BDSH, 10. 05. 2012 – (Me rastin e 9 majit, ditës së ngadhënjimit mbi nazizmin!) – Në prag të Samitit të NATO-s (që do të mbahet më 21 dhe 22 maj të këtij viti në Çikago të SHBA-ve) qarqet antishqiptare në Maqedoni filluan një ofensivë të përgjithshme politike, mediatike, policore, gjyqësore dhe teatrale që përmes mobilizimit të mbi 800 forcave speciale të armatosura deri në dhëmb të “dëshmojnë efikasitetin e tyre në luftë kundër «radikalizmit islam», «terrorizmit» dhe «ekstremizmit politik»”.
Përballë kësaj strategjie të koordinuar antishqiptare strukturat e organizuara shqiptare (qofshin politike apo jopolitike) madje edhe intelektual me peshë në skenën politike kombëtare përpiqen të dëshmojnë se shqiptarët e besimit mysliman nuk janë radikal, se zgjidhjet për problemet e tyre i kërkojnë përmes BE-së, SHBA-ve, NATO-s etj.
Me një fjalë, përballë kësaj ofensive të tërbuar me pasoja të përgjithshme për shqiptarët-shqiptarët janë në defensivë të plotë!
Sot, në ditën kur popujt liridashës kremtojnë përvjetorin e kapitullimit të nazizmit dhe hapjen e perspektivave të reja të respektimit të diversitetit etnik, kulturor, gjinor, fetar …, populli shqiptar në Maqedoni bën bilancin e pasojave të koordinimit të politikës ekstremiste dhe të fundamentalizmit ortodoks maqedonas.
Në këtë bilanc mund të rikujtohen shkurtimisht vetëm disa aspekte :
1. Që nga themelimi i krijesës komuniste «Maqedoni» si Republikë Socialiste në kuadër të Federatës jugosllave dhe e « kombit maqedonas», komunistët maqedonas dhe fundamentalizmi religjioz ortodoks përcaktuan si orientim strategjik që përmes themelimit të “Kishës ortodokse maqedonase” të vihen nën kontroll kishat ortodokse të frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks.
Ky orientim strategjik kishte vetëm një qëllim: asimilimin e shqiptarëve ortodoks në kombin maqedonas, të formuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë. Pas gjashtë dekadave të kësaj strategjie askush nuk mund të japë një përgjigje se sa shqiptarë ortodoks kanë ruajtur identitetin e vet kombëtar në Maqedoni. Shumë pak, për të mos thënë hiq!
_____________________________-
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
DËSHMI PËR SHQIPTRËT ORTODOKS NË ETNKUMIN SHQIPTAR NË MAQEDONI.
……………………………..
……………………………………..
………………………………………..
___________________________________
2. Orientim i dytë strategjik i komunistëve maqedonas dhe fundamentalizmit religjioz ortodoks ishte humbja e të gjitha gjurmëve të katolicizmit shqiptar në Maqedoni. Për realizimin e këtij orientimi strategjik u aplikua sistematikisht dëbimi, shpronësimi dhe asimilimi i shqiptarëve katolikë si dhe vendosja e kontrollit shtetëror mbi kishën katolike. Koordinimi i politikës ekstreme me fundamentalizmin religjioz e lanë Kishën Katolike Shqiptare në Maqedoni pa meshë në gjuhën shqipe dhe emëruan, për herë të parë një maqedonas (Kiro Stojanov) në krye të saj. Me këtë edhe është bërë shndërrimi i kishës katolike shqiptare e ritit romak në kishë katolike të ritit bizantin të lindjes dhe Dioqeza e Shkupit, historikisht e njohur si Krye-dioqeza e Dardanisë, është vendosur nën Krye-Dioqezën e Vërhbosne-s me seli në Sarajevë. Po rikujtojmë se Andrea Bogdani (gjyshi i Pjetër Bogdanit figurës së shquar të historisë shqiptare) ishte kryepeshkopi i parë, ndërsa Mark Sopi i fundit i Dioqezës së Shkupit, deri në ndarjen e saj nga ajo e Prizrenit në vitin 2000. Me projektin e ndërtimit të Kishës ortodokse maqedonase mbi themelet e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut (Nënës Terezë, simbolit të katolicizmit shqiptar) dëshirohet t’i jepet fund këtij objektivi strategjik.
3. Të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman, orientim i tretë strategjik i komunistët maqedonas dhe fundamentalizmit religjioz ortodoks ishte ndryshimi i strukturës demografike të popullsisë në Maqedoni. Si pasojë e aplikimit të vrasjeve, torturave, shpronësimeve, uzurpimit të shumicës së pronave të Bashkësisë Fetare Islame, rrënimit të xhamive dhe objekte tjera të kultit fetar si dhe formave tjera të diskriminimit u detyruan të shpërngulen me qindra-mijëra shqiptarë për në Turqi dhe vendet tjera të botës. Manastiri, si kryeqendër administrative e njërit nga katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Otomane, pothuajse u “spastrua nga shqiptarët”.
«Lufta Globale kundër fundamentalizmit islamik» ka trimëruar pasardhësit e ekstremizmit politik maqedonas dhe fundamentalizmit religjioz ortodoks të përcaktojnë si orientim të veçantë strategjik “pyllëzimin” e territoreve që ende kanë mbetur me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase! Ndërtimi i Kishës në Kalanë e Shkupit, për të humbur gjurmët iliro-shqiptare të kësaj kalaje, projekti që në lokacionin e Xhamisë së rrënuar Burmali të ndërtohet Hoteli që do të ruaj fasadën e Shtëpisë së Oficerëve Serbë, si simbol i terrorizmit serb në territoret shqiptare dhe Kisha në Qendrën e skijimit «Kodra e Diellit» në Malet e Sharrit, atje ku nuk ka asnjë banorë të ortodoksisë maqedonase janë vetëm disa nga provokimet e fundit të ekstremizmit politik dhe fundamentalizmit ortodoks maqedonas.
Koordinimi i pushtetit politik me atë religjioz nuk është i panjohur në këtë pjesë të Ballkanit. Fundin e përgjakshëm të shekullit XX e karakterizoi koordinimi i pushtetit politik të Millosheviqit me fundamentalizmin e Kishës ortodokse serbe.
Rikujtojmë ata që kanë harruar se me bekimin e Kishës ortodokse serbe u bë luftë kundër katolikëve slloven; kundër katolikëve kroat; kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kundër shqiptarëve mysliman e katolik në Kosovë.
Koordinimi i politikës ekstreme dhe fundamentalizmit të Kishës ortodokse serbe sollën dëme të mëdha në njerëz dhe shkatërrime materiale. Arrestimet arbitrare të komanduara nga qarqet politike dhe proceset e montuara gjyqësore kundër shqiptarëve në Maqedoni nuk janë fshehtësi për askënd. Siç nuk janë fshehtësi as motivet e urrejtjes etnike dhe fetare që i shoqërojnë këto dënime.
Koordinimi i politikës ekstreme antishqiptare dhe i fundamentalizmit ortodoks maqedonas ka marrë përmasa shqetësuese.
Në maj të vitit 2010 u vendosën gurëthemelet e Gjykatës Themelore në Shkup. Në mënyrë ceremoniale bekimin e këtij institucioni të drejtësisë e bëri Kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë në prezencë të diktatorëve të VMRO’së. Ky ishte një alarm për demokracinë e këtij vendi dhe stabilitetin e kësaj pjese të Ballkanit .
Arrestimet e fundit të shqiptarëve dhe etiketat stigmatizuese ishin paralajmëruar që moti!
Të gjithë e shohim se ky koordinim i dy ekstremeve po përsërit historinë në variantin e tij tragjik. Kambanat e rrezikut i dëgjojmë të gjithë!
Bashkimi Demokratik Shqiptar apelon që në këtë ditë të festimit të fitores ndaj nazizmit demokratët e mirëfilltë të ngrenë zërin e protestës kundër ekstremizmit politik antishqiptar që ka marrë formën e nazizmit dhe kundër fundamentalizmit ortodoks maqedonas që bekon terrorin shtetëror në Maqedoni!
Në të kundërtën, indiferenca do të inkurajonte koordinatorët e dy ekstremeve (ekstremit politik dhe fundamentalizmit ortodoks maqedonas) që të vazhdojnë politikën e diskriminimit racial kundër shqiptarëve në Maqedoni.
Bashkimi Demokratik Shqiptar shpreh brengosjen e thellë për paaftësinë e forcave politike shqiptare që nuk po gjejnë një konsensus minimal përballë këtij agresioni antishqiptar në Maqedoni.
Shprehja popullore shqiptare se «çdo gjë këputet prej së holli, vetëm zullumi prej së trashi» merr kuptimin e plotë në këtë kontekst.
Që t’i jepet fund këtij zullumi antishqiptar në Maqedoni bashkërenditja e veprimtarisë politike dhe kombëtare në përgjithësi është e domosdoshme.
Bashkimi Demokratik Shqiptar – Bardhyl Mahmuti kryetar
Më 9 maj 2012