MЁRGATA JONЁ – KRENARIA E KOMBIT QЁ JETON PЁRTEJ KUFIJVE TЁ ATDHEUT

Manifestimi i 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

MЁRGATA JONЁ – KRENARIA E KOMBIT QЁ JETON PЁRTEJ KUFIJVE TЁ ATDHEUT

Nga Muhamet Hoxhaj, Shtutgart – më 1 dhjetor 2025

https://www.facebook.com/reel/1609943827038241

Nën hijen e flamurit kuq e zi, që u valëvit krenar në ajrin e ftohtë të fundnëntorit, në zemër të Hegnachit, në restaurantin Aurora, nën nikoqirin Besnik Vezaj u zhvillua manifestimi madhështor i 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë – një festë e shpirtit shqiptar, një rikthim i fuqishëm në kujtesën historike dhe një përqafim i vlerave që ndër shekuj kanë mbajtur gjallë identitetin tonë.

Salla ku u mbajt manifestimi gumëzhinte nga zërat e qindra qytetarëve, të mbledhur për të nderuar ditën e shenjtë të kombit. Në sytë e të pranishmëve shkëlqenin emocione të përziera: mall për të kaluarën, respekt për sakrificën dhe besim për të ardhmen. Flamujt, vallet, këngët e shumta nga fëmijët, krijuan një peisazh të gjallë ku ngjyra e kuqe dhe shqiponja dykrenare mbizotëronin si simbol i pathyeshmërisë shqiptare.

RIKTHIM TE NËNTORI 1912 – DITË E MËVETËSISË

Në këtë përvjetor, kujtesa historike të çon pas 113 viteve, në Vlorën e vitit 1912, ku Ismail Qemali, i ardhur nga Europa me vetëdijen e misionit të tij të shenjtë, u ngrit në këmbë përpara delegatëve dhe shpalli lindjen e shtetit të pavarur shqiptar. Në atë çast, flamuri kuq e zi nuk ishte thjesht një simbol politik—ishte zëri i shekujve, ishte loti e gjaku i derdhur i brezave, ishte amaneti i të parëve.

Në krah të tij qëndronin shumë Atdhetar si Isa Boletini, malësori i madh që me pushkë u bë mburojë e identitetit shqiptar. Po ashtu Hasan Prishtina, mendja strategjike e kauzës kombëtare, që i dha themelet politikës së Pavarësisë, dhe Luigj Gurakuqi, dritë e arsimit dhe kulturës shqiptare.

Por akti madhështor i Pavarësisë u errësua nga padrejtësitë e Europës së asaj kohe, e cila copëtoi trojet shqiptare: Kosovën, Çamërinë, viset shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi. Kjo plagë historike ende dhemb, dhe ky manifestim shërbeu si kujtesë se e vërteta nuk shuhet nga heshtja.

SAKRIFICA QË S’U NDAL KURRË

Shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, ruajtën identitetin e tyre me mund, shpirt dhe sakrificë. Gjuha shqipe u mbajt gjallë në oda, në shkolla të fshehta, në zemrën e familjes. Këngët e vallet u ruajtën si thesare, ndërsa zakonet mbetën të pacenueshme. Shqiptarët në mërgim i dhanë botës shembullin e forcës kulturore që nuk zhduket.

FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE “NAIM FRASHËRI” – ZEMRA E MANIFESTIMIT

Një vend të veçantë në këtë manifestim e morën fëmijët e shkollës shqipe me mësim plotësues “Naim Frashëri” nga Winnendeni. Të udhëhequr nga mësuesja e përkushtuar Femije Hoxha dhe të koreografuar mjeshtërisht nga Besnik Hoxha, këta fëmijë sollën emocionin më të pastër të mbrëmjes.

https://www.facebook.com/rifat.avdiu/videos/1147303260644200

Ata recituan me zë të pastër për Nëntorin e Pavarësisë, duke sjellë jehonën e ditëve të lavdishme të vitit 1912. Në vallet e tyre me kostume tradicionale u pa gjallëria e gjithë trevave shqiptare. Kur fëmijët e lindur në Gjermani shqiptonin bukur emrat e heronjve tanë, gjithë salla u mbush me emocion të thellë. Ishte prova e gjallë se gjuha dhe identiteti nuk harrohen kur mësohen me shpirt.

Më pas, atmosfera u ndez fuqishëm me daljen në skenë të Vëllezërve Hoxha, të cilët performuan me emocion këngë kushtuar heronjve, tokës së shqipeve dhe sakrificës që ndër shekuj ka mbajtur lart emrin shqiptar. Zërat e tyre të fuqishëm, të përzier me ritme moderne dhe motive tradicionale, krijuan një harmoni që e pushtoi sallën dhe u kthye në një oaz krenarie për të gjithë të pranishmit.

MESAZH PËR TË ARDHMEN

Manifestimi i 113-vjetorit të Pavarësisë nuk ishte vetëm festë, por një dëshmi e qartë: pavarësia, gjuha, flamuri dhe identiteti shqiptar janë të shenjta. Fëmijët, mësuesja Femije, artistët në skenë dhe mërgimtarët treguan se amaneti kombëtar do të jetojë brez pas brezi.

Shqiptar është ai që e mban Shqipërinë në zemër, kudo që jeton.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura