FEHMI RAMADANI: NGJARJET E FUNDIT, ALARM PËR DESTABILIZIM NË RAJON

(Pashtriku.org, 24.04.2012) – “Qengji që sapo kishte shijuar barin e blertë të Pranverës, rastësisht ishte ndarë nga e ëma saj për të kërkuar ujë të pijshëm dhe futet një përroskë të vogël për të shuar etjen. Uji i pastër që vinte nga maje të malit, sikur nuk i mjaftonte t’a shuante etjen që e kishte kapluar dhe donte të përpinte sa më shumë, që të mbushte barkun e tij të vockël. Por, papritmas rreth gojës së tij filloi të prishet kjo freski dhe uji vinte duke u turbulluar gjithnjë e më shumë. Qengji, në një moment ngiti kokën dhe pa se më lart tij qëndronte një ujk, i cili ishte futu në përrua dhe sikur me qëllim e turbullonte ujin. Ai I frikësuar nga ndonjë e keqe që mund t’i bënte ujku me vrap iku në drejtim të kopesë duke blegëruar dhe kërkonte ëmën e saj për t’u strukur dhe kërkuar shpëtim”. Ky tregim mund të shërbej si ilustrim i mirë për gjendjen tragjike dhe mjaftë tensionuese, si në veri të Kosovës, por edhe në Maqedoninë shqiptare, e cila tashmë ka marrë dimensionin e saj zhvillues.
     Për fat të keq, edhe pas zhvillimeve shumë tragjike për kombin shqiptar, si në Kosovë dhe në rajon në të kaluarën, politika shqiptarë, si në Tiranë, Prishtinë e gjetiu po luan rolin defansiv dhe në dëm të interesave të përgjithshme kombëtare.
     Derisa për veriun e Kosovës, si problem i krijuar pas vitit 1999 fajtorë kryekëput është faktori ndërkombëtar, i cili me Marrëveshjen e Kumanovës kishte pranuar një ndarje të tillë, por padyshim se kësaj gjendjeje mjaft shumë i kanë ndihmuar edhe forcat politike dhe mafioze shqiptare, të cilat për asnjë moment nuk kishin shkëputur bashkëpunimin me strukturat e shteti serb. Dhe, krejt kjo ishte bërë vetëm për një qëllim, për përfitime personale dhe grupore. Ky realitet tashmë është krijuar dhe nuk mund të zhbëhet lehtë.
     Padyshim, se joserioziteti politik I Prishtinë dhe Tiranës kanë ndikuar në krijimin e problemeve me pasoja tragjike për shqiptarët, edhe përkundër gjithë këtyre institucioneve vendore e ndërkombëtare, organizatave të ndryshme, mediumeve, OJQ-ve etj, të cilat nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim të theksuar për këto ngjarje.
     Vrasja e Selver Haradinajt në banesën e tij në Mitrovicë dhe njëkohësisht vrasja e pesë tinejxherëve maqedonas afër Shkupit nuk mund të shihen si ngjarje të veçanta, por ato kanë një skenar të përbashkët që në këto rrethana të sëkëlldisë së politikës shqiptare të goditen fortë sa që të mos jenë në gjendje të merren me veten dhe jo më shumë. Këto dy ngjarje kanë në shënjestër një qëllim, defaktorizimin e plotë të politikës shqiptare, në mos më pak anashkalimin e tyre në rast të ndonjë vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit. Padyshim, autori i këtyre ngjarjeve është Beogradi, i cili pas përkëdheljes së Brukselit dhe dhënies së statusit për kandidat të BE-së ndihet edhe më i trimëruar në ekzekutimin e qëllimeve destabilizuese për rajonin. Është për habi se si një pjesë e politikës së BE-së edhe më tej mbështet retorikën e dyfishtë politike të Beogradit, e cila në Bruksel luan lojën e qengjit, ndërsa me fqinjët dhe rajonin luan lojën e ujkut që kur donë ajo turbullon ujin dhe nuk zgjedh prenë. Politika fashiste serbe, përfundimisht duhet të ndalet karshi rajonit. Më në fund, Brukseli duhet t’ia qartësojë Beogradit vendin, ndryshe nuk do të ketë integrim në BE.
     Por, përkundër neglizhencës së politikës së BE-së ndaj fashizmit serb dhe përpjekjeve destabilizuese ndaj rajonit dhe përfundimit të krejt investimit ndërkombëtar, si në Kosovë dhe rajon, përgjigjen më të mirë, sërish e dha SHBA-ja, e cila për çdo eventualitet me një urgjencë kishte aprovuar vendimin për dërgimin e mbi 700 trupave ushtarake amerikane në Shqipëri, të cilat tashmë janë dislokuar.
      Partneri tjetër serioz ndërkombëtar Gjermania për nevoja të ruajtjes së gjendjes së sigurisë në veri të Kosovës ka dërguar shtesë rreth 600 trupa ushtarake, të cilat do të mbajnë situatën nën kontroll. Edhe Austria ka vendosur të dërgojë rreth 180 ushtarë për këtë qëllim. Këto vendime, njëra e SHBA-së, tjetra nga Gjermania dhe Austria për dërgim të trupave ushtarake shtesë në rajon, padyshim se janë në përputhje me strategjitë e tyre për rajonin, por në të njëjtën kohë shërbejnë edhe për sigurinë rajonale, që eventualisht situata të mos dalë jashtë kontrollit.
     Faktori politik shqiptarë tashmë është inaktiv dhe nuk ka ndonjë rol në këto ndodhi, si për shkak të mungesës së kapaciteteve të sigurisë, por edhe të mungesës së një plani, apo strategjie të përbashkët kombëtare. Ky faktor tashmë e ka përjashtuar veten, por kjo nuk nënkupton që duhet bërë sehir dhe t’i mbaj sytë kah qielli. Tani, kur kjo gjendje ditë e më shumë keqësohet, ky faktor nuk duhet të luaj rolin e qengjit të butë që të struket në kope, por të përgatitet për sfidat e ardhshme, të hartojnë planin e përbashkët kombëtar për zgjidhjen e problemit përfundimtar shqiptar në rajon, ndryshe të tjerët do të ndajnë fatin tonë, por me pasoja të dëmshme dhe të mëdha për shqiptarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura