GJOKË DABAJ: UNË NUK PO E KUPTOJ DOT POLITIKËN E SHBA-së NDAJ SHQIPTARËVET

Durrës, 21. 05. 2013 – Që shqiptarët janë QË TË GJITHË pro SHBA-së, këtë e di gjithkush. Kur themi: QË TË GJITHË, kjo duhet kuptuar, që nuk ka asnjë forcë politike shqiptare, madje as edhe një grup të vogël shqiptarësh, i cili të jetë deklaruar ose të ketë tendenca të distancohet nga politika proamerikane e shqiptarëvet. E gjithë kjo dëshirë, i gjithë ky shpirt proamerikan i Kombit Shqiptar e ka shpjegimin e vet fare të thjeshtë: Ne nuk kemi ku mbështetemi tjetër, përveç te SHBA-ja. Mbështetemi edhe te Europa Perendimore, por vetë ajo, pra, Europa Perendimore, s’ka ç’bën tjetër, s’ka ku shkon tjetër, përveç te bashkëpunimi me SHBA-në.
Këto janë lidhjet e sotme objektive, në këtë botë të përçarë, në këtë botë kampesh të pakuptimtë dhe tepër kërcënues në epokën kibernetiko-bërthamore. Ne jemi të detyruar, por edhe DUAM të jemi pikërisht pjesë e këtij Perendimi, i cili realisht udhëhiqet prej 2 subjektesh: Prej subjektit nr.1, që është SHBA-ja, dhe prej subjektit nr.2, që është BE-ja. Subjekti nr.1 është i konsoliduar, subjekti nr.2 nuk është ende i konsoliduar.
Nisur së këndejmi, pra, nisur prej këtij realiteti, ne shqiptarëvet na intereson shumë që ta kemi përkrahjen SA MË TË PLOTË prej SHBA-së. Kur themi: Ta kemi përkrahjen SA MË TË PLOTË, sigurisht kuptojmë edhe komponentin: Sa më TË KTHJELLËT, sa më RACIONAL dhe sa më TË PËRZEMËRT e TË SINQERTË.

Mirëpo unë, pikërisht në këtë komponent, në komponentin e KTHJELLTËSISË, RACIONALITETIT, PËRZEMËRSISË e SINQERITETIT, nuk po mund ta kuptoj politikën e SHBA-së ndaj nesh.
Nuk e kam kuptuar as atë të mëparshmen politikë të SHBA-së, qëndrimin ndaj Enver Hoxhës, qëndrimin ndaj Çamërisë, psh në vitin 1944, qëndrimin ndaj Kosovës, që nga Lufta e Dytë, por unë po ndalem këtë herë vetëm ndaj disa treguesve të Pasnëntëdhjetës.
1. Ish-ambasadori, z.Rajerson, e ka pohuar vetë që, para se të vinte në Rep.e Shqipërisë, nuk e ka njohur Shqipërinë. Ky fakt nuk do të mund të cilësohej ndryshe, veçse si mjerimi i një diplomacie. Të mos e njohësh vendin ku ti emërohesh ambasador, nuk është e metë personale e jotja si ambasador. Është e metë, është mjerim, për krejt korpusin e diplomacisë së një vendi, aq më tepër, të një vendi, i cili konsiderohet superfuqi.
2. Sekretari i Shtetit, z.Bejker, erdhi në Rep.e Shqipërisë dhe, puna e parë e tija, ishte: Të zbathte këpucët dhe të hynte në Xhaminë e Et’hem beut. E la Gjergj Kastriotin, Atletin e Krishtërimit, ta mbulonte djersa në mes të sheshit që mban emrin e tij dhe u fut në xhami! Cila është domethënia e këtij gjesti?! Mirë. E kuptojmë që kjo po bëhej për inat të Enver Hoxhës. Por z.Bejker duhej ta dinte që ky gjest i tiji nuk do t’u pëlqente, as Sami Frashërit dhe Ismail Qemalit. Madje, as Ahmet Zogut, i cili jo më kot e kish marrë gruan katolike.
3. Edhe herë të tjera, Kombi Shqiptar është cilësuar apo konsideruar prej personelitetesh të SHBA-së si një komb mysliman. Të këtillë cilësime u janë bërë shqiptarëvet, në të kaluarën, e u bëhen edhe në të sotmen, vetëm prej sërbëvet shovinistë dhe prej grekëvet shovinistë!!! A është kjo një injorancë e politikanëvet të SHBA-së, apo kemi të bëjmë me një lloj ligësie, me një lloj pasinqeriteti ndaj miqësisë që ne u ofrojmë amerikanëvet?!
4. Ne e dimë që, midis SHBA-së dhe Turqisë ka tashmë një alenacë tradicionale. Ajo aleancë është krejtësisht e përligjur dhe krejtësisht e kuptueshme. Edhe ne kemi dhe duhet të kemi miqësi me Turqinë. Por vëmë re që amerikanët vijnë, psh në ekonominë tonë, kryesisht nëpërmjet disa korporatave apo kompanive turko-amerikane. Nuk hyjnë këtu thjeshtë si amerikanë, por të bashkuar me turqit, madje të përfaqësuar prej turqish. Ç’do me thënë kjo?! A i konsideron SHBA-ja shqiptarët njësoj si turqit? Shqiptarët janë miq me turqit, por nuk janë e njëjta gjë si turqit. Aq më tepër, ne nuk mund të bëhemi kurrë aneks i Rep.së Turqisë në politikën e kujtdoqoftë.
5. Para disa vjetësh, SHBA-ja na çoi këtu një grup ujgurësh, myslimanë me shtetësi kineze. Kjo bëri që Kina të shprehte pakënaqësi ndaj nesh. Ç’donin ujgurët në Rep.e Shqipërisë?! A nuk mund të çoheshin ata në Australi? A nuk mund të çoheshin në Zelandën e Re, ose këtu në Danimarkë, në Rumani, në Bullgari. Bullgaria ka shumë myslimanë. Le të çoheshin ujgurët pranë myslimanëvet të Bullgarisë!
6. Kohët e fundit u bë marrëveshje që në Rep.e Shqipërisë të silleshin, jo pak, por nja 240 muxhahedinë, myslimanë antiiranianë. Prapë Irani, si më parë Kina, shfaqi pakënaqësi. Ç’duan në Rep.e Shqipërisë këta ish-ekstremistë islamikë? A nuk mund të çohen këta në Portugali, në Spanjë, në Vatikan, në Algjeri, në Turqi, por sillen pikërisht këtu?! Si mund ta emërtojmë këtë politikë të SHBA-së ndaj Kombit Shqiptar? Si mosnjohje të shpirtit të këtij Kombi, apo si provokim e si cinizëm?! Kur, themi CINIZËM, mendja na shkon fill e te Barleti, te Gjon Buzuku, te Nikollë Mekajshi, te Naum Veqilharxhi, te Papa Kristo Negovani, te Petro Nini, te Shtjefën Gjeçovi e te Gjergj Fishta. Madje, edhe te një Fan Nol, te një Faik Konicë e deri te një Stefan Lasko a Gjon Sinishtë, që lanë eshtrat në SHBA, duke u treguar amerikanëvet kush janë shqiptarët!
7. Më në fund, vjen edhe një KONTRATË MISTERIOZE AMERIKANO-SËRBE për minierën e Trepçës! Ç’janë këto punë?! Si ta emërtojmë këtë politikë të një shteti, te i cili shqiptarët kanë shumë shpresa?! Si lodër lobesh, që veprojnë e përplasen njëri me tjetrin në SHBA, gjithsesi lodra të rrëzikshme për vetë SHBA-në?! Apo si thikë pas shpine e një fuqie të madhe ndaj një populli, i cili ka nevojë, jo për thika kolaboracionesh, por për bisturi humanistësh!?
Duke i vështruar krejt këto që thamë, me një sy sa më depërtues, në përpjekje për ta tejshpuar errësirën, ne vijmë pashmangshëm edhe te këto pyetje:
– A nuk pati mundësi pjesa amerikane e ushtrisë së NATO-s ta ndihmonte UÇK-në për ta çliruar edhe Veriun e Kosovës më 1999-n?!
– Pse u la Veriu i Kosovës, në vitin 1999, në gjendjen që më vonë do t’i sillte diplomacisë perendimore jo pak telashe?!
– A është koha tani të luhet me ne shqiptarët, siç luan një mace e nginjur me një mi, i cili s’është në gjendje të ikë askund?!
– A shkon e gjithë kjo në interes, qoftë të SHBA-së, qoftë të BE-së, në një kohë kur, edhe BE-ja, edhe SHBA-ja kanë SHUMË PUNË, në të tjera PIKA TË NXEHTA?!
Sinqerisht, unë nuk dua të mendoj që SHBA-ja është në pikë të hallit e s’po gjen dot rrugë për t’i ndihmuar shqiptarët! Dua më shumë të mendoj që SHBA-ja ende nuk e kuptuar si duhet rëndësinë e përkrahjes së shqiptarëvet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura