PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / GJENERAL BRIGADE KUDUSI LAMA (9)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime
Gjeneral Brigade Kudusi Lama
Do të vlerësoja fillimisht vendin dhe rolin e Divizionit të Kukësit gjatë luftës në Kosovë. Lufta e Kosovës që në projektin e saj, mori mbi vete barrën e çlirimit të asaj pjese të Shqipërisë nga robëria e Serbisë. Në këto kushte ishte detyrë e çdo shqiptari që këtë luftë jo vetëm ta përkrahte, por edhe ta mbështeste me të gjitha forcat e mjetet, që ajo të ishte e suksesëshme. Ne u angazhuam për të qënë në mbështetje të synimeve që ishin në programin politiko-ushtarak të UÇK-së.
Divizioni i Kukësit, si një njësi operative e Forcave të Armatosura Shqiptare, përfshinte një zonë të gjërë përgjegjësie, që shtrihej në një vijë fronti, që nga maja e Korabit, përballë Maqedonisë e deri në Alpe, përballë Plavës e Gucisë, nën juridiksionin e Mali të Zi. Brenda këtyre kufijve, shtrihej gjithë vija kufitare e tij ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës së pushtuar.
Pra kjo njësi, që ishte njëkohësisht përballë ushtrisë serbe për sigurimin e integritetit të Republikës së Shqipërisë, ishte gjithashtu element organik në skalionin e dytë të UÇK-së. Duhet pra të jemi të qartë, se pa një pozicionim të saktë të Divizionit të Kukësit, në interes të situatave që zhvilloheshin, ngjarjet mund të kishin rrjedhoja të tjera. Prandaj vlerësoj se ky Divizion, gjatë asaj lufte heroike çlirimtare, ka patur dhe luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Rolin e tij do ta konceptoja kështu:
Së pari, duhet të reflektojë aftësi luftarake për të siguruar integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë dhe paprekshmërinë e kufijve të saj. Këtë detyrë e realizuam duke përballuar një seri provokacionesh të njëpasnjëshme e të përditëshme të forcave serbe, të cilat ishin shumë të interesuara që të përfshinin në konflikt Republikën e Shqipërisë, pasi do të krijohej për ta një situatë shumë e favorëshme për të realizuar synimet në Kosovë. Pra, të shmangesh luftën duke patur përballë një armik që kërkon me çdo kusht të të angazhojë në të, është jo vetëm një detyrë e vështirë, por edhe një përgjegjësi e madhe. Ajo kërkon studim të hollësishëm të të gjitha mundësive dhe vleresim të rrugëve për zgjidhje duke përcaktuar atë që është më e favorëshme.
Së dyti, të transformonte siguri tek i gjithë populli shqiptar, që akoma nuk besonte se mund të kishte një forcë të armatosur për t’i bërë ballë armikut, pas shkatërrimeve të vitit 1997. Na dilte të përsosnim çdo ditë elementët e sigurisë, por duke bërë përpjejkje edhe për eleminimin e atij hendeku të imagjinuar që ishte krijuar midis ushtrisë e popullit.
Së treti, të krijonim një lidhje të qëndrushme e serioze në marrdhënie me strukturat politike e ushtarake ndërkombëtare, si NATO, SHBA, OSBE, Komiteti Eropian, strukturave të OKB-së, organizatave jo qeveritare etj, të cilat me prezencën e tyre transmetonin më shumë siguri, qëndresë dhe bashkepunim serioz në përballimin e krizës humanitare.
Së katërti, të arrinim të krijonim një panoramë mediotike të qëndrueshme të veprimit tonë. Në atë periudhë, mediat nga e gjithë bota ishin të interesuara të merrnin dhe të transmetonin informacion. Kjo kishte shumë rëndësi për ne, pasi nëpërmjet tyre bëhej e mundur pasqyrimi i gjëndjes reale të genoncidit serb mbi popullin e Kosovës. Bashkëpunimi me median kërkonte kujdes, pasi konstatonim se jo të gjithe ishin miqësor, shumë prej tyre vinin për lajme sensasionale, ndokush edhe me prirje për aventurizëm etj. Njëkohësisht komunikimi me mediat në Kukës shihej edhe me njëfarë dyshimi e cmire nga segmente të ndryshme ushtarake e shtetërore në Tiranë. Këto probleme duheshin kapërcyer e detyra duhej kryer. Kjo detyrë nuk ishte e lehtë, pasi kërkohej angazhimi maksimal për drejtimin ushtarak të njësisë.
Së pesti, UÇK-ja dhe strukturat drejtuse të saj ishin prezente dhe kërkonin mbështetjen e duhur për të realizuar objektivat e tyre luftarake. Duhej mbajtur parasysh, që këto obligime duhet të realizoheshin kur në të njëjtën kohë Divizioni ishte në procesin e ringritjes pas goditjeve që mori në Mars 1997.
Vlen të veçojmë lidhjet shpirtërore të formacioneve të Divizionit me strukturat vepruese të UÇK-së. Ajo ishte prezente kudo. Për të dhënë një konstatim më të saktë, duhet pranuar se Divizioni i Kukësit, megjithëse ligjërisht ishte njësi e FA të RSH, praktikisht duhej konsideruar dhe si pjesë përbërëse e UÇK-së.
Një konceptim i tillë na bënte që të gjithë elementët e rendimit të Divizionit të ishin të ingranuara me pozicionet që mbanin djemtë e UÇK-së. Ata ishin të njohur për të gjithë ushtarakët, pse jo edhe nga populli në zonën e mbrojtjes së Divizionit. Përkushtimi i tyre dhe gatishmëria për të dhënë edhe jeten për atdheun, u bënë burim frymëzimi për të gjithë ushtarakët dhe natyrisht kjo ndikoi shumë në konsolidimin e strukturave të Divizionit për të arritur parametra operacional në atë nivel që e kerkonte situata.
Prezenca e këtyre idealistëve të lirisë dhe njëkohësisht qënia e tyre shqiptar, bënte që lidhjet shpirtërore dhe fizike midis këtyre dy strukturave të ishin në nivelin më të lartë. Nuk është momenti për të dhënë detaje por, nëse një ditë do të marrë dikush përsipër ta komentojë me të gjithë e të shkruaj për ta, sejcili ushtarak i Divizionit të Kukësit apo UÇK-së do të mund të përshkruaj një histori më vete e shumë interesante.
Dua të theksoj një moment tjetër shumë delikat, veçanërisht për krizën humanitare. Përjetimin e kësaj situate e kam bërë të qartë edhe më parë në shkrime e intervista të ndryshme. Kuptohet, kjo ishte një goditje e rëndë, të ballafaqoheshe me 700 mijë të shpërngulur, kur ne dhe gjithë organizmat ndërkombëtare kishim parashikuar vetëm rreth 30 mijë të tillë. Pra në pamje të parë kjo ishte një katastrofë. Por katastrofë ajo konceptohej në sytë e opinionit të gjërë. Ne ushtarakët kishim prezent dy pamje, atë të të shpërngulurve dhe rritjen intensive të UÇK-së e strukturave të saj, kalimin e saj nga pozicionet në mbrojtje, në pozicionin e mësymjes së përgjithëshme.
Pra shihet se shpirtërisht vërtetë kishim dhimbje për atë që po i ndodhte një populli të tërë, por kishim edhe bindjen se një dukuri e tillë ishte e përkohëshme, pasi lufta e UÇK-së që po zgjerohej çdo ditë, do të sillte lirinë, duke marrë në konsideratë, që tashmë edhe mbështetja e NATO-s ishte prezente.
Njëkohësisht kriza e shfaqur nuk sillte për ne vetëm elementin e dhimbjes, por dhe angazhimin tonë për të dhënë ndihmesën e duhur në zbutjen e efekteve negative të dhimbjes njerëzore. Ata duhej të sistemoheshin në kushte minimalisht të mundëshme për të jetuar. UNHCR-ja, që ishte organizmi kryesor në këtë ndërmarrje humanitare, arriti të vendosë në funksion hallkat e saj vepruese vetëm pas datës 10 Prill. Pasojat e krizës humanitare prej datës 24 Mars deri në 10 Prill u përballuan kryesisht nga popullsia e zonës, Pushtetit Lokal dhe strukturat e Forcave të Armatosura.
Sidoqoftë, vlerësoj se në këtë periudhë, ne ishim të vetmit që e dinim se ç’po bënim. Të gjithë të tjerët i merrte rryma me problematikën e saj të rënduar dhe bënin sa të mundnin e ç’tu dilte përpara. Do të veçoja gjithashtu cilësitë më të mira të personelit të Divizionit në përballimin e ngarkesave psikologjike e privacioneve në këtë situatë të vështirë. Nuk kam dëshirë të më merret për keq, nëse do të them, se në atë periudhë në personelin e Divizionit janë evidentuar vetëm cilësi e veti shumë të mira nga të cilat do të veçoja:
* Gadishmërinë për të luftuar pa kursyer as jetën, për të arritur jo vetëm ruajtjen e integritetit të vendit por edhe për çlirimin e Kosovës. Kjo veti ka qënë bashkudhëtare për të gjithë ushtarakët, pa dallim grade e funksioni.
* Kur unë deklaroja në atë kohë që jam ushtari i parë i Divizionit, e kisha bindje por kjo nuk ishte vetëm imja, bindje të tillë kishte i gjithë personeli. Ishte kjo një periudhë që të gjithë duhet të ishim ushtar të lavdishëm të Atdheut.
* Disiplinën në situatën luftarake mendoj se u arrit e plotë në strukturat e Divizionit të Kukësit, në të cilën do të veçoja se nuk kishte nevojë t’i kujtoje askujt se ç’duhet të bënte në këtë situatë. Disiplina që në rutinën e përditëshme ha mjaft nga koha e punës së komandantëve e drejtuesve, në atë periudhë kjo kohë ishte e fituar.
* Unitetin midis individëve e strukturave, si një akt themelor për fitoren në luftë. Uniteti, dashuria dhe respekti midis ushtarakëve dhe popullsisë së trevave, bënë të mundur që gjithshka të vlerësohej si veprimtari e të gjithëve. Secili përpiqej të mbante barrën më të rëndë për ta lehtësuar sa të ishte e mundur mundimin e shokëve. Ashtu sikurse kur një strukturë gjëndej në vështirësi, të gjithë ishin në këmbë për t’i vajtur në ndihmë.
* Ndjenja e sakrificës ka qënë bashkëudhëtare me efektivat e Divizionit në të gjithë veprimtarinë e tyre. Me gjithë vështirësitë e punës e të familjeve të tyre, ushtarakët nuk u ankuan asnjëherë, por qenë në ballë të detyrave, pa marrë parasysh rrezikun dhe pa u ndalur përballë vështirësive.
* Dashuria e pa kufishme për Atdheun, i bëri ata që të provojnë rreziqet më të mëdha dhe t’i dalin zot detyrës, të ripërtërinin trimërinë dhe burrërinë e të parëve përballë armikut, pa marrë parasysh rrjedhojat.
Profesionalizmi ushtarak i komandave e shtabeve ishte një nga tiparet më të spikatura deri në përfundim të luftës. Komandat dhe shtabet në të gjitha nivelet kanë luajtur një rol të madh për planifikimin, koordinimin dhe drejtimin e veprimeve luftarake në proçësin e zbatimit të detyrave e të misionit.
Si detyrë të parë ushtarakët kanë patur atë të ushtarit. Në Divizion, në të gjithë strukturën ka pasur tre lloje planizimi të veprimtarisë operacionale. Së pari, ishte planifikuar që të gjithë efektivat aktive, duke filluar nga komandanti i Divizionit dhe gjithë personeli oficer e nënoficer të organizoheshin deri në hallkat e kompani e bateri për të mbuluar në rendim luftimi drejtimet më të rrezikshme në një situatë të rrezikëshme. Të gjithë do të luftonin si ushtarë, ndërsa në të pastajmen me fillimin e kompletimit, do të bëhej kalimi gradual i kuadrove nga detyra e ushtarit në atë të komandantit të togës, kompanisë e batalionit. Për të realizuar detyren sipas këtij planizimi u bënë mjaftë prova gatishmërie, ashtu si edhe u kryen veprime të mirëfillta luftarake gjatë ndeshjeve me forcat ushtarake serbe.
Së dyti, funksiononte planizimi i trupave aktive, sipas të cilit, nënrepartet dhe repartet do të kryhenin detyrat në front. Ky planizim deri në tetor të vitit 1997 u vu në efiçence në masën 60% dhe vazhdoi të perfeksionohej në proçes sipas shkallës së kompletimit.
Së treti, planizimi u shtri në përdorimin e forcave me strukturën rezerviste. Komandantët dhe shtabet punuan intensivisht, duke ngritur repartet me kompletim në kushtrim e stervitje, me një nivel 60% deri në 70%.
Gjatë gjithë përiudhës, komandat dhe shtabet në të gjitha veprimtaritë operacionale kanë manifestuar profesionalizmin ushtarak në shkallën më të lartë, aftësi këto, të cilat u reflektuan më së gjëri për mbi 22 muaj të luftës në Kosovë dhe në stërvitjet madhore si, “Drini 98” dhe “Drini i Bardhë 99”, apo në përgjigjen që u është dhënë forcave sërbe nga repartet e Divizionit në Tropojë dhe Qaf Prush.
Disa vleresime do t’i pasqyroja për mbështetjen e popullit të rretheve të veriut dhe organeve të pushtetit vendor për strukturat e Divizionit.
Populli i zonës e kuptoi se pas marsit të vitit 1997, luftën e kishte në prag, por ai kuptoi më së miri se çfarë tragjedie i kishte shkaktuar vetes me goditjen që i kishte dhënë ushtrisë së tij. Në kushtet e vlerësimit të situatës ai u bë mbështëtës i zhvillimeve për ringritjen dhe fuqizimin luftarak të Divizionit. Do të veçoja:
* Mbështetjen morale. Ushtarakët gjetën ngrohtësinë e prehrit të zonës dhe miratim për të gjitha veprimtaritë ushtarake që u zhvilluan.
* Mbështetje njerëzore. Komandanti i Divizionit, në atë periudhe, ka pritur përfaqesues dhe përfaqësi nga të gjitha fshatrat, të cilët na jepnin garanci e mbështetje për trupat që do të vepronin në front. Ishin pikërisht këto kontakte që jepnin siguri se, nëse do të fillonte një luftë në front të gjërë me Serbinë, nga zona do të ishin në frontin e luftës mbi 30 mijë luftëtarë.
Por mendoj që kur kemi të bëjmë me mbështetje të popullit, unë nuk mund të bëjë një ndarje midis mbështetjes nga populli i zonës, prej mbështetjes nga populli shqiptar në tërësi. E them këtë pasi, në atë periudhë, unë kamë marrë nja sasi letrash nga krahina të ndryshme, nga individë, grupe njerëzish, pensioniste, të rinjë etj, të cilët shprehnin gatishmërinë dhe sigurinë se, sapo të shpallej lufta, do të ishin pranë meje në front.
Ishin këto arsyet që me detyruan mua të ngre struktura të veçanta të mobilizimit me kuadro të zotë dhe të caktoj terrene, kazerma e mjete për mobilizimin e vullnetarëve, pavarësisht se çdo të bënte shteti në planin e tij.
Mbështetje mirëkuptimi – ku çdo veprimtari ushtarake ishte e mirëpritur dhe secili përpiqej të sillte sa më shumë lehtësi për veprimtarinë e trupave. Ashtu si edhe respekti e kujdesi që tregohej në çdo rast ndaj familjeve të ushtarakëve.
Po ashtu edhe organet e pushtetit lokal kanë pjesën e tyre të kontributit në atë periudhë. Me gjithë problemet që ishin prezente për ta, angazhimi ka qënë mjaft i gjërë dhe ka ndikuar në fuqizimin e mbrojtjes dhe përballimin e situatave. Përveç ndikimit në mobilizim, në kompletim, në furnizim, në rritjen e sigurisë e të informacionit, angazhimi i tyre ka qënë edhe për:
* Sigurimin e zbatimit të masave për mbrojtjen nga goditjet ajrore, kryesisht të qëndrave të banuara, veçanërisht të qyteteve.
* Marrjen e masave paraprake dhe përcaktimin e strukturave për furnizimin e popullatës, për furnizimin me ujë, për energjinë elektrike, për sigurimin e rrugëkalimeve, për sigurimin shëndetsor, për evakuimin e popullatës nga zonat e nxehta të luftës etj.
* Sigurimin e kushteve për përballimin e të shpërngulurve jashtë planifikimeve dhe jashtë konceptit për një situatë lufte, siç ndodhi realisht me të shpërngulurit nga Kosova në vitin 1998 në drejtim të Tropojës, ku i takonte që në Tropojë për çdo 1 tropojan të kishte 1.5 kosovar. Dhe në vitin 1999 në Kukës ku i takonte që për çdo 1 kuksian të kishte 5 – 7 kosovarë.
Pra, angazhimi ka qënë ë gjithanshëm. Megjithatë, ka pasur edhe dy probleme për të cilat u detyruam të mbanim qëndrime shumë të rrepta. Këto qëndrime ishin: Së pari; tentativat për rrebelime popullore, për hyrje në luftë me Serbine, si rrjedhojë e patjes së armëve nëpër duar nga i gjithë populli, kur dihej që nga ana e forcave serbe nëpërmjet provokacioneve bëhej çdo dite ftesa për konflikt për të rënë në kurthin e tyre, të ngritur me kujdes, për të siguruar ndeshje ndërshtetërore dhe për të kaluar në hije veprimet e tyre në Kosovë. Na është dashur të punojmë shumë për të ruajtur disiplinën në këtë plan. Dhe së dyti; mendimet e disa pushtetarëve që “unë mbaj përgjegjësi për fshatin tim dhe kur të vijë armiku përballë fshatit e mbrojmë vetë, por më tej nuk shkojmë”. Ky koncept nuk qe masiv, por aq sa ishte nëse nuk do të qëndronim rreptë, do të prishte shumë punë e do të sillte dëme për mbrojtjen.
Bashkëveprimi ynë me NATO-n në mënyrë të veçantë është zhvilluar gjatë bombardimeve mbi forcat serbe në Kosovë e Serbi. Por ne kemi patur një bashkëpunim të vazhdueshem me struktura e NATO-s që gjatë vitit 1998.
Por ardhja e disa drejtuesve nga NATO, (gjeneralë e kolonel) diku nga Qershori i vitit 1998, për mua ka qënë i pa dëshirueshëm, për arsye se, në atë periudhë disa organizma ndërkombëtare, por edhe të shtetit tonë, kishin një bindje të gabuar, se nëqoftëse Serbia do të na sulmonte, mund të na pushtonte, se nuk kishim mundësi të mbroheshim. Kështu që në atë kohë u bë publike një kërkesë që NATO duhet të vendosej midis Shqipërisë e Kosovës për të mbrojtur Shqipërinë nga ndonjë agresion i mundshëm serb. Kjo natyrisht ishte mosnjohja më e trashë e gjendjes, e traditave të trevave dhe e kapaciteteve që dispononim në atë drejtim. Dhe meqënëse ne iu dorëzuam popullit tonë në marsin e vitit 1997, dikush mendonte se kështu do t’i dorëzoheshim edhe Serbisë. Ishte pikërisht kjo arsyeja, që atë ekip rikonicioni të NATO-s unë nuk e prita me dashamirësi dhe arritëm deri atje sa që ju thash që këtu nuk ka vend edhe për mua edhe për juve dhe se këtë drejtim unë jam në gjëndje t’a mbroj vetë. Ashtu sikurse j’u thash që ju nëse vërtet doni t’i kontribuoni paqes mund të vendoseni në kufirin midis Kosovës e Serbisë. Pra, fillimisht u vendosëm në pozicione të pa këndëshme. Por në vazhdim jemi mirëkuptuar veçanërisht në fusha të tilla si:
- Sigurimi i rrugëkalimeve,
- Sigurimi i vendisllokimeve,
- Sigurimi i terreneve për stërvitje,
- Njohja e gjendjes së situatave dhe shkëmbimi i ideve,
- Shkëmbimi i informacionit,
- Shtrirje e strukturave të zbulimit të objektivave dhe programimi i goditjes së tyre me aviacion,
- Ndërmjetësimi për lidhjet e strukturave të NATO-s me UÇK-në,
- Koordinimi i veprimeve për administrimin e të shpërngulurve,
- Mbështetja jonë ndaj tyre për t’u dhënë siguri,
Disa konsideracione do të shfaq edhe mbi rolin dhe vendin e njësive rezervë të SHPFA, të cilat u rreshtuan në rendimin e luftimit të Divizionit deri në përfundim të luftës. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që nga viti 1998, ka mbajtur disa forca në zonën tonë, siç kanë qënë, disa kompani të brigadës komando, kryesisht për stërvitje e vrojtim, një kurs i Akademisë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1998, si dhe në pranverën e vitit 1999, struktura të batalionit special komando. Këto trupa kanë qënë të mirëpritura për ne dhe jemi përpjekur t’i respektojmë e të bashkëpunojmë me to, pavarësisht se ato ishin trupa që Shtabi i Përgjithshëm i kishte në dorë të tij. Ndërsa planifikimi dhe sjellja në Kukës e trupave të Divizionit të Këmbësorisë Tiranë, ishte për ne një veprim, ku për herë të parë ne kuptonim se shteti do të n’a mbështese edhe me forca e mjete të tjera.
Ardhja e forcave të Divizionit të Tiranës krijuan një panoramë tjetër, jo vetëm për forcat e Divizionit tonë, por edhe për gjithë popullin e zonës. Me këtë veprimtari u mundësua që të zgjerohej ndieshëm forca mbrojtëse e vendit dhe njëkohësisht u bë më intensiv interesimi ndërkombëtar për të marre vesh qëndrimin shqiptar në periudhën në vazhdim. Duhet të mbahen parasysh dy momente në atë periudhë:
Së pari; Shqipëria e mbipopulluar, me gati një milion qytetarë të ardhur nga Kosova, mori vendimin të mbante brenda vetes të gjithë këta qytetarë pa i lënë që ata të derdhen dyerve të Evropës e të Botës.
Së dyti; Nuk dihej se sa do të zgjaste lufta. Ajo në ato momente as që mendohej se do të përfundonte shpejt. Përkundrazi, të gjithë shprehnin mendimin se ajo do të ishte një luftë e gjatë, që mund të shkonte edhe deri në vjeshtën e vitit 1999, apo me tej.
Duke mbajtur parasysh këto momente, percaktohet se, ardhja e forcave të Divizionit të Tiranës ishte një moment kethese, kur u kuptua se tanimë shteti po angazhohej drejtëpërdrejt me situatën dhe nuk e konsideronte mbrojtjen e vendit detyrë vetëm të atij populli që jetonte në ato treva. Trupat e ardhura u futën menjëherë në dinamikë. Ato prej meje meritojnë rezpekt dhe konsideratë të lartë për faktin se:
- Ata erdhën me bindjen se do të futeshin në luftë për mbrojtjen e Atdheut.
- Kishin një disiplinë për t’u vlerësuar.
- Komandat e shtabet e udhehiqnin trupën me objektiva konkret,
- Kishin bindje se ishte detyrë e tyre të ndodheshin aty ku ndodheshin dhe ndienin veten të nderuar për këtë,
- Të gjithë kuadrot e trupat ishin shumë optimist dhe entusiast.
- Kishin një unitet shëmbullor,
- Zotëronin aftësi profesionale dhe punonin me intensitet për rritjen e tyre,
- U integruan lehte me situatën e rënduar të zonës,
- Reflektuan guxim dhe qytetari,
- Kishin dëshirë të merrnin përgjegjësi etj.
Duke vlerësuar arritjet e çështjes sonë kombëtare në këto vitet e fundit kombi shqiptar kaloi edhe një herë në këtë ndërrim shekujsh në luftë. Kjo luftë ka qënë nga më të suksesëshmet në historinë tonë. Nëpërmjet kësaj lufte u vunë në rrugë të mbarë zgjidhjet për shumë probleme të kombit tonë që rruga historike i ka krijuar si rrjedhojë e kënaqjes së interesave të të fuqishmëve. Kjo, mendoj se ishte lufta e fundit e kombit shqiptar. Prej këtej shqiptarëve nuk u kërkohet më të luftojnë, por të kenë unitet dhe të jenë të zgjuar. Pra llogoret e luftës tonë prej këtej janë uniteti dhe zgjuarësia, kush ulet në këto llogore është shqiptar i mirë, kush del jashtë tyre është shqiptar i keq e gjakprishur. Shpresoj të mos kemi të tillë.
(VIJON)
© Pashtriku.org