ARBEN HOXHA: KOMUNIKIMI SI ZGJATIM I MASHTRIMIT

Prishtinë, 24 korrik 2018:
Hyrje
Komunikimi është një nga dimensionet themelore të ekzistencës njerëzore. Në rrafshin konceptual të diskutimit, koncepti i komunikimit është bërë objekt trajtimi në fusha të ndryshme të dijes, si: në fushën e teorisë së informacionit, të semiotikës, të antropologjisë së komunikimit, të filozofisë së medieve, të sociologjisë së komunikimit masiv etj. Për dallim nga fushat e tjera të dijes, në filozofinë ekzistencialiste koncepti i komunikimit trajtohet në rrafshin konceptual dhe normativ të tij. Në rrafshin konceptual, Karl Jaspersi dhe Martin Buberi, si dy nga inauguruesit e teorisë së komunikimit ekzistencial brenda filozofisë ekzistencialiste, konsiderojnë se mënyra e vetme përmes së cilës vetëdija jonë mund të ngrihet përtej antinomive të saj dhe t’i shohë realisht mundësitë e realizimit të vetes tonë në botë është komunikimi ynë i angazhuar intensivisht me persona të tjerë. Përmes komunikimit vetëdija i braktisë strukturat e veta monologjike dhe bëhet e aftë t’i vlerësojë mundësitë e veta ekzistenciale në botë. Jo në egon e izoluar, të shkëputur nga bota, por në dhe përmes komunikimit është e mundshëm shfaqja e vetes sonë dhe e vërteta e synimit të saj përballë tjetrit. Tjetri është kusht i shfaqjes së të vërtetës së vetes sonë. Në komunikim dhe përmes komunikimit me tjetrin, individi e bënë të njohur veten e vet në botë dhe botën e përkthen në një mundësi për ekzistencën e vet.

Për të kuptuar se a kemi të bëjmë me karakterin prodhues apo rrënues të veprimtarisë komunikuese, përpos në rrafshin konceptual, është e nevojshme që komunikimi të trajtohet edhe në rrafshin normativ të përdorimit të tij: në cilat kushte morale ndërtohet komunikimi dhe cilat janë efektet e atyre kushteve për ekzistencën njerëzore?
Modelet e moralit të komunikimit
Varësisht mbizotërimit të kategorive pozitive apo negative në komunikim, përcaktohet karakteri i modeleve të moralit të komunikimit, orientimi dhe efektet e tij. E vërteta dhe sinqeriteti janë kategori pozitive që e formësojnë modelin pozitiv të moralit të komunikimit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë kategori negative që e formësojnë modelin negativ të moralit të komunikimit. E vërteta dhe sinqeriteti janë kategori të modelit pozitiv, sepse veprimtarisë komunikuese i japin karakter prodhues-krijuese; ndërsa, gënjeshtra dhe mashtrimi janë kategori të modelit negativ, sepse veprimtarisë komunikuese i japin karakter konsumues e shfrytëzuese përballë botës. Me të vërtetën dhe sinqeritetin zgjerohen burimet e interesit publik, me ç’rast, përmes tyre, njerëzit, individualisht dhe kolektivisht, e ndërtojnë botën e ekzistencës së tyre; me gënjeshtrën dhe mashtrimin, interesi publik bëhet inekzistent, sepse gënjeshtra dhe mashtrimi, si kategori dominuese të modelit negativ të moralit të komunikimit, vihet në funksion të krijimit të avantazheve të karaktereve të përveçme me orientim konsumues (e jo krijues) të hapësirës së përbashkët ekzistenciale. E drejtuar nga arsyeja, e vërteta dhe sinqeriteti në rrafshin moral, aksiologjikisht komunikimit i japin karakter universal. E drejtuar nga pasionet e ulëta dhe në funksion të përmbushjes së tyre, gënjeshtra dhe mashtrimi, komunikimit i japin karakter parcial (këtu nuk hynë koncepti platonian i gënjeshtrës së dobishme, i cili, në rastet më të shpeshta, përdoret në fushën politikës me qëllim të realizimit të një interesi afatgjatë publik).

Modeli pozitiv i moralit të komunikimit përcaktohet nga koncepti i të vërtetës si dhe i marrëdhënies që ai vendosë me negacionin e vet në kontekste të caktuara të komunikimit. Derisa për Kantin e vërteta është e pakushtëzuar dhe jokontekstuale, për Derridan, është kushtëzimi kontekstual që e përcakton marrëdhënien e të vërtetës me sinqeritetin, në njërën anë, dhe me negacionin e saj (gënjeshtrën, të rremën, mashtrimin), në anën tjetër. Bazuar në këtë, Derrida tërheq një vijë ndarjeje mes të vërtetës dhe të sinqertës dhe të rremës me gënjeshtrën. Njeriu, sipas tij, mund ta thotë të rremën pa gënjyer dhe të gënjejë pa e thënë detyrimisht të rremën. Pra, kushtëzimi kontekstual i përcakton kushtet e vërtetësisë apo të pavërtetësisë të një deklarate.
Paradoksin e marrëdhënies mes një deklarate të rreme, por që asaj i jep vërtetësi konteksti në të cilën ajo shqiptohet, e hasim në novelën “Muri” të Zhan Pol Sartërit. Pablo Ibieta, një i burgosur i dënuar me ekzekutim nga fashistët, në seancat e hetimit të tij, në pyetjen që ia shtrojnë hetuesit se ku gjendet i fshehur revolucionari Ramon Gria, duke pandehur se deklaratën e tij hetuesit do ta marrin të pavërtetë dhe si një formë talljeje e fyerjeje për ta, ai thotë se Ramoni është fshehur në varreza. Rojet e zënë Ramonin, sepse ai vërtetë ishte fshehur në varreza, ndërsa Pablo Ibieta kqekuputueshëm lirohet nga fashistët me motivacionin për gjoja gatishmërinë që ai ka treguar për të bashkëpunuar me fashizmin.
Gjithëpërfshirja e mashtrimit
E vërteta është hapësira objektive konsesuale e komunikimit, në të cilën subjektet e komunikimit ose konvergojnë, hyjnë në ndërveprime sociale e kulturore, ose krijojnë divergjenca në ves veti, me ç’rast pamundësohet pjesëmarrja e tyre në procese ndërvepruese. Pa një konsensus minimal për përcaktimin e përmbajtjes së të vërtetës dhe të funksionit të saj brenda një komuniteti është i pamundur të realizohet komunikimi. Pavarësisht karakterit të tij negativ apo pozitiv, që të realizohet komunikimi është e nevojshme ekzistenca – qoftë edhe në sfond – e idesë së të vërtetës. Pa idenë e të vërtetës nuk mund të funksionojë asnjë tipologji e karakterit të komunikimit, qoftë edhe ai që bazohet në modelin negativ të moralit.
Pamundësia e komunikimit si veprimtari krijuese-prodhuese paraprakisht vjen si rezultat i vrasjes së personit moral brenda njeriut, reagensat e ndërgjegjes së të cilit e humbin aftësinë e veprimit karshi të vërtetës. Në rrafshin politik, në shtetet totalitare tabelë qitjeje për realizimin e vrasjes morale është subjekti (ndërgjegjja) që e mendon të vërtetën. Në shtetet autokratike tabelë qitjeje për realizimin e vrasjes morale është objekti (e vërteta) drejt të cilit orientohet subjekti. Shtetet totalitare, përmes frikës dhe kërcënimit, synojnë asgjësimin e përmbajtjes autentike të ndërgjegjes së subjektit që vihet përballë të vërtetës. I “pajisur” me ndërgjegje joautentike, personi, të cilit i drejtohet gënjeshtra, e humbë aftësinë për të vlerësuar se a është apo jo i gënjyer. I mashtruari e njëson vetën me mashtruesin. Përmasa e këtij njësimi e përcakton shkallën e lumturisë së të mashtruarit. Në shtetet autokratike vrasja morale e personit ndodh përmes shtrembërimit të natyrës së objektit qëllimor të ndërgjegjes së tij (të vërtetës), duke i rrënuar kufijtë dallues midis përmbajtjes së konceptit të së vërtetës me atë të gënjeshtrës. Në këtë rast, si ai që e adreson gënjeshtrën si ai që e pranon gënjeshtrën janë të ndërgjegjshëm për gjendjen e mashtrimit të tyre. Në shtetet autokratike – siç është rasti me dy shtetet shqiptare: Shqipëri dhe Kosovë – mashtruesi dhe i mashtruari, ashtu sikur që janë të ndërgjegjshëm se nuk janë të njëjtë, ata gjithashtu janë të ndërgjegjshëm se janë të ngjashëm. Prandaj, ata janë solidarë dhe kanë mirëkuptim për veprimtarinë mashtruese të njëri tjetrit, ashtu sikur që tregohen solidarë në veprimtarinë e tyre të përbashkët për gjithëpërfshirjen e mashtrimit. Në shtetet totalitare gjithëpërfshirja e mashtrimit realizohet sipas modelit të opozicioneve binare: strukturë shtetërore/popull; në shtetet autokratike kufijtë e tillë të opozicioneve binare të shteteve totalitare që e mundësojnë gjithëpërfshirjen e mashtrimit, nuk ekzistojnë. Në shtete autokratike, mashtrimi i përbrendësuar përmes komunikimit në ekzistencë, e bën të padukshme pamjen e gjithëpërfshirjes së tij, e cila shtrihet nga kreu i shtetit e deri te punëtori i thjeshtë e nxënësi i ciklit të ulët.
Tjetërsimi i idesë së punës
Viktimë e parë dhe esenciale në procesin e gjithëpërfshirjes së mashtrimit është ideja e punës: tjetërsimi i idesë për marrëdhënien krijuese që njeriu duhet ta ketë me punën dhe idesë për funksionin e pazëvendësueshëm që ka puna për zgjerimin e resurseve të ekzistencës njerëzore. Kështu, bie fjala, hallkat e zgjirit të gjithëpërfshirjes së tjetërsimit të idesë së dijes tek ne fillojnë prej vendimeve politike të organeve qeverisëse shtetërore. Për të dëshmuar gjoja se shteti i Kosovës është për zhvillimin e arsimit e të shkencës, institucionet shtetërore të arsimit marrin vendime për themelimin e pesë-gjashtë kuazi-universiteteve publike dhe e lejojnë hapjen e një mori kuazi-kolegjesh gjithandej Kosovës; institucionet qeverisëse të Kosovës, nga buxheti publik, financojnë një varg kuazi-konferencash shkencore, të cilat, në të shumtën e rasteve, nuk sjellin asgjë të re, sepse janë të njëjtit pjesëmarrës prej të cilëve nuk kërkohet që t’i ndërrojnë as titujt e kumtesave e as përmbajtjet e tyre, por prej tyre kërkohet vetëm pak vullnet që ata të përshtaten me 3-4 mjedise të ndryshme ku zhvillohen punimet e konferencave me emra të ndryshme në të njëjtën fushë të dijes, në të njëjtin qytet, brenda harkut të ngushtë kohor prej dy-tre muajsh; institucionet qeverisëse të arsimit e shkencës në Kosovë krijojnë ligj, me të cilin duhet të vlerësohet shkencëtari më i mirë i vitit, ndërsa çmimin për dijen e fizikës, duku u bazuar në këtë ligj, e ndanë një komision, anëtarët e të cilit janë albanologë. Duke e rritur diapozitivin për dijen (me kuazi-universitete, kuazi-kolegje, kuazi-konferenca shkencore, kuazi-projekte shkencore, kuazi-çmime e kuazi-vlerësime) institucionet qeverisëse të Kosovës e kanë zvogëluar nevojën për të (dijen). Rritja e dipsozitivit në dëm të nevojës, dijen shkencore e ka vendosë në një situatë postdeontike, ku tashmë potencialisht të gjithë mund të bëhen profesorë, kushdo mund të shkruajë libra shkencorë, kushdo mund të bëhet shkencëtarë e akademikë dhe gjithsecili të jenë krahasimisht i matshëm me këdo.
Me vendimet dhe me sjelljen e vet ndaj dijes, organet qeverisëse shtetërore u thonë institucioneve shkencore e arsimore: ju shtiruni sikur po bëni shkencë e dije, ne po shtiremi sikur po krijojmë mundësi ligjore e financiare për veprimtarinë e vërtetë shkencore në Kosovë. Profesori u thotë studentëve diplomantë: unë po shtirem se jam mentor i juaji, ju shtiruni sikur vetë e keni shkruar punimin e diplomës. Studenti i drejtohet tregtarit diplomëshkrues: “të lutem tregohu i sinqertë: sa kushton një punim diplome?” – Tregtari i përgjigjet: “unë jam më i sinqertë se profesori yt mentor, e edhe se vetë institucionet shtetërore: varësisht nivelit të shkollimit, çmimet fillojnë nga 250 ero (për nivelin bachelor) deri në 4000-5000 (për nivelin doktoratë)”. Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë të Kosovës mobilizohet për t’i përgatitur nxënësit që këta të fundit mos t’i zë të papërgatitur e të padijshëm PISA. Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës u thotë nxënësve: neve na intereson rezultati i PISA-s, e jo gjendja e vërtetë e dijes tuaj në gjithë procesin e formimit të saj. Nxënësit dhe personali arsimor i shkollave u thonë zyrtarëve shtetëror të arsimit: ne do të bëjmë maksimumin që të jemi të përgatitur për PISA-n, por ju duhet të na mundësoni kopjimin masiv në testet e semimaturës dhe të maturës. Ndërkaq, në shkencë, në rastin më të mirë, sukses konsiderohet përfolja e suksesshme e rezultateve të arritura në mjediset tjera shkencore, ndërsa plagjiatura konsiderohet privilegj legjitim i njerëzve që dinë ndonjë gjuhë të huaj. Të frymëzuar nga prestigji shoqëror që gëzon akademiku plagjiator në shoqërinë tonë, ka nga ata që, me qëllim të krijimit të avantazheve për ngritjen e statusit shoqëror – me dhe përmes “solidaritetit” të pakursyer të ndonjë shkencëtari shpirtshitur që është i gatshëm të shkruajë libra për ta – i turrën vrapit të ngjitjes në shkallët e botës akademike.
Hallkat e gjithpërfshirjes së mashtrimit nuk përfundojnë këtu. Janë mjetet e komunikimit masiv, të cilat e zgjatojnë mashtrimin deri në qelizat me të skajshme të shoqërisë sonë. Në shërbim të mashtrimit që buron nga pushteti politik, vihet televizioni. Mashtrimi e bën më të fort në krekosje pushtetarin kur fletë në televizion; studentin kur shpërndan në rrjetet sociale fotot e tij me diplomën në dorë, të cilën ia ka shkruar tregtari diplomëshkrues; “shkencëtarin” pretendues që, në rrjetet sociale, publikon foto me librat që nuk i ka shkruar vetë dhe me recensentët mashtrues që e përligjin ekzistencën e një vepre me autorësi të rreme. Dhe ju do të mendoni se hallka që krijon gjithpërfshirëshmërinë e mashtrimit mbaron këtu? Jo. Është audienca e rrjeteve sociale, e cila krijon dinamikë të re në strukturën e gjithpërfshirshmërisë së mashtrimit. Audienca e rrjeteve sociale, edhe pse e ndërgjegjshme se bëhet fjalë për mashtrim të përgjithshëm, për “t’u mos u ndarë nga tufa”, e shpreh miratimin e mashtrimit përmes klikimit në “llajka”. “Llajkat” janë treguesi i shkallës së përbrendësimit të mashtrimit në ekzistencën tonë. Përbrendësimi e pamundëson shikimin e përmasës gjithëpërfshirëse të mashtrimit dhe, rrjedhimisht, edhe të efekteve të dëmshme të tij për të ardhmen tonë të përbashkët.
Rëndësia e së vërtetës në komunikim
Në dhe përmes komunikimit një bashkësi e manifeston qëndrimin ndaj habitusit të ekzistencës së vet. Në letërsinë e përbotshme, tema e madhe e tjetërsimit të komunikimit nga substanca e ekzistencës së bashkësisë që komunikon, jo pak është bërë pjesë e refleksionit artistik. Shembull emblematik i refleksionit artistik të kësaj teme është vepra e Molierit “Mizantropi”. Fjala mizantrop rrjedh nga gjuha greke që do të thotë njeri që i urren njerëzit dhe shoqërinë. Alcesti, është protagonisti i veprës, i cili i kundërvihet modelit negativ të moralit të komunikimit. Ashtu sikur Don Kishoti ëndërrimtar-idealist, në krahët e të cilit gjendet antipodi i vet Sanço realist-pragamtik, edhe Alcesti revolucionar në betejën për të vërtetën, si antipod të vetin e ka mikun e tij Filentin, i cili praninë radikale të të vërtetës në komunikim (për të cilën përpiqet Alcesti) e sheh si rrezik për prishjen e marrëdhënieve ndërpersonale dhe prishjen e kohezionit social. Për Filentin sjellja e mirë është kusht për ndërtimin e komunikimit mes njerëzve. Për Alcestin, mirësjellja që vihet në dëm të të vërtetës dhe vlerave të vërteta, është dëmi më i rëndë që i bëhet shëndetit social, kulturor dhe moral të një bashkësie. Mirësjellja në dëm të të vërtetës është mirëmbajtje e orientimit shfrytëzues e konsumues të veprimtarisë komunikuese dhe, për rrjedhojë, edhe të prirjes rrënuese të hapësirës së përbashkët të ekzistencës njerëzore.
Në një gjendje të skajshme ekzistenciale të përjashtimit të të vërtetës nga qenia e komunikimit, Alcesti është heroi që lufton për kthimin e të vërtetës në komunikim. Për Alcestin beteja për kthimin e të vërtetës në komunikim nuk është betejë vetëm për kthimin e dinjitetit të komunikimit në vetvete, por është një ftesë për angazhim që i bëhet bashkësisë njerëzore për ndërtimin dhe zotërimin e përbashkët të kuptimit të ekzistencës të saj në botë. Alcesti – me betejën e tij për kthimin e të vërtetës në qenien e komunikimit – na ndriçon me faktin se shkaktarë të vërtetë, të cilët i pengojnë forcat krijuese për ndërtimin e kuptimit të ekzistencës së përbashkët njerëzore dhe e pamundësojnë solidaritetin e vërtetë mes njerëzve, janë gënjeshtra dhe mashtrimi. Alcesti me mendimin, sjelljen dhe veprimin e vet “armiqësor ndaj njerëzve” na ndërgjegjëson për rolin që ka për lirinë dhe sigurinë e njerëzimit kuptimi i interesave dhe nevoja të vërteta, të cilat, përmes gënjeshtrës dhe mashtrimit, janë zëvendësuar me nevoja dhe interesa të rrejshme, të ngushta e afatshkurtra, thellësisht kërcënuese për lirinë dhe sigurinë afatgjate të ekzistencës njerëzore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura