Bukuresht, 04. 06. 2013 – “Të pikëlluar” nga hallet e popullit, “të revoltuar” nga përmasat e korupsionit, “të indinjuar” nga servilizmi diplomatik shqiptar, “të merakosur” për perspektivën ekonomike të vëndit, “të brengosur” për vuajtjet e popullit, “të mallëngjyer” nga sakrificat e diasporës, “të zhgënjyer” nga zbulimet historike, “të zëmëruar” nga demagogjia opozante, politikanët para mikrofonave, para kamerave, në emisione, takime, mitingje, në rrugë e në teatre, në skena e podiume rahin gjokset si gorillat dhe premtojnë.
Ata hodhën kostumet në dollap, hoqën kravatat, përveshën mëngët dhe ecin në këmbë, një copë rrugë domozdo. Harojnë të krihen, të lyejnë këpucët, të marrin ombrellën kur bie shi. Buzqeshin, qeshin sikur të ishin të lumtur, të gëzuar, sikur të jenë në estradë apo cirk, bëjnë si kllouni para publikut që qan dhe qesh në të njëjtën kohë. Brohorasin, bërtasin, aq sa zëri i ngjirur i lejon. Përqafojnë këdo kush del përpara, shtrëngojnë duar që u zgjaten, puthin plaka dhe fëmijë, ngrejnë dy gishtat lart ti shohim dhe premtojnë.
Ata jetojnë për popullin – eh sa bukur, kjo po më pëlqeka fort, nji tash më duket se do qaj – mendojnë për të, vuajnë për miletin, sakrifikojnë çdo gjë. Gju më gju me popullin – thoshte merhumi dikur, kur vajti në Tropojë, e gazetat aq donin, s’mbaheshin nga histeria. E qe, nj’ashtu më ju lumsha, ashtu ju dua, ngjitur, gju më gju me popullin dhe tani, të pandarë si mishi me thoin. Të bëhet mishi kokër kur i dëgjon dhe lotët rrjedhin vetë nga mallëngjimi, nga ngazëllimi. Të duket sikur ti heqin hallet me një dorë, sikur fitove llotarinë, më në fund e fituam dhe ne davanë, i thamë sikter fukarallëkut, u bëmë njerëz, u bëmë europjanë. Sa shumë na duan…! – premtojnë.
Ata nuk po i zë gjumi, vuajnë të shkretët, po treten, do sëmuren, kam frikë se do bëjnë harakiri po nuk fituan këtë rradhë dhe kjo përse, përse do thoni ju – për popullin dhe vetëm për popullin sigurisht. Nuk kërkojnë asgjë për vehte, të pastër qelibar, shënjtorët politikan ranë hys që tash dy muaj, të na nxjerrin në mejdan. Po fituan zgjedhjet – parat vetë do ngjishen, do shtyhen që të hyjnë në “xhepat tona”. Europi, amerikani, turku dhe arabi, kanë bërë gati paratë, thasët plot, me durim po presin tu çojmë qerren me i marrë. Kaladibrançen din mirë me lujt, hedhin valle si në dasëm t’vet. Bjen daullja dhe curnaja, me gërnet e dajre vijnë. Mbledhin lopë e dhëntë bashkë, ti dëgjojnë si ligjërojnë, po ja që fyellit një vrim i mbeti, këngë e gjatë një melodi. Brohorasim s’dim përse, ik një pale hajde një tjetër, kruan kokën njëriu i shkret. Si t’ja bëj e nga t’ja mbaj, ja ku deti kos u bë, pastaj qameti, kjo bela… ooh se ç’na gjeti – shumë premtojnë.
Votoni, na votoni, se shiu dhe breshëri pa zbrit në tokë para do bëhet – premtojnë.
I prekur thellë nga gjith k’to, fajtor po më duket vetja. Si nuk paskam ditur si duhet të votoj. Mu kujtuan të famshme vargje – “ Pranë lumit i palarë, Pranë sofrës i pangrënë…”, i shkreti sa mirë e paska dijtë këto punë. Ta dini se ne, populli jemi fajtor! Mu mbush mëndja top tani. Paskemi vajtur dëmë, kemi humbur kot plot njëzet vjet. Si s’e kuptuam që në fillim se ku ta hedhim votën. S’na kushtonte kurrfarë gjë. Aty dy kutia ishin, o në njërën o në tjetrën duhej me hedh copën e letrës.
Paskemi gabuar kutinë, ta haj dreqi.
…………………………………….
KOHA ËSHTË E MASKARENJVE!!POR ATDHEU I SHQIPTARËVE!!!
…………………………………
(Ilustrimet janë të pashtriku.org)