PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: PËRGJIGJE KOMENTIT TË SHOKUT TIM CAUSH XHUFI! TË SHTETËZOHET NAFTA DHE GAZI NË SHQIPËRI!

Toronto (Kanada), 28 janar 2019: Të shtetëzohet nafta dhe gazi në Shqipëri, sepse ato janë pasuritë kryesore për ngritjen e ekonomisë shqiptare të shkatërruar. Kushtet e marrëveshjeve konçesionare janë bërë plotësisht në dëm të popullit shqiptar, prandaj nafta dhe minierat po grabiten. Qeveria shqiptare nuk do të prish marrëveshjet konçesionare, sepse është pjestare në grabitje. Pas vitit 1990, qeveritë antishqiptare e kanë shpronësuar plotësisht shtetin shqiptar, prandaj shteti është krejtësisht i pafuqishëm. Ky është rezultat i privatizimit ekstrem. Prandaj, stop privatizimit të gjithçkaje!
***
Në Portën e Hapur (në facebook) postova shkrimin me titull: “Bashkimi Europian, Tregu i Përbashkët i Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria”. Aty kërkoj, ndërmjet të tjerave, që të shtetëzohet nafta dhe gazi në Shqipëri, sepse ato janë pasuritë kryesore për ngritjen e ekonomisë shqiptare të shkatërruar. Shoku im dashamir, Ing. seismik Caush Xhufi, ish punonjës në Institutin e Naftës në Fier, ka bërë një koment. Ai e mbështet si ide, por në praktikë e sheh të pamundur, bilé shkruan se “ka ikur shpresa se mund të bëhen të tilla gjëra kapitale për vendin dhe popullin!” Unë jam kundër këtij mendimi pesimist. Për këtë do të shkruajë më poshtë.
Gjatë viteve të fundit kam lexuar se si veprojnë në botë, lidhur me konçesionet e naftës, shtetëzimet etj. Kam shkruar dhe botuar në gazeta të ndryshme artikuj për këto probleme. Artikujt i kam postuar edhe tek Armata e Naftëtarve në facebook, sikurse edhe tek Vangjel Kici/facebook. Konkluzioni im është se qeveritë shqiptare, pas vitit 1990, kanë vepruar shumë keq me naftën dhe minierat. Kushtet (termat) e marrëveshjeve konçesionare janë bërë plotësisht në dëm të popullit shqiptar. Nafta dhe gazi i vendburimeve tona ekzistuese grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar. Qeveritë tona, pas vitit 1990, nuk duan të ri-shtetëzohet nafta dhe gazi, sepse janë pjesëmarrëse në grabitje. Ato e kundërshtojnë ri-shtetëzimin me gogolin e gjobave të mëdha nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (në rast se prishen njëanshëm marrëveshjet hidrokarbure nga shteti shqiptar). Kolegu im Caush ka shtuar edhe një gogol tjetër. Ky gogol përfaqëson qeveritë tona të majta dhe të djathta, të cilat nuk e lejojnë ri-shtetëzimin.

Vangjel Kici 

Si vepron bota? Shtetet e ndryshme i botojnë në internet të gjitha marrëveshjet konçesionare dhe kushtet e tyre. Pra, populli i ka të qarta sa fiton dhe sa humbet. Ai bënë vrejtjet dhe kundërshtimet e nevojshme për kontratat, kurse qeveria shqiptare i mban sekrete kontratat, në errësirë të plotë, sepse në errësirë bëhen grabitjet!.
Disa shtete kanë krijuar Komisione Teknike Shtetërore për Rishikimin dhe Korrigjimin e kushteve të dëmshme të kontratave. Ato kërkojnë bisedime me kompanitë përkatëse për korrigjimin e kushteve (termave) të dëmshme. Në rast se kompania nuk e pranon korrigjimin, ato e hedhin në gjyq tek Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit. Shembull për këtë është Guinea në Afrikë.
Pse nuk e bënë qeveria shqiptare këtë veprim?
Pra, jo t’a prishë kontratën dhe të gjobitet, por të kërkojë korrigjimin e termave. Gjykata për këtë nuk të dënon. Ajo patjetër duhet të dënojë grabitësin. Qeveria nuk e bënë këtë veprim, sepse nuk do që të prishet kontrata, sepse i humbet copa e madhe, që po grabit së bashku me të huajt.
Para se shteti shqiptar të shpallë prishjen e njëanshme të kontratës (p.sh. me Bankers), duhen bërë llogaritë:
Sa tonë naftë janë rezervat e mbetura dhe sa është vlera e tyre?
Sa pritet të jetë gjoba, dhe a ia vlen të prishet kontrata…?
Një gjë është e sigurt: Grabitja e naftës nga kompania Bankers është kaq e madhe, sa që nuk ka gjykatë në botë që ta mbrojë atë dhe të dënojë Shqipërinë. Kaq për gjobat.
Përsa i përket gogolit tjetër, d.m.th. qeverive tona të korruptuara, të djathta dhe të majta, ka një zgjidhje: Populli le t’i fshijë nga faqja e dheut këto qeveri hajdutësh. Populli le të zgjedhë qeveri të ndershme, që mendon dhe punon për popullin. Pra, ri-shtetëzimi i naftës shqiptare nuk është aspak i pamundur, sikurse shprehet me pesimizëm kolegu im Caushi.
Problemi tjetër: Unë kërkoj ri-shtetëzim jo vetëm për vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit, por për të gjithë naftën dhe gazin e të gjithë Shqipërisë. Po e theksoj: Vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit në Shqipëri, megjithëse janë shumë të rëndësishme, unë i konsideroj si “xhepa të vegjël”, në krahasim me naftën e madhe dhe gazin, që pres të zbulohen në gëlqerorët poshtë Brezit Ofiolitik të Mirditës (që përfshin 1/3 e sipërfaqes së Shqipërisë!!!), në zonën e Peshkopisë dhe në Alpet Shqiptare.
Problemi tjetër: Unë kërkoj….dhe në Alpet Shqiptare. Edhe profesori i Universitetit të Nishit, Velimir Nedeljkoviq, bazuar në të dhënat e Serbisë dhe ato amerikane etj., ka shkruar për këtë naftë të madhe dhe gaz në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë (autori i artikullit Ali Kelmendi: “Resurset minerare nëntokësore të Kosovës ndër më të mëdhatë në Europë dhe gjetiu”, gazeta Bota Sot, 15 janar 2019).
Pse e bëj këtë kërkesë?
Sepse qeveria e mëparshme “Rama-Meta” ka marrë dy vendime armiqësore, antishqiptare. Këto vendime janë:
1- Të privatizohet kompania shtetërore e naftës Albpetrol;
2- E gjithë Shqipëria (toka dhe deti) të nxirret në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi.
Këto dy vendime armiqësore, antishqiptare, janë në fuqi edhe në qeverinë e tanishme të Edi Ramës.
Vendimi i parë synon shitjen dhe grabitjen e vendburimeve të naftës të Albpetrolit, nga qeveritarët tanë, në bashkëpunim me të huajt.
Vendimi i dytë ua heq naftën dhe gazin shqiptarve dhe ua jep të huajve.
Pra, Fakulteti Gjeologji-Miniera në Tiranë, sipas qeverisë antishqiptare, duhet mbyllur, sepse me naftën dhe minierat do të merren të huajt! Prandaj, në ndërtesën e Fakultetit Gjeologji-Miniera qeveria ka vendosur dhe po transferon gradualisht Gjykatën e Lartë.
Nuk dua të zgjatem, por po theksoj një gjë: Të gjitha qeveritë antishqiptare, pas vitit 1990, e kanë shpronësuar plotësisht shtetin shqiptar. Të gjitha pasuritë shtetërore (mbitokësore dhe nëntokësore) janë privatizuar. Shteti nuk ka asnjë pasuri dhe asnjë të ardhur. Ky privatizim ekstrem e ka katandisur shtetin shqiptar në një kufomë. Ky ka qenë edhe qellimi kryesor i shpronësimit të plotë të shtetit shqiptar, nga qeveritë tona tradhëtare. Qellimi tjetër ka qenë pasurimi i pushtetarve tanë, nëpërmjet privatizimeve me korrupsion. Pra, qeveritë shqiptare kanë luftuar dhe po luftojnë kundër shtetit shqiptar. Kjo është një luftë e brendshme, e organizuar dhe e drejtuar nga armiqtë tanë të jashtëm. Shteti shqiptar tani nuk ka fare fuqi. Prandaj, tani na kërcënojnë edhe shtetet e vegjël fqinjë. Ne kërkojmë nga ky shtet i vdekur të investojë në shëndetësi, arsim, kulturë, shkencë, bujqësi, mbrojtje…., por ky shtet nuk ka asnjë mundësi financiare, sepse nuk ka asnjë të ardhur. Shteti mbahet vetëm me borxhe nga bankat e huaja, ku ne jemi zhytur thellë, deri në majë të kokës. Shteti ynë, po të preket pak, shëmbet.
Kujt i shërben kjo dobësi totale e shtetit shqiptar?
Kjo u shërben vetëm armiqve tanë të jashtëm. Këtë shërbim atyre ua kanë bërë vet qeveritë tona antishqiptare.
Shtetet e ndryshme europiane, dhe ato botërore, i kanë të dyja format e pronës: Edhe pronën shtetërore, edhe pronën private. Qeveritë e shteteve të ndryshme të botës merren kryesisht me problemet ekonomike të shteteve të tyre, kurse qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare merren vetëm me tendera dhe privatizime korruptive, domethënë me grabitje. Çfarë prisni nga ministri hajdut Damian (Djalljam) Gjiknuri? Edhe i shkarkuar, darkën e Vitit të Ri 2019 përgatiti dokumentat për privatizimin korruptiv të TEC-it të Vlorës, i ndërtuar me paratë e popullit… Kështu janë të gjithë qeveritarët tanë. Duhet ndryshim rrënjësor. Kush do ta bëjë këtë ndryshim? Shpresat tona janë tek protestat e studentve, të mbështetura nga populli, i zgjuar pas një gjumi të gjatë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura