Pyetje drejtuar kryeministrit (që vlejnë edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha)
Pse pasuritë tona natyrore minerare u jepen me koncesion vetëm oligarkëve dhe personave që kanë probleme me ligjin? Mos vallë pas këtyre marrëveshjeve qëndroni ju vetë?
Autorë:
Isuf Tushe – Inxhinier Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike.
Hazbi M. Shehu – Inxhinier Gjeolog Nafte, Profesor Doktor i Shkencave Gjeologjike.
1. Delvina dhe TEC-i i Vlorës: Nga pasuria kombëtare te pazaret e dyshimta
“Këta tipa ‘specialistësh’ mashtrues qarkullojnë vetëm në vendet me demokraci të brishtë, që drejtohen nga qeveri dhe politikanë të korruptuar. Ata gjuajnë për vendburime të pasurive natyrore.” (I. Tushe – Video: https://youtu.be/pj_-bKgokL8)
Në janar 2026, në një kohë që përkon me publikimin e videos së përgjimit që disponon Ahmetaj, mediat njoftuan se disa kompani kishin shfaqur interes për vendburimin e Delvinës.
Në intervistën e tij të pestë, ndërmjet akuzave të tjera të rënda drejtuar juve, zoti kryeministër, Ahmetaj pretendon se, përmes pazareve të dyshimta, pasi i dhatë mikut izraelit, të përfolur për probleme me drejtësinë, uzinat ushtarake, databazën dhe rezervat shtetërore të naftës, ndër të tjera, i paskeni dhënë edhe TEC-in e Vlorës dhe gazin e Delvinës, që operohet nga Delvina Gas Company Ltd, në pronësi të oligarkut tuaj, Gëzim Meqemeja.
Ky i fundit, herë pas here, hapte pusin, merrte kondensatin dhe, sipas pretendimeve tona, mbi 150 mijë metër kub gaz në 24 orë i lëshonte në atmosferë, duke ndotur mjedisin dhe rrezikuar shëndetin e banorëve nga Delvina deri në Sarandë.
Ky oligark, pa përvojë në sektorin e gazit apo të naftës dhe pa kapitalin e nevojshëm për të investuar seriozisht në Delvinë, por me lidhje të forta politike, ka zhvilluar negociata të dyshimta për të siguruar statusin e investitorit strategjik në këtë vendburim. Ai ka tërhequr dhe shtyrë disa prej oligarkëve të afërt me kryeministrin, derisa, me sa duket, ka zgjedhur atë që i përshtatet më mirë interesave të tij: mikun e ngushtë, biznesmenin kontrovers izraelit Roni Yeffet.
2. Pronësia e Delvina Gas Company Ltd dhe transparenca e investimit
Në mars 2026, në puset e Delvinës u zhvillua një takim, ku morën pjesë ambasadori holandez dhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë.
Prania e tyre në raste të tilla, sipas vlerësimit tonë, shërben më shumë si spektakël për opinionin publik sesa si garanci ligjore për investitorët dhe origjinën e kapitalit të investuar.
Aty u deklarua se bëhej fjalë për një investim holandezo-amerikan. Megjithatë, në dokumentet e datës 16.07.2025, të publikuara në faqen e internetit të Delvina Gas Company Ltd, pronar përfitues i shoqërisë rezulton shtetasi holandez Hein Frens, me 100% të pronësisë.
Dokumentacioni mund të konsultohet në këtë adresë:
https://opencorporates.al/sq/nuis/l61416039u
Referuar videos së përgjimit të publikuar nga Ahmetaj, ku në janar flet shtetasi izraelit, amerikano-shqiptari Roni Yeffet, krijohet dyshimi se ai ka marrë kontrollin e aktivitetit në Delvinë dhe shpjegon skemën se çfarë duhet të bëjnë qeveria, stafi i tij dhe ai vetë, në mënyrë që marrëveshja të realizohet sa më shpejt, por pa u bërë publik emri i tij.
Mos vallë Roni Yeffet është konsideruar si investitor amerikan? Në dokumente figurojnë edhe pronarë përfitues indirektë, të shënuar me numra, të cilët mund të jenë pjesë e skemës së biznesit.
Dokumenti përkatës:
https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1789467462ekstrakt_historik_2026-09-15T09-47-01-831Z.pdf
Me sa duket, kështu duhet të jetë, pasi në atë takim nuk ishit as ju, zoti kryeministër, as Roni Yeffet. Gjithçka duket se është organizuar në konfidencialitet të plotë, larg transparencës dhe debateve publike.
3. Skema e propozuar për marrjen dhe transferimin e gazit të Delvinës
Kështu keni vepruar edhe me minierën e nikel-kobaltit në Bilisht, të cilën, sipas pretendimeve tona, ua keni dhënë oligarkëve greko-serbë.
Ju u dhuroni asetet strategjike oligarkëve, përmes kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, me pronarë të fshehur dhe pa identitete konkrete. Marrëveshjet nuk janë në interes të shtetit shqiptar, mungojnë konkurrenca dhe transparenca, ndërsa publikut i paraqiten si investime amerikane, por në praktikë shfaqen modele të ngjashme me KAYO-n.
Mënyra se si veproni me pasuritë e shqiptarëve, duke anashkaluar institucionet shtetërore dhe duke marrë vendime personalisht, përbën një skandal të rëndë shtetëror. Këto veprime ngrenë dyshime serioze për afera korruptive dhe për interesa të fshehura të zyrtarëve të lartë.
Në episodin e dytë të videos së përgjimit, Roni Yeffet, të cilin e konsideroni mikun tuaj, shpjegon skemën e marrjes së gazit dhe veprimet që duhet të ndërmarrin qeveria dhe stafi i tij për transferimin e aksioneve.
Ai shprehet:
“Qeverisë i duhet ta bëjë 100% pronë të agjencisë qeveritare. Më pas, qeveria do të zgjedhë një agjenci bashkëpunuese me 100% aksione qeveritare dhe do të hyjë në kompaninë që krijohet…”
Sipas kësaj skeme, qeveria do të krijojë një kompani me 100% aksione shtetërore, e cila do të bashkëpunojë me një kompani private, nëpërmjet një ndërmarrjeje të përbashkët (JV), që do të zotërojë aksionet.
Qeveria do t’ia marrë vendburimin kompanisë operatore Delvina Gas Company Ltd, e cila e ka blerë atë, dhe do t’ia kalojë AKBN-së. Kjo e fundit, së bashku me aksionet, do t’ia kalojë më pas kompanisë shtetërore.
Më tej, Roni Yeffet shprehet:
“Kompania mburojë do të jetë kompani qeveritare. Aksionet që ka IGOR në kompaninë shtetërore do të zotërohen nga kompania amerikane…, e cila po hyn në partneritet me qeverinë shqiptare. Dhe kështu i mbyllim gojën Ambasadës Amerikane… Kompania jonë do të bëjë të mundur transferimin e gazit nga atje në Vlorë…”
Pra, sipas kësaj skeme, kompania shtetërore do të shërbejë si mburojë për marrëveshjen ndërmjet kryeministrit Rama dhe mikut të tij Roni Yeffet, lidhur me gazin e Delvinës dhe TEC-in e Vlorës, nëpërmjet transferimit të aksioneve nga kompania shtetërore te e ashtuquajtura kompani amerikane.
Por kush i bleu aksionet: Roni apo qeveria?
Me marrëveshje të tilla të dyshimta, sipas vlerësimit tonë, rrezikohen pasuritë natyrore strategjike të vendit, ndërsa pasojat përfundojnë mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë.
4. Udhëzimet për stafin dhe shmangia e komunikimit zyrtar me Ministrinë e Energjisë
Në episodin e tetë, Roni Yeffet u jep udhëzime pjesëtarëve të stafit të tij, rusit dhe ukrainasit, të cilët do të shkojnë për inspektim në Vlorë dhe në vendburimin e gazit të Delvinës, me qëllim lidhjen e kontratës.
Ai u kërkon të mos i dërgojnë letër zyrtare Ministrisë së Energjisë për të marrë të dhënat e gazit.
Ndër të tjera, në përgjim dëgjohet:
“Jo… asnjë letër zyrtare… Shkoni në Vlorë… bëni çfarë të doni, më pas do të merrem unë me ta… Mbështetuni te unë për ME… do të flasim me ta për çdo gjë. Por mos e përmendni emrin tim. Dakord… Në Vlorë. Dakord… Ju përfaqësoni një kompani amerikane dhe ata (ne skllevërit) do të bashkëpunojnë… I thuaj asaj të vijë të hënën dhe të qëndrojë këtu deri sa të përfundojmë… Ju duhet ta kuptoni se kam nevojë që kjo të fillojë. Ne duhet ta mbyllim marrëveshjen…”
Ajo që duket se e shqetëson më shumë është identiteti i kompanisë që do të zotërojë aksionet e IGOR-it dhe, mbi të gjitha, porosia që emri i tij të mos bëhet publik.
Pra, Roni vendos gjithçka, pa transparencë dhe pa komunikime zyrtare me Ministrinë e Energjisë, pasi pretendon se do të merret vetë me këtë institucion.
Ai shpjegon skemën e krijimit të kompanive, strukturën e pronësisë, rolin e tyre, kalimin e Delvinës në pronësi 100% shtetërore dhe lëvizjen e mëtejshme të aksioneve drejt kompanisë amerikane, nëpërmjet një ndërmarrjeje të përbashkët me kompaninë shtetërore.
Flet edhe për transportimin e gazit nga Delvina në TEC-in e Vlorës, por nuk jep shpjegime për çmimin e energjisë elektrike që do të paguajnë shqiptarët.
Në këtë marrëveshje përfshihet edhe partneri ynë strategjik, SHBA-ja.
Sipas vlerësimit tonë, kjo është një skemë që ngre dyshime serioze për korrupsion dhe që kërkon hetim të plotë, përfshirë rolin e kryeministrit Rama dhe të Roni Yeffet, në lidhje me dy pasuritë strategjike: vendburimin e gazit të Delvinës dhe TEC-in e Vlorës.
5. Kush e qeveris Shqipërinë: institucionet shtetërore apo interesat private?
Populli ka të drejtë të shqetësohet dhe të pyesë: Kush po e qeveris vendin, ju apo Roni Yeffet?
Nga përmbajtja e videos krijohet përshtypja se qeveria dhe institucionet shtetërore po ndikohen nga një biznesmen që, sipas akuzave të bëra publike, ka probleme serioze me ligjin.
Ju, zoti kryeministër, së bashku me ekipin tuaj, dukeni sikur jeni jashtë loje, ndërsa vendimmarrja për pasuritë strategjike të vendit po kalon në duart e interesave private.
Mos vallë qeverisjen e vendit ia keni dhënë me koncesion mikut tuaj Roni Yeffet, ndërsa pas tij qëndroni ju dhe bashkëpunëtorët tuaj?
6. Historia e vendburimit të Delvinës: Zbulimi, privatizimi dhe shfrytëzimi
Zoti kryeministër, tërhiquni nga marrëveshjet që lidhen me Delvinën dhe TEC-in e Vlorës. Ato përfaqësojnë pasurinë dhe djersën e popullit shqiptar.
Shqipëria është lodhur ekonomikisht nga privatizimet e dyshimta, shitja e burimeve natyrore, e veprave strategjike dhe e territoreve, të cilat përfundojnë në duart e oligarkëve të lidhur me kastën politike që ju dhe Berisha keni drejtuar gjatë 36 viteve të fundit.
Ju i trajtoni këto pasuri sikur të ishin prona private, duke i përdorur për interesa familjare dhe për favore politike. Ndërkohë, shqiptarët po paguajnë faturën me varfëri dhe mungesë perspektive.
Sipas qëndrimit tonë, një pjesë e oligarkëve që operojnë në këta sektorë kanë lidhje me politikën dhe me botën e krimit. Ata nuk paraqesin domosdoshmërisht as vizionin dhe as kapitalin e nevojshëm për zhvillim, por shfaqen si përfitues të pasurive që janë krijuar me mundin dhe paratë e popullit.
Vendburimi i Delvinës u zbulua nga specialistët dhe naftëtarët shqiptarë, me paratë e popullit. U shpuan disa puse, katër prej të cilëve janë në fazën e shtrirjes, ndërsa dy kanë qenë në shfrytëzim.
Sali Berisha, me VKM nr. 509, datë 08.08.2007, së bashku me tri vendburime të tjera, ia kaloi këtë pasuri Arian Tartarit, partnerit të deputetes Albana Vokshi. Ky i fundit, së bashku me inxhinierin grek Sotirios Kapotas, krijoi kompaninë Stream Oil & Gas Ltd.
Kjo kompani i shfrytëzoi vendburimet për rreth nëntë vjet, duke i çuar dy puset drejt shterimit. Sipas pretendimeve tona, ajo nuk investoi për zhvillimin e vendburimit, nuk përmbushi detyrimet ndaj shtetit dhe më pas e shiti aktivitetin duke u larguar.
Me miratimin tuaj dhe me përfshirjen e ministrave Gjiknuri dhe Balluku, është lejuar kalimi i tij nga një oligark te tjetri.
Sot, vendburimi ndodhet në një gjendje të ngjashme me atë të periudhës para privatizimit, me vetëm dy puse të zbuluara dhe të shfrytëzuara nga specialistët shqiptarë.
Kompanitë koncesionare, të huaja apo vendase, nuk kanë kryer investimet e nevojshme për konturimin dhe vlerësimin e vendburimit, ndërsa, sipas të dhënave dhe pretendimeve tona, nuk kanë përmbushur as detyrimet financiare ndaj shtetit.
7. Perspektiva gjeologjike dhe mundësitë e pashfrytëzuara të Delvinës
Vendburimi i Delvinës nuk është konturuar dhe zhvilluar plotësisht. Për ne, si specialistë, ai mbetet një vendburim i ri ose i sapozbuluar, pasi ende nuk dihet me saktësi se sa rezerva hidrokarburesh përmban nëntoka dhe me cilat vendburime të tjera të zbuluara mund të krahasohet.
Nëse Berisha nuk do t’ua kishte kaluar këtë pasuri oligarkëve Tartari-Kapotas, të cilët, sipas vlerësimit tonë, vetëm e shfrytëzuan pa investuar në zhvillimin e saj, dhe nëse qeveria Rama do ta kishte marrë parasysh dështimin e koncesionit, vendburimi mund të ishte shtetëzuar dhe administruar nga Albpetrol.
Në këtë mënyrë, specialistët tanë do të kishin mundësi të kryenin konturimin dhe vlerësimin e naftëgazmbajtjes së tij, për ta vënë më pas në shfrytëzim në shërbim të ekonomisë kombëtare.
Kjo do të krijonte një situatë krejt tjetër për perspektivën e zbulimeve të reja në zonën përreth.
Por ju, zoti kryeministër, nuk ndoqët këshillat tona profesionale. Përkundrazi, vazhduat negociatat me oligarkët tuaj.
Shqipëria ka humbur dhe po vazhdon të humbasë kohë me këta oligarkë rrjepacakë, por koha është flori!
Vendburimi është i ndërlikuar nga pikëpamja gjeologjike dhe metoda sizmike nuk siguron të dhëna cilësore për interpretimin e strukturës së tij. Ai u zbulua dhe mund të studiohet e të sqarohet nëpërmjet koncepteve gjeologjike që disponojnë specialistët tanë dhe përmes shpimeve të reja.
Me investime relativisht të kufizuara, një kompani private riaktivizoi në vitin 2019 njërin prej dy puseve që ishin bllokuar gjatë shfrytëzimit. Megjithatë, pusi mbetet i mbyllur, pasi, sipas të dhënave tona, kompania nuk ka një destinacion për gazin e nxjerrë.

Me teknologjinë e sotme, në disa puse ku shpimi është ndërprerë dhe në dy puse ku nuk ka pasur ardhje të mjaftueshme, mund të ndërhyhet për të përmirësuar pozicionimin dhe kushtet e komunikimit me rezervuarin. Kështu, ato mund të rikthehen në punë.
Por investitorët aktualë nuk duket se kanë vullnetin e nevojshëm për të kryer këto investime.
Ndërkohë, ekonomia dhe mirëqenia e popullit nuk mund të presin më, pasi varfëria ka prekur një pjesë të madhe të shoqërisë.
Këta janë oligarkët të cilëve ju dhe Berisha ua keni kaluar pasuritë natyrore minerare dhe me të cilët vazhdoni të bëni marrëveshje të dyshimta!
8. Impiantet industriale dhe shkatërrimi i kapaciteteve strategjike të naftës
Pranë puseve të Delvinës është montuar impianti i desulfurizimit të gazit dhe, ndoshta, edhe i lëngëzimit të tij. Sipas të dhënave tona, këto pajisje janë marrë nga UPTHN-ja e Ballshit.
Ju pretenduat se po e dërgonit për skrap si teknologji të vjetruar, por sot një pjesë e saj gjendet në Delvinë, ndërsa disa impiante të tjera ndodhen në Fier, ku oligarkët tuaj rafinojnë naftën. Për skrap, ndërkohë, janë dërguar disa tubacione.
Uzina dispononte edhe kapacitete të rëndësishme strategjike:
Rezervuarë nëntokësorë për ruajtjen e rezervave kryesore strategjike të naftës.
Rreth 35 mijë metër kub kapacitet në Nartë.
Një terminal detar me bova në Vlorë.
Qendra marketingu në të gjithë territorin, të lidhura me rrjetin hekurudhor.
Kapacitete për ruajtjen e mbi 200 mijë metër kub naftë bruto, produkte të gatshme, vajra lubrifikante dhe gaz të lëngshëm (LNG).
Këto rezerva kishin karakter strategjik dhe përdoreshin në raste emergjente.
Sot, Shqipëria duhet t’i rindërtojë këto kapacitete ose t’i marrë me qira. Një situatë e tillë është vërtet alarmante!
Kur Berisha ia kaloi uzinën mikut të tij, Rezart Taçi, rezervuarët ishin të mbushur. Sipas pretendimeve tona, pas marrjes së saj, një pjesë e këtyre rezervave u shitën në treg, ndërsa publiku mbeti pa informacion të qartë mbi destinacionin e të ardhurave.
9. Termocentralet e Delvinës dhe mundësia e prodhimit të energjisë elektrike
Në Delvinë, një investitor i huaj ka ndërtuar tri termocentrale, të cilat presin pajisjen me licencat e nevojshme për të filluar punën dhe për të prodhuar energji elektrike me gazin e vendburimit.
Megjithatë, ju dhe ministrja Balluku nuk ua keni dhënë licencat, pasi, sipas pretendimeve tona, gazin e Delvinës e dëshironi për mikun tuaj dhe për TEC-in e Vlorës.
Vendburimi ka perspektivë zhvillimi dhe mund të japë një kontribut të rëndësishëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Për 13 vjet, qeverisja juaj, sipas vlerësimit tonë, ka vepruar me shumë prej vendburimeve të tjera sikur të ishin pasuri pa zot. Tani po synoni të njëjtën gjë edhe me Delvinën, të cilën, me vendimmarrjet tuaja, e keni kaluar disa herë nga një operator te tjetri.
Tani ia hoqët Gëzim Meqemesë dhe ia kaluat Roni Yeffet, sipas pretendimeve tona, për të shfrytëzuar dy puset ekzistuese. Kjo marrëveshje ngre dyshime serioze për një aferë korruptive.
Ndërkohë, naftëtarët, minatorët dhe specialistët shqiptarë, të cilët kanë zbuluar dhe zhvilluar këto pasuri, janë lënë pa mbështetje dhe janë detyruar të largohen nga vendi.
Këto pasuri janë pasuria më e madhe që ne ia kemi krijuar popullit. Ato nuk janë pronë e politikanëve dhe as e oligarkëve. Prandaj, duhet t’i kthehen popullit!
10. TEC-i i Vlorës dhe alternativa e përdorimit të gazit të TAP-it
Roni Yeffet, sipas vlerësimit tonë, mund të veprojë si oligarkët e tjerë: të shfrytëzojë dy puset ekzistuese pa investuar në zhvillimin e vendburimit dhe më pas të largohet.
Ju i keni kaluar edhe TEC-in e Vlorës, me qëllim që ai të punojë me gazin e Delvinës.
Ky është një aset strategjik, i ndërtuar me taksat e shqiptarëve, i cili prej vitesh pret të vihet në punë. Ai nuk ka nevojë për ndërmjetësime të dyshimta, por për një administrim të përgjegjshëm dhe në interes të shtetit.
Nëse do të kishit qenë realisht të interesuar për funksionimin e tij, TEC-i i Vlorës mund të ishte vënë në punë me gazin e TAP-it, i cili kalon pranë tij, në zonën e Fierit.
Por ju dhe Berisha, së bashku me ministrat tuaj, në negociatat me pronarin e TAP-it, u përqendruat te përfitimi i tarifës së tranzitit (Transit Fee), në vend që të siguronit furnizimin me gaz për prodhimin e energjisë elektrike.
TEC-i i Vlorës duhet të administrohet nga kompania jonë shtetërore energjetike, e cila ka përvojën e nevojshme për ta operuar, duke përdorur gazin e TAP-it ose LNG-në që mund të vijë në Vlorë.
Ndërkohë, gazi i Delvinës mund të furnizojë termocentralet private që ndodhen pranë vendburimit.
Në këtë mënyrë, ulen kostot e transportit dhe të prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa përfitimi ekonomik mbetet më i madh brenda vendit.
Por, me sa duket, këto alternativa nuk ju interesojnë, pikërisht sepse pas marrëveshjeve të dyshimta qëndrojnë interesa të tjera.
Transportimi i gazit nga Delvina në Vlorë kërkon investime të konsiderueshme për ndërtimin e një tubacioni kryesor, instalimin e kompresorëve dhe infrastrukturën përkatëse.
Gazi i Delvinës është pasuri e popullit dhe nuk ka arsye t’ia kalojmë një oligarku.
Delvina Gas Company Ltd, sipas pretendimeve tona, ka shkelur kushtet e kontratës, ka mbajtur peng vendburimin, nuk ka kryer investimet e nevojshme dhe e ka përdorur aktivitetin kryesisht për tregti.
Qeveria duhet ta marrë nën administrim shtetëror këtë pasuri dhe t’ia kalojë Albpetrolit. Në këtë mënyrë, problemi mund të zgjidhet duke furnizuar me gaz termocentralet e Delvinës në këmbim të energjisë elektrike.
Shteti do të përfitonte nga kondensati dhe nafta, çmimet e të cilave kanë prirje rritëse. Të ardhurat e krijuara mund të përdoren për zhvillimin e Delvinës, duke përfituar ekonomia lokale dhe duke u rritur mirëqenia e popullit.
Por ju nuk i merrni parasysh këto këshilla profesionale, sepse duket se shihni mundësi të tjera: ku dhe si mund të krijohen përfitime private nëpërmjet pasurive natyrore dhe taksave të shqiptarëve.
11. Kërkesa për shtetëzimin dhe administrimin kombëtar të pasurive natyrore
Ju sugjerojmë të tërhiqeni nga marrëveshjet për Delvinën dhe TEC-in e Vlorës, të merrni nën administrim shtetëror pasuritë natyrore minerare dhe asetet strategjike që ende mund të shfrytëzohen, duke ia besuar administrimin dhe zhvillimin ndërmarrjeve shtetërore Albchrome dhe Albpetrol.
Ndaloni negociatat personale me kompaninë italiane ENI për kalimin e pasurive të naftës dhe të sektorit energjetik.
Tërhiqni gjithashtu thirrjen që u bëtë investitorëve të huaj në Forumin Ekonomik të Cernobbios, në Itali, për të marrë në shfrytëzim minierat e bakrit me përmbajtje ari, argjendi dhe mineralesh të tjera.
Shteti ka 32 vjet që, sipas pretendimeve tona, nuk përfiton të ardhurat e duhura nga kompanitë koncesionare që kontrollojnë këto pasuri, të cilat po dëmtohen nga keqadministrimi dhe korrupsioni.
Këto pasuri, me vlerë potenciale prej disa qindra miliardë eurosh, duhet t’i kthehen popullit, sepse përfaqësojnë një nga burimet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ato duhet të administrohen në interes të shtetit, të zhvillohet përpunimi industrial brenda vendit dhe të shmanget eksportimi i tyre vetëm si lëndë e parë.
Në këtë mënyrë krijohen vende pune, rritet vlera e produkteve, zhvillohet industria dhe pasuritë natyrore përdoren në interes të shqiptarëve.
12. Politikat e Ramës dhe Berishës: E njëjta strategji për pasuritë kombëtare
Zoti kryeministër, kasta juaj politike, e cila ka qeverisur vendin gjatë 36 viteve të fundit, ka zbatuar, sipas vlerësimit tonë, të njëjtën strategji në administrimin e pasurive kombëtare.
12.1. Nafta dhe marrëdhëniet me Serbinë
Sali Berisha furnizoi Millosheviçin me naftë kontrabandë, e cila u përdor gjatë luftërave në Kosovë, ndërsa ju krijuat nismën e “Ballkanit të Hapur” me vëllain tuaj politik Vuçiçin, duke lejuar, sipas kritikave tona, përhapjen në tregun shqiptar të mallrave serbe që nuk përmbushin standardet e kërkuara.
12.2. Toka dhe investimet strategjike
Sali Berisha nuk e ktheu tokën te pronari i ligjshëm, por me ligjin nr. 7501 e ndau atë pjesërisht ndërmjet popullit.
Ju, nga ana tjetër, nuk e përmbushët premtimin për zgjidhjen e çështjes së pronësisë, por, sipas pretendimeve tona, përmes dokumenteve të falsifikuara po merren toka dhe po u kalohen investitorëve strategjikë për ndërtimin e resorteve turistike dhe hoteleve me pesë yje, me para që dyshohen se burojnë nga korrupsioni dhe droga.
Ndërkohë, konfliktet për pronësinë e tokës vazhdojnë të shkaktojnë përplasje dhe humbje jetësh njerëzore.
12.3. Siguria kombëtare dhe lidhjet me biznesmenët kontroversë
Sali Berisha ftonte në mbledhjet e qeverisë mikun e tij, biznesmenin serbo-kroat Damir Fazlliç, duke krijuar, sipas kritikave tona, probleme për sigurinë kombëtare. Në bashkëpunim me familjarët e tij, u përfshi edhe në çështjen e pronave në zonën e Durrësit.
Ju, nga ana tjetër, i keni dhënë mikut tuaj, Roni Yeffet, të drejtën të ndikojë në vendimmarrjen për asetet strategjike të vendit, duke ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë kombëtare dhe për marrëdhëniet me aleatët tanë strategjikë.
12.4. Privatizimi i ekonomisë dhe shkatërrimi i aseteve energjetike
Sali Berisha privatizoi dhe shkatërroi një pjesë të madhe të ekonomisë shqiptare, duke shitur edhe katër hidrocentralet që prodhonin energji elektrike me fitim.
Ju, nga ana tjetër, po vazhdoni të kaloni në duart e oligarkëve edhe ato asete që Berisha nuk arriti t’i privatizonte, duke përfshirë edhe TEC-in e Vlorës, ndërtimi dhe mirëmbajtja e të cilit i kanë kushtuar shumë shtrenjtë popullit shqiptar.
12.5. Vendburimet e naftës, gazit dhe minierat
Sali Berisha ua kaloi oligarkëve të afërt vendburimet e naftës, gazit dhe minierat.
Ju i zëvendësuat ata me oligarkët tuaj dhe vazhduat të kaloni në duart e tyre edhe pasuritë që kishin mbetur jashtë këtyre marrëveshjeve.
Sipas pretendimeve tona, me vendimmarrje politike, në kundërshtim me parimet e ligjit të privatizimit dhe përmes kontratave të dështuara, vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe shkëmbimit të favoreve, kompanive u është krijuar mundësia të paraqesin bilance të fryra ose fiktive, me qëllim uljen e fitimeve të deklaruara dhe shmangien e detyrimeve fiskale ndaj shtetit.
Ato raportojnë humbje, ndërsa ju nuk pezulloni aktivitetin e tyre.
Ju jeni ndër përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe shkatërrimin e këtyre pasurive!
12.6. Hidrocentralet dhe shfrytëzimi i burimeve ujore
Sali Berisha dha një numër të madh licencash për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë dhe përrenjtë e Shqipërisë.
Ju, në vend që t’i rishikonit dhe të pezullonit ato që dëmtonin mjedisin dhe interesin publik, i shtuat më tej lejet e ndërtimit, duke lënë zona të tëra pa ujë.
Gjithashtu, vazhdoni të jepni licenca për instalimin e paneleve diellore në toka pjellore, kullota dhe zona malore, pa vlerësuar gjithmonë pasojat afatgjata për ekonominë dhe mjedisin.
12.7. UPTHN Ballsh dhe humbja e një aseti strategjik
Sali Berisha ia kaloi UPTHN-në e Ballshit mikut të tij, Rezart Taçiut, një prej aseteve të fundit strategjike që kishin mbetur në këmbë.
Ju ia dhatë fillimisht me qira disa miqve tuaj, për disa vite, pa i sjellë shtetit të ardhurat e pritshme. Më pas ia kaluat një oligarku, me qëllim që ta dërgonte për skrap dhe të përdorte truallin për ndërtimin e një parku me panele diellore.
12.8. Kultivimi dhe përhapja e drogës
Sali Berisha e nisi kultivimin e kanabisit, ndërsa gjatë qeverisjes suaj, sipas kritikave tona, Shqipëria u përball me një përhapje të gjerë të kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Ju lejuat, sipas pretendimeve tona, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme të lidhura me drogat e rënda, laboratorët e përpunimit dhe aktivitetet e import-eksportit, ndërsa më pas u legalizua edhe kanabisi mjekësor.
12.9. Korrupsioni shtetëror dhe lidhjet me krimin e organizuar
Sali Berisha krijoi një sistem korrupsioni shtetëror dhe lidhjesh me elementë të botës së krimit.
Ju, gjatë 13 viteve të qeverisjes, sipas vlerësimit tonë, e thelluat këtë fenomen, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me probleme të rënda korrupsioni dhe ndikimi të krimit të organizuar në institucionet shtetërore.
12.10. Emigracioni, varfëria dhe përdorimi i forcës ndaj protestuesve
Sali Berisha, në vitin 1997, përdori forcën kundër popullit, duke shkaktuar viktima dhe duke e çuar vendin në prag të luftës civile për të mbajtur pushtetin.
Ju, nga ana tjetër, e keni boshatisur vendin nga një pjesë e madhe e popullsisë, për shkak të emigracionit dhe mungesës së perspektivës ekonomike.
Sot, qytetarët që protestojnë kërkojnë largimin tuaj dhe të qeverisë, ndërsa ju vazhdoni të mbështeteni te forca e policisë për të ruajtur pushtetin.
13. Thirrje për ndalimin e marrëveshjeve të dyshimta dhe mbrojtjen e pasurive kombëtare
Me revanshin që keni marrë dhe përmes vendimmarrjeve tuaja, shpesh të kryera pa transparencë dhe larg vëmendjes publike, po kaloni në duart e oligarkëve asetet strategjike të vendit dhe territore me vlera simbolike, madje edhe për çmime minimale.
Këto marrëveshje përfshijnë, sipas pretendimeve tona, oligarkë që kanë probleme me ligjin dhe afate kontraktuale të përcaktuara sipas interesave të tyre.
Ju keni marrë peng Shqipërinë, e keni vendosur nën kontrollin e një grupi të ngushtë interesash politike dhe ekonomike, me synimin që ju dhe oligarkët të kontrolloni aktivitetin ekonomik, financiar dhe shoqëror të vendit edhe pasi të largoheni nga politika.
U bëjmë thirrje protestuesve, partive politike që synojnë të vijnë në pushtet, socialistëve dhe demokratëve të ndershëm, nëse kanë mbetur ende të tillë, që t’i dalin zot Shqipërisë.
Duhet të ndërmerren hapa konkretë për të bllokuar dhe për të shqyrtuar ligjërisht të gjitha kontratat që kryeministri po nënshkruan me kompanitë koncesionare, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë në të cilën e ka futur vendin kasta politike Rama-Berisha.
Ju po i shkaktoni dëme të mëdha Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.
14. Përgjegjësia e klasës politike dhe varfërimi i Shqipërisë
Po ju drejtohemi juve, politikanëve mediokër, që keni uzurpuar politikën dhe institucionet shtetërore, duke i marrë frymën popullit.
Shqipëria ka kaluar 32 vjet nën pasojat e privatizimit të burimeve natyrore në favor të oligarkëve tuaj, të cilët, sipas vlerësimit tonë, i kanë shfrytëzuar dhe dëmtuar këto pasuri, ndërsa shteti nuk ka përfituar të ardhurat që duhej të merrte.
Jo vetëm që shteti ka humbur fitimet që mund të siguronte nga këto pasuri, por në shumë raste ka humbur edhe vetë asetet.
Kjo është, sipas nesh, një nga arritjet më të rënda të klasës suaj politike, PS-PD: përmes këtyre burimeve po pasurohen grupe të caktuara interesi, ndërsa populli po varfërohet dhe Shqipëria po humbet potencialin e saj ekonomik.
Qytetarëve u keni lënë vetëm dy alternativa: të largohen nga vendi ose t’i nënshtrohen varfërisë, ndërsa klasa politike vazhdon të mbajë pushtetin.
Nuk kuptoni, nuk dëgjoni apo nuk shihni se çfarë po bëni? Jeni të paaftë, të babëzitur apo i keni të gjitha këto njëkohësisht?
Shpesh, kur shohim ose dëgjojmë skema të tilla, të ngjashme me ato të mafies, që lidhen me pazaret e dyshimta për koncesionet e pasurive natyrore minerare, asetet e tyre dhe veprat strategjike, diskutojmë mes nesh.
Por nuk mund të qëndrojmë në heshtje kur kryeministrat i kalojnë këto pasuri me vendimmarrje personale, në kundërshtim me parimet e ligjit të privatizimit dhe kryesisht në favor të oligarkëve, të cilët, sipas akuzave të ngritura, kanë lidhje me veprimtari të paligjshme dhe me botën e krimit.
Kemi të drejtë të mendojmë dhe të pyesim njëri-tjetrin:
Mos vallë pas këtyre skandaleve të privatizimit qëndrojnë vetë zyrtarët, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, të cilët përfitojnë drejtpërdrejt nga këto marrëveshje?
Ekziston një shprehje domethënëse:
“Të gjitha rrugët të çojnë në qendër të qytetit!”
——————