PASHTRIKU: LETRA PA ZARF E INXH.ISMET HAMITIT – PËR INSTITUCIONET E KOSOVËS

Pashtriku.org, 02. 04. 2013 – Inxh. Ismet Hamiti është autor i projektit të rrjetit të parë mobil në Kosovë VALA dhe emër i respektuar në fushën e telekomunikacionit në Kosovë dhe në shkallë botërore. Me emrin e tij lidhen gjërat pozitive që kanë ndodhur në këtë sektor në vend në mbi katër dekadat e fundit. Ai ndjek me vëmendje sektorin e telekomunikacionit në Kosovë dhe vepron me përkushtim të madh në mbrojtje të interesit publik. Këtë letër ai e ka dërguar e publikuar në vitin 2007. Krimi që po hetohet sot në Slloveni lidhur me hyrjen e IPKO-s në tregun tonë të telefonisë mobile si dhe dëmin që ia ka shkaktuar interesit të përgjithshëm ky operator, është paralajmëruar aq saktë me këtë letër saqë s’ka nevojë për kurrfarë komenti shtesë. Në vijim për lexuesit e portalit pashtriku.org e botojmë të plotë këtë letër.

Inxh.Ismet Hamiti

====================================

L E T Ë R

Kryetarit të Kosovës,
Kryetarit të Parlamentit të Kosovës,
Kryeministrit të Kosovës,
Kryetarëve të të gjitha partive politike, atyre opozitare dhe në “pushtet”,
Përfaqësuesit Special të Sekretarit Gjeneral të OKB-së, dhe
Të gjithë njerëzve të mirë që e duan përparimin e vendit e që kanë ndikim në vendimmarrje,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Sipas njoftimit të zëdhënëses së vet, Qeveria qenka para vendimit për “operatorin e dytë mobil”. E quaj të nevojshme që si qytetar dhe si profesionist “i orëve të para” në këtë vend, që kam pasur nderin të këshilloj një numër të madh qeverish anë e mbanë globit për çështjet strategjike të zhvillimit të telekomunikacionit, të ripërsëris pikëpamjet e mia rreth kësaj çështje. Them të ripërsëris sepse këto që po ua shkruaj në këtë letër të hapur, shumicës prej jush ua kam thënë personalisht ose ua kam përcjellë në forma të ndryshme kurdo që më është dhënë rasti. Kësaj here vendosa t’ua them edhe publikisht për të mbetur e shënuar se këto pikëpamje u janë bërë me dije me kohë, kur ende ka qenë e mundur të shmangen gabime strategjike që mund t’i kushtojnë shumë shtrenjtë këtij vendi. Nëse përkundër kësaj një gjë e tillë ndodhë dhe nëse gabime të tilla megjithatë bëhen, le të mbetet e shënuar se ato gabime janë bërë me dashje dhe le të dihet me emër e me mbiemër përgjegjësit.
Parakushtet për fillimin e licencimit
Fatkeqësisht, në momentin e tanishëm nuk ekziston asnjë parakusht për licencim të asnjë operatori tjetër. Tregu i telekomunikacionit është në gjendje kaotike, resurse numerike nuk ka, sepse nuk është zgjedhur ende çështja e kodit ndërkombëtar, nuk ka resurse frekuencore sepse spektri frekuencor shfrytëzohet në mënyrë të egër nga operatorë ilegal, ligji për telekomunikacion vetëm emrin e ka të tillë sepse është një tekst krejtësisht i pakuptimtë; rregullat më elementare për funksionimin e tregut të liberalizuar nuk ekzistojnë, rregullatori ka nevojë për trajnim masiv për të qenë në gjendje t’i kryejë detyrat më elementare të rregullimit të tregut të liberalizuar të telekomunikacionit. Me një fjalë gjendja është pus.
Të nisësh procesin e licencimit në këto kushte është abuzim që dëmton rëndë interesin publik. Ju duhet të pengoni një abuzim të tillë duke vënë kushtet minimale për fillimin e procesit të licencimi, e që janë:
1. Sigurimi i resurseve numerike dhe frekuencore që janë dy elementet kryesore të licencës. Pa numeracion e pa frekuenca nuk ka kuptim as të flitet për licencim;
2. Ndërprerja e punës të të gjithë operatorëve ilegal, ndryshe nuk ka kuptim të flitet për “licencën e dytë” por kush e di të satën;
3. Hartimi i planit kombëtar të frekuencave dhe të numeracionit. Frekuencat dhe numeracioni janë resurse të shterrshme dhe duhet shfrytëzuar me shumë kujdes që të mos bëhet i pamundur zhvillimi i telekomunikacionit tani dhe në të ardhmen;
4. Hartimi i rregulloreve të domosdoshme për funksionimin e tregut të liberalizuar dhe aftësimi profesional i rregullatorit për zbatimin e tyre sepse pa rregulla e rregullator kompetent s’ka treg të liberalizuar por treg kaotik.

Pronësia e huaj
Hapja e tregut të telekomunikacionit për pronësi të huaj është çështje strategjike kombëtare. Si e tillë kjo nuk mund të jetë çështje e një qeverie e aq më pak e një ministrie apo një rregullatori. Çështjet e kësaj rëndësie vendosen me pajtueshmëri (konsensus) politike në nivel të vendit, duke i peshuar mirë të gjitha aspektet e saj. Është interes jetik i vendit të gjeni pajtueshmëri së paku në këto dy parime:
5. Pronësia e huaj shtetërore: një shtet tjetër nuk mund të ketë pronë mbi asnjë lloj operatori për shërbime telekomunikuese në Kosovë. Këtij parimi i përmbahen të gjitha shtetet e këtij globi.
6. Pronësia e huaj private: një pronar i huaj privat nuk mund të ketë kontrollin mbi operatorët e telekomunikacionit në Kosovë;

Investimet vendore
Investuesi vendor është dhe do të mbetet bartësi kryesor i zhvillimit në Kosovë, ashtu siç është rasti në çdo vend të botës. Për shumë arsye, është interes jetik i vendit që investuesit vendor të mos përjashtohet nga sektori i telekomunikacionit.
Hiq “bizneset legjitime” që ka krijuar hasmi për qëllimet dhe nevojat e veta, në Kosovë ka dije edhe kapital të mjaftueshëm për investimet që i kërkon tregu ynë i vogël i telekomunikacionit. Dëshmia më e mirë për këtë është VALA 900 që u ngrit në tërësi nga ekspertët vendorë, edhe atë në kushtet e vështira menjëherë pas luftës, kur nuk kishte qeveri e autoritet vendor të njohur dhe kur duhej përballuar pengesat e shumta të interesave nga më të paskrupulltat, që ia kishin vënë syrin shërbimeve mobile.
Ju në asnjë mënyrë nuk duhet të lejoni që investuesit vendor dhe dija vendore të përjashtohen apo të kthehen në tezga të të huajve. Kushti që ofertuesi të ketë, bie fjala, së paku disa milion abonentë eliminon investuesit vendorë ose i detyron ata të bëhen “tezgë” e operatorëve të huaj. Asnjë vend i botës nuk i sjell investuesit vendorë në pozitë inferiore me të huajt, me një kusht të tillë i cili edhe ashtu nuk është thelbësor për cilësinë e operatorit. Për të mos ndodhur kjo, ju duhet që t’u përmbaheni këtyre dy parimeve:
7. Përvoja dhe madhësia e ofertuesit nuk duhet te jenë kusht i licencimit. Sikur të kishte ekzistuar ky kusht, VALA 900 sot nuk do të ekzistonte.
8. Kriteret kryesore për vlerësimin e një ofertuesi duhet të jenë: kapaciteti profesional, plani i biznesit dhe plani i mbulimit të territorit.

Për secilin nga parimet e përmendura më lartë mund të shkruhen faqe të tëra arsyetimi, por thelbi mbetet i njëjtë.
Të tetë parimet e mësipërme duhet të bëhen të detyrueshme për Ministrinë, Autoritetin Rregullator dhe bartësit e procesit të licencimit dhe të zbatohen me përpikëri dhe në mënyrë transparente. Mospërfillja e tyre do të dëmtonte interesat e vendit në mënyrë të papërmirësueshme.
Me respekt,
Ismet Hamiti

(Shkruar në kujtim të vëllait tim Bislimit dhe shumë njerëzve të mirë të këtij vendi që shkuan me dëshirën e flaktë në zemër për të parë këtë vend të lirë e të përparuar)

===========================

Në vijim shikoni intervistën e inxhnierit tonë të shquar Ismet Hamiti.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura