STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (3)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
KAPITULLI – 1
Çfarë kërkon Populli Shqiptar
Kreu 7 – Populli shqiptar jeton në dekadën e depresionit shpirtëror, të kushtëzuar nga fenomenet negative që nxisin humbjen e besimit, rënimin psikologjik përballë ashpërsisë së luftës hibride për fikjen e gjeneratorëve të vetëdijes kombëtare dhe frymës së bashkimit kombëtar. Kombi Shqiptar nuk është një propogandë, por është dhe do të mbetet guri i themelit historik e kulturor të shtetit kombëtar, i shtetit të dhunuar dhe të munguar, i cili sot është më i domosdoshmëm se kurrë.
Shkëmbimi i lirë i ideve mbi çështjen shqiptare ka qëndruar gjithmonë në mendjet dhe zemrat e njerëzve të mirë të kombit, të nxitur nga ambicja për të krijuar dimensionin real dhe të hapur për dialog dhe kërkime studimore, paralelisht me vështirësitë e mëdha me të cilat përballet populli shqiptar.
Studimet e ekspertëve të komunikimit strategjik, teoritë strategjike dhe ballafaqimi i tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, mund të reflektojnë në kthesa dramatike duke shfrytëzuar përparësitë e teknologjisë dhe informacionit për t’i parë më qartë ndikimet globale mbi politikën dhe çështjen shqiptare. Studimet me vizion strategjik mund të shërbejnë si qendra të mendimit kombëtar, brenda të cilave mund të shkëmbehet lirshëm idetë dhe kërkimi shkencor për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ato mund të sjellin një qasje të pasur të nevojës së trasformimeve të shoqërisë shqiptare në të dy anët e Drinit.
Të flasësh për luftën hibride dhe mundësitë e informacionit që shkarkojnë pasoja mbi popullsinë shqiptare, do të thotë të baraspeshosh politikën dhe diplomacinë mes marrëdhënieve të Lindjes me Perëndimin, duke përballuar me kujdes sfidat e kohës. Nëse komunikimet mes inteligjencës do të ndërtohen mbi nevojën e ndryshimeve të dëshiruara, atëherë ky do të jetë kontributi modest në ndërtimin e urave të brendshme të pajtimit dhe unitetit kombëtar, në bashkëpunim reciprok dhe frymën e mirëkuptimi.
Studimet me tema të ndjeshme në kohë të vështira për situatën kombëtare, mund të japin ndihmesën e dobishme mbi hibriditetin dhe luftën e informacionit, të komunikimeve në shkallë strategjike brenda shteteve shqiptare dhe kombit, duke i dhënë mundësitë bashkëkohore politikës të përballet me sfidat në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo evidenton shqetësimet e ndërhyrjeve nga jashtë përmes propogandës, spiunazhit, sulmeve kibernetike, synimeve për përmbysjen e rendit kushtetues, krizave politike, shkatërrimit të aseteve ekonomike dhe jetës social – politike të shoqërisë.

Klima politike në territoret shqiptare nuk është aspak e favorshme për të përballuar dhe kapëcyer situata të tilla. Kjo i bën më kritike studimet, të cilat ofrojnë më shumë ide dhe mundësi alternative për paqen dhe sigurinë e brendshme dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me aleatët strategjik dhe të natyrshëm të kombit shqiptar.
Trajtimi në bllok dhe sipas rëndësisë i problemeve specifike të mundësive të zgjidhjes së çështjes shqiptare në 4 pjesë, 7 kapituj dhe në 104 trajtime specifike, strukturimi i tyre metodik, jep mundësinë e përfaqësimit të dialogut mbi idetë dhe vizionin strategjik në realitetin shqiptar. Kjo është menduar si mënyra më të mira për të tërhequr vëmendjen e faktorëve të interesuar që trajtojnë sot çështjen kombëtare shqiptare.
Strukturimi i çështjeve thelbësore nuk është paraparë më shumë në natyrën konceptuale mbi rrugëzgjidhjet e mundëshme të propozuara, sesa me dobinë e madhe politike që ato ofrojnë në kushte të reja të zhvillimeve ndërkombëtare e rajonale, të pashkëputura nga mbështetja që ofron kauza kombëtare e popullit shqiptar. Kjo janë raporte të politikës me popullin, një histori tjetër e gjatë të cilën koha do ta trajtoj më vonë.
Tërheqja e vëmendjes për politikën dhe opinionin ka të bëjë me bindjen në mjedisin kompleks nacionalist me interesa të egra antishqiptare. Kombi ka kohë që përballet me konfliktet jo – ushtarake me të njejtin intensitet kur ka qenë i përfshirë brenda tyre (’97 – 2001). Kjo luftë e eger në kohë paqe ka rritur presionin psikologjik në jetën shqiptare. Populli i braktisur nga politika, ndihet i rrezikuar nga efektet e fjalës 4 rrokëshe; “globalizëm”.
Përball tensioneve gjepolitike të nxitura nga roli negativ i shteteve fqinje, stuktura studimore tenton të hedhë sadopak dritë mbi nevojën e ndërtimit të objektivave strategjike në dimensionet që ofron etika globale, duke kombinuar fuqinë kombëtare me faktorët politikë, ideologjikë, ekonomik, ushtarak dhe social. Kundërvënia hibride ndaj tyre tenton të manipulojë dhe shkatërrojë tendencat e shtetndërtimit në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, kundër konceptit të shtetit – komb në të ardhmen.
Konflikti i hapur dhe i fshehur manipulon gjithçka për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në favor të interesave gjeostrategjike antishqiptare. Ato i paraprijnë planifikimit të mundshëm alternativ të goditjeve nga brenda, të lidhura dhe të detyruara nga faktorët e jashtëm. Nuk ka arsye që kjo situatë të tolerohet për shkak të përgjegjësive të klasës politike. Dobësitë politike në historinë shqiptare janë vlerësuar me mençuri për shkak të nevojës për mbijetesë.
Përballja e institucioneve shtetërore të sigurisë kombëtare me luftën hibride të armiqve të kombit shqiptar, është fenomen shumëdimensional. Ajo integron efektet e presioneve ushtarake, informative, ekonomike, politike, sociokulturore me masat kundër saj, kundër nxitjes së skenarëve politik, korrupsionit, vrasjeve politike, spiunazhit, trazirave prej militantizmit, dezëinformimit të planifikuara nën kujdesin, vëzhgimin dhe mbështetjen financiare të shërbimeve inteligjente dhe zbulimit ushtarak.
Kombinimet e presioneve ushtarake me ato jo – ushtarake shtrihen në hapësirën e përbashkët shqiptare. Kundërvënia kërkon unitet mendimi dhe veprimi. Mundësitë e sofistikuara për të ushtruar diversionin brenda kombit dhe shteteve shqiptare, përvoja e madhe që kundërshtarët kanë në fushën e teknologjive të informacionit dhe kontrollit të situatës përmes manipulimit të sistemit mediatik, shkarkojnë çdo ditë pasoja mbi jetën shqiptare.
Shembull i keq është kriza në politikën shqiptare, (përfaqësuar nga politikanë jopatriotë). Kriza ka krijuar kushte që agresiviteti të shkaktojë dëme në planin kombëtar. Përfaqësuesit tipikë nuk janë të rastësishëm në politikën shqiptare. Ata vijnë dhe ikin dhe ia dorëzojnë stafetën e pushtetit njeri tjetrit! Çfarë përfaqëson ky klan antishqiptar që mban peng jetën e kombit, i përfshirë në luftën kundër interesave kombëtare të popullit shqiptar? Si mund të ruhet kombi dhe të kanunizohet jeta shqiptare për të dalë nga errësira shekullore në të cilën këta faktorë e zhytën në pabesi? Ky sekt i rrezikshëm antishqiptar lufton në të gjithë mënyrat për ta mbajtur peng Shqipërinë dhe kauzën e çështjes shqiptare. Patriotizmi brenda piramidës së kombit, në krye të saj mbart vlera minimale, duke zbritur dhe u forcuar mes popullit. Kontradikta kërkon zgjidhje.
Shqyrtimi i kujdesshëm i faktorëve të marrë sëbashku, ofron pamjen komplekse për të kuptuar rëndësinë që armiqtë e kombit i japin goditjes në pika të dobta për të shkatërruar fuqinë kombëtare. Ajo evidenton matricën, drejtimet dhe veprimet nga vijnë goditjet nga jashtë. Studimi dhe projekt – masat për parandalimin dhe goditjen e tyre, është detyrë e institucioneve akademike dhe të Sigurisë në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.
Rreziku nga brenda përmes ndikimit të egoizmit dhe egocentrizmit, separatizmit për interesat e ngushta të politikave antishqiptare, rrezikojnë sigurinë duke kryer rolin e “kolonës së pestë” brenda jetës dhe veprimtarisë shtetërore e kombëtare. Pa u ndëshkuar ligjërisht tradhëtia, kombi dhe Shqipëria do ta kenë të pamundur të ngrihen dhe zhvillohen.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës në një të ardhme mund të bashkohen. Ky është interesi i popullit shqiptar. Shtetet e ballkanike duhet të pajtohen me bashkimin e popullit shqiptar, pasi do të jetë shumë më mirë edhe për ta. Populli shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Shtetet e BE dhe shtetet fqinje duhet të pranojnë marrëdhëniet me një shtet shqiptar brenda BE. Kjo do të jetë më mirë edhe për të ardhmen e BE.
Kreu 8 – Jemi shtet dhe komb i vogël dhe në rajon nuk jemi vendimmarrës. Në historinë tonë kemi rrugëtuar mes tragjedive të mëdha. Pasojat duhet të ndryshojnë qëndrimet politike e diplomatike ekstreme, duke vlerësuar prurjet pozitive që mund të sjellë situata në zhvillim. Asnjë doktrinë, presion apo manipulim në tregëtinë politike të armiqve të kombit shqiptar, nuk do të mund të pengojë kërkesën për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Cinizmi i pashembullt i frymës së vjetër kolonialiste të veshur me tunikë të re, duhet të marri fund.
- Populli shqiptar kërkon rishikimin e “dosjes së nxehtë“ në historinë europiane për korrigjimin e padrejtësisë më të madhe historike të coptimit, kundër të drejtave të njeriut, paqes dhe humanizmit;
- Si organizëm natyral, kombi shqiptar kërkon normalizimin trupor dhe shpirtëror. Pengimi i tij është një krim ndërkombëtar kundër njerëzimit;
- Të ndalet dhuna mbi të drejtat kombëtare dhe grabitjen e jetës, dinjitetit, pasurisë dhe tokës. Kjo është hipokrizia e qëndrimit arrogant evropian mbi kombin më të vjetër të Europës;
- Interesat kombëtare të popullit shqiptar shtrihen kudo ku jetojnë shqiptarët, në trojet etnike, Diasporë dhe Emigracion;
- Populli Shqiptar kërkon rikthimin e dinjitetit kombëtar, përmës vullnetit politik ndërkombëtar për korrigjimin e padrejtësive historike që çuan në coptimin e territoreve shqiptare;
- Populli Shqiptar kërkon dënimin e gjenocideve serbe dhe greke mbi popullsinë shqiptare në trojet etnike;
- Populli Shqiptar kërkon mbajtjen e Konferencës së Dytë të Londrës në Tiranë, për të shfuqizuar vendimin njëshekullor të coptimin tragjik të trojeve shqiptare të vitit 1913. Marrëveshja mes Fuqive të Mëdha të kohës ka humbur legjitimitetin, ajo duhet shfuqizuar;
- Populli Shqiptar kërkon qëndrimin e paanshëm dhe demkoratik të faktorit vendimmarrës politik ndërkombëtar, në pranimin e tragjedisë së shkaktuar dhe korrigjimin e padrejtësisë së madhe historike kundër popullit dhe territoreve shqiptare;
- Shqiptarët kërkojnë lëvizjen e lirë në shtete fqinje që kanë përfituar mbi territoret shqiptare, hapjen e kadastrate dhe rikthimin e pronave të grabitura nga aneksimi i dhunshëm;
- Shqiptarët kërkojnë lëvizjen e lirë drejt objekteve të tyre historike, të goditura nga politikat ç’kombëtarizuese dhe procesi i asimimlimit racist të shteteve fqinje;
- Koha për popullin shqiptar kërkon ndryshimin e modelit kushtetues të dështuar dhe korruptiv, që ushtron presion dhe mbyll rrugët perspektive të së drejtës për bashkim kombëtar;
- Populli Shqiptar kërkon të sjellë në drejtimin e jetës së tij politike dhe shoqërore njerëz të aftë me identitet kombëtar, të denjë të përfaqësojë dhe të mbrojnë me vendosmëri interesat e tij kudo;
- Populli shqiptar kërkon kompromisin historik për t‘iu drejtuar drejtësisë në rivendosjen e ekuilibrit në unitetin dhe pajtimin kombëtar, si çështje konceptuale psikologjike, atdhetare, politike e shoqërore, që do të garantojë të ardhmen e kombit dhe të Shqipërisë;
- Të vetëdijësohemi që, kemi humbur vizionin dhe aftësinë konceptuale politike në përcaktimin e drejtë të Interesave Kombëtare të Popullit Shqiptar;
- Kemi humbur aftësinë e vendimmarjes politike dhe politikbërjeve të mira në mbrojtje të interesave qytetare e kombëtare, duke rënë në krizën e mungesës së ideve, përballë nevojës së vizionit strategjik drejt shtetit – komb;
- Kemi prishur dhe nëpërkëmbur strukturën e mendimit akademik shqiptar që prodhon dije, politikë, vizion, diplomaci, siguri, programe dhe zhvillim ekonomik në funksion të mbrojtjes së interesave kombëtare;
- Në përfaqësimin politik mungon kultura strategjike, analiza shkencore mbi kontekstin strategjik të mjedisit politik të brendshëm dhe të jashtëm, duke ecur pa objektivat strategjikë në rrugën e zhvillimit kombëtar;
- Kemi humbur pikat e orientimit që shërbejnë si ura lidhëse midis strategjisë dhe trasformimit të saj në programe dhe politika konkrete zhvillimi, duke nëpërkëmbur elementet burimorë që garantojnë sigurinë kombëtare dhe perspektivën e zhvillimit drejt shtetit – komb;
- Populli Shqiptar kërkon shtetin e tij kombëtar, nën emrin Shqipëri.
Metodologjia e trajtimit të çështjes shqiptare
Kreu 9 – Realizimi i procesit të bashkimit kombëtar është mençuria dhe vizioni i mendjendriturve të kombit, pasqyrimi i virtyteve më të mira të vetëdijes së popullit shqiptar. Krijimi i kulturës stragjike të programit të bashkimit të kombit, është garancia e procesit të vendimmarjes politike drejt shtetit – komb. Strategjia Kombëtare e shtrirë në programe shkencore, është dobia që i hap rrugën qëllimit.
Në planifikimimin shkencor të programit të zhvillimit kombëtar të zbatojmë metodën e ballfaqimit me konceptet politike të dështuara dhe fenomenet që kanë çuar në mbylljen e rrugëve drejt integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare. Të zbulojmë dhe bëjmë publike kontradiktat dhe konfliktet e brendshme politike dhe sociale që pengojnë zhvillimin kombëtar, duke parashtruar me durim e modesti përballë tyre vizionin strategjik me objektiva të qarta në mbrojtje të interesave kombëtare. Të respektojmë metodën e analizës shkencore mbi arritjet, humbjet dhe dështimet me karakter historik, duke nxjerrë mësime për shmangien e gabimeve që mund të shkaktojnë pasoja të tjera mbi çështjen shqiptare. Përmes metodës së analizës të përcaktojmë natyrën e plotë hibride (matrica) të veprimit të armiqve tradicional kundër interesave të kombit shqiptar, duke nxitur vigjilencën dhe kundërvënien ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve.
Të pranojmë metodën e krahasimit në kohë dhe hapësirë, për popujt dhe shtete që shfaqin interes në mbështjetjen e kombit shqiptar dhe për shtetet që i kundërvihen çështjes shqiptare. Përmes metodës së ballafaqimit me të kaluarën historike dhe mundësive të reja, të evidentojmë dështimet dhe rrugët e ringritjes së fuqisë ekonomike dhe ushtarake atje ku shtrihen interesat e kombit shqiptar. Të respektojmë dhe zbatojmë pa lëkundje metodën e përjashtimit për shtetet, organizmat dhe individët e deklaruar armiq dhe kundërshtarë të kombit shqiptar, si detyrim kundër pengesave dhe separatizmit që i kundërvihen integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare. T’i vlerësojmë ato si garanci për mbrojtjen e interesave kombëtare, kundër dogmave të cilat shfaqen si teza antishkencore.
Kreu 10 – Objektivat gjeopolitikë të Strategjisë Kombëtare, analiza politike dhe historiografia mbi të cilën mbështetet dhe orientohet e ardhmja, zhvillohen sipas konceptit politiko – metodik, “strategji kombëtare – ekonomi – siguri”. Vizioni dhe objektivat mundësojnë planifikimin shkencor drejt rrugëve të zgjidhjes së çështjes shqiptare, sipas metodologjisë pragmatiste:
- Nevoja e filozofisë dhe ideologjisë përbashkuese që nxit frymën e integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare drejt bashkimit kombëtar: A ka populli shqiptar mendim teorik filozofik të përpunuar në interes të integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare drejt bashkimit kombëtar? Kush dhe kur mund të bëhet kjo?!
- Nevoja e Projektit të Planifikimit Strategjik: A ka populli shqiptar Strategjinë e tij Kombëtare dhe Qendrën e Studimeve Strategjike, të mbështetura me vizion në kohë dhe hapësirë për integrim dhe shkrirje gjithëshqiptare drejt bashkimit kombëtar?
- Nevoja e Programeve të Zbatimit: A ekzistojnë studimet shkencore në fushat e zhvillimit strategjik dhe çfarë kemi të përbashkët midis dy shteteve shqiptare dhe hapësirave të tjera ku banon populli shqiptar, që çojnë në rritjen e fuqisë, sigurisë, integrimit dhe shkrirjes gjithëshqiptare?
- Plani i Veprimit të Institucioneve: A ekzistojnë dhe funksionojnë plane shkencore të institucioneve në harmoni me kërkesat e rritjes së fuqisë kombëtare, që mund të përballojnë objektiva ambicioze në rrugën e integrimit, shkrirjes gjithëshqiptare dhe të bashkimit kombëtar?
Kur nuk kemi tre të parat, si mund të pretendojmë të realizojmë të fundit, siç përpiqen të veprojnë Qeveritë shqiptare në mbledhjet e tyre të përbashkëta, apo planet formale të zhvillimit strategjik të bëra enkas përballë përpjekjeve të dështuara drejt antarësimit në BE?! Studimi i panit të zhvillimit strategjik deri në vitin 2025, i përgatitur për institucionet evopiane të integrimit, ballafaqimi me të nga koha e dnërtimit, nxjerr në dritë formalizmin e një dokumenti mbi 800 faqesh, i pa mbështetur financiarisht në realizimin e kërkesave të tij. Programe të tilla formale shfaqin natyrën e vërtetë të politikave qeverisëse, të cilat më shumë se sa për demagogji, nuk u shërbejnë zgjidhjeve praktike që çojnë në forcimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së shoqërisë.
Kreu 11 – Metodologjia shkencore e ndërtimit të Strategjisë Kombëtare peshon kontekstin historik të kompromisit brenda kombit. Populli shqiptar ka nevojë për kompromisin historik kombëtar drejt çështjeve që e bashkojnë, duke synuar arritjen me çdo çmim të paqes gjithëkombëtare, të humbur në kohë. Në mungesë të këtij procesi, nuk do të fitojë askush, të gjithë do të dalin të humbur.
Të respektojmë fazën e përcaktimit të objektivave, diskutimit, realizimit të platformës kombëtare dhe ballafaqimit përmes bashkëpunimit të politikes, shtetit dhe Kuvendit Kombëtar. Të respektojmë fazën e ndërtimit të programeve mbështetëse për drejtimet e zhvillimit strategjik, që garantojnë realizimin e objektivave, duke rritur treguesit kryesor të fuqisë kombëtare. Paralelisht me përpjekjet për ndërtimin e Strategjisë Kombëtare, të mundësohet me fuqi kushtetuese ngritja e Qendrës së Studimeve Strategjike, si organi më i lartë dhe i pavarur shkencor në përpunimin e mendimit strategjik të ardhmërisë kombëtare.
(VIJON)
© Pashtriku.org
—————————–
STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (4)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
https://pashtriku.org/strategjia-komb%d1%91tare-e-popullit-shqiptar-4/