Prapaskenat e historisë
ÇFARË MËSOJMË DHE ÇFARË FSHIHET PAS SAJ?
Nga Sheradin Berisha, 29 gusht 2026
Lumë zyrtar apo shtrat i fshehur?
Historia që na servohet në bankat e shkollës shpesh i ngjan sipërfaqes së një lumi të madh. Ajo rrjedh e qetë brenda një shtrati të paracaktuar, e mbushur me data të sakta, kronologji luftërash, nënshkrime traktatesh dhe emra mbretërish, presidentësh apo gjeneralësh.
Kjo është historia zyrtare, një version i paketuar bukur që memorizohet nga brezat, por që shpesh shërben vetëm si një fasadë. Ajo tregon “çfarë” ndodhi në dukje, por rrallëherë zbulon mekanizmat e vërtetë se “pse” dhe “si” u arrit deri aty.
Illuzioni i realitetit historik
Kur shtrojmë pyetjen nëse kjo histori që kemi mësuar është e vërteta absolute, përgjigja është një “Jo” e prerë. Realiteti historik që na paraqitet është i deformuar në përmbajtjen e tij thelbësore. Kjo ndodh sepse e vërteta shpesh qëndron e zhytur në thellësi, e mbuluar nga plane sekrete dhe marrëveshje të mbyllura pas dyerve të blinduara. Ajo që ne quajmë “histori” nuk është gjë tjetër veçse pjesa e dukshme e një ajsbergu, ku pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme mbetet e padukshme për syrin e publikut.
Politika e planifikuar dhe deformimi i të vërtetës
Kush është arkitekti i këtij deformimi? Përgjigja është e qartë: politika e planifikuar. Ashtu si në botën e ekonomisë, ku çdo lëvizje, krizë apo ecuri zhvillimore programohet me përpikëri nga strategët financiarë, edhe në arenën gjeopolitike ngjarjet e mëdha nuk lihen në dorë të fatit. Kthesat e mëdha historike, revolucionet, luftërat dhe ndryshimet e kufijve janë produkt i një inxhinierie të mirëfilltë politike. Ato nuk janë reagime spontane, por skenarë të shkruar shumë kohë para se të luhen në teatrin e botës.
Thënia e Roosevelt-it: konfirmim i një skenarit
Për të ilustruar këtë të vërtetë të fshehur, mjafton t’i referohemi një prej figurave më me ndikim të shekullit të XX, Presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt. Ai ka lënë një dëshmi të fuqishme që çmonton iluzionin e rastësisë:
“Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftëse diçka ndodh, duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë!” – ka thënë ai.

Kjo deklaratë nga një njeri që ndodhej në qendër të vendimmarrjes globale konfirmon se historia që shkruhet në libra është thjesht rezultati i përfunduar i një plani të mirëmenduar, ndërsa arsyet e vërteta shpesh varrosen në arkivat sekrete të fuqive të mëdha.
***
Urgjenca e ndryshimit të ligjit zgjedhor
KOSOVA NGA NJË ZONË ZGJEDHORE NË 5 – 7 ZONA ELEKTORALE
Nga Sheradin Berisha, më 28 gusht 2026