RESHAT AVDIU: SHEMBËLLTYRA ATDHETARE E XHEVAT AJVAZIT

Preshevë, 11. 05. 2012 – (Ne idealistë, e nisëm revolucionin, Ju trimat e UÇK, e bëtë luftën çlirimtare, Të pandërgjegjshmit sot po shkelin mbi revolucionin dhe luftën çlirimtare! – Autori.) Xhevat Ajvazi u lind më 7 prill të vitit 1947, në lagjen Bresiq të Konçulit, komuna e Bujanocit nga prindërit Sadik dhe Ramize Ajvazi, ku një pjesë të fëmijërisë së tij të hershme do ta kalonte në fshatin e tij të lindjes. Të parët e tij ishin vendosur në Bresiq pas dëbimit me dhunë nga fshati Osrogllavë i Qarkut të Jabllanicës të Leskocit gjatë viteve 1878-1880, kur serbët të ndihmuar nga rusët dhe bullgarët do t’i pushtonin trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të rretheve: të Nishit, Leskocit, Kurshumlisë, Prokuples, Toplicës, Pllanës së Madhe, Krushevcit, Smederevës, Tërnit, Vidinit, Pirotit, Zajçarit, Negotinit, Polanicës, Klisuricës, Surdulicës, Masuricës dhe Kazasë së Vrajës. Duke djegur, vrarë e masakruar dhjetëra e mijëra shqiptarë të pafajshëm. Si rezultat i kësaj dhune dhe për t’i shpëtuar kësaj katrahure sllave, popullsia shqiptare ishte shtrënguar që t’i lëshonte trojet e veta shekullore dhe tërë pasurinë e tundshme dhe atë të patundshme, duke kërkuar strehim në vendet më të sigurta. Të njëjtin fat të hidhur dhe tragjikë e pati edhe babagjyshi i Xhevatit, Ajvazi i cili gjatë kohës së pushtetit turk ishte Oficer i lartë në hierarkinë ushtarake turke, dhe se pas tërheqjes definitive të turqve nga Ballkani u detyrua që një kohë të gjatë ta kalonte në ilegalitet, ku pastaj do të arratisej për në Turqi me mendim, që pastaj t’i tërhiqte edhe fëmijët e tij atje. Por këtë qëllim nuk arriti që ta realizonte dhe me plagë në zemër për atdheun dhe fëmijët tij jetoi edhe 9-të vite atje. Ajvazi vdes në Turqi duke i lënë dy djemtë e tij: Sadikun dhe Ademin, i pari ishte babai i Xhevatit.
     Sadiku me të shoqen e tij Ramizen kishin shumë fëmijë; djem e vajza gjithsejtë dymbëdhjetë, por nga varfëria dhe kushtet e vështira të ekzistencës nuk u jetuan të gjithë fëmijët. Djemtë e tyre ishin: Nazimi, Idrizi dhe Xhevati, ndërsa vajzat ishin: Sherifja, Haxherja dhe Bahtija.

ATDHETARI XHEVAT AJVAZI

________________________

     Vlen të theksohet se babai i Xhevatit, Sadiku ishte shquar për trimëri dhe zgjuarsi në betejat për çlirimin e Bujanocit në luftën e dytë botërore. Ai e kishte ngritur flamurin kombëtar duke e hequr atë të pushtuesve. Por kjo fitore në beteja nuk do të zgjasë shumë ngase udhëheqësja e atëhershme shqiptare do të tradhtohej nga shovinistët sllavë në emër të vëllazërim bashkimit të rrejshëm. Këtu përveçse udhëheqësisë shqiptare vendore që do të tradhtohej, shumë keq do të tradhtohej edhe udhëheqësia e Shqipërisë së Re e Enver Hoxhës, ku brigadat e tija antifashiste të L. N. Ç gjatë vitit 1945. do ta kalonin kufirin shqiptaro-shqiptarë, për t’i ardhur në ndihmë internacionaliste, popujve të okupuar jugosllavë, që edhe këta të çliroheshin nga fantazma kolonialiste dhe ati-semitiste e Adolff Hitlerit, që deri atëherë e kishte pllakosur botën nën sundimin e tij nazi-fashist. Ama edhe çobanët e Kosovës, thoshte Enver Hoxha e dinin se ne do të tradhtoheshim me siguri nga udhëheqësja e atëhershme titisto-rankoviqiane, dhe se Kosova nuk do t’i kthehej Shqipërisë ashtu siç ishim marrë vesh në mbledhjen e Bujanit të Malësisë së Gjakovës gjatë vitit 1943. Ndërsa brigadat e atëhershme serbo-maqedonase, do t’i merrnin peng për t’i pushkatuar shumë patriot shqiptar në mesin e të cilëve ishte edhe Sadiku babai i Xhevatit i cili do t’i shpëtoj ekzekutimit, partizano-çetnik të Bllazha Joviqit dhe Zhivoin Nikolliq-Bërkës nga Mateçi.
     Në vitet 1956-1958, i ati i Xhevatit shpërngulet dhe vendoset në Vaksincë komuna e Kumanovës, prej nga mendonte të largohej përgjithmonë për Turqi, të cilën rrugë e kishte marrë më parë babai i tij Ajvazi dhe shumë shqiptar tjerë për t’i shpëtuar dhunës dhe terrorit sllavo-komunist që ishte edhe më i rënd se i vet krajlit të Serbisë së Versajës. Pas vendosjes në Vaksincë dhe rrethanave të krijuara atëbotë ai mori qëndrim të mos shpërngulej për Turqi, vendim ky që u përshëndet nga i tërë farefisi i tij.
     Kështu edhe Xhevati do të ketë mundësi t’i vazhdoj katër vitet e shkollës fillore në Vaksincë, ndërsa tetëvjeçaren do ta mbaroj në shkollën “Rilindja” që gjendej buzë malit mes Vaksincës dhe Llojanit. Gjatë asaj kohe mësues i tij ishte Shenasi Hallaçi, (vëllai i heroit shqiptar Selami Hallaçit, patriot dhe veprimtar i shquar nga Presheva të cilin Xhevati shumë e deshi dhe do ta kujtoj deri në fund të jetës së tij).
     Pas mbarimit të shkollës fillore Xhevati kishte dëshirë të flaktë të regjistrohej në shkollën e mesme që nuk ishte edhe gjë e lehtë në atë kohë të shtypjes dhe varfërisë. Përpos tjerash babai i Xhevatit, Sadiku ishte para dilemave ngase ishte i vetëdijshëm se popullatës shqiptare i nevojiteshin kuadro të shkolluara, kurse nga ana tjetër e dinte se shkollimi i Xhevatit do të jetë halë në sy tek pushtuesit kolonialist jugosllav. Ai shpesh herë thoshte “do ta çoj Xhevatin në shkollë por druaj se do të ma mbysin” thënie kjo që më vonë për fat të keq bëhet edhe realitet.
     Për vazhdimin e shkollimit të tij një kontribut të madh e kishte dhënë mësuesi i tij Shenasi Hallaçi dhe vëllezërit e Xhevatit Nazimi dhe Idrizi të cilët e bindën Xha Sadikun dhe kështu Xhevati do t’i vazhdonte mësimet në gjimnazin e Preshevës në vitin 1963. ku do të shquhej ndër nxënësit më të mirë të shkollës. Në gjimnazin e Preshevës ai njohu shumë shokë si: Avni Deharin, Bajram Aliun, Nehat Selimin etj. disa prej të cilëve do t’i ketë edhe shokë të idealit dhe veprimtarisë kombëtare deri në fund të jetës së tij. Si mësues do t’i kishte Adem Ahmetin dhe Mustafë Selimin.
     Në gjimnazin e Preshevës Xhevati do ta njohë Naziktere Veselin, më të cilën më vonë do të martoheshin dhe nga e cila martesë do t’i kenë katër fëmijë Festimin, Artën, Beratin dhe Vlorën. Gjatë kohës sa do të ishte nxënës në gjimnazin e Preshevës ai do të brumosej me ide kombëtare duke e lexuar dhe studiuar me përkushtim historinë e popullit shqiptar. Ishte koha e lëvizjeve popullore kundër pozitës së vështirë të shqiptarëve, populli kishte filluar të shprehte pakënaqësi dhe ishte në revolt shpërthyese nga padrejtësitë që i bëheshin.
     Xhevati me shokët e tij e ndienin për detyrë kombëtare t’i përkujtonin dhe vazhdonin luftërat e lirisë të Abdulla Krashnicës-Preshevës, Shaip Mustafës, Ibrahim Kelmemdit, Ali Aliut-Kelmendit i cili për shkak të veprimtarisë patriotike për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare ishte burgosur nga pushtuesit sllavo-karpatjan. I përkujtonin gjithashtu simbolet e rezistencës kombëtare siç ishin: Adem Demaçi, Fazli Greiçevci, Metush Krasniqi etj. Xhevati në këtë drejtim dallohej nga të tjerët, ai fliste me besim të madh për ardhmërinë e sidomos për të kaluarën e hidhur të popullatës shqiptare edhe i ati i tij, Xha Sadiku, në shtëpi dhe nëpër ndeja të ndryshme, temë bisede gjithmonë e kishte përpjekjen dhe luftën për lirinë dhe ribashkimin e trojeve shqiptare. Këtyre përpjekje atdhetare e të rinjve, nga Dardania Lindore OZNA-famëkeqe do t’u binte në gjurmë atëbotë, ku do t’i burgoste shumë veprimtar të kësaj lëvizje atdhetare shqiptare siç ishin: Enver Selimi, Mustafë Mehmeti, Nehat Selimi, Liman Jashari, Ismail Selimi, Ilmi Avdiu etj. të cilët vepronin në grupin e të rinjve nga Kumanova dhe Presheva. Por nuk do të zbuloheshin të gjithë shokët e veprimtarisë ilegale në të cilin grup revolucionar ishte edhe Xhevati Ajvazi, ku do ta vazhdonin përsëri aktivitetin e tyre ilegal me përkushtim dhe konspiracion edhe më të lartë.
     Deri sa ishte nxënës i gjimnazit të Preshevës, do të shpërngulej përsëri nga Vaks-inca dhe do të vendosej në Bilaç, komuna e Bujanocit, Xha Sadiku përsëri do të vendosej në komunën e vendlindjes së tij. Xhevat Ajvazi gjatë vitit 1966, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, në degën biologji kimi të cilën e kreu me sukses.
     Ai asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet ilegale me shokët e tij të shkollës së mesme,shumica nga ta i kishin regjistruar studimet e tyre në Prishtinë ku kishte dëshirë të ishte edhe ai vet. Ngjarjet e vitit 1968, Xhevatit i kishin lënë përshtypje të pashlyeshme, pas kryerjes së Shkollës së Lartë Pedagogjike, punësohet në Gjilan në shkollën “Musa Zajmi.”Gjatë asaj kohe si mësues bie në kontakt me shumë shokë të “Organizatës Ilegale” si: Basri Musmuratin, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Hydajet Hysenin,Kadri Zekën,Ahmet Isufin, Nazmi Hoxhën, Bejtulla Tahirin, Naim Salihun, Shaip Ismailin etj. Në veprimtarin ilegale Xhevati dallohet për aftësi organizative, guxim dhe sakrifica të pa shoq. Gjatë asaj kohe ai me shokë do të kryej shumë veprimtari ilegale prej të cilave veçohet shpërndarja e trakteve me përmbajtje kombëtare dhe organizative në Preshevë, Bujanoc dhe më gjerë, UDB-ja kishte filluar ta gjurmonte,disa herë e marrin në pyetje, por nuk mundën asnjëherë të nxjerrin gjë prej tij. Udëbashët dhe kolaboracionistët e llojeve të ndryshme nuk e kishin të lehtë ta zinin Xhevat Ajvazin në vepër meqë ai kishte aftësi dhe shkathtësi te veçanta, disa herë do ta dërgonin në polici, me qëllim mos ia gjenin ndonjë trakt apo material tjetër ilegal, të cilin do ta përdornin si dëshmi për ta arrestuar. I vetëdijshëm se përcillej çdo hap, Xhevati përdorte strategji dhe taktikë të lartë të veprimit ilegal, ai shpërndante trakte dhe material tjetër organizativ brenda natës, ndërsa të nesërmen që në mëngjes edhe pse ishte mjaftë larg dhe i lodhur e fillonte punën pa asnjë vonesë.
   Xhevat Ajvazi punonte me përkushtim me nxënësit e tij, duke ua mbledhë atyre ndjenjat e atdhedashurisë dhe bënte brumosjen e tyre me ide çlirimtare, kishte miqësi të ngushtë me nxënësit, prandaj edhe ata e donin dhe e respektonin shumë, kjo miqësi me nxënësit u vërtetua me rastin e burgosjes së tij, kur ata në shenjë proteste nuk pranuan një javë rrjedhtë të hynin në klasë pa mësuesin e tyre të dashur atdhetarin dhe veprimtarin e ilegales kosovare, Xhevat Ajvazin, nga trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, të Osrogllavës të Toplicës, Sanxhakut të Nishit dhe Qarkut të Vranjës. Shumë e shumë vite më parë Faik Konjica do të thoshte për trojet tona të okupuara nga ushtria dhe xhandarmeria e Millan Obrenoviqit se:”Serbët janë kombi më i dobët dhe më i pafuqishmi, s’kanë gjë tjetër për t’i luftuar shqiptarët përveçse fjalët dhe gënjeshtrat. Guxojnë t’i thonë Shqipërisë Veri-Lindore “Serbi e Vjetër” (Stara Serbi), atij vendi ku ndodhen: Peja, Prizreni, Gjakova zemra e Shqipërisë! Po sikur të kishim mend, do të mundnim me të drejtë ne t’i thoshim Serbisë së Poshtme ku ndodhen Vraja, Leskoci, Nishi etj. Shqipëri e Vjetër.
     Xhevatin e arrestojnë më 25 dhjetor më 1981, pas arrestimit të shokëve të veprimtarisë organizative ilegale si: Basri Musmurati, Nazmi Hoxhën, Bejtullah Tahirin, Nazmi Salihun, Reshat Avdiun etj.
     Gjatë kohës së hetimeve Xhevati përjetoi tortura shtazarake, nga UDB-shet sodomistë sllavo karpatjan dhe kolaboracionistët shqipfolësish siç ishin: Daut Morina, Selim Brosha etj. Por ai mbajti si gjithmonë qëndrim burrëror, ne shokët e tij të veprimtarisë ilegale dhe shokët e burgut, do të flasim me respekt për pathyeshmërinë, trimërinë dhe qëndresën e tij shembullore.
     Më 8 korrik të vitit 1982 Xhevati do të dënohej me gjashtë vite burg, duke filluar me torturat ndaj tij në sekretariatin e punëve të brendshme të Gjilanit i cili sekretariat i punëve të mbrëmshme e kishte arrestuar qyshe më parë, por me kërkimin e instancave më të larta të UDB-së do ta transferonin Xhevatin tonë nga burgu i Gjilanit në burgun e Vrajës me të vetmin qëllim për t’ia zbuluar edhe shokët tjerë të veprimtarisë ilegale. Ama shokët tanë të ilegales ishin të gatuar dhe përgatitur nga ai brumë luftarak,“se nga lufta dhe sakrifica vetëm ata largohen, që kanë lindur tradhtar dhe e kanë ndihmuar okupimin dhe gllabërimin e trojeve tona shqiptare.
     Armiqtë nuk ia arritën qëllimit të tyre ngase Xhevat Ajvazi ishte betuar dhe qëndroi burrërisht para atyre torturave më barbare dhe nuk e tregoi asnjë shok para armiqve, duke e ruajtur vazhdimin e veprimtarisë patriotike në këto troje. Pas kësaj kohe Xhevat Ajvazi nga Vraja do të kthehej përsëri në burgun e Gjilanit dhe nga Gjilani do të transferohej në burgun e Zrenjaninit, dhe së fundi do të transferohej në burgun e Novi Sadit.
     Nga torturat e shumta që ishin aplikuar ndaj tij ia kishin dëmtuar bukur rëndë shëndetin, siç e kishin konstatuar mjekët atëbotë, atij ia kishin dëmtuar dy unazat e boshtit kurrizor, të cilat i kishin sjellë për gjatë kohës sa jetoi dhembje të padurueshme. Njëkohësisht nga këto tortura iu kishte shkaktuar edhe sëmundja në pjesën e djathtë të mëlçisë, të cilat qenë vdekjeprurëse për Xhevatin tonë. Në vitin 1991, shtrohet në Spitalin e Zagrebit përmes shokut tonë Basri Musmuratit për t’u shëruar, por sëmundja ishte e rëndë, u detyrua t’i nënshtrohej operacionit por sëmundja do t’i përsëritej edhe pas kësaj ndërhyrje kirurgjike. Ndërsa Bajram Rexhepi nga Bushtrani i Preshevës, që ka emigruar në Australinë e largët, që sot e ka marr malli për gurët dhe drutë e Bushtranit, ky luftëtar i tria luftërave të fundit mbarëshqiptare atëbotë ishte student në Fakultetin e Zagrebit, do t’i qëndronte afër në spital duke i ndihmuar në çdo pikëpamje Xhevatit. Bajrami shpesh na tregonte se Xhevati kishte dhembje të hatashme, porse nuk jepej dot. Edhe pse dihej se nuk kishte shpëtim, një gjë të tillë e dinte edhe Xhevati, ai për asnjë moment nuk u ligështua, por kërkoi të kthehet në shtëpi për t’u çmallur edhe ajo pakë kohë jete që i kishte mbetur të ç’madhej në rend të parë me familjen e tij të ngushtë, me farefisin dhe shokët e tij të ilegales kosovare që ishte motoja e Xhevatit dhe e bashkëpunëtorëve të tij e së bërit Shqipërinë-Shqipëri. E që dallëndyshja e shkollarëve të mesëm të Bujanocit që e kishin shkruar dhe vizatuar nëpër muret e shumë paraleleve më 1982, në përkrahje dhe qëndresë për Xhevat Ajvazin, ishte edhe për Pranverën e 81-shes të fluturonte ajo ç’lirshëm nëpër territoret e Shqipërisë së Re të Enver Hoxhës. “Fluturo dallëndyshe, fluturo kah Shqipëria”!
     Kush e vizitonte Xhevatin në ditët e fundit të jetës së tij, mahnitej për qëndrimin e tij burrëror. Shoku ynë i ilegales kosovare Berat Luzha do ta quante “Gjergj Elez Alia i ditëve tona.”Xhevat Ajvazi për më tepër ishte Promotheu ynë shqiptar i Antikës së lashtë ai Prometheu do të ndëshkohej dhe ekzekutohej nga klasa e lartë e patricëve, i cili do të lidhej me vargonj pas gurve dhe shkrepave, që të vdiste nga uria dhe etja, sepse ky Prometheu e paska gjetur guximin që zjarrin t’ua ndante dhe dhuronte plebenjve-njerëzve të varfër, që edhe ata si njerëz të varfër e të shtypur që ishin ta ngrohnin shpirtin dhe zemrën e tyre të mjerë. Ndërsa Xhevat Ajvazin UDB-shet dhe kolaboracionistët shqipfolës, do ta mbanin lidhur me vargojë ditë dhe natë pas grilave nëpër vetmit e burgut të Vrajës, tentohej të thyhej dhe nënshtrohej Prometheu ynë shqiptarë, se nuk i jepte dot shokët e tij të ilegales kosovare shpirtin dhe shpresën e shqiptarizmës e të ribashkimit të trojeve tona etnike të Shqipërisë së Vjetër,që ishte dhe mbeti betimi ynë i përhershëm“Tej Kosove me Toplicë e Çamëri Shqipëria është Një.”
     Për forcën e tij morale flasin sot shokët e tij si: Basri Musmurati, Mehmet Hajrizi Sami Kurteshi, Ahmet Qiriqi, Berat Luzha, Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni etj.
     Para se të vdiste Xhevati, i thërret bijtë e tij; Festimin dhe Beratin dhe dy vajzat e tija Vlorën dhe Artën, për t’ua lënë porosinë e fundit: “Mos më varrosni menjëherë! Kam shumë shokë. I lajmëroni të gjithë. Shokët e mi pritni mirë! Qëndroni të fortë.”
     Xhavati, vdiq më 26 maj 1991, në ora 12-të. Varrimi i tij u bë të nesërmen, më 27 maj. Në varrimin e tij morën pjesë mbi 40 mijë bashkatdhetar nga të gjitha viset shqiptare. Shoku i tij Basri Musmurati e lexon referatin mbi shëmbëlltyrën e jetës dhe veprimtarisë së tij. Fjalën e thanë edhe shumë shokë tjerë si të burgut njashtu edhe shok nga shkolla ku kishte punuar Xhevati si: Mehmet Hajrizi, Bajram Kurti, Hysen Kçiku, Xhemaludin Rexhepi, Nehat Selimi, Berat Luzha, Reshat Avdiu etj.
     Dhembja për humbjen e Xhevatit ishte e madhe për familjen, farefisin shokët dhe popullin, djali i Xhevatit, Festimi do t’i falënderonte të pranishmit në emër të familjes, rreshtat e njerëzve që kishin ardhur për t’i shprehur ngushëllimet e përzemërta familjes së Xhevatit nuk kishin fund. Të linte përshtypje se kishte ardhur i tërë populli shqiptar, ishte kjo forcë e madhe për familjen dhe të afërmit e tij, edhe pse dhembjen vullkan e kishin, qëndronin duke i menduar fjalët e popullit, se trimat nuk qahen e vajtohen por përkujtohen me këngë; veprat dhe shëmbëlltyrat e tyre brez pas brezi.
     Të afërmit, shokët dhe populli i kësaj ane në Dardaninë Lindore e më gjerë, do ta ruajnë të shtrenjtë kujtimin për Xhevat Ajvazin, i cili tërë jetën e tij e vuri në shërbim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.
     Lavdi jetës dhe veprës së ndritur të Xhevat Ajvazit!
   – Autori është ish i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve me seli në Preshevë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura