GJOKË DABAJ: (POEMË) QYTETI I PARAPASTRUESVET (I)

Pashtriku.org, 17. 04. 2013 –

1. Aty tani është ngritur një vepër e madhe me pamje të vërtetë qyteti. Kur ecën me makinë autostradës, në krahun nga perendon dielli dhe nga është deti (I bukuri, dritëpërthyesi det!), në nja 10 kilometra gjatësi, s’të sheh tjetër syri, veç silueta impozante pallatesh. Dhe shprehjet: “Sa gjë e bukur!” “Ç’pamje e rrallë!” “Parajsë e mirëfilltë, gjithsesi!”, prej thellësisë mushkrivet të dalin vetë.
2.
Shikuar së jashtmi, kalimtari, makinëngarës apo rrugues me makinë i çfarëdoshëm, natyrisht që nuk mund t’i numërojë ndërtesat, ndërtesë për ndërtesë. Por mendja ia merr secilit që, aty, më pak se 2000 sosh, nuk mund të ketë. Të gjitha 7 deri 12-katëshe! Kush ka ndonjë selular me vete dhe nuk përton të luajë me gishta, ai mund të bëjë, në ecje e sipër, edhe një llogaritje sado kudo të shpejtë.
3.
Dhe do t’i dalë që, këtu, do të mund t’i kalonin pushimet, njëkohësisht, jo më poshtë se 200 mijë familje. Ka edhe sipër autostradës, në një shpat kodrinor e prrenjor, mbuluar bimësie mesdhetare, xanë, ilqe, mretë, agrumishte, ullinj, krejt mbushur me ndërtesa të bukura, herë si tragete modernë, herë si velanije, herë si vaporë, hotel pas hoteli e vilë pas vile.
4.
Këtë përshtypje merr me vete kalimtari dhe ikën, ku ta çojë udha e gjatë, nëpër Botë. Ndërsa unë, i cili marr pension 2 dollarë në ditë dhe që kullot lopën këndej rretherrotull, nga stina në stinë e nga viti në vit, di t’jua tregoj të gjithë historinë e krijimit të këtij kompleksi të madh e të bukur qytetor. Si ka filluar, para nja 1 dekade e gjysmë, dhe si është, në brendësinë e tij, në thelbin e tij, edhe sot.
5
Në Kohën e Komunizmit, pejsazhi këtu ka qenë krejt tjetër. Ish deti, i cili e përkëdhelte rërën, herë si dashnor arrogant, plot me zhaurimë, e herë përbutërisht, si një dashnor i qetë. Sipër rërës vinte brezi i pishavet, nja 20 mijë rrënjë pisha, me erë të mirë e hije të këndshme. Pishnajë e vjetër. Pas pishavet, një terren i shterpët, pjesërisht zallishtë e pjesërisht kënetë.
6.
Në kufirin midis rërës dhe pishavet, Komunizmi pat ngritur një pushimore, ngjyrë oker, të zbehtë e gjatoshe. Ca ndërtesëza njëkatëshe, çati lëndë druri, mbuluar tjegullash të tipit të hershëm. Aty vinin, verë për verë, familje nëpunësish e punëtorësh. Kursyer paratë 11 muaj e gjysmë, për të kaluar bukur këto 15 ditë. Të 10 muajt e tjerë të vitit, këto ndërtesëza, të quajtura kabina, i gdhinin e i errnin fare bosh.
7.
Në gjirin e gjërë të detit, nuk lundronin as sandalla, as barka shëtitësish, as jahte. Vetëm herëpas’here aty i çanin ujërat nja 2 a 3 skafe të Ministrisë. (Vetëm 2 a 3 skafe!) Ruajtës të bregut prej ndonjë depërtimi eventual të Antikomunizmit Botëror, si dhe vigjëlues, që ndonjë i tekahutshëm pushues të mos u lakmonte fort thellësivet, se deti i rrëzikshëm di ta joshë njeriun me të pafundme kënaqësi, por di edhe ta mbytë.
8.
Të gjithë e shihnin që, në gjithë këtë kompleks pejsazhi natyro-njerëzor, shumëçka nuk ish në rregull dhe se duhej të vinte një kohë kur, këtu, doemos, dikush tjetër të vinte dorë. Natyrisht, koha nuk pyeti as mua, as ty. Ajo erdhi ashtu siç deshi ajo të vinte. Por unë, duke u endur këndej me një thupër e me një litar, në pritje të fundit tim biologjiko-kohor, vazhdimisht e pyes veten: “Po njeriu vullnetmirë, në të 2-ja këto kohë, a nuk mund të ndërhynte?!”
9.
Fillimisht, fill pas vetëshembjes së Komunizmit, rreshtin e gjatë të kabinavet, shtëpizavet të vogla ngjyrë oker pushimore, e zunë ish-të përndjekurit politikë. Unë, duke kullotur lopën, atë vit, për herë të parë, i kam takuar thuajse të gjithë, herë njërin, herë tjetrin, dhe ua di pak a shumë të gjithvet biografitë.

10.
Ata, të gjithë njëzëri, e quanin veten: të përndjekur e të persekutuar, gjer në palcë të kockës. Të gjithë e kishin nga një vërtetim, fituar me adhape nëpër zyrat e Demokracisë, emërtuar me pompozitet: STATUSI I TË PËRNDJEKURIT! Ai që s’i njihte, do t’u besonte atyre letrave, doemos. Por, se kush ishin, më mirë se unë, që veja andej vërdallë me një bisht lope, askush tjetër nuk mund t’i njohë.
11.
Njëri quhej i persekutuar, se e kishin përjashtuar nga Partia e Punës, për shkak të së shoqes, e cila pat vjedhur në kooperativë nja 2 thasë me kollomboq. Një tjetër, se s’e kishin lejuar, për shkak të dajës ish-ballist, të zinte punë, sidoqoftë, të levërdisshme, pranë Portit në Durrës. Një e tretë, quhej familje e persekutuar, se, njërës nga gratë e asaj familjeje, i paskëshin thënë në mbledhje të Frontit: “E dimë ne sa e doni ju Partinë, ti edhe yt shoq!”
12.
Të kësaj kategorie ishin të gjithë të persekutuarit e atyshëm. Historitë e persekutimit të tyre, janë subjekte të mrekullueshëm për të gjithë llojet e artevet komikë. Por ne tani e kemi bisedën: Si lindi dhe si u krijua këtu ky qytet i madh turistik. Se si, ndërtesat me 12 kate, e ngritën mbi nivelin e detit kënetën dhe si e shuan, e zhdukën nga faqja e dheut pyllin e pishës, me gjithë aromën e tij, që t’i zgjëronte aq shërueshmërisht mushkëritë.
13.
Godina e parë ishte një e quajtur vilë, por që, me kohë, ajo pësoi ndryshime dhe u bë pallat 9-katësh. Ajo (Këtë e kam marrë vesh prej rojavet dhe prej vetë kryeadministratorit.), më parë është ndërtuar, pastaj i është marrë leja e ndërtimit. Kanë shkuar te Ministri, ia kanë çuar projektin, bashkë me 2 thasë me para, dhe i kanë thënë: “Firmose lejen dhe zgjidh e merr njërin prej thasësh!”
14.
Ministri i ka kundërshtuar. Ka thënë se aty mungon plani i përgjithshëm urbanistik. Ka thënë se, për atë vend, nuk ka asgjëkundi hartë urbanizimi. Ai vend, si rrjedhojë, nuk ka as hartë infrastrukture, as hartë për rrugët, as për ujësjellës, as për kolektorë. Dhe ka bërtitur: “Nuk e firmos dhe pikë!” Por ata i kanë shkuar prapë dhe ia kanë plasur Ministrit mu në shtëpi thesin me para, atë më të voglin, dhe ia kanë marrë firmën thuajse me zor.
15.
Ministri, fill pas korruptimit, e ka ndërtuar vilën e vet në anën tjetër të rërës. Ai nuk ka shkuar atje vetëm. (Afërmendsh, me shokë më mirë, ndahen edhe paratë, edhe frika.) Bashkë me një kompani jo të vogël “shokësh”, punonjës të Ministrivet, funksionarë të njërës nga partitë, Ministri e ka sajuar një leje “qeveritare” për një formë të re pushimoresh, me njerëz të zgjedhur dhe… vipa.
16.
Aq u është dashur parapastruesvet, dhe, në pak muaj, e gjithë pishnaja dhe e gjithë këneta, kanë filluar të uturijnë makinerish. 10 metra thellë në rërë hapeshin gropat! Betonoheshin në çast! Hekuri lidhej aty me tonelata! Pishat, natyrisht, priteshin, për t’u liruar vendin kolonavet të betonta, 2 herë më të larta! “Ç’po bëni, more?!” “Po bëjmë ambiente turizmi, siç i ka gjithë Bota!”

17.
“Ç’është ky?” “Hotel.” “Po ky këtu?” “Hotel edhe ky.” Konstrukti është ndryshe, po emërtimi është i njëjti. Hotel pranë hotelit, hotel pas hotelit! Ky, thonë, është i Kryeministrit, këtë e ka Presidenti… Drejt qiellit, konstrukcionet e betontë, s’pushuan për 1 dekadë së ngrituri përpjetë. Midis kolonavet, tullat, muret, pastaj suvatuesit, më në fund, ngjyrosësit! Edhe ngjyrat, ndërtesat e reja, secila më tërheqëse se tjetra.
18.
Ndonëse ende pa u përfunduar krejt vepra e madhe, filloi, si i ndrojtur e i pamësuar, edhe turizmi ynë. Pushuesit i pat përfshirë një lloj euforie patriotike: “Po i kalojmë pushimet në vendin tonë! Përse të shkojmë në Turqi, Greqi apo Kroaci, e t’i lëmë paratë tona atje, kur me këto para i bëhet mirë Shqipërisë?!” Mirëpo, në mbarim të pushimevet, në fytyrat e tyre mungonte shkëlqimi i kënaqësisë. Ata nuk premtonin se do të vinin prapë këtu. Ç’të ketë ndodhur, vallë?! Çfarë nuk po shkon?!
19.
Për mua, që s’më hynte gjë në xhep, po edhe për shumë të tjerë si unë, ish prej kohësh e qartë, përse pushuesit nuk mund të vinin këtu me dëshirë: Parapastruesit nuk e njohin dashurinë njerëzore! Pra, as atë sensin, atë sharmin e mirëpritjes! Ku t’i gjenin pastruesit e paravet të pista, dashurinë dhe respektin njerëzor, që ato të pasqyroheshin edhe te personeli, dhe t’i ndiente, atë dashuri e atë respekt, edhe fëmija, kur ndërton ndanë ujit kulla rëre?!
20.
1 kilometër larg detit, s’dilte tjetër thellësie, veçse rërë e lagët! Një rërë e imët! Një rërë, që s’e kish kund Mesdheu, të paktën në këtë krahun tonë verior! Erdhi një ditë dhe krejt atë rërë, e mbuloi betoni, i ashpër e mizor! Dhe s’mbetën për plazhistët, veç nja 50 metra të ngushtë, aty ku pluskonin dallgët! Çdo gjë këtu rrotull, rëra, pishat dhe vetë deti, u përdor me të njëjtin “humanizëm”, siç i përdor lypësat apo prostitutat një “shumë i mëshirshmi” tutor!
21.
Unë afrohesha edhe afër godinavet, kaloja nëpër rrugicat, që ishin lënë kthesa-kthesa, sipas gjykimit të secilit, gjithë pluhur verës e gjithë baltë dimrit. E kullosja lopën fare rrëzë rrethimevet. Ca rrethime të bukur, me kangjella të llojllojshme, ndonëse rrugicat: pis e më keq se pis! “Po me fekalet ç’do të bëni?” I pyesja herëpas’here ata që punonin andej. Por ata s’dinin asgjë të më thoshin. Ata ishin si unë që të gjithë. Vinin e punonin aty ç’u thuhej, merrnin atë rrogë dhe ia çonin shtëpisë.
22.
“Për ujërat e zez,” më tha gjithë kompetenca njëri kujdestarësh një ditë, “kujdeset secili në rrethimin e vet.” Dhe filloi të më sqarojë, duke zgjatur herë këndej e herë andej duart. “Ja, ai atje, e ka hapur gropën sepstike matanë. Ky po e hap këtu, në cep të murit rrethues.” Sikur bëhej fjalë për ca shtëpi fshatarësh në një fshat të rrallë.
23.
Brenda murevet rrethues qenë shfaqur edhe pishinat. Ato lyheshin me ngjyrën e qiellit dhe mbusheshin me ujë deti të shëllirët. U krijuan e u mbollën edhe disa lulishte. Por edhe ato brenda rrethimevet. Aty ku kish pasur pisha, ishin lënë aty-këtu disa syresh pa u prerë, që të mund të kuptohej në të ardhshmen, se këtu ka ekzistuar dikur një pyll pishe.
24.
Ai lopçari tjetër dhe unë, bashkë me një shitës ambulant të akullorevet, u munduam t’u vëmë emra TË VËRTETË ndërtimevet të sapopërfunduar. Emrat që u viheshin nga të zotët, hotel-restorantevet, fshatravet turistikë (lagje të tëra vilash përrallore), kuartalevet hotelierë, ishin skajrisht anonimë dhe, përgjithësisht të palidhur me burimin e mirëfilltë të parasë së pastruar.
25.
Disa përkonin me emra njerëzish, ca mbanin emra qytetesh të huaj ose të vendit, të tjerë, emra bimësh, psh LARI, KAKTUSI, ose fjalë të kulinarisë e garsonerisë. Kish, madje, edhe emërtime me patriotizëm brenda. (Ne e dinim, sa patriot mund të ishte, një që i kish mbushur rrugëkryqet e Milanos me kushërirat e veta, nga lagjja, dhe me të tjera, vajza fshati.) Kështu, “komisioni” ynë, i përbërë prej 3 vetësh, banorë hijesh të atyre pallateve, u mundua të gjejë emrat e vërtetë, ata të vërtetët, të çdo hoteli a restoranti, lakuriqërisht legalë dhe pa asnjë fije mjegulle apo… anonimati.

 ( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura