KRIMI I GJENOCIDIT SERB NЁ REÇAK (VIDEO)

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 90

Krimi i gjenocidit serb në Reçak (Video)

Nga Adnan Qaka

Fshati Reçak ka një sipërfaqe prej 442,6 hektarësh, shtrihet në të majtë të rrugës magjistrale Prishtinë – Prizren dhe gjendet rreth 2 kilometra në jugperëndim të qendrës komunale të Shtimes. Reçaku është një fshat i vjetër dhe, sipas dokumenteve mesjetare, përmendet me emrin Raçiak. Në regjistrimin e parë të njohur, në defterët osmanë të Vilajetit të Vëllkut të vitit 1455, Reçaku figuron si vendbanim me 18 shtëpi, çka dëshmon vazhdimësinë e hershme të jetës shqiptare në këtë territor.

***

Gjatë vitit 1998, veçanërisht në ofensivën serbe të muajit gusht, forcat e armatosura serbe ndërmorën sulme të gjera kundër popullsisë civile shqiptare në zonën e Shtimes, duke djegur, plaçkitur dhe shkatërruar në masë shtëpitë e fshatit Reçak. Banorët u dëbuan dhunshëm dhe u detyruan të jetonin në kushte çnjerëzore. Megjithatë, në mungesë të alternativave për strehim, shumë prej tyre u kthyen në shtëpitë e shkatërruara dhe u detyruan ta kalonin dimrin e vitit 1998 -1999 në zona të përfshira drejtpërdrejt nga luftimet.

Në tetor të vitit 1998 u arrit Marrëveshja Holbruk – Millosheviq, e cila parashihte tërheqjen e pjesshme të forcave të armatosura serbe nga Kosova, armëpushimin dhe krijimin e kushteve për paqe. Kjo marrëveshje u respektua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shtabi i saj i Përgjithshëm, i cili kishte urdhëruar zonat operative që vetëm të përcillnin dhe të raportonin lëvizjet e forcave serbe, duke reaguar vetëm në rast vetëmbrojtjeje. Për monitorimin e marrëveshjes u vendos Misioni Verifikues i Kosovës (KVM), i cili kishte vetëm mandat vëzhgues dhe asnjë mekanizëm detyrues ndaj palës serbe, gjë që u shfrytëzua nga shteti serb për të vazhduar shkeljen sistematike të armëpushimit.

Më 14 dhjetor 1998, ushtria serbo-jugosllave kishte zënë rob disa ushtarë të UÇK-së në Kufirin shqiptaro – shqiptar në Pashtrik. Disa ditë më vonë (më 13 janar 1999), Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke iu përmbajtur konventave ndërkombëtare dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, liroi tetë ushtarë serbë të zënë rob (më 6 janar 1999), të cilët u shkëmbyen me ushtarët e UÇK-së. Ky akt dëshmoi qartë respektimin e normave të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga ana e UÇK-së.

Vetëm dy ditë pas këtij shkëmbimi, shteti serb ndërmori operacionin ndëshkimor kundër Reçakut (më 15 janar 1999). Për ta mbajtur nën kontroll situatën në Kosovë, Beogradi zyrtar dërgoi në Kosovë zëvendëskryeministrin e Qeverisë së ashtuquajtur të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq, njëherësh shef i komandës së përbashkët të ushtrisë dhe policisë, si dhe zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Serbisë, radikalin Vojisllav Sheshel. Ata kishin ardhur në Kosovë dy ditë para krimit të gjenocidit dhe u larguan dy ditë pas krimit të gjenocidit në Reçak, çka dëshmon qartë përfshirjen e niveleve më të larta shtetërore në planifikimin dhe mbikëqyrjen e krimit të gjenocidit.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit 1999, forcat e ushtrisë serbo-jugosllave, njësitë speciale të JSO-së dhe PJP-së, njësitë e policisë serbe dhe serbë lokalë të mobilizuar nga komunat e Ferizajt, Shtërpcës, Shtimes, Vitisë, Lipjanit dhe zona të tjera, pasi gjatë natës e kishin rrethuar Reçakun nga të katër anët dhe e kishin goditur me artileri të rëndë nga distanca, depërtuan në fshat. Ata hynë nëpër shtëpitë e civilëve shqiptarë, duke i nxjerrë dhunshëm banorët nga shtëpitë dhe oborret e tyre, shumë prej tyre të papërgatitur, të veshur lehtë, disa pa mbathje dimërore, sikur të ishin zgjuar nga gjumi.

Pas arrestimeve, torturave dhe keqtrajtimeve çnjerëzore, forcat e armatosura serbe i ekzekutuan në masë civilët shqiptarë. Viktimat ishin nga mosha 13-vjeçare, si Halim Rizah Beqiri, deri në moshën 82-vjeçare, si Nazim Nuhë Imeri. Në mesin e të vrarëve kishte persona me aftësi të kufizuara dhe tri femra. Tridhjetë e gjashtë civilë u ekzekutuan nga afërsia, ndërsa gjashtë nga distanca mbi 50 metra. Shumicës së viktimave ua kishin shkaktuar plagë të tmerrshme: ua kishin prerë gjymtyrët, ua kishin nxjerrë zemrat, ua kishin prerë kokat me thikë, ua kishin thyer kafkat, ua kishin rrjepur lëkurën dhe ua kishin shkaktuar vdekje mizore me mjete të ftohta dhe me armë zjarri. Këto krime u kryen në prani të familjarëve, grave dhe fëmijëve, duke u shkaktuar atyre trauma të përjetshme.

Sulmi ndaj Reçakut zgjati rreth dhjetë orë pa ndërprerje. Në këtë sulm brutal u vranë dhe u masakruan 42 civilë shqiptarë të paarmatosur, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë, çka përbën krim të gjenocidit sipas së drejtës penale ndërkombëtare.

Më 17 janar 1999, gjyqtarja hetuese serbe Danica Marinkoviq urdhëroi marrjen e kufomave të civilëve shqiptarë për obduksion, në një përpjekje të qartë për manipulim dhe fshehje të krimit të gjenocidit. Kjo çoi në luftime të ashpra për mbrojtjen e kufomave, ku u shqua heroizmi i Brigadës 161 të UÇK-së dhe i komandantit Ahmet Kaçiku. Më 19 janar 1999, gjatë luftimeve në rrugën e Kërkovës, komandanti Ahmet Kaçiku u qëllua nga afërsia dhe ra dëshmor, së bashku me ushtarin Vezir Jashari. Po ashtu, në mbrojtje të Reçakut ranë edhe nëntë dëshmorë të tjerë të UÇK-së.

Nga 15 janari deri më 11 shkurt 1999 ndodhën edhe ngjarje të tjera të rënda, përfshirë abduksionin e kufomave në Institutin e Patologjisë në Prishtinë nga ekspertë serbë, përfshirjen e ekspertëve bjellorusë dhe më pas ekspertëve finlandezë. Krimin e gjenocidit në Reçak e konfirmoi edhe Dr. Helena Ranta përmes ekspertizës mjeko-ligjore ndërkombëtare.

Hetimet dëshmuan se të gjithë të vrarët dhe të masakruarit ishin civilë shqiptarë të paarmatosur, të veshur me rroba civile, të nxjerrë dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe të dërguar drejt Kodrës së Bebushit për ekzekutim, fakt që dëshmon planifikimin dhe qëllimin e krimit të gjenocidit dhe shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë.

https://www.tagesschau.de/multimedia/sendung/tagesschau_vor_20_jahren/video-493939.html

Për krimin e gjenocidit në Reçak përgjegjësi të plotë mban shteti serb, me në krye Sllobodan Millosheviqin, strukturat e tij politike, ushtarake dhe policore, si dhe udhëheqësit e njësive speciale, përfshirë Goran Radosavljeviç-Gurin. Serbia duhet të dënohet për krimin e gjenocidit në Kosovë në përgjithësi dhe në Reçak në veçanti, pasi ajo që ka kryer në Kosovë gjatë luftës përbën gjenocid sipas të drejtës penale ndërkombëtare.

Raporti i publikuar në Washington Post më 28 janar 1999, në Nju Jork, përmbante fragmente nga bisedat telefonike ndërmjet ministrit serb të Punëve të Brendshme, gjeneralit Sreten Lukiq, dhe zëvendëskryeministrit jugosllav (serb), Nikolla Shainoviq, i cili në mënyrë të qartë urdhëroi forcat qeveritare të sigurisë të “veprojnë ashpër” në Reçak.

Dy zyrtarët, më vonë, diskutojnë për mënyrën se si të mbulohen (fshihen) vrasjet, me qëllim shmangien e dënimit ndërkombëtar. Po ashtu, ata diskutuan se si ky krim i gjenocidit të paraqitej si pasojë e luftimeve ndërmjet trupave qeveritare, apo forcave të armatosura serbe, dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këta persona këtu janë disa nga ata që kanë kryer krimin e gjenocidit në Reçak dhe nuk janë përballur me drejtësinë. Prokurorët tanë duhet t’i padisin dhe listojnë në Interpol. Ka ardhur koha për të krijuar një Gjykatë për gjenocidin serb në Kosovë dhe krimi i gjenocidit serb në Reçak duhet të jetë rasti i saj i parë.

Gjithashtu ligji për mohimin e gjenocidit duhet të miratohet dhe zbatohet. Ata që ofendojnë viktimat dhe të kaluarën tonë duhet të sillen para drejtësisë.

———————-

SHERADIN BERISHA: VRASJET E SHQIPTARËVE NË REÇAK – KRIM I PANDËSHKUAR!

***

ROLI I SERBISЁ NЁ KRYERJEN E GJENOCIDIT NЁ BOSNJE DHE KOSOVЁ (1991 – 1999)

https://pashtriku.org/roli-serbis%d1%91-n%d1%91-kryerjen-e-gjenocidit-n%d1%91-bosnje-dhe-kosov%d1%91-1991-1999/

Ilustrimet – Sheradin Berisha © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura