BJESHKЁ PЁRBALLЁ STUHISH

BJESHKЁ PЁRBALLЁ STUHISH

(Këto vargje i kushtohen z. Adem Demaçi, që i dha gjithçka Atdheut — e prej tij mori vetëm një copë tokë për varr.)

Shtatshkurtër,
por me gjurmë hapi kudo.
Frikën nuk e mbaje barrë së koti.
Atyre që mendonin se ua kishe zënë diellin —
në sy ua thoshe: ja ku jam.

*

Kosova është djep i të parëve të mi.
Do ta mbroje qoftë edhe me thonj,
ashtu siç i mbron shqiponja zogjtë e saj.

*

Me guxim u përballje
me çakallë e dobiçë,
të lindur në stepat e Azisë.

*

I dashur e i butë
ndaj të njerëzishmëve
e punëtorëve;
i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj atyre
që preknin djersën e popullit të shkërmoqur
nga plagët e pushtimeve në çdo stinë.

*

Në djalëri e në pleqëri ishe
dhe mbete vetvetja.
Atë që e ndjeje në shpirt
e nxirrje nga goja –
kurrë hipokrit.

*

Ballafaques e guximtar ndaj armiqve,
mirënjohës ndaj miqve.

Njëzet e tetë vjet
ngujuar në qeli,
por gjithnjë
me hapin e luanit.

*

Bjeshkë ndaj sulmeve e shpifjeve
që pillnin
të shiturit
e gojëkëqijtë.

*

Kur zagarët të lehnin prapa,
ti vazhdoje rrugën,
duke thënë:
detyrë e kanë.

*

Gjithmonë ecje
me ballin lart, e krenar.
Shpesh thoshe: me vdekjen s’kam
kontratë – kur të dojë, le të më marrë.

*

Jetove pa u ankuar
dhe pa kërkuar lëmoshë.
Vdiqe pa gjëmë,
ashtu siç vdesin
luftëtarët e lirisë
në beteja.

*

Gjatë gjithë jetës – urë e Atdheut!

Arif Ejupi
Gjenevë, 26 shkurt 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura