Pashtriku.org, 22. 03. 2013 – Viti 1981 është vit historik. Protestat studentore të 11 dhe 26 marsit dhe pastaj demonstratat gjithëpopullore të 1 dhe 2 prillit të ati viti në mbarë Kosovën, definitivisht ishin fillimi i shkatrrimit të ish Jugosllavisë. Paknaqësia e studentëve me gjendjen e rënd ekonomike e socilae, kulmoi pastaj me kërkesa politike, ndër të cilat më kryesorja ishte Kosova Republikë! Këto protesta e demonstrata dëshmuan hapur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm pozitën e rënd ekonomike të Kosovës në ish Jugosllavi dhe sidomos dëshmuan mbi padrejtësitë e mëdha historike që u ishin bërë shqiptarëve nga fuqitë e mëdha, duke i ndarë e coptuar trojet shqiptare sipas orekseve të shteteve fqinje. Më e rëndësishmja është se ngjarjet e vitit 1981 bënë kthesë të madhe dhe një këndellje politike e kombëtare të shqiptarëve në hapsirat e ish Jusosllavisë, ndërkohë që politika e mashtrimit që thirrej në emër të «bashkim vëllazërimit» dhe «barazisë nacionale », përpiqej me çdo kusht të zhbënte çështjen kombëtare shqiptare. Klasa politike e asaj periudhe me të drejtë kishte deklaruar se ngjarjet e vitit 1981 i kishin gjetur në «befasi », mbasi ata të kënaqur me kolltuqet dhe privilegjet e tyre nga pozitat prej kuislingësh, i kishin mbyllur sytë dhe veshët për të parë e dëgjuar mjerimin e popullit të tyre si dhe burgosjet e ndjekjet politike që u bëheshin bijëve dhe bijave më të mirë të popullit shqiptar që nga Lufta e Dytë Botërore. Burgosjet më të mëdha politike ishin bërë gjatë viteve 1964 dhe 1975 në krye me simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin me shokë, për të ardhur pastaj te burgosjet dhe ndjekjet masive të rinisë patriotike studentore të vitit 1981 dhe përfaqësuesve e udhëheqësve të organizatave patriotike ilegale. Është me rëndësi të thuhet se para vitit 1981, gjatë vitit 1981 dhe pas vitit 1981, organizata më e fuqishme dhe më e përgaditur politike si për nga shtrirja, programi, diciplina organizative, veprimet konkrete dhe vizioni i saj, padyshim ka qenë Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK). Kjo u dëshmua më vonë sidomos me hartimin e tezave për themelimin e Frontit Popullor të cilat shërbyen si busullë për bashkimin e masave popullore.deri te lufta çlirimtare e udhëhequr nga UÇK’ja.
Demonstratat e vitit 1981 dhe mërgata shqiptare në Zvicër.
Viti 1981 mërgatën shqiptare e kishte gjetur pothuaj krejtësisht të papërgaditur. Pushteti i athershëm ish Jugosllav, përveq që i kishte degdisur anë e mbanë botës mijëra shqiptarë për t’a siguruar kafshatën e gojës, njëkohësisht kishte marrë të gjitha masat për t’i përqarë e asimiluar. Krahas punëve të rënda që bënën nëpër «baushtelle», kanale, bujqësi e restorante, në çdo hap përcilleshin e përgjoheshin nga pjestarët dhe bashkpunëtorët e UDB’së. Në vitet e 80-ta, shteti jugosllav nuk tregonte as interesimin më të vogël për t’i ndihmuar e bashkuar ata siç bënte me punëtorët tjerë joshqiptarë nga hapsirat e ish Jugosllavisë. Ndaj shqiptarëve në vazhdimsi ishte ndjekur një politikë perfide përqarëse me qëllim të nxitjes së vëllavrasjes e asimilimit. Si pjesmarrës aktiv dhe dëshmitar pothuaj i të gjitha zhvillimeve politike që nga organizimi i demonstratës së parë të 11 prillit 1981 në Bern, mund të konstatoj me përgjegjësi se ngjarjet e vitit 1981, mërgatën shqiptare në Zvicër, por edhe gjetiu në shtetet evroperendimore e kishin gjetur të paorganizuar e në masë bukur të madhe të dhënë pas jetës së shfrenuar të natës e të degjenerimit. Si rrjedhim kjo kategori e punëtorëve shqiptarë nuk ishte e vetëdieshme sa duhet për çështjen kombëtare shqiptare. Një pjesë jo e vogël e punëtorëve shqiptarë të viktimizuar nga politika dhe qëllimet antishqiptare veqmas të politikës serbe, nuk ndihmonin as familjet e tyre. Kishte të tillë që ndaheshin nga gratë shqiptare dhe martoheshin me serbe, kroate apo boshnjake, duke mosqenë të vetëdieshëm për pasojat që i sillnin vehtes, familjeve të tyre dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.
Pamje nga demonstrata e parë në Cyrih të Zvicrës, (18 prill 1981).
* * *
Sipas disa të dhënave jozyrtare, në vitin 1981, në Zvicër jetonin dhe punonin përafërsisht 15.000 deri 20.000 mijë shqiptarë nga Kosova dhe viset e saj nën Maqedoni, Kosova Lindore dhe Mali i Zi. Ndonëse shqiptarët përbënin komunitetin më të madh pas italianëve, ishte komuniteti më i paorganizuar dhe lënë pasdore krejtësisht. Në vitin 1981 në Zvicër ekzistonin mëse dyzet klube e shoqëri serbojugosllave dhe vetëm një klub dhe një seksion shqiptarë: Klubi «Liria» në Sibnen dhe seksioni «Përparimi» në kuadër të klubit serb «Slloga» të Cyrihut. Për më tepër edhe ndaj këtyre dy vendtakimeve të shqiptarëve, përfaqësitë diplomatike ish jugosllave në vazhdimsi mbanin çëndrim shatazhues. Atyre u pengonte fjala, kënga dhe tradita shqiptare, ndaj nuk lenin gurë pa lëvizur që këto dy vendtakime të shëndrroheshin në çerdhe spiunazhi e diferencimi në shqiptarë të « ndershëm » në njërën anë dhe në «separatistë», «irredentistë» e «terroristë», në anën tjetër. Si të tillë, këta të dytët denocoheshin para organeve zvicrane të cilat gjatë kësaj kohe, u besonin ambasadave jugosllave dhe merrnin masa të ashpra për pengimin e veprimtarive të nduarndurshme me interes kombëtar. Një pjesë bukur e madhe e «nacionalistëve», «irredentistëve», «separatistëve» dhe «terroristëve», sipas kualifikimeve të diplomatëve ish jugosllav që përfaqësonin politikën zyrtare të ish Jugosllavisë, pas kthimit në Kosovë, burgoseshin ose u merreshin pasaportat. Faji i vetëm i tyre ishte pse ishin shqiptarë, pse donin ta ruanin gjuhën, kulturën dhe individualitetin kombëtar, pse lexonin ndonjë gazetë apo libër shqip. Punëtorët shqiptarë ishin të pabarabart e të diskriminuar edhe në fushën e shkollimit të fëmijëve. Derisa për nxënësit joshqiptarë, përfaqësitë diplomatike krijonin kushte dhe mundësi për hapjen e paraleleve shkollore pothuaj në çdo komunë, për nxënësit shqiptar nuk ekzistonte një mundësi e tillë, edhe pse politika zyrtare komuniste e asaj kohe thirrej në «bashkim-vllazërimin» dhe « barazinë e popujve » të kësaj krijese artificiale. Edhe ata tre-katër «mësues» shqiptarë që kishin ardhur nga Kosova për ti «mësuar nxënësit», manipuloheshin tmerrësisht nga ambasadat ish jugosllave për qëllime politike e spiunazhi. Në të shumtën e rasteve, këta mësues paraprakisht përzgjidheshin nga familje lojale ndaj pushtetit dhe pastaj përgaditeshin nga segmente të veqanta të UDB’ës, për të luajtur rol të dyfisht gjatë çëndrimit jasht Kosovës. Njëkohësisht UDB’ja ish jugosllave, përveq komisarëve politik që dërgonte herë pas here në Zvicër me qëllime të caktuara, kishte arritur të krijonte një rrjetë spiunësh të cilët bashkpunonin me ambasadën dhe përfaqësitë konsullore të ish Jugosllavisë, duke përcjellur e denoncuar bartësit e çdo veprimtarie patriotike. Në këto rrethana të vështira në të cilat përcillej çdo hap e madje çdo fjalë e punëtorëve shqiptarë, falë veprimtarëve të organizuar në Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës, shpërndahej shtypi ilegal si «Liria», «Lajmëtari i lirisë », «Bashkimi», »Shqipëria e re», «Zëri i popullit» dhe libra të botuar në Tiranë.
Dëshmori Zijah Shemsiu dhe veprimtarët Hasan Malaj, Kadri Avdullahu dhe Nexhmedin Ahmetaj disa nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981 në Zvicër.
* * *
Në mungesë të një organizimi të mirëfilltë të shqiptarëve para demonstratave të vitit 1981, ambasadat ish jugosllave për çdo fundviti, kanë organizuar aty këtu ndonjë koncert me këngëtarë shqiptarë e serbë nga Kosova. Në këto koncerte kryesisht merrnin pjesë këngëtarë shqiptarë, por edhe serbë të cilët në fakt me këngët që më tepër kishin karakter politik se sa argëtues shkaktonin paknaqësi tek publiku shqiptar. Pas demonstratave të Pranverës së Madhe të vitit 1981, pas gjakderdhjes që shkaktuan policia dhe ushtria serbosllave dhe pas burgosjeve e diferencimeve të mëdha politike, mërgata shqiptare në Zvicër, e udhëhequr nga Kadri Zeka, këto koncerte i shëndrroi në protesta dhe në përkrahje të parullës, «Kosova Republikë» ! Pas demonstratave të këti viti historik, shteti ish jugosllav, përmes misionarëve politik të Lidhjes Komuniste të ish Jugosllavisë, përpiqej me çdo kusht të deportonte në meset e punëtorëve, të mbanin tubime politike dhe të shtrinin rrjetin propagandistik e agjenturor me qëllim që të mbanin nën kontroll çdo lëvizje progresiste të tyre. Ata kërkonin dhe përpiqeshin me çdo kusht që përmes letrave e telegrameve, në emër të mërgatës shqiptare t’i dënonin demonstratat e vitit 1981 si «armiqësore» dhe « kundërrevolucionare », mirpo këti qëllimi nuk ia arritën asnjëherë.
Mërgata shqiptare në Zvicër asnjëherë e veqmas gjatë dhe pas vitit 1981, nuk u përfaqësua drejtë nga ambasada dhe konsullatat ish jugosllave. Saherë që u është dhënë mundësia, ato kanë dezinformuar opinionin zvicran dhe korin diplomatik, duke i quajtur shqiptarët si njerëz të «pakulturë», «hajdutë» e « terroristë » që i përkasin fundametalizmit mysliman. Përfaqësitë diplomatike ish jugosllave nuk i ndihmuan punëtorët shqiptarë pa « ryshfet » as në rastet e fatkeqësive më të rënda familjare e as në rregullimin e dokumenteve. Ato kishin krijuar një rreth të vogël spiunësh shqiptarë të cilët kryenin punë me para apo kushtëzime politike dhe informonin për çdo lëvizje ilegale patriotike të shqiptarëve që kishte nisur nga viti 1978 nga një celulë e Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK), e udhëhequr nga dëshmori, Kadri Zeka në përbërje Hasan Malaj, Kadri Avdullahu dhe Halil Malaj, Zijah Shemsiu etj., e cila pastaj kishte dalur hapur në vitin 1981 me vendimin për organizimin e demonstratës së parë, të 11 prillit në Bern të Zvicrës. Demonstrata e parë e mërgatës shqiptare në Zvicër ishte në mbështetje të plotë të demonstratave gjithëpopullore në Kosovë. Ajo është organizuar nga ideologu dhe udhëheqësi i lëvizjes ilegale, Kadri Zeka që përfaqësonte Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK) bashkë me dëshmorët Jusuf e Bardhosh Gërvalla si përfaqësues të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare (LNÇKVSH) dhe Ibrahim Kelemendi në emër të Frontit të Kuq Popullor (FKP).
Parullat për demonstratën e parë në St.Gallen i ka shkruar dhe përgatitur, Kadri Zeka, Kadri Avdullahu, Nexhmedin Ahmetaj dhe Aqif Krasniqi. Në Cyrih parullat e para në gjuhën shqipe i ka shkruar Ismet Rashiti, ndërsa në gjuhën gjermane, Sarah Gretler. Në Gjenevë parullat e para në gjuhën shqipe dhe frenge janë shkruar nga Kadri Avdullahu, Jakup Halimi, Shyqeri Ukshini, Elfi Agushi e të tjerë. Në organizimin e demonstratës së parë në Bern kanë ndihmuar edhe këta veprimtarë:Zijah Shemsiu, Rrustem Mahmutaj që njihej si flamurtari i demonstratave, Hasan Kadriu, Shahin Ajdini, Rexhep Halimi, Hasan Mala, Kadri Avdullahu, Nexhmedin Ahmetaj, Saime Isufi, Ismet Rashiti, Jakup Halimi, Qamil Isufi, Qamil e Januz Salihu, Elfi Agushi, Selman Kllokoçi, Arif Idrizi, Hevzi Thaçi, Ilaz Bajrami, Hajdin Daka, Rashit Rashiti, Hajdar e Adem Sadrija, Zahir Kamberi, Shefket Musliu, Ilaz Krasniqi, AqifKrasniqi, Nazif Haziri, Saqip Zymberi, Ragip Rexhepi, Kadri Rexhepi, Gafurr Qalaj, Ejup Ahmeti, Enver dhe Zahide Avdullahu, Shyqeri Ukshini, Adem Islami, Beat Schaffer, Kathrin Asal, Sarah Gretler e shumë të tjerë.
Këtë demonstratë me pjesmarrje në mënyrë të organizuar dhe me parulla e ndihmuan edhe veprimtarë nga Gjermania e Belgjika, kryesisht nga Shtudgardi, Dyzeldorfi, Frankfurdi dhe Brukseli.
Pamje nga demonstrata e parë e punëtorëve mërgimtar në Zvicër, organizuar më 11 prill 1981, në mbështetje të kërkesave gjithëpopullore në Kosovë.
* * *
Kërkesa për organizimin e demonstratës së parë ishte bërë me iniciativën e Kadri Zekës (Zeqës) në emër të miqëve zvicranë, Beat Schafer e Kathrinë Asal dhe të veprimtarit Hajdar Sarija. Fjalimin kryesor para pjesmarrësve të emocionuar e mbajti Kadri Zeka (Zeqa), ndërsa peticionin e parë drejtuar organeve më të larta shtetërore dhe partiake të ish Jugosllavisë, bashk me Kadri Zekën e dorëzuan në ambasadën ish jugosllave, Rashit Rashiti dhe Beat Schafer. Në demonstratën e parë ishin të pranishëm rreth 300 bashkatdhetarë. Organizimi i kësaj demonstrate, e cila bëri jehonë jashtzakonisht të madhe, bëri kthesë në vetëdijen kombëtare e organizative të mërgatës shqiptare. Pas demonstratës së parë të 11 prillit 1981, kudo në mesin e bashkatdhetarëve filloi një zgjim dhe vrull i paparë kombëtar. Gajtë vitit 1981 u organizuan edhe një varg demonstratash tjera në Zvicër, Gjermani e Belgjikë. Të gjitha këto demonstrata janë udhëhequr nga dëshmori i kombit, Kadri Zeka dhe janë ndihmuar në organizim dhe me shkrime nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Vetëm gjatë vitit 1981 janë organizuar tetë demonstrata në mbështetje të kërkesave që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptarë në Kosovë dhe viset e saj:
Përveç demonstratës së parë të 11 prillit 1981, demonstrata të ngjajshme u organizuan,
më 18 prill 1981 në Cyrih,
më 25 prill 1981 në Shtudgard,
më 09 maj 1981 në Dyzeldorf,
më 16 maj 1981 në München,
më 30 maj 1981 në Gjenevë,
më 20 qershor në Bruksel,
më 04 korrik 1981 në Frankfurt.
Pamje nga demonstrata e parë e mërgatës shqiptare në Bruksel, 20 qershor 1981.
* * *
Dalja në skenë e Kadri Zekës, i cili kudo njihej me pseudonimin « Zeqa », kishte bërë jehonë të madhe kudo në meset e punëtorëve shqiptarë. Kontaktet e para, shfaqja e filmave, takimet shqiptaro-zvicërane, tubimet dhe manifestimet tjera si në Cyrih, Gjenevë, Bern, Bazel, St.Gallen, bënë që në meset e punëtorëve të rritet vetëdija kombëtare, të rritet besimi në mes tyre, uniteti dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Falë punës së madhe dhe largpamësisë të dëshmorit, Kadri Zeka dhe bashkveprimtarët të tij, para dhe sidomos gjatë vitit 1981, brenda në Kosovë, u ndihmua lëvizja ilegale dhe u qartësua programi politik. Thënë shkurt, themelet e organizimit të pavarur të mërgatës shqiptare në Zvicër i vuri Kadri Zeka. Mbi këto themele pastaj, vit pas viti e dekadë pas dekade, janë themeluar organizime të shumta të shqiptarëve gjithnjë në funksion të lirisë dhe Pavarsisë së Kosovës. Nëse iu referohemi fakteve dhe dokumenteve arkivore që lidhen me ato vite, shohim qartë se që nga viti 1981 kishte dalur në skenë një plejadë e tërë veprimtarësh në Zvicër të cilët i mbetën besnik mësimeve dhe idealeve të Kadri Zekës.
Nëse shikohen me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Kadriut para demonstruesve gjatë vitit 1981, vërehet qartë një filozofi politike që nuk e duronte nënshtrimin e popullit shqiptar para askujtë, që nuk e dëshironte luftën, po që në asnjë rast nuk e përjashtonte luftën çlirimtare. Sot, pas tri dekadash, nëse analizojmë me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Kadri Zekës para demonstruesve, shohim se nuk ka shkrim as fjalim të tij që nuk lidhet me luftën çlirimtare. Moto e Kadri Zekës ka qenë ”Rroftë lufta e drejtë e popullit shqiptar”! Jusufi, Kadriu e Bardhoshi kanë qenë të armatosur me dije, me maturi e guxim. Ata kanë qenë njëkohësisht, atdhetarë të flaktë, ideolog të mëdhenjë, diplomatë të shquar, burrështetas të përgjegjshëm dhe luftetarë të denjë për çlirim e bashkim kombëtar. Ata ndjenin përgjegjësi për çdo fjalë e për çdo veprim. Ishin të kujdeshëm në veprimet e përditshme e shumë vizionarë për të ardhmën!
Si bashkëpunëtorë të mirë që dinin t’i koordinonin veprimet e tyre të përbashkëta në interes të çështjes kombëtare, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla ishin bërë simbol i unitetit, i mirëkuptimit dhe i bashkimit në mes njerzëve dhe organizatave të ndryshme politike të cilat synim kryesor kishin realizimin e aspiratës shekullore të shqiptarëve: ”Mbi gjithçka tjetër duhet të jet çështja kombëtare, liria, pavarsia dhe bashkimi i tokave shqiptare në një shtet të vetëm”¨! Edhe pse u përkisnin dy organizatave të ndryshme, ata asnjëherë nuk reflektuan momente ndarëse para bashkatdhetarëve. Të gjitha thirrjet për demonstrata bëheshin në emër të punëtorëve shqiptarë. Zëri i Kadriut, pena e Jusufit dhe puna vetmohuese e Bardhoshit kanë qenë si një trup i vetëm dhe model i afrimit e i unitetit në mes shqiptarëve. Ndaj qëllim kryesor kishin bashkimin rreth idealeve çlirimtare. Çdo fjalë e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit ishte bashkim. Çdo hap, çdo lëvizje që bënin dhe çdo mendim i tyre ishte bashkim. Edhe natën e errët të 17 janarit 1982, në Untergrupenbach, afër Shtudgardit, ishin bashk, duke biseduar për bashkimin e organizatave dhe krijimin e një fronti të fuqishëm gjithëpopullor për çlirimin e Kosovës.
Tetë porositë programore të Kadri Zekës drejtuar mërgatës shshqiptare në vitin 1981
Duke pasur parasyshë ndihmën e madhe që mund të japin punëtorët mërgimtarë në Zvicër dhe kudo në shtetet evropiane si dhe përpjekjet e vazhdueshme që bënte UDB-a ish jugosllave për t’i përqarë e manipuluar me ta, dëshmori Kadri Zeka (Zeqa), në vitin 1981, iu drejtua atyre përmes një letre të hapur, e cila në fakt ishte një program politik për mërgatën shiptare, ku ndër të tjera kërkonte prej tyre:
1. Të luftoni parreshtur e me të gjitha forcat derisa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë !
2. T’i kundërshtoni me forcë dhunën dhe terrorin e pashoq që po e ushtron rexhimi mbi popullin e rininë tonë !
3. Ta forconi pareshtur unitetin luftarak të radhëve tuaja !
4. T’i përkrahëni e t’i ndihmoni me të gjitha mundësitë bashkatdhetarët që i kini në Kosovë !
5. T’i zbuloni dhe ti demaskoni pa mëshirë ata elementë të shitur që e bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik e konfuzion në radhët tuaja, që e bëjnë punën e agjentëve të fëlliqur, duke ju denoncuar te armiku !
6. T’i sabotoni ato të ashtuquajtura « klube jugosllave të punëtorëve », që janë shëndrruar në qerdhe të rrezikëshme antishqiptare dhe në vend të tyre të formoni klube e shoqëri tuaja, të pavarura, kulturore, artistike e sportive !
7. Të mos mashtroheni nga demagogjia dhe premtimet boshe të armikut, të mos u besoni shpifjeve dhe trillimeve boshe të tij !
8. Mos lejoni që t’i humbëni gjuhën, kulturën dhe traditat tona të mira!
Udhëheqësi i demonstratave të vitit 1981 në mërgatë, dëshmori Kadri Zeka (Zeqa).
* * *
Këto kërkesa të cilat në fakt ishin shëndrruar në një program politik të mërgatës dhe veprimtaria e pandalëshme e atdhetarëve, tani dëshmorë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla kishin krijuar mundësi reale për një angazhim më të madh dhe konkret të punëtorëve shqiptarë. Kështu pra Klubi Shqiptar «Emin Duraku» në Dyzeldorf të Gjermanisë, i pari shkëputi lidhjet me ambasadën ish jugosllave, duke u pavarsuar plotësisht dhe duke hyrë në shërbim të çështjes kombëtare. Anëtarët e këti klubi të parët dolën hapur në mbështetje të kërkesës Kosova Republikë! dhe të gjitha kërkesave tjera që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar në ish Jugosllavi. Pas Klubit « Emin Duraku » filluan të themelohen edhe klube tjera të pavarura si:
«Ikballe Prishtina» në Gjenevë,
«Shota Galica» në Bulle,
«Asim Vokshi » në Lozanë,
«Ganimete Terbeshi» në Martigny,
«Idriz Seferi» në Bruksel, ndërsa seksioni shqiptar «Përparimi» në Cyrih që vepronte në kuadër të klubit serb «Slloga», u shkëput dhe u formua si klub më vehte.
Pamje nga brenda e Klubit «Ikballe Prishtina», Gjenevë 1982
Ndonëse formalisht kishte lidhje me konsullatën ish Jugosllave, realisht i tëri ishte futur në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare. Udhëheqësit e tij pothuaj të gjithë mbanin lidhje apo ishin të organizuar në radhët ilegale të cilët nga pozitat ku ishin ndihmonin organizimin e demonstratave dhe shpërndarjen e shtypit ilegal si gazetën «Liria», «Lajmëtarin e lirisë», «Zërin e Kosovës», «Bashkimin», etj.
Aty shpërndaheshin ftesat për demonstrata e protesta. Këtë gjë mbase e përcjellte konsulli ish jugosllav në Cyrih dhe për pasoj pas kthimit në Kosovë ishte burgosur dhe dënuar me pesë vjet burg kryetari i parë, Vehbi Kastrati e pastaj ishte ndjekur edhe Zejdi Ismaili e shumë veprimtarë tjerë. Klubet e pavarura, tubimet me karakter informativ, shfaqja e filmave nga Shqipëria, traktet e njëpasnjëshme kanë luajtur rol jashtzakonisht të madh në ruajtjen dhe ngritjen e frymës kombëtare. Kryesisht në Zvicër, por edhe në Gjermani e Bruksel ishte formuar një plejadë veprimtarësh, e cila pavarsisht rrezikut kishte dalur hapur në përkrahje të kërkesës Kosova Republikë!
Duhet theksuar sidomos faktin se organizimi apo pjesmarrja e bashkatdhetarëve tanë në demonstrata ishte pothuaj e njejtë e rrezikshme me pjesmarrjen në demonstratat brenda në Kosovë. Hiq gazin lotësjellës dhe maltretimin e policisë speciale të Beogradit, dënimet ishin të njejta në mos më të mëdha. Ishin demonstratat e mërgatës shqiptare që nxorën në shesh politikën e egër antishqiptare të ish Jugosllavisë, e cila në atë periudhë gëzonte një «autoritet» para opinionit ndërkombëtar. Demonstratat e mërgimtarëve shqiptarë hoqën maskën nën të cilën kryheshin të gjitha aktet makabre antishqiptare të rexhimit të Beogradit. Shumë nga veprimtarët dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1981 në Zvicër, u rrezikuan dhe për gati dy dekada nuk u kthyen në Atdheun e tyre të dashur. Shumë prej tyre kishin lënë fëmijët e tyre jetim për së gjalli, shumë të tjerëve u vdiqnin prindërit e nuk kishin mundësi të shkonin t’u hedhnin një grusht dhe sipër, e kishte të tillë që vdiqën nga smundje të rënda e nuk patën mundësi të varroseshin në tokën e Kosovës së cilës i kishin falur pjesën më të mirë të jetës, siç ishte ta zëmë flamurtari i demonstratave, Rrustem Mahmutaj. Bashkëshortja e tij, Sabrija, në pamundësi që ta përmbushte amanetin e tij për t’a varrosur në tokën e Kosovës, në rrethana të vështira, e kishte varrosur në Rashbull të Shqipërisë, ku edhe sot e asaj dite është varri tij.
Flamurtari i demonstratave të vitit 1981 në mërgatën shqiptare.
Rrustem Mahmuti duke shkruar parullën, «Rroftë Republika e Kosovës»! (1981)
* * *
Kjo gjeneratë atdhetarësh gjatë viteve 1981-1999, në një formë a në një tjetër, përveq familjeve të tyre të cilat përkrahnin Republikën e Kosovës, e rrejedhimisht ishin rrezikuar e diferencuar nga pushtetmbajtësit, mbante lidhje të vazhdueshme me miqë e organizata ilegale brenda dhe jasht Kosovës të cilat i furnizonin me literatur patriotike. Mund të thuhet lirisht se gjenerata e veprimtarëve të vitit 1981, organizatorët e demonstratave të ati viti historik, gjatë gjithë kësaj periudhe ishte në krye të organizimeve të shumta për Pavarsinë e Kosovës dhe bartëse e grumbullimit të ndihmave financiare për t’a mbajtur jetën gjallë në Kosovë, deri te furnizimi me armë e mjete tjera të nevojshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Por, duhet theksuar gjithsesi edhe faktin se si gjatë vitit 1981 dhe pas këti viti historik deri te çlirimi i Kosovës nga okupatori i egër serb, një numër jo i vogël i mërgatës shqiptare përgjatë dy dekadave ka qenë krejtësisht pasive. Kjo kategori e punëtorëve shqiptarë që bënë pjesë në mesin e njerzëve siç thuhet «as hajri i turkut as sherri i shkaut», nuk është dëshmuar me asgjë në asnjë fazë të përpjekjeve, sakrificave dhe zhvillimit të luftës çlirimtare për Pavarsinë e Kosovës. Çuditrisht m’u kjo kategori e njerzëve, tashmë pas çlirimit të vendit janë më të zëshmit dhe më rrahagjoksit për «patriotizëm». Sigurisht krejt kjo për t’a përmbushur me fjalë e demagogji nga më të ndryshmet boshllëkun e mosveprimit të tyre konkret! Nga Pranvera e Madhe e vitit 1981, atdhetarë të shumtë shqiptare, bashk me familjet e tyre në Zvicër, në çdo rast dhe në çdo kohë ishin krah popullit, krah të burgosurve politik dhe mbështetëse e fuqishme e të gjitha kërkesave që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saj. Një kontribut të madh gjatë gjithë kësaj periudhe e kanë dhënë edhe patriotë e atdhetarë të shumtë nga viset shqiptare nën Maqedoni, Kosovën Lindore, Malë të Zi si dhe miqë zvicranë të cilët nuk janë ndalur së vepruari që nga ajo periudhë e lavdishme.
(Kumtesë e lexuar në tryezën kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe mërgatë, mbajtur në Neuenhof të Zvicrës, më 06 mars 2011)