GJOKË DABAJ: A KA URDHËR ARRESTI PËR KËTA NJERËZ (NË KRUSHË TË VOGËL)?!

Durrës, 03. 04. 2014 – Do të mund të thoshim: banditë, do të mund të thoshim: kriminelë, do të mund të thoshim: zbatues të genocidit, do të mund të thoshim: sendërtues të krimeve kundër njerëzimit. Por unë përdora fjalën njerëz, me shumë rezerva.
Cvetkoviq Bora, Cvetkoviq Borisllav, Cvetkoviq Gjorgje, Cvetkoviq Goroljub, Cvetkoviq Stanko, Gjorgjeviq Zlatko, Nikoliq Danilo, Nikoliq Dimitrije, Nikoliq Goran, Nikoliq Kërsto, Nikoliq Krunisllav, Nikoliq Milladin, Nikoliq Momçillo, Nikoliq Nebojsha, Nikoliq Novica, Nikoliq Rada, Nikoliq Ranko, Nikoliq Rashko, Nikoliq Sava, Nikoliq Zvezdan, (Shënim: Nuk besoj që ky varg Nikoliqësh të ketë lidhje gjaku me presidentin e sotëm të Rep.së Sërbisë, zotin T.Nikoliq, pasi pranemrat, llagapet, që formohen prej emrash të përveçëm të njerëzvet, nuk tregojnë gjithnjë edhe lidhje gjinie.), Petkoviq Aleksandar, Petkoviq Dejan, Petkobiq Gollub, Petkoviq Goran, Petkoviq Predrag, Petkoviq Ranko, Petkoviq Sllavisha, Petkoviq Sllavko, Petkoviq Stevo, Petkoviq Sveta, Stankoviq Pera, Stankoviq Stanisllav, Stankoviq Trajçe, Tasiq Darko, Tasiq Sreqko, Tasiq Sveta.
I gjeta në serinë e artikujvet të publicistit dhe studiuesit, zotit Sheradin Berisha, botuar kohët e fundit te “Pashtriku.org”. Janë 36 vetë. Kanë marrë pjesë që të gjithë në Masakrën e Krushës së Vogël, më 25-26 mars 1999, ku janë masakruar 112 shqiptarë të moshavet nga 13 deri 77 vjeç. Mesatarisht do t’i binte që secili prej këtyre të ketë vrarë e pakta 3 njerëz.


LEXONI: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR
KLIKO: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1446

*  *  *

Pyetja e parë që bën lexuesi, është kjo:
“A ka urdhër arresti për këta vrasës?”
A ka urdhër arresti policia e Rep. së Kosovës, për secilin prej këtyre njerëzve? A ka urdhër arresti policia e Rep.së Sërbisë, për secilin prej këtyre? A ka lëshuar urdhra arresti, për secilin prej këtyre, Interpoli? Sepse Interpoli bën vaki të lëshojë urdhër arresti edhe për një grabitës argjendarie, jo më, të mos shpallë në kërkim vrasësit e 112 banorëve të pa kurrfarë faji, përveç “fajit” se kishin jetuar bashkë me ta, në të njëjtin vend, qysh prej se kishin lindur dhe njiheshin personalisht me ta.
Për Ramush Haradinajn e dimë që ka pasur urdhër arresti, që është arrestuar dhe që është mbajtur në burgun e Hagës për disa vjet. Pa të drejtë, jo me të drejtë, siç duhej të ndodhte me këta 36 sërbë që i përmendëm. Për Fatmir Limajn ka urdhër arresti dhe është zbatuar. Ka pasur një urdhër arresti edhe për Hashim Thaçin. S’e di a vazhdon ta ketë. Këta vrasës sërbë, që po i përmendim këtu, me emra e me pranemra, s’janë veçse një e njëmijta pjesë e sërbëvet që kanë kryer masakra mbi popullsinë shqiptare, në Rep.e sotme të Kosovës, në “Kohën” e S.Millosheviqit.
Ç’ka bërë Sërbia Pasmillosheviqiane për t’i çuar para drejtësisë këta kriminelë?!
Tani po kërkohet që Rep.e Kosovës të nënshkruajë një traktat paqeje me Rep. e Sërbisë. A ka pranuar të nënshkruajë Izraeli farë traktati apo marrëveshjeje me Gjermaninë Pas’hitleriane, pa u arrestuar hitlerianët, autorë të Holokaustit?! Unë nuk e di, por z.K.Eshton duhet ta dijë. Edhe z. H. Thaçi duhet ta dijë. Ata e dinë, sigursiht, midis tjerash, edhe rastin e hitlerianit Ajhman, të akuzuar për genocid, të kërkuar, të gjetur dhe të gjykuar. Izraeli, ndonëse i sapokrijuar si shtet, u kish vënë kushte në atë kohë ndërkombëtarëvet! Ai nuk bënte lëshime për gjëra të këtilla!
Dua të them: A është e udhës që, midis Rep.së Kosovës dhe Rep.së Sërbisë të nënshkruhet çfarëdo lloj marrëveshjeje, pa i arrestuar Sërbia njerëzit që i përmenda dhe të gjithë që janë si ata?!
A është e moralshme?!
A është ndërkombëtarisht e pranueshme?!
Banorët shtëpidjegur e familjepërgjysmuar të Krushës së Vogël, a nuk fyhen me këto mënyra të ulëta sjelljesh të atyre politikanëve të Europës, të cilët pretendojnë për të ndërtuar një Europë paqeje e mirëkuptimi?!
A vijnë paqja e mirëkuptimi me kësi veprimesh apo mosveprimesh?!
Jo, se Krusha e Vogël, e përgjakur, e shkrumbuar, e përcëlluar, pastaj e fyer dhe e poshtëruar, do të ngrihet për të marrë hak ndaj Sërbisë!
Jo për këtë!
Sepse Kusha është e Vogël, or zotëri! Por sepse, me këtë mënyrë, sa burokratike, aq edhe të ulët dhe fyese, u lihet prapë shtegu i hapur Cvetkoviqvet, Gjorgjeviqvet, Nikoliqvet, Petkoviqvet, Stankoviqvet dhe Tasiqvet, për të riardhur në Kosovë dhe në krejt Shqipërinë, dhe për të bërë prapë ashtu siç kanë bërë në vitin 1999!
Baronesha, zonja K.Eshton, duhet ta dijë: A ka nënshkruar Mbretëria e Bashkuar marrëveshje të këtilla poshtëruese me Gjermaninë Pas’hitleriane, duke lejuar që hitlerianët, bombardues të Londrës, të bredhin të lirë nëpër Botë?!

=====================================

(Ilustrimin e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura