ECJE NË ERRËSIRË

Nga Prof Enver N. Rexhaj – Prizren, më 7 dhjetor 2025
Nga gjiri i këtij populli të mbajtur për shekuj në zgjedhë dhe injorancë dolën një plejadë e tërë shkrimtarësh dhe mendimtarësh, që me përpjekjet e tyre pë t’ia treguar popullit rrugën e drejtë të lirisë kombëtare dhe të përparimit shoqëror krijuan vepra që zënë një vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës sonë kombëtare. Në këtë plejadë mendimtarësh të shquar të gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të, Naim Frashëri ishte rrezja që solli dritë mbi një komb të lënë në terr.
Ka figura që i përkasin historisë, dhe ka figura që i përkasin dritës. Naim Frashëri i përket të dyjave.
Ka një paradoks të hidhur në kulturën tonë: sa herë përmendim Naim Frashërin, flasim për të sikur të ishte një monument i largët, një figurë muzeale, jo një mendimtar që ende ka diçka t’i thotë këtij kombi. Naimin e përmendim në ceremoni, në përvjetorë, në fjalime zyrtare, por jo në ndërgjegje. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Si është e mundur që një njeri që predikoi dritë, dashuri, dije dhe bashkim, të mbetet sot më aktual se brezat që e lexojnë vetëm me detyrim shkollor?
Si ndodhi që vendi i tij i “dritës së diturisë” të zhytet sërish në unin e paditurisë, të përçarjes, të përçmimit të njëri-tjetrit?
A nuk është kjo një ironi tragjike?
Naimi fliste për vëllazëri në një shekull ku shqiptarët nuk kishin as shtet. Sot, kur kemi shtete, kemi mungesë vëllazërie. Ai kërkonte shkolla, libra, arsim sot kemi shkolla pa lexues, bibliotekat pa vizitorë dhe një brez që shfleton ekranet, por jo faqet.
A nuk e kemi të qartë se këtu ka diçka që nuk shkon?
Kur Naimi thërriste për harmoni ndërfetare, ishte më modern se shumë prej nesh sot, të kapur në kurthet e paragjykimeve që ai i kishte tejkaluar më shumë se një shekull më parë. Ai e dinte atë që ne shpesh e harrojmë: fetë nuk janë armë politike, janë pasqyra të shpirtit.
Por, mbi të gjitha, polemika më e madhe që ngre figura e Naim Frashërit do të ishte kjo: ç’bëmë ne me lirinë që ai ëndërroi?
E kthyem në konsum. Në retorikë. Në slogane. Në përvjetorë me kurora.
Por jo në kulturë, në qytetari, në virtyt.
Sepse Naimi nuk kërkoi thjesht liri territoriale; ai kërkoi liri shpirtërore, liri mendimi, liri për t’u bërë të mirë, jo vetëm të lirë. Dhe kjo është liria që sot ne e shpërfillim më shumë.
Është paradoks, po. Por është një paradoks që na ndjek kudo: tek përçarja politike, tek fyerjet dhe sharjet, tek tallazi i fesë, tek indiferenca ndaj kulturës, tek amnezia kolektive. Ndërkohë që Naimi na la një mesazh të qartë, vështirë që mund t’i shpëtojë kushdo: nuk ka atdhe pa kulturë, nuk ka kulturë pa dritë, nuk ka dritë pa dije.
E pra, pyetja që duhet të na djegë sot është kjo:
A jemi ende të denjë për dritën që na la Naim Frashëri?
Dhe nëse përgjigjja është jo ndoshta është koha të pushojmë së ndrituri statujat e të fillojmë të ndriçojmë ndërgjegjen.
Sepse Naimi i gjallë, Naimi filozof, Naimi i idealit, ai do të na ndëshkonte me një pyetje të thjeshtë, që nuk do ta duanim kurrë ta dëgjonim:
“Ku është drita që ju lashë?”
Dhe ne, me ndërgjegje të mpirë, do të duhej të përgjigjeshim:
E kemi shuar vetë.
Sa turp!!!
***
KOSOVA NËN SUNDIMIN E GJALLESAVE PARTIAKE!
https://pashtriku.org/kosova-nen-sundimin-e-gjallesave-partiake/