DEMONSTRATAT E 1981-shit NË KOSOVË
NGJARJET QË NDRYSHUAN RRJEDHËN E HISTORISË
FUNDI I DIMRIT TË MADH DHE FILLIMI I PRANVERËS SË ’81-shit, SHËNON FILLIMIN E MBARIMIT TË AMALGAMËS JUGOSLLAVE
Nga Xhelal Zejneli
Për t’i ndalur demonstratat, Beogradi dërgoi në Kosovë forca speciale apo rreth 30.000 Më 1 dhe 2 prill shpërthyen trazira në mbarë Kosovën. Kundër protestuesve autoritetet jugosllave përdorën forcë. Ndërhyri ushtria jugosllave, nëpër rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera qarkullonin tanket dhe automjetet e blinduara. Aeroplanët luftarakë dhe bombarduesit fluturonin mbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera. Beogradi e shumëfishoi numrin e milicëve dhe të ushtarëve në Kosovë. Pasuan arrestimet, burgosjet, hetimet, torturat nëpër biruca, qeli dhe zandanë, proceset gjyqësore, dënimet drakonike. Çizme dhe shkopinj gome apo pendrekë milicësh, xhandarësh dhe gardianësh. UDB-ja, d.m.th. shërbimi sekret jugosllav vepronte pareshtur. Kosova as jepej, as shtrihej, as dorëzohej. Si një mal i vetmuar, përballë stuhive, e patundur qëndroi. Deri në liri, pavarësi dhe demokraci ende duhej derdhur gjak. Orakulli paralajmëronte agimin e një mëngjesi plot dritë.
* * *
E tërë rrjedha e demonstratave është përcjellë nga lufta speciale e ”Doktrinës së Shenjtë Serbe.” Që nga fillimi i revoltës në mensën e konviktit të studentëve në Prishtinë deri te dalja në skenë e forcës së armatosur, kjo doktrinë ka vepruar nga prapavija me metodat pasive dhe aktive të saj. Në katër vitet e para pas demonstratave, nga organet e shërbimit sekret jugosllav janë dënuar 4 mijë veta. Në periudhën e viteve 1981-1990, si rrjedhë e zinxhirit të demonstratave janë vrarë 183 civilë shqiptarë. Në Armatën Popullore Jugosllave janë vrarë 63 ushtarë shqiptarë. Janë dënuar 1346 ushtarë shqiptarë dhe 10.000 civilë për kundërvajtje politike. Dënim me burg, mesatarisht 7,1 vit kanë vuajtur 3500 veta. Çdo i treti shqiptar në Kosovë është keqtrajtuar nga policia serbosllave, kurse në vitin 1990 janë helmuar mbi 7000 nxënës dhe studentë, kryesisht femra. Është folur edhe për sterilizimin e femrave shqiptare me qellim zvogëlimin e përqindjes së lindshmërisë së në Kosovë.
* * *
Parulla të demonstratave të ’81-shit, midis tjerash kanë qenë:
“Kosova Republikë”, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me dhunë”, “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë”, “Trepça punon, Beogradi ndërton” etj.
Protestat në Prishtinë shpërthyen më 11 mars 1981. Më 1 dhe 2 prill ato u përhapën në mbarë Kosovën. Sipas disa të dhënave, u vranë 11 vetë: 4 nga pala e shtetit dhe 7 nga pala e protestuesve. U arrestuan 4.200 vetë. Nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës u përjashtuan 1500 vetë. Për numrin e të vrarëve dhe të të arrestuarve, burime të tjera japin shifra të tjera.
* * *
Në mars dhe në prill të viti 1981, një protestë studentore në Prishtinë çoi në protesta të gjera në Kosovë. Shqiptarët kërkonin më shumë të drejta për Kosovën. Kryesia e Jugosllavisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Prishtinë dhe në Mitrovicë, gjë që çoi në trazira. Trazirat u shtypën nga ndërhyrja e ashpre e policisë jugosllave. Kjo shkaktoi viktima të shumta. Pasoi një periudhë e trysnisë politike.
Sipas të dhënave të vitit 1975, ekonomia e Kosovës, krahasuar me mesataren jugosllave, ishte shumë më pak e zhvilluar. Me fjalë të tjera, Kosova ishte entiteti më pak i zhvilluar brenda Jugosllavisë.
Universiteti i Prishtinës ishte pika fillestare e protestave studentore të vitit 1981. Izolimi kulturor i Kosovës brenda Jugosllavisë dhe ngecja endemike e saj, krahasuar me pjesët e tjera të vendit, rezultuan me numrin më të lartë, si të studentëve, ashtu edhe të analfabetëve në Jugosllavi. Arsimimi universitar nuk konsiderohej garanci për punësim në të ardhmen. Në vend të përgatitjes së studentëve për profesione teknike, universiteti përgatiste studentë në lëmin e arteve, në veçanti në albanologji, të cilat mezi gjenin punë përveç në administratë ose në institucionet kulturore vendore, apo edhe jashtë Kosovës. Kjo krijoi një grup të madh të rinjsh të papunë me arsim të lartë dhe të pakënaqur, rekrutë kryesorë për ndjenja nacionaliste.
Demonstrata u organizuan nga disa profesorë dhe studentë. Midis tyre mund të përmendim Besim Baraliun, Fehmi Lladrovcin* dhe të tjerë.
Shënim: Fehmi Lladrovci (Fshati Shkabë, dikur Gllanasellë, Komuna e Drenasit, 15.05.1956 – 22.09.1998) një nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ra dëshmor gjatë luftimeve të ashpra kundër forcave pushtuese serbe në vendin e quajtur “Gradinë” afër fshatit Gllanasellë. Po atë ditë, bashkë me të ra në altarin e lirisë edhe bashkëshortja e tij Xhevë Krasniqi-Lladrvci* (Drenoc të Klinës, më 01.06.1955 – 22.09.1998 ). Pas mbarimit të luftës, u shpallën heronj të Kosovës. Një prej organizuesve kryesorë të pranverës së 1981-shit ka qenë edhe Hydajet Hyseni (fshati Përlepnicë i Gjilaanit, 1954- ). Në vitin 1973 u përket radhëve të “Grupit Revolucionar.” Ishte në një celulë të formuar nga heronjtë e kombit Rexhep Mala (1951-1984), Hilmi Ramadani (fshati Novosellë, Bujanoc, 26.04.1953 – 2025) dhe Kadri Zeka (fshati Poliçkë, Malësi e Dardanës / Kamenicës, 25.04.1953 – 17.01.1982).
Në vitin 1981 Hydajeti u burgos nga forcat serbo-çetnike.
Shënim: Rexhep Mala (1951-1984) ka qenë truri i Lëvizjes Kombëtare. Ai dhe Nuhi Berisha (lindi në Svircë të Dardanës / Kamenicë, më 03.10.1961. Ra heroikisht më 19.01.1984) ranë heroikisht në janar të vitit 1984, gjatë përleshjes me forcat policore fashiste serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.
Shënim: Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla vriten tinëzisht nga UDB-ja jugosllave më17 janar 1982 në Untergrupenbach afër qytetit Heilbronn, landi i Shtutgartit, Gjermani.
* * *
Deri në vitin 1981 Universiteti i Prishtinës kishte rreth 20000 studentë – një në dhjetë banorë të popullsisë së përgjithshme të qytetit.
Protestat e studentëve – Demonstratat filluan më 11 mars 1981, fillimisht si një protestë spontane në shkallë të vogël për ushqim më të mirë në mensën e konviktit studentor dhe për kushte më të mira jetese në konvikte. Të lodhur nga pritjet në radhë me orë të tëra për ushqimin me cilësi të dobët, studentët filluan të demonstrojnë me nismën e Gani Kocit, i cili më vonë u arrestua. Dy deri në katër mijë demonstrues u shpërndanë nga policia, me rreth njëqind arrestime të kryera.
Shënim: Gani Koci (Polac, Skenderaj,20.06.1958- ) në vitin 1981 u burgos nga pushtuesit serbo-sllavë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie, si një prej organizatorëve të demonstratave të pranverës së vitit 1981. Nga viti 1996 ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Politeknikes, në Universitetin e Prishtinës. Po në atë universitet ka kryer edhe drejtësinë. Ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga Grupi parlamentar i PDK-së në periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
* * *
Protestat e studentëve rifilluan dy javë më vonë, më 26 mars 1981. Mijëra demonstrues brohoritën parulla gjithnjë e më nacionaliste. Policia pushtuese jugosllave përdori forcën për t’i shpërndarë ata. Me këtë rast u plagosën 32 persona. Shumë studentë u arrestuan dhe kjo nxiti edhe shtrirjen e protestave.
Më 30 mars, studentët e tre fakulteteve më të mëdha të universitetit shpallën bojkot, duke thënë se pushtuesit serbo-sllavë po synojnë kthimin e rankoviqizmit. Kërkesat e studentëve shqiptarë ishin nacionaliste. Kërkohej njëherazi që ekonomia e Kosovës dhe shkalla e zhvillimit të saj të barazohet me shkallën e zhvillimit te pjesëve të tjera të RSFJ-së.
Përshkallëzimi i protestave – Më 1 prill 1981, demonstratat u përhapën në mbarë Kosovën. Gjatë përleshjeve me demonstruesit u plagosën 17 policë të forcave pushtuese jugosllave. Policia nuk ia doli t’i shpërndante kryengritësit.
Ushtria ndërhyri “për t’i siguruar institucionet shtetërore”. Një prej politikanëve të njohur të saj kohe në Kosovë ishte edhe Mahmut Bakalli (1936-2006).
Brenda disa ditësh, protestat për kushte më të mira për studentët, u shndërruan në revoltë për shtypjen dhe shfrytëzimin e shqiptarëve nga shumica serbe. Më pas pasuan trazira dhe kërkesa nacionaliste shqiptare. Kërkesa kryesore ishte që Kosovës t’i njihej statusi i republikës dhe ajo të bëhej një prej shtatë republikave të RSFJ-së.
Autoritetet fajësuan për protestat nacionalistët radikalë. Në maj të vitit 1981 autoritetet jugosllave thanë se qëllimi i protestuese ka qenë që Kosovën tanimë republikë, ta ndajnë nga Jugosllavia dhe t’ia bashkojnë Shqipërisë.
Autoritetet jugosllave ndaluan njoftimet e agjencive të huaja për ngjarjet në Kosovë. U ndaluan po ashtu edhe informimet vendase, për dallim nga ato të protestave të vitit 1968 në Kosovë. Ato kishin për detyrë të transmetonin vetëm deklarata zyrtare të organeve të shtetit jugosllav apo serbo-sllav Deklaratat zyrtare ishin në thelb të pasakta dhe të pavërteta. Ato flisnin “për armiq të brendshëm dhe të jashtëm”. Ato provokuan një sërë teorish konspiracioni që nxitën ndjenja nacionaliste diku tjetër në Jugosllavi. Një nga teoritë e konspiracionit të autoriteteve jugosllave ishte edhe ajo sipas së cilës thuhej: “Ka të dhëna se në protestat e studentëve është i implikuar edhe shërbimi i sigurimit i Shqipërisë”. Në këtë kohë, funksionar i lartë i Kosovës ishte edhe Azem Vllasi (Kamenicë, sot Dardanë, Kosovë, 1948- ).
Kërkesa që Kosova të bëhet republikë e shtatë e Jugosllavisë ishte e papranueshme për Serbinë dhe për Maqedoninë.
Një bllokim ndodhi pranë Podujevës, ku përforcimet policore që vinin prej Serbie u ndaluan nga demonstruesit.
Sipas autoriteteve jugosllave, disa prej grupeve të protestuesve kanë qenë marksistë-leninistë, ideologjia e të cilëve qenkësh formuar nga pikëpamjet e Enver Hoxhës (1908-1985). Autoritetet jugosllave akuzuan Shqipërinë për ndërhyrje në çështjet e tyre të brendshme. Sipas disa studiuesve, shkalla e ndikimit të ushtruar nga qeveria shqiptare në protesta është e diskutueshme.
Profesoresha për Studime të paqes dhe të konflikteve në American University, Washington, D.C. Xhuli A. Mertus (Julie A. Mertus, 1963 – ) thotë: “Disa studentë kanë mbajtur pankarta me mbishkrimin: ‘Ne jemi ushtarë të Enver Hoxhës’, por numri i tyre ka qenë i vogël.” “Shqipëria përdori radion dhe televizionin dhe dërgoi libra për t’i inkurajuar shqiptarët e Kosovës “të bashkoheshin me atdheun”, pohon Xhuli A. Mertus.
Gjendje e jashtëzakonshme – Udhëheqja e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë e pa kundërshtimin e protestuesve ndaj vetëqeverisjes socialiste. Nacionalizmin e tyre e definoi si një kërcënim të madh ndaj Jugosllavisë. Federata jugosllave mori vendim që “t’i shtypte ata me të gjitha mjetet që i kishte në dispozicion”.
Më 2 prill 1981, Kryesia e Jugosllavisë nën udhëheqjen e serbit nga Bosnja dhe Hercegovina, Cvijetin Mijatoviqit (Llopare afër Tuzllës, BH, 1913 – Beograd, 1993) shpalli në Prishtinë dhe në Mitrovicë gjendje të jashtëzakonshme e cila zgjati një javë.
Shënim: Prej 15 maj 1980 deri më 15 maj 1981, Cvijetin Mijatoviqi ka qenë Kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë.
* * *
Për t’i ndalur demonstratat, Beogradi dërgoi në Kosovë forca speciale apo rreth 30.000 Më 1 dhe 2 prill shpërthyen trazira në mbarë Kosovën. Kundër protestuesve autoritetet jugosllave përdorën forcë. Ndërhyri ushtria jugosllave, nëpër rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera qarkullonin tanket dhe automjetet e blinduara. Aeroplanët luftarakë dhe bombarduesit fluturonin mbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera. Beogradi e shumëfishoi numrin e milicëve dhe të ushtarëve në Kosovë. Pasuan arrestimet, burgosjet, hetimet, torturat nëpër biruca, qeli dhe zandanë, proceset gjyqësore, dënimet drakonike. Çizme dhe shkopinj gome apo pendrekë milicësh, xhandarësh dhe gardianësh. UDB-ja, d.m.th. shërbimi sekret jugosllav vepronte pareshtur. Kosova as jepej, as shtrihej, as dorëzohej. Si një mal i vetmuar, përballë stuhive, e patundur qëndroi. Deri në liri, pavarësi dhe demokraci ende duhej derdhur gjak. Orakulli paralajmëronte agimin e një mëngjesi plot dritë.
Më 3 prill, demonstratat e fundit zhvilluan në Vuçitërn sot Vushtri,në Ferizaj, në Viti dhe në Mitrovicë. Ato u shtypën nga përqendrimi i numrit të madh të forcave policore të armatosura deri në dhëmbë. Sipas disa të dhënave, në gjashtë qytete ishin përfshirë mbi 20.000 kryengritës.
Në fund të prillit, New York Times raportoi se gjatë protestave ishin vrarë nëntë persona kurse mbi pesëdhjetë ishin plagosur. Në korrik, media raportoi se deri në fund të protestave ishin plagosur mbi 250 persona.
* * *
Nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës u shkarkuan disa figura kyçe, përfshirë edhe kryetarin e saj. Mahmut Bakalli (Gjakovë, 19.01.1936 – Prishtinë, 14.04.2006) u zëvendësua nga udhëheqësi i lartë komunist i Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, Veli Deva (Gjakovë, 18.10.1924 – Prishtinë, 25.11.2015). Pas demonstratave, nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës u përjashtuan studentët që konsideroheshin separatistë. Me dënim burgu deri në 15 vjet u dënuan 226 studentë dhe punëtorë. Shumë veta, përfshirë edhe disa udhëheqës dhe profesorë universitarë u përjashtuan nga puna. Ata u zëvendësuan nga përfaqësues të linjës së ashpër të Lidhjes së Komunistëve.
Universitetit iu ndalua të përdorte tekste universitare të importuara nga Shqipëria. Që nga ajo kohë, universitetit iu kërkua të përdorte vetëm libra të përkthyer nga serbokroatishtja.
Akademikët dhe politikanët serbë rendën t’i shfrytëzojnë demonstratat në Kosovë si pretekst për të kërkuar centralizimin e pushtetit jugosllav, krijimin e një Jugosllavie unitare, suprimimin e Kushtetutës së viti 1974, reduktimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve, suprimimin e autonomive të Kosovës dhe të Vojvodinës, bashkëngjitjen Serbisë të territoreve të banuara me serb. Universitetin e Prishtinës Beogradi e quajti “bastion të nacionalizmit shqiptaromadh”.
Kryesia e Jugosllavisë nuk pranoi ta suprimonte autonominë e krahinave, siç kërkonin disa komunistë serbë. Lidhja e Komunistëve të Kosovës i shpalli trazirat si produkt të nacionalizmit shqiptar.
Serbia tentoi të zvogëlonte pushtetin e shqiptarëve në Kosovë. Ajo zhvilloi një fushatë propagandistike që thoshte se serbët dëboheshin nga Kosova kryesisht nga popullsia në rritje e shqiptarëve dhe jo nga gjendja e rëndë ekonomike. Ky pretendim i Serbisë s’ishte veç se një gënjeshtër e madhe e trilluar dhe e sajuar.
Policia jugosllave apo serbo-sllave thotë se ka shpërbërë 33 grupe nacionaliste shqiptare. Janë dënuar rreth 280 persona, 800 janë gjobitur, 100 i janë nënshtruar hetimit. Janë sekuestruar arka armësh dhe materiale propagandistike.
Demonstratat në Kosovë ishin fillimi i një krize të thellë në Jugosllavi që më vonë çoi në shpërbërjen e saj. Përgjigja e qeverisë jugosllave ndaj demonstratave e ndryshoi diskursin politik në vend dhe e dëmtoi aftësinë e saj për të ndërtuar të ardhmen.
Në letërsi dhe art – Ngjarjet në Kosovë e frymëzuan Ismail Kadarenë (1936-2024) për ta shkruar romanin „Krushqit janë të ngrirë“. Vepra u shkrua në vitet 1981-1983 dhe u botua në vitin 1986 në një përmbledhje me vepra të tjera. Autori e paraqet aty mjeken Teuta Shkreli e cila kujdeset për studentët e plagosur. Figura e Teutës u frymëzua nga veprimet e gjinekologes Sehadete Doko- Mekuli (Ohër, 16.10.1928 – Prishtinë, 12.11.2013) e cila ishte bashkëshorte e poetit, kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Esad Mekulit (Plavë, 17.12.1916 – Prishtinë, 06.08 1993).