbajtje: “Unë sa të jamë gjallë nuk do të mongoj… të ndihmoj fëmijët për hirë të tyre të bëhem edhe vetë fëmijë që ata të përfitojnë sa më shumë”. “Në këtë formulim Matrënga shpreh gatishmërinë për të mësuar fëmijët e shqiptarëve” (1968: 54),në parathënien e librit “E mbasme e Kërshtenë” botim i vitit 1592, shënon fillimin e shkollimit në gjuhën shqipe. Vetë struktura e librit me poezinë e përshpirtshme me prozat diturake, fetare, dëshmon datimin e organizuar të gjuhë-shkollimit. E gjitha kjo dëshmon, pothuajse drejtëpërdrejt, se kemi të bëjmë me një rregull të lejuar dhe të fiksuar nga Vatikani, në formën e detyrimit për shërbesat fetare, por, mesa duket, edhe për librat mësimorë për nxënësit që do të përgatiteshin si priftërinj.
Kuptohet, shenjimi i 7 marsit të vitit 1887 si fillesë e shkollimit në gjuhën shqipe, është bazuar, kryekëput, në natyrën laike të saj për shkak të përcaktimeve të mangëta, të leximit të historisë së arsimit shqip me syze ideologjike që, dihet, nuk e qasnin fetarizmin. Nivelet e ngritura programore, si dhe tekstet e përdorura në këtë shkollë, por edhe në të tjera pas vitit 1887, ka kuptim të vetëmjaftueshëm, madje merr vlerë të veçantë, si një pikë kulmore e mësimit të shqipes, tashtimë në kohët më të reja.
Veçse hapja e kësaj shkolle, kurrsesi nuk duhet parë e shkëputur prej periudhave të mëparshme, të dokumentuara, po aq moderne në kontekstin e atyre rrethanave kur funksionuan, madje që i paraprinë dhe përgatitën parakushtet për të mbërritur deri tek niveli i shkollimit laik.
Padyshim që gjykimet, pohimet, argumentat, faktet, thëniet dhe kundërthëniet, kundërshtitë dhe dëshmitë që do të sjellin shkencëtarët e gjuhësisë, letërsisë dhe historisë, do të largojnë jo pak mjegullima mbi fillesat e shkollimit në gjuhën shqipe, megjithë karakterin e tij fetar përpara periudhës së Rilindjes Kombëtare, çka është po në atë linjë logjike të rrugëtimit të arsimit dhe shkollës edhe në botën e qytetëruar.
Zhvendosja e problemit në rrafshe të tjera, jashtëgjuhësore dhe jashtëhistorike, pa kritere shkencore, pa faktura arkivore, pra pa dokumentime të gjurmuara, do ta shndërronte këtë aspekt, gjysmë të njohur, në një absurd të radhës, zhurmues dhe vetëshkatërrimtar.
Përkundrazi, dëshmitë e gjurmuara, krejt natyrshëm të çojnë vetiu tek disa fakte konkrete historike, që flasin jo pak për realizimin e aktit sublim të arsimimit në gjuhën shqipe, diku-diku edhe në trajta të ngulitura pedagogjike.
Përjetimi i këtij momenti, gjithsesi të ndërliqshëm, le të shërbejë si ngacmim për të thelluar mendimin shkencor, historik e gjuhësor, pedagogjik dhe letrar, për të synuar nxjerrjen nga pelenat foshnjarake të gjuhës shqipe, tashmë si gjuhë e shkollimit, sidomos për t’i dhënë asaj vendin që i takon, deri aty ku përvijohen gjurmët historike, në fundit të shek. XVI dhe në pjesën e parë të shek. XVII, që fakton shkolla, ku formimi fetar, doemos, tanimë përmbarohej përmjet shqipes e vetëm me anë të saj, pse, e thamë njëherë, tekstet e kësaj nxënieje, prej kohësh qenë mbëltuar në truall të shqipes.
Kjo do të thotë vlerë dhe rivlerësim për gjuhën shqipe, e cila është një e vetme, si traditë më e hershme, mataruar në altarin e dijes, siç kundrohet shkolla.
 – Autori ëshët publicist, kritik dhe studiues i letërsisë.

======================================

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura