Nga arkivi i fb, më 30. 08. 2025
Në hap me gjurmët arkivore!
DIMAL BASHA DHE KOMISIONI I LDK-së PËR HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS NË KOSOVË [1998 – 1999]
Nga Sheradin Berisha, më 30 gusht 2025
Vetëm një ditë pasi deputeti Dimal Basha (më 26 gusht 2025) u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, një studim i publikuar i vitit 2012, ku ai ishte bashkautorë me dr.Jana Arsovskan, nxiti reagime të forta në opinionin publik. Në tekstin e studimit përmendet se UÇK-ja u financua jo vetëm nga diaspora, por edhe nga trafikantë droge që dërgonin para dhe njerëz për të luftuar. Saktësisht thuhet se, “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë uvropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Këtu mund të lexoni të plotë studimin me titull:
“Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances –
Jana Arsovska et Dimal Basha / 22 | Août 2012 [Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transkombëtar, Islami Fundamental dhe Aleancat e Padrejta] – Jana Arsovska dhe Dimal Basha / 22 Gusht 2012
https://journals.openedition.org/etudescaribeennes/5871#ftn11
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Demal Bashës.
Ai mohon se ka shkruar ndonjëherë kundër UÇK-së, duke theksuar se kontributi i tij u kufizua vetëm në kapitullin III të studimit që ka të bëjë me “islamin radikal” dhe me këtë rast distancohet “nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere [UÇK-së]”.
Kush është bashkëautorja e studimit Jana Arsovska?
Sipas biografisë së saj, Jana Arsovska është Profesoreshë e Asociuar e Sociologjisë në Kolegjin John Jay të Drejtësisë Penale dhe Programin e Studimeve të Doktoraturës në Drejtësi Penale në Qendrën Pasuniversitare, Universiteti i Qytetit të Nju Jorkut. Ajo ka tri librat dhe shumë studime tjera mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, krimin transnacional, tregjet e rrjetit të errët, shkelëset femra dhe lëvizshmërinë kriminale në botë etj.
Për biografinë e saj gjerësisht lexoni këtu:
https://www.jjay.cuny.edu/faculty/jana-arsovska
***
Pas Luftës në Kosovë ka pasur diskutime të pafundme për krimet e kryera nga policia dhe ushtria serbe mbi shqiptarët në vitet 1998 – 1999. Por në këtë kuadër është folur edhe për “vrasjet enigmatike të LDK-së” dhe jo vetëm të kryera nga segmente të caktuara të UÇK-së! Ky diskutim ndër vite deri më sot është bartur edhe në debatet e përnatshme televizive dhe shpesh herë është përmendur krijimi i një komisioni për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë nga Serbia por edhe nga UÇK-ja!

Para më shumë se dhjetë vjetve, (në mars të vitit 2015) kam publikuar dy dëshmi arkivove që kanë të bëjnë lidhur me Krijimin e një “Komisioni për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë” (në kuadër të LDK-së), me vendim të Kryetarit të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, më 19. 11. 1998.
Ju ftoj të lexoni këtë publikim:
VENDIMI I KRYETARIT TË LDK-së, IBRAHIM RUGOVA PËR KRIJIMIN E KOMISIONIT PËR “HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS”, NËNTOR 1998 [DOKUMENTE ARKIVORE]
Nga Sheradin Berisha
Pashtriku.org, 28. 03. 2015 – Në nëntor të vitit 1998, në kohën kur po shqyrtohet drafti (plani) i 3’të i ambasadorit amerikan Christopher Hill, për gjetjen e një zgjidhje për të ardhmen e Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë së mbetur (Serbi – Mali i Zi), në të cilin parashikohej edhe krijimi i policisë lokale, Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, më 19 nëntor [1998] merr vendim për krijimin e një komisioni për “HULUMTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS”, dhe ky komision atëkohë e shtriu aktivitetin gjithandej nëpër Kosovë, ku ishin degët e LDK-së.
Në këtë vendim Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, shkruan:
“Duke u mbështetur në nenet 25, alineja 1 dhe nenit 27, alineja 4 të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë dhe krimeve të kryera nga forcat serbe, vrasjeve enigmatike dhe kërcënimeve të aktivistëve të LDK’së, në bazë të kompetencave të tij, Kryetari i LDK-së merr këtë:
VENDIM
Për caktimin e një komisioni për hulumtimin e krimeve të luftës
1. EQREM KRYEZIU (Kryetar),
2. AGIM KRASNIQI
3. REXHEP GJERGJI
4. FATMIR REXHEPI
5. ALUSH GASHI
6. HAJZER KRASNIQI
7. FARUK SPAHIU
8. RAMË MARAJ
9. EDI SHUKRIU
Ky komision obligohet të krijoj në të gjitha degët e LDK-së nënkomisionet përkatëse. Koordinimi i punëve bëhet me Kryetarin e Komisionit Z.Eqrem Kryeziu.
Prishtinë, më 19.11. 1998
Kryetari i LDK-së
Dr.Ibrahim Rugova
Nënshkrimi

Vendimi i Kryetarit të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova për themelimin e Komisionit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë. Prishtinë, më 19 nëntor 1998.
________
Pas përfundimit të luftës, qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së LDK’së, të mbajtur më 05. VII. 1999, Eqrem Kryeziu në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për “hulumtimin e krimeve të luftës”, propozon (citoi): “Eqrem Kryeziu: Propozoj që të rihapen zyrat e LDK-së në të gjitha qendrat për hulumtimin e krimeve të kryera nga serbët por edhe UÇK-ja”- përfundon citati!

Faksimili i procesverbalit të mbledhjes së parë të Kryesisë së LDK-së, e mbajtur më 05.VII.1999 në Prishtinë.
__________
Dëshmitë e grumbulluar nga ky komision duket se janë përdorur, gjatë procesve gjyqësore kundër ushtarëve dhe komandantëve të UÇK’së, që janë zhvilluar në Kosovë dhe në gjykatën e Hagës!
Sheradin Berisha © Pashtriku.org