EMIN HALIMI: ‘UNË DO TË BËHEM KRYEMINSTËR!’

Skenderaj, 10. 03. 2014 – Që nga paslufta vazhdimisht jemi ndeshur me sloganin e pështirë “Unë do të bëhem kryeministër!”. Ky avaz po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në vend se kjo prirje e neveritshme të ndëshkohej pikërisht nga ata që e kishin në dorë t’ua realizojnë apo jo këtë dëshirë të sëmurë afishuesve të saj, ajo gjithmonë është plotësuar në dobi të tyre, qoftë nga votuesit qoftë nga komsionerët. Them është plotësuar gjithherë, sepse gjithmonë është bërë kryeminstër njëri nga ata që më parë e kishin shpallur vetën të tillë.
Bartësit e kësaj dëshire duhet të ndëshkoheshin për shkak se këta, në mënyrë të hapur e pa fije turpi, manifestojnë:
– Mungesë edukate elementare familjare,
– Mungesë vetëdijeje shtetformuese,
– Lakmi për pushet, rrjedhimisht lakmi për para…

Thashë ‘mungesë edukate familjare’, sepse të tillët të bëjnë të dyshosh se janë rritur në familjet tradicionale shqiptare! Në cilën familje me sado pak traditë, një mashkull shtëpie u është imponuar të tjerëve me “Unë do të bëhem zot shtëpie!” ?!

Këta makutë janë të padenjë për ta qeverisur një lagje e jo me një shtet!!!

* * *

 Madje edhe në një ‘dekë’ a ‘drekë’, kur shkon një grup burrash, shtyhen një copë herë te dera kush të prijë: jo ai ‘unë’- ai ‘unë’, por ai ‘ti’- ai ‘ti’…
* * *
Jam rritur në një familje dyzetanëtarëshe në të cilën kanë jetuar bashkë pasardhësit e katër vëllezërve – edhe sa ishin gjallë të katërtit, edhe kur kishte mbetur vetëm njëri prej tyre. Prej këtyre katër vëllëzërve, ‘zotshpillakun’ e kishte jo i madhi, as i dyti, as i treti, por – i vogli! Jo pse e kishte kërkuar vetë, por kështu kishin vendosur të gjithë bashkë, të bindur se ky është ai i cili DI t’i ‘endë’ më së miri punët e shpisë. Natyrisht, në derë të oborrit është thirrur “O Dakë!”, se ky ishte i madhi – ‘kryetari’ dhe kështu e kërkonte ‘protokolli’, por për ‘financat’ ҫështjet e organizimit të punëve, për shitjet e blerjet… fjalën e fundit e ka thënë ‘kryeminstri’ – vëllai i vogël. Ky ‘kryeministri’ i shtëpisë nuk ka pasur mandat të caktuar. Mandati i tij do të përfundnte ditën kur të konstatohej se ai nuk po punon drejt për të gjithë anëtarët e familjes, kur po i mban ‘paj’ hises së vet, kur po bën pazare të dëmshme për buxhetin familjar, kur po lidh miqësi të gabuara dhe, sidomos nëse vërtetohej se ai po e vjedh shtëpinë, e pakta që do të pësonte ishte shkarkimi i menjëhershëm i tij!
* * *
Po këta kryeministrat tanë të deritashëm dhe pretenduesit e vetëshpallur, cilën nga këto virtyte të ‘kryeministrave’ ‘arkaikë’ e kanë pasur?
Asnjë!
Përkundrazi i kanë të gjitha VESET për të cilat do të ‘shkarkohej’ qoftë edhe një ‘zotshpie’ i një shtëpie të humbur diku në malësitë e thella.
E të mos flasim për cilësitë e kryemnistrave të ndershëm e të përgjegjshëm të botës moderne, demokratike!
Këta janë vetëm disa makutë (makutërinë e kanë dëshmuar me qindra herë!), të padenjë për ta qeverisur një lagje e jo me një shtet, sepse janë të padijshëm, të padrejtë, grykës e të pamëshirshëm!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura