MUHAMED ALIMI: TRISHTIMI I ‘XHORXH UASHINGTONIT’ TË KOSOVËS, GJATË NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES!

Pashtriku.org, 25. 04. 2013 – Pesëmbëdhjetëpikëshi është vetëm hapja e derës drejt kompromiseve të ardhshme, një fakt i vetë proklamuar edhe nga udhëheqësia Sërbe duke thënë që për momentin kjo është maksimumi, që nënkupton se do ketë edhe momente tjera në të ardhmen që shqiptarët do sakrifikohen për të tjerët. A thua vallë këtë e dinte “Xhorxh Uashingtoni” i Kosovës që kur nënshkruante marrëveshjen kishte një pamje trishtuese dhe mos vallë në ato momente para syve ju shfaqën të gjithë ato viktima shqiptare nga shteti Sërb?
Të dielën mbrëma Kuvendi i Kosovës përkrahi marëveshjen e aritur në Bruksel mes Sërbisë dhe Kosovës me 89 deputetë për dhe 5 kundër. Nuk ka dyshim se kjo marrëveshje është një disfatë për shtetin e ri të Kosovës, për elitën politike shqiptare dhe fatkeqësisht edhe një lëshim i dhimbshëm që Kosovën dhe në përgjithësi shqiptarët mund ti kushtojë shumë në të ardhmen.
Marrëveshja, fituesit dhe humbësi
Fitues i pastër pas negociatave të përfaqësuesve shqiptarë nga Kosova dhe atyre Sërb është shteti i Sërbisë dhe elita e saj politike e cila papritmas u amnestua nga krimet e dekadave të fundit. Përshtypja e përgjithshme është se ata më kishin lexuar mirë palën negociuese shqiptare dhe duke mësuar nga gabimet e tyre të mëparshme aritën që të fitojnë një autonomi reale për komunitetin Sërb në Kosovë dhe njëkohësisht duke fituar datën për fillimin e negociatave me BE-në, përfitojnë disa miliarda euro që do ndihmojë shtetin Sërb në këtë kohë krizash, do fuqizojë atë dhe do reformojë shoqërine Sërbe. Në qoftë se arihet që kjo marrëveshje të implementohet pa shumë probleme, Daciqi dhe posaqërisht Vuçiqi lansohen në skenën ndërkombëtare si yje të Ballkanit Perëndimor dhe Sërbia kthehet fuqishëm si lojtari kryesor gjeostrategjik ne rajonin tonë.

Fituesi tjetër nga kjo marrëveshje është baronesha Kathrin Eshton dhe në përgjithësi BE-ja. Në momentin kur Bashkimi Europian është në në një krizë të thellë ekonomike por edhe politike pa ndonjë sukses të madh në skenën ndërkombëtare, kjo aritje në një mënyrë lehtëson dhimbjet që unioni ka dhe u mundëson burokracisë aktuale Europiane që të regjistrojnë së paku një sukses në CV-të e tyre. Në momentet e rikonfigurimit të BE-së dhe sistemit të saj si duket shqiptarët si për zakon u vetësakrifikuan duke bërë një hap mbrapa në rugëtimin e tyre drejt faktorizimit real në Ballkan dhe edhe njëherë u lëshuan nëpër ujë nga Europa por tani të ndihmuar edhe nga SHBA-ja. Pra humbësi i vetëm në këtë lojë mbeti Kosova dhe Shqiptarët duke u kënaqur në fund vetëm me fjalët “bravo treguat një lojë të mirë”. Ky pesëmbëdhjetëpikësh është vetëm hapja e derës drejt kompromiseve të ardhshme, një fakt i vetë proklamuar edhe nga udhëheqësia Sërbe duke thënë që për momentin kjo është maksimumi, që nënkupton se do ketë edhe momente tjera në të ardhmen që shqiptarët do sakrifikohen për të tjerët. A thua vallë këtë e dinte “Xhorxh Uashingtoni” i Kosovës që kur nënshkruante marrëveshjen kishte një pamje trishtuese dhe mos vallë në ato momente para syve ju shfaqën të gjithë ato viktima shqiptare nga shteti Sërb? Sigurisht se politikanët tanë janë të paaftë në shumë aspekte, por aty u pa se ai ishte shumë i vetëdijshëm për humbjen që po nënshkruante. Parashtrohet pyetja se çka ndodhi në ndërkohë që nga një pozicion fitues shqiptarët dalin të nënçmuar nga këto negociata?
Vazaliteti
Cicërima e dallëndyshes kosovare nga Brukseli se më në fund kemi tymë të bardhë, të them të drejtën më çoi në një gjendje as për të qesh as për të qajtë. Shpesh pyetem a janë të vetëdijshëm këta palaço politikanë se çka po bëjnë. Çka ka për tu gëzuar në këtë marrëveshje? Mos vallë pse do kemi një papë në gjykatën e re të veriut që do lëshojë indulgjenca për krimet e ardhshme sërbe në Kosovë? Apo që do kemi vitezë Sërb në formën e komandantëve rajonal policor që kur t’ju kujtohet, do mund të nisin një kryqëzatë të ardhshme sërbe mbi popullin e pafajshëm shqiptarë. Është për tu habitur se si pas marrëveshjes të gjithë vazalët e BE-së në shoqërinë shqiptare menjëherë u aktivizuan me një buton, në kor dolën në përkrahje të marrëveshjes, si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Në përjashtim të një pakice, në grupin e vazalëve shihje mbeturinat e shoqërisë shqiptare, Udbashët e vjetër që tani më kanë ndryshuar fanellat e tyre të Partizanit me ato të ndonjë shteti europian, sigurisht të atyre që paguajnë më shumë. Nuk mungonin edhe degëzimet e Sorosit që shfaqen jashtëzakonisht të dëmshëm për kauzën shqiptare, si dhe mercenarë e sahanëlëpirës tjerë sikur ai i debatit të RTK-së që lehin ashtu si t’ju thojnë zotërinjtë tyre. Ky fakt edhe një herë tregoi se e ashtuquajtura elitë intelektuale shqiptare, QJQ-të e ndryshme, e partitë politike mbrojnë interesat e shumë lobive të ndryshme por jo ato kryesore , të popullit të tyre shqiptarë.

Xhorxh Uashingtoni i Kosovës!

Çka më tutje?
Në qoftë se në ndërkohë Vetëvendosja nuk kërkon organizimin e ndonjë referendumi për pranimin apo jo të marrëveshjes, është evidente se Shqiptarët janë pranë një akti të kryer që do çojë në dobësimin e mëtutjeshëm të tyre. Prandaj në vijim do përmendim disa hapa që në një farë mënyre do ndikojnë në frenimin e disfatave të ardhshme dhe rikthimin e shqiptarëve më fuqishëm në tavolinën rajonale ku përflitet se në 3-5 vitet e ardhshme do ketë rindarje të re të kartave.
1. Faktori kryesor që ndikoi në përfundimin e pavolitshëm të këtyre negociatave është dobësia e faktorit politik shqiptar, bagazhet e tyre të fëlliqura që nuk lejojnë përparimin e shqiptarëve. Korupsioni ka ngulfatur shqiptarët kudo që janë. Poashtu duhet thënë troç dhe qartas se krimi i organizuar nga disa shqipfolës tanimë paraqet një barë e rëndë për të gjithë ne. Derisa ata pasurohen në bashkëpunimin e tyre me kolegët rajonal, populli shqiptar mbetet peng i fëlliqësirave të tyre. Medoemos ne duhet të ballafaqohemi me bërllokun në oborin tonë.
2. Niveli i ulët i profesionalizmit të kuadrove shqiptarë në institucionet më të ndjeshme të shteteve dhe gjysëm shteteve tona është duke na kushtuar shumë. Sigurisht se nuk do mund të arijmë menjëherë në nivelin e popullit Izraelit ku çdo i dyti ka diplomë Harvardi por edhe ato që i kemi ne nuk po i shfrytëzojmë sa duhet, duke partizuar secilin vend pune. Ky është një problem shumë i madh për shqiptarët por sidoqoftë këtu kërkohet një analizë e thellë që do rezultojë në vetëdijësimin e popullit në përgjithësi dhe elitës shqiptare në veçanti.
3. Rishikimi i të gjithë politikave shqiptare dhe riformatimi i tyre sipas ndryshimeve që ndodhin në politikën rajonale dhe botërore është prioriteti i kohës tonë. Derisa shqiptarët në përgjithësi verbërisht janë në funksion të fuqive Euroatlantike kurse Sërbia anëtarësohet si vëzhgues në Organizatën e Marrëveshjes Kolektive për Siguri dhe janë në funksion të interesave ruse si shpërblim Europa ndëshkon viktimën dhe përkrahë agresorin. Asnjë fuqi e jashtme nuk do ti mbrojë interesat shqiptare më shumë se sa vetë shqiptarët. Politika shqiptare duhet të jetë më proaktive, më e larmishme gjithmonë duke lexuar drejt zhvillimet e politikës botërore. Është absurd që Europa të investojë në linjën Beograd- Athinë, dy shtete ksenofobe dhe shoviniste kurse të lërë anash shtetet tjera. Si do ishte reagimi ynë në këtë rast?
4. Shqiptarët pas kësaj marrëveshje duhet të kërkojnë reciprocitet në vendet ku jane pakicë. Është e pafalshme që shqiptarët e Kosovës Lindore të lihen në mëshirën e shtetit Sërb. Gjithashtu derisa shqiptarët e Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës luftuan dhe derdhën gjak, fituan marrëveshje më të pavolitshme që aspak nuk janë të implementuara, kurse Sërbëve ju jipet falas autonomia reale e maskuar nën Asociacionin. Shqiptarët e Maqedonisë gjatë negociatave për marrëveshjen e Ohrit poashtu kerkuan policinë por me përkrahje të shteteve ndërkombëtare kjo ju refuzua atyre rufeshëm. Tani Sërbëve të veriut një komunitet 60 000 banorësh marin atë që mbi gjysëm milion shqiptarë në Maqedoni nuk e fituan dot me luftë. Kështu shqiptarët vazhduan ende të jenë nën represionin e policisë Maqedonase duke përkujtuar rastet e Brodecit, vrasjen e Harun Aliut, Monstra si dhe friga që shqiptarët ndjejnë në prag të zgjedhjeve si në këto zgjedhje të fundit me rastin e Strugës, Kërçovës dhe Dollnenit. Gjithashtu edhe gjykatat e Maqedonisë janë të njëanshme që nuk mbrojnë të drejtat elementare njerëzore. Këtu mund ti përmendim rastet e Sopotit, abrogimin e ligjit të simboleve gjegjësisht të flamurit shqiptar nga gjykata kushtetuese, rasti i fundit me gjyqin administrativ e shumë raste tjera që ne i dimë. Si mundet kështu i njejti komunitet ndërkombëtar të punojë me standarde të dyfishta? Detyrë e çdo shqiptari është që në formë paqësore të kërkojë ngritjen e të drejtave kolektive shqiptare kudo që janë pakicë.
* * *
Si përfundim ka edhe shumë të flitet për gjendjen e palakmueshme shqiptare në Ballkan dhe se çka duhet të ndryshojmë ne. Aleatët tanë strategjik duhet sinqerisht dhe me fakte ti bindim se ruga që kanë marë ngjarjet në Ballkan nuk mundësojnë rahati dhe përparim në qoftë se nuk implementohen standarde të njejta për të gjithë popujt. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që të bëhen peng i interesave të popujve tjerë në Ballkan dhe medoemos duhet t’i përvishen punës pasi që në qoftë se dita shihet sipas mëngjesit, e ardhmja mund të jetë shumë befasuese për të gjithë ne.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura