HAKI MORINA: GËZIMI DHE HIDHËRIMI PËR ARRESTIMET E FUNDIT

Pashtriku.org, 31. 05. 2013 – Lajmi për arrestimin e një numri personash të rëndësishëm të Luftës Çlirimtare në Drenicë, këto ditë ka acaruar atmosferën politike në Kosovë. Natyrisht që akuzat për vrasje, keqtrajtim dhe dhunim të civilëve nga ana e luftëtarëve janë akuza që tek secili qytetar i arsyeshëm zgjon averzion. Mirëpo debati politik i ndezur këto ditë lidhur me këto arrestime të EULEX-it po nxjerrë në sipërfaqe edhe hesape të vjetra të krijuara qysh në kohën e luftës e të paraluftës dhe po e helmon mjaft atmosferën politike edhe ashtu të trazuar nga përplasjet për pushtet.
Po të bëheshin këto arrestime me qëllim të pastrimit të politikës nga “kalorësit” të cilët pa ndihmën e EULEX-it vështirë se do të nxirren ndonjëherë nga pushteti, për shkak të fuqisë së krijuar përmes organizimit ekonomiko-politik të tyre, do të ishte një veprim me efekte pozitive por fatkeqësisht nuk është kështu. Të gëzuarit për këto arrestime, kryesisht kontigjente të edukuara e të instrumentalizuara historikisht kundër frymës çlirimtare, janë fokusuar në mbështetje të arrestimeve, duke mbuluar ngazëllimin e tyre me faktin se disa të arrestuar u pasuruan ose realizuan pushtet politik pas luftës.
Këto grupe qytetarësh me ngarkesa të larta hakmarrëse, të cilëve iu prish rehatia e gjendjes robëruese, nuk janë të vogla. Për këtë arsye situata në qiellin tonë kombëtar paraqitet akoma e mjegullt dhe serioze. Kur dihet që gjendja nën pushtimin serb atyre iu jepte prioritete drejtuese me potenciale mashtruese dhe mundësi të mëdha përfitimesh personale e grupore duke qenë fjala e parë dhe e fundit e menagjimit të jetës së popullit në robëri ata u ndjenë të hunbur në gjendjen e re.

Edhe lufta më e pastër brenda saj ka profiter e bashibozukë që keqpërdorin mundësitë për të realizuar interesa të ngushta. Edhe në luftën e fundit të drejtuar nga UҪK sigurisht u bënë veprime të caktuara në kundërshtim me frymën çlirimtare. Por ndryshe është të bësh ndonjë veprim të dënueshëm gjatë lufës për liri e ndryshe të bësh ndonjë veprim të mirë gjatë angazhimit për ruajtjen e robërisë. Të bësh këtë barazim apo edhe më keq, të lejosh që të dytët të ndjehen më të merituar në kohë lirie nuk është gjë tjetër veç se të ecësh prapa si një komb injorant.
Të ndiqen keqtrajtuesit e kohës së luftës, të pakonfirmuar si keqtrajtues, e të lihen jashtë keqtrajtuesit në kohë paqeje, të cilat janë të konfirmuar për torturat dhe vrasjet (në burgje e demonstrata) është një veprim me pasoja të rënda. Ndjekësit e çlirimtarëve janë të identifikuar, ata ishin me emra e mbiemra, merrnin rrogë për punën e tyre dhe drejtonin këto institucione të persekutimit dhe s’ka nevojë të bëhen hetime për t’i gjetur ata, sepse ata ishin shërbimi legal i sigurimit të shtetit jugosllav (UDB-ja). Atëherë pse ndiqen të dyshimtit e jo ata që padyshim bënë vepra penale kundër realizimit të shtetit të Kosovës? Veprimet e dënueshme dhe bartësit e tyre duhet ti gjykoj vetë populli përmes organeve kompetente gjyqësore e duke u mbështetur në ligjet pozitive.
Sipas të gjitha gjasave burgosjet e fundit kanë ndodhur për shkak se bashkëpuntorët e Serbisë, (civil) duke u mbështetur kryesisht përmes gazetes “Bota Sot”, bën padi konkrete penale e deponuan “fakte” në organet e EULEX-it. Përderisa këtë gjë e bëjnë mbeturinat shqiptare të shërbimit serb në Kosovë, të keqtrajtuarit shqiptarë (të vrarë e të torturuar nga policë shqiptarë të kohës së autonomisë) nuk shfrytëzuan mundësinë për një hakmarrje të drejtë. Kjo gjendje po shkakton paradoks politik kombëtar që për popujt tjerë është i papranueshëm. Përderisa të parët treguan edhe njëherë fytyrën e tyre antikombëtare, të dytët, ish të persekutuarit nga koha e artë titiste përgjithësisht u treguan joegoistë e të durueshëm për të realizuar paqe sociale për interesa më të mëdha.
Si shembull për torturat e dënimet që më janë shkaktuar padrejtësisht mua, thjeshtë se kërkova të drejtat e shqiptarëve, që ishin të garantuara me kushtetutë por që nuk zbatoheshin, nuk bëra padi private sepse nuk luftova për interes privat por për lirinë e popullit. Janë institucionet tona shtetërore që duhet të merren me këtë çështje. Por përveç shumë punëve tjera, institucionet nuk merren me këtë sepse ish shokët tanë të veprimtarisë e të luftës janë lidhur në fije të ndryshme për interesa të ngushta me nomenklaturën komuniste. E në vend që të jenë racional, shqiptarët e zi, përmes partive të tyre, shkojnë aq larg sa në mes të parlamentit (duke përfshirë edhe deputetët e PDK-së) hartojnë rezoluta për hetimin e SHIK-ut e jo të UDB-së. O temporo o mores, do të thonin latinët e urtë! Dmth duhet të ndiqen organet hetuese të shtetit të Kosovës, edhe pse pa “bazë ligjore”, kurse organet hetuese të armikut, me “bazë” ligjore e që i shërbyen Serbisë, nuk duhen hetuar, e bartësit e veprimtarisë antikombëtare duhet të lihen të lirë!Natyrisht që dënimet duhet t’i shqiptoj vetë populli nga organet kompetente gjyqësore e duke u mbështetur në ligjet pozitive. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodhë dhe me siguri nuk do të ndodhë as në të ardhmen për shkak të etjes së pafund për të realizuar pushtet e të mungesës totale të frymës idealiste në projektet zhvillimore të vendit.
Prandaj, mund të them lirisht se puna më e keqe e Hashim Thaçit, prej që ka ardhur në qeveri, është çasja e gabuar ndaj gjyqësorit. Pikërisht në postin e ministrit të drejtësisë ka vënë djalin e vëllaut të një UDB-shi. Nuk kam asgjë kundër Hajredin Kuçit dhe e vlersoj potencialin e tij intelektual por Thaçi e din shumë mirë që ai i ka duart e lidhura për reforma në drejtësi! Ndërkohë që me dhjetëra studentë të shkëlqyer të juridikut mbeten pa punë duke e lënë 50 përqind të administratës së vjetër në gjendje joefektive e me mëkate të mëdha nga e kaluara…! E tërë kjo sallatë është si rezulltat i tentimit të konvertimit të udb-ashëve në figura kombëtare.
Kështu do të vazhdojmë me avazin e vjetër që “dëshmitarët” të dërgojnë deri aty në burg e pastaj gjykatësit të shpallin të pafajshëm… Por gozhda po hiqet e shenja po mbetet… Deri tani, ata që nuk deshën të sakrifikojnë asgjë për shtetin e Kosovës, për të qëndruar akoma të fuqishëm në skenë po përdorin taktikën: “sulmi mbrojtja më e mirë”! Vetëm te ne ata që luftuan për liri vazhdojnë të dënohen kurse ata që ishin me pushtuesin shpërblehen (edhe me poste e detyra) e rehabilitohen si “viktima”! Deri kur…?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura