SULEJMAN MATO: MOIKOM ZEQO, UNIVERSALITETI I LETËRSISË MODERNE

Pashtriku.org., 14. 03. 2013 – (Esse mbi krijimtarinë e Moikom Zeqos) – Duke dashur të flas për impresionin që lë kozmosi letrar i këtij personaliteti të madh të letrave shqipe, më shfaqet para Moikomi i ri, 14 vjeçar…, tërë gjallëri, pasion dhe entusiazëm, si ashkush tjetër i moshës së vet. Vinte si notar në Sarandë, përfaqësues i ekipit durrsak.
S’vonon asnjë vit kur Moikomi prezantohet si poet, boton një cikël poezish në gazetën “Drita”. Ai dhe poezitë e tij priten me entusiazëm si askush tjetër nga letrarët e rinj të asaj kohe. Një emër i ri hyn në poezinë shqipe, një emër disi të veçantë: Moikom… Ky do të ishte poeti ardhshëm, prozatori dhe studjuesi i ardhshëm, piktori dhe arkeologu i ardhshëm, koleksionisti i librave të vjetër dhe eksploratori i nënujrave, Ministri i Kulturës, deputeti dhe doktori i shkencave, Moikom Zeqo.
Rrallë hyjnë në letërsi me kaq vrull dhe kaq bagazh kulturor letrarë të tillë. Akoma më rrallë hasen personalitete të tilla, multidimensionale; le të themi se gjer më sot askush nga shkrimtarët tanë, të gjallë dhe të vdekur , nuk kanë sjellë një prurje kaq të madhe, 70 tituj librash letrarë e shkencorë, në një kohë kur autori ështëp te të gjashtëdhjetat…
Unë, që mund të quhem miku i tij i hershëm dhe lexuesi i imtë i veprave të tij, shtysën për të hedhur në letër impresione rreth krijimtarisë së tij e mora nga libri i tij më i fundit : ”Grishja e Florimondit.”Një libër i llojit të vet, me një dëndësi të madhe infromacioni rreth letërsisë, historisë, kulturës, artit, shkencës, arkeologjisë…
Ajo që mund të thuash me dy fjalë për këtë libër të fundit:”Grishja e Florimondit”, por dhe në përgjithësi për të gjithë krijimtarinë e këtij autori gjatë këtij dhjetëvjeçari, është kjo; Moikomi të befason me këtë krijimtari sui generis, krejtësisht e veçantë për nga lloji dhe e pangjashme me krijimtarinë e asnjë autori tjetër, shqiptar apo botëror.

DR.MOIKOM ZEQO

Është vështirë të bësh klasifikime. Në se veprat e tij di t’i konsideronim romane bashkëkohore të shkruara në formën e meditimeve, esseve, monologëve dhe bashkëbisedimeve, ato e shqyejnë këtë kornizë dhe dalin jashtë saj, e në se këtë lloj letërsie do ta klasifikonim si një dialog mes të gjallëve dhe të vdekurve, mes sendeve reale dhe irelae, ajo qëndrom përmbi to, duke eksploruar lirisht mbi fakte dhe data, mbi njerëz dhe popuj, mbi histori të mëdha dhe të vogla, reale dhe të ireale… Krijimtarinë letrare të Moikom Zeqos mund ta përqasnim me krijimtarinë eseistike- filosofike të shkrimtarit të madh argjentinas, Jorge Luis Borges, por dhe kjo nuk qëndron.
Për studjuesit që merren me klasifikime dhe tipologjira, krijimtaria e Zeqos mund t’i vërë në mendime, por, për një lexues të thjeshtë që kërkon të lexojë libra ndryshe dhe të përfitojë nga gjithshka që mund të përfitohet nga një shkrimtar multidimensional, klasifikimi s’ ka rëndësi. Por dhe lexuesi profesionist, duke lexuar librat e Moikomit, do të kenë se çfarë të përfitojë, nga dëndësia e fakteve dhe infromacioni, nga moderniteti i shprehjes dhe figuracioni i bollshëm poetik, nga skrupuloziteti shkencor dhe nga plazmimi i gjuhës, nga loja që ai bën me fjalët e gjuhës shqipe si një magjistar i saj.
Krijimtaria e Moikom Zeqos “duke u futur në mediumin e fakteve ” krijon një kolanë më vete, kjo do të quhej kolana e një letërsie të ardhshme të cilës ai i paraprin. Letërsia e tij qëndron si një medium midis arkaitetit dhe modernitetit, ashtu siç krijon një ekujlibër të harmonishëm midis realitetit dhe mistikës së lindur po nga ky realitet.E megjithatë, kjo nuk është e gjitha.
Nëse dikush i ka lexuar me kujdes veprat e tij letrare të shkruara brenda dhjetë vjetëve të fundit, do të kuptojë se pluritematika është tipari kryesor në shprehjen artistike të universit të dijeve. Studjuesi Leka Ndoja do të shprehej kështu për këtë krijimtarinë e këtij shkrimtari: ”Shkrimet e tij enden midis efektit letrar edhe atij studimor, duke ruajtur një ekuiilibër të kënaqshëm…, – dhe më poshtë; – ndërthurja e elementëve shkon gjer në eksperimentim dhe performancë edhe me ballinat e piktuaruara nga vet ai.”
Te libri i përmasave: “Kështu foli Mona Liza” Moikom Zeqo kërkon të prekë të paparën nga syri i njeriut të thjeshtë dhe të paprekurën nga dora e po këtij njeriu.
Mona Liza është portreti filozofik i një gjeniu njerëzor, i cili ka shqetësuar ndër kohëra shkencën dhe ka trazuar mendjet njerëzore, rreth gjenezës së krijimit .Mona Liza është një krijim enigmë… Qysh në fillim të këtij libri, Zeqoja shpall pretendimin e zbulimit të enigmës, nisur nga besimi se vetëm poetët kanë dhunti për të zbuluar enigmat. Po ç’është të shkruash libra?- pyet ai .Të regjistrosh fjalë. Po në planet çdo ditë ka me miliarda biseda, miliarda libra të pashkruar, që thuhen, shtejllohen kulmohen, copëtohen, thërmohen pa qenë të domosdoshme të shkruhen. Është një e drjtë e pakufishme e harresës, që këto libr të mos shkruhen kurrë. Librat janë çarku dhe dinakëria e kujtesës.”
Ndër gjithë krijimtarinë e Moikom Zeqos, mendoj që ky libër është disi i çuditshëm, dhe në mënyrën e të rrëfyerit dhe me lëndën e vet gjysmë reale e gjysmë mistike dhe në harmonizimin e mozaikëve, të dialogë-monologëve, të poezisë dhe diturisë, të artit dhe historisë e mbi të gjitha, për shumë sentenca filozofike të autorit, të lindura gjatë procesit të krijimit.
Libri më i ri i tij, “Grishja e Florimontit”, nis me një dialog midis vetvetes dhe profesorit të shquar të gjuhësisë, Mahir Domit. Dialogu është thjesht një element artistik i përdorur për të ngritur atë që ai e citon qysh në fjalinë më të parë: “Kujtesat e plagosura ulërijnë.”
Nisma e një libri te Moikomi i ngjan një reje të madhe të ngarkuar me lloj -lloj elementësh atmosferikë e cila kërkon urgjentisht të shkarkohet.Ajo kërkon të shkarkojë fillimisht shiun, vetëtimat dhe bubullimat, pastaj të shkarkojë ndjesitë dhe faktet e shumta që qëndrojnë pezull, në qiell, në mëshirën e erërave, së bashku me avujt e ftohur tokësorë, pastaj të shkarkojë legjendat, legjendat shqiptare dhe ato të tjerat, legjendat e popujve të ndryshëm të përziera me ato shqiptare, pastaj të shkarkojë gjithë universalitetin e njohurive që lidhen intuitivisht me tematikën që trajton… të gjitha këto ai i shkarkon në librin ”Grishja eFlorimontit”, brenda enegmës së një emri Florimont…brenda enigmës së një legjendë e cila vjen nga lashtësitë e kulturës sonë, për të cilën autori është tejet i ngazëlluar dhe kureshtar, torturonjës, i vetëdijshëm se po gjendet në prag të një zbulimi të madh, dyshues, për një emër luleje i cili lidh gjithë historitë e lindura në këtë truall dhe në trojet përrreth, emër që lidh gjithëpoetët dhe historianët e shekujve, emër që lidh shkencën me poezinë, emër që të bën të mos i përballosh dot metaforat e lindura, emër që të shtje në mendime , emër që zbraz nga kujtesa univerale një material të pasur artistik e historik, emër që shërben si tingull për të nxjerrë nga kujtesa historike shumë persona historikë…Florimonti është një element lidhës, një urë lidhëse midis eciklopedisë botërore dhe enciklopedisë shpirtërore, një urë lidhëse midis makrokozmosit dhe mikrokozmosit poetik.
”Floriomont, Florimont,…ti je subjekt i hapsirave sakrale, pikturaliteti në lëvizje Ptolemeike, mesjeta çlirohet nga teocentrizmi, nga ikonizmi apsolut…Poeti kurrë nuk vërteton, prandaj nuk gënjen,- thotë autori.- Libri i Florimontit nuk na gënjen si art por nuk është i vërtetë në kronologji…”
Gjithë kjo ndezje poetiko historiko- mistike vetëm në 160 faqet e para të këtij libri 420 faqesh. Pjesët e tjera vijnë më të shtrira , më meditative, ato vijnë si qetsia pas stuhisë.
Letërsia e Zeqos hera-herës i ngjan letërsisë së Joyce-it (Xhojsit), ajo është letërsi e fluksit të rrjedhës psikologjike, teknikë kjo e njohur e letërsisë moderne.Ashtu si te Xhojsi dhe te Moikomi kemi përroin e ndërgjegjes që lëviz dhe zhauron midis faqeve të librave të tij…
”Ky koncept, vjen në përfundimin e universalizimit të krijimit, pa dallim”-shkruan kritiku Ndoja. Ngarkesa jetësore dhe librore te Zeqoja është shumë e rëndë. Ajo kërkon të zbrazet në mënyrë kaotike dhe intuitive.
Vetëm intuita e një krijuesi, në çastet e ndezjes së krijimit, mund t’i vendosë gjërat në vendin e vet. Mijra e mijra fakte zbresin dhe radhiten sipas atij koncepti intuitiv që bën krijuesi, në çastet e shkrepjeve të vetëtimave krijuese.Mënyrë tjetër për ta shpehur gjendjen e ethshme të krijuesit, nuk gjetëm, është ajo gjendje e nderë në çastet kur kujtesa gjendet në ethet e krijimit
Në pamje të parë lexuesi mendon se gjendet para një përçartjeje, mirëpo, pikërisht ai është çasti kur gjërat nisin të gjallërohen .”Disa minuta krijimtarie ushqejnë muaj dhe vite të tëra pune…Gjatë kësaj dehjeje, – do të thotë shkrimtari Kadare, – përpara trurit të shkrimtarit gjithshka ngjan e mundshme .”
Shkrimtari Myshel Butor këtë gjendje krijuese do ta përshkruante kështu: ”Romancieri i ndien gjerat si nisin të murmuritin rreth tij dhe atë murmuritje e shpie gjer te fjala.” Florimont në shqip do të përkthehej: Lule mali, ose Lulmali, emër i një djali i ndryrë në legjendat e këtyre trojeve qysh para erës së re. Një legjendë shtegtuese të cilën Moikom Zeqo rreket ta kthejë në identitet, artistikisht dhe historikisht.
Kritika standarte dhe ajo mediokre e ka të vështirë të komentojë libra të tillë. Kritika që është mësuar të hulumtojë në libra, temën, idetë, koloritin kombëtar etj., etj. ngec para librave që i shqyejnë format kompozuese.
Librat e Zeqos thyejnë tabutë e rrëfimit, ato dalin dhe hyjnë lirisht në formate të ndryshme krijuese, krijojnë vetë formate, ndërkohë që vetë i prishin ato. Në libra të tillë mbeten pa definicion, gjithshkaja për ta është lënda. Libra të tillë mbeten te hulumtimi i gjithshkaje, ndërkohë që s’ kanë as temë as ide, e njëherazi përmbajnë qindra tema dhe qindra ide.
Kapitujt që pasojnë bëjnë thyerje të klishesë letrare. Ja disa prej tyre: ”Të (pa)vdekur me të (pa)vdekur”.”Ciceronianeus es, non Christianus”.”Shekulli XII, Kentaur midis XI dhe XIII”….”Të gjallë me të gjallë” ”Gruaja me mbathje hekuri”.”..Një histori krejtësisht e veçantë e kohës sonë e cila ndërkallet mirë midis kapitujve që lidhen me të kaluarën.
“Metafora i paraprin universales si sinkretizëm. Poetët janë mjeshtër të metaforave, – thotë Moikomi.
Dialogu vërtitet te ca probleme letrare dhe filozofike, te jeta dhe vdekja. Te besimi dhe te tjetërsimi i njeriut. Në këtë kapitull autori e gjen mjetin letrar në lashtësi duke e rikthyer në një mënyrë të re artin e dialogut Platonian apo të Lukianit.
E gjithë vepra duket sikur nuk ka një bosht, duket si një avjon që në fundin e udhëtimit të vet kërkon aeroportin që do të zbresë. Dhe ja, zbritja bëhet e butë, përmes kapitullit mbyllës:”Vdekja e Florimontit”.
Tashmë …”fjalët kanë hyrë në një grevë heshtjeje. Realiteti arrin te zeroja mistike… Një xixëllonjë fluturon si një pikë ortografike në fund të një fjalie testamenti…Historia është plot ”pse” dhe asnjëherë me ”po”.
Në fund të këtij shkrimi do të doja të evidentoja dhe njëherë se shumëllojshmëria e formave letrare ka qenë dhe mbetet një kusht për zhvillimin e letërsisë sonë. Me krijimin e kushteve të një bote të hapur, letërsia jonë zhduku prangat që e lidhnin atë me skema standarte. Tashmë krijuesit janë të lirë të tregojnë gjithë forcën e talentit të vet krijues. Janë të lirë të prekin të gjitha zonat e virgjëra të imagjinatës krijuese.
Shkrimtari Moikom Zeqo është jo vetëm ndër shkrimtarët më pjellorë të kësaj dekade të fundit, por është i mbushur plot me kulturë e dije, plot imagjinatë dhe mundësi pakufi shprehjeje. Ai është ndër krijuesit i cili ka sjellë novacione në poezi qysh në vitet shtatëdhjetë, me librin e vet: ”Qyteti Feniks”, dhe libri tjetër; ”Brenda vetes”, i cili kurrsesi nuk mund t’i botohej në Shqipëri por vetëm në Kosovën e çliruar nga censura dhe dogmat letrare të realizmit socialist. Arti i Moikom Zeqos i përket një realizmi magjik, ai është i mpleksur me elementë mistikë, historikë, letrarë dhe kohorë.
Fantazia është elementi që i lidh dhe i bashkon të gjitha në një.
I ngarkuari i përjetshëm me enciklopedinë botërore, i dënuari i përjetshëm të jetojë në shtresat e sferave të larta të poezisë, dhe i robëruari i përjetshëm i krijimit ka vite që qëndron për kritikët i zhvendosur në zonën e heshtjes. Të gjithë ne krijuesit i kemi të nevojshme vlerësimet. Fjalët e mira për një krijues janë si ajri për mushkëritë.
Krijuesit, duke qenë gjithmonë në kërkim të motiveve i kalojnë në heshtje veprat e kolegëve të vet letrarë. Mos të harrojmë që të zhvendosur në këtë zonë heshtjeje kanë qenë dhe shumë shkrimtarë tanë të shquar si, Sterjo Spase, Petro Marko, Jakov Xoxa, etj.
”Heshtje e plotë në Shqipëri për mua, – shkruan Petro Markoja….Ndërkohë që në Kosovë më botonin veprën e plotë, më ribotonin veprat e mia, bëhesha në të gjitha kategoritë e shkollave…” Pse ndodhte dje kjo? Pse ndodh dhe sot kjo gjë?
Unë nuk besoj se kjo ka lidhje me xhelozitë letrare.Por, me sa duket , i dashur Moikom, kritika edhe ti të paska zhvendosur në një zonë heshtjeje, por gjithësesi në një heshtje qiellore, larg zhurmave njerëzore, ndonëse duhet thënë se pikërisht aty në qiell, midis reve kalimtare, midis vetëtimave dhe bubullimave të vazhdueshme ti e ndjen veten më të lirë dhe në harmoni me universin.
Një nga shkrimtarët tanë të shquar, Dritero Agolli, ka thënë se krijimtaria e Moikomit do të kuptohet pas dhjetë vjetëve …Ky është një vlerësim për ty, i dashur Moikom.Kjo tregon se letërsia që sot bën ti nuk i ka lexuesit e vet, ose i ka të paktë, ndërkohë që letërsisë që bëjnë disa shkrimtarë të tjerë lexuesi i ka vdekur prej kohësh. (Shkrimi u botua për herë të parë në vitin 2005)

– Sylejman Mato është, shkrimtar, poet, dramaturg dhe publicist shumë i njohur në Shqipëri.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura