KOSOVA NËN SUNDIMIN E GJALLESAVE PARTIAKE!

KOSOVA NËN SUNDIMIN E GJALLESAVE PARTIAKE!

Nga Prof Enver N. Rexhaj – Prizren, më 26 nëntor 2025

Kosova sot nuk po udhëhiqet nga vizioni, as nga përgjegjësia, as nga morali. Po udhëhiqet nga një specie politike e quajtur gjallesa partiake-qenie që ushqehen me buxhet publik, shumohen nëpër tenderë dhe riprodhohen në çdo cikël zgjedhor si parazitë që nuk i vret as dimri, as vera, as turpi.

Këto gjallesa nuk janë thjesht pjesë e sistemit: ato janë sistemi. Kanë krijuar një ekosistem të tyre, ku oksigjeni është interes personal, ndërsa helmi i tyre hidhet në çdo institucion që prekin.

Në Kosovën e sotme, shteti nuk e ka humbur rrugën rastësisht; ai është zhytur me vetëdije në një moçal që e kanë krijuar vetë strukturat partiake. E vërteta është brutale: institucionet nuk janë të kapura nga politikanë të këqij, por nga një ushtri gjallesash partiake, krijesa pa integritet që jetojnë duke thithur gjakun e shtetit, duke marrë frymë me oksigjenin e nepotizmit dhe duke u ushqyer me çdo thërrime privilegji që bie nga tryezat e pushtetit.

Në këte vend, problemi nuk është vetëm korrup-sioni. Problemi është pandemia e servilizmit, e cila është shumë më e rrezikshme se çdo aferë milionëshe. Korrupsioni vjedh para; servilizmi vjedh breza të tërë.

Qytetarët-shtresa ushqyese e organizmit partiak

Populli i Kosovës është reduktuar në rolin më poshtërues të mundshëm: burim energjie për aparatin partiak. Votat e qytetarëve shndërrohen në karburant që mban në jetë këtë organizëm të pangopur. Pas zgjedhjeve, qytetari zhduket nga horizonti; mbetet vetëm si statistikë, justifikim, dekor.

Rinia: e lodhur nga nepotizmi, e përzënë nga padrejtësia

Rinia e Kosoves nuk ikën vetëm për ekonominë.

Ikën sepse sheh se në këtë vend suksesi nuk është rezultat i mundit, por i miqësive. Ikën sepse sheh se konkursi nuk është garë, por teatrim.

Ikën sepse sheh se e ardhmja nuk varet nga aftësia, por nga lidhjet.

Një vend ku talenti humbet dhe mediokriteti shpërblehet nuk ka të ardhme. Kjo kastë ka krijuar një realitet të tillë sa rinia më e talentuar e vendit shikon vetëm dy rrugë:

– ikjen, nëse ka dinjitet;

– nënshtrimin, nëse ka nevojë për punë në shtet. Dhe Kosova po e përjeton pikërisht këtë tragjedi.

Partitë politike: prodhuese të militantëve, jo të liderëve

Asnjë parti në Kosovë nuk ka mundur të krijoje kulturë të meritokracisë. Përkundrazi, ato krijojnë dhe mbajnë gjallë strukturat më primitive të besnikërisë, ku individi bëhet zëdhënës i pikëpamjeve që nuk i beson, por i përsërit si papagall për t’u dukur i dobishëm për shefin.

Politika si shtëpi publike e moralit të ulët

Askush nuk e thotë publikisht, por të gjithë e dinë: partitë tona politike funksionojnë si struktura ku moralin e matin me besnikëri, jo me vlera. Aty ku duhej që njerëzit të debatojnë, ata përplasen si tifozë primitivë. Aty ku duhej të kishte ide, ka urdhra. Aty ku duhej të kishte debat, ka citime robotike. Aty ku duhej të kishte logjikë, ka vetëm fanatizëm.

Militanti partiak është njeriu më i rrezikshëm i këtij vendi. Jo sepse ka pushtet të madh, por sepse ka ambicie të madhe dhe inteligjencë të vogël – kombinimi më fatal.

Rrugëdalja nuk është vetëm tek ndërrimi i partive-sepse gjallesa partiake nuk ka ngjyrë; ajo ka mentalitet. Vetëm një shoqëri që fiton vetëdije, mund t’i çrrënjosë gjallesat partiake. Ndryshe, ato do të vazhdojnë të jetojnë mbi trupin e shtetit si simbiozë e përhershme e interesit të verbër.

Kosova nuk ka nevojë për më shumë parti; ka nevojë për më pak servilë. Deri sa qytetari të ngrihet dhe të kërkojë shtet, jo privilegje, militantët do të sundojnë. Dhe ky nuk është vetëm problem politik; është problem moral, social dhe ekzistencial. Deri sa të mos kuptohet kjo, Republika jonë do të mbetet e lodhur, e kapur dhe e pafuqishme.

—————

ANALFABETI I SHEKULLIT XXI-të  

https://pashtriku.org/analfabeti-i-shekullit-xxi-te/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura