Pashtriku.org, 19. 07. 2013 – PARASHTESAT – Parashtesën arbërishte KË- e hasim te fjalët sllave: GRABITI, që vjen nga *KËRRABË dhe ku K-ja është zëshmuar; KATUN, që vjen, edhe në shqip, edhe në sllavisht, nga *KË-TENDË; KIŠA (kisha), që vjen nga *KË-SHI; KJLUN, që vjen nga *KËLHUNDË; KOREN, që vjen nga *KË-RRÂNJË; KOŠUTA (koshuta), që vjen nga *KË-SUTË.
Parashtesën arbërishte MË- e hasim te fjalët sllavishte: MAGARAC, nga *MË-GAR me prapashtesën sllave –AC; MAGLA (maglla), nga *MË-AG-ËLË; MLEÇANIN, që vjen nga *LËTI,-N, një formë arbërore e emrit LATIN; MRAK, që vjen nga *MË-ERRË-KË; BREG, që vjen nga *MBË-REG, me grupin MB të asimiluar në B (Vetë rrënja REG do krahasuar me latinishten REGIO, regjion.); BUJATI, që vjen nga *MBË-UJË, ku prapë grupi MB është asimiluar në B; BUJOL (bujoll), që gjithkështu vjen nga *MBË-UJË, por me prapashtesën –ËL; BUJON, që vjen nga MBË-UJË, këtë herë me prapashtesën –ËN; BIGAR, që vjen prej parashtesës paraqfjalore MBI- dhe rrënjës GUR (Edhe këtu kemi asimilim të grupit MB në B.)
Parashtesën parafjalore arbërishte NË- e gjejmë te fjala sllave: NEDJELJA, nga *NË E DIEL (Kemi të bëjmë qartësisht me një togfjalësh të përngjitur).
Parashtesën sllave OD- e kemi te fjala slavishte ODRIPAN, ku rrënja është fjala arbërishte *RRIP, ardhur, pas gjasës, prej foljes *ME RRJEPË.
Parashtesën sllave O- e gjejmë te fjala sllavishte OŠURITI (oshuriti), ardhur prej arbërishtes *ZHUR, ku ZH-ja është shurdhuar në SH. Mund të sjellim këtu për krahasim toponimet: GRMOZUR (Gërmozhur), që vjen prej *GUR ME ZHUR, shkëmb ishullor në Liqenin e Shkodrës, afër qytezës së Virit, dhe MALI MOZHUR, në veri të Ulqinit, që ka kuptimin: MAL ME ZHUR.
Parashtesën parafjalore arbërishte PËR- e gjejmë te fjalët sllavishte: PRAG, që vjen, pas mendimit tim, nga *PËR-AG, sepse aty del njeriu në kohën kur agon dita e re; PËRLJATI (përlati), nga *(ME) PËRLYE; PRPUŠKATI (prushkati), që vjen nga *(ME) PËRPUSHË; PRLJITI (përliti), që vjen nga *(ME) PËRVËLUE.
Parashtesa sllave PO- gjendet te fjalët sllavishte: POJAS, ndërtuar me rrënjën arbërishte -IJË- dhe me prapashtesën po arbërishte -AS; POJITI, me rrënjën arbërishte –UJË dhe me prapashtesën sllave –ITI; POKLISAR, nga folja arbërishte *(ME) KLITHË.
Parashtesa arbërishtte S- (Këtu mund të themi lirisht: iliro-arbërishte.) te emri sllavisht SLAMA (sllama), që vjen nga *S-LÂMË; STADO, nga *S-TÂNDË; STOPANIN, nga *S-TËBANË; STRUGATI, nga *S-DRU-GË.
Me parashtesën STËR-, e cila, sipas G.Majerit dhe G.Vajgandit, lidhet me latinishten EXTRA (ekstra), krijohen këto fjalë në sllavishtet: STRANA, nga arbërishtja *STËR-ANË; STRM (stërm), që vjen nga *(I) STËR-RAMË; STROPOŠTATI SE (stroposhtati se), që vjen nga *(ME U) STËR-POSHTË; STREHA, nga *STËR-RE(H); STRUGA, nga *STËR-UJ(Ë)-GË.
Me nyjën e përparme iliro-arbërishte TË, në rolin e parashtesës, hasim fjalët sllavishte familjare: TATA, që vjen nga *T(Ë)-AT(Ë); TETKA, që vjen nga *T(Ë)-ET me prapashtesën -KA (motra e *TË ET).
Me nyjën e gjinisë asnjanëse TË, në rolin e parashtesës, është krijuar fjala sllavishte: TMURAN, që vjen nga *T(Ë)-MURR-ËN(Ë).
Parashtesa sllave U- gjendet te folja sllavishte USAHNUTI, që lidhet me foljen arbërishte *(ME U) THA. E njëjta parashtesë U- gjendet te UŠULJATI (ushulati), ku rrënja është fjala arbërishte SHUL.
Në fund kemi formantin VE-, te emri VEDRO, të cilin nuk po di a ta quajmë parashtesë apo pjesë të kompozitës *VE-DRU. Rilindësit tanë e kanë përdorur emrin DRUVEZË për TRYEZË. Edhe këtu ka një VE-, por a ka lidhje kjo VE- me ovalitetin, me rrumbullakësinë, me formën e VEZËS? Sidoqoftë, nuk duhen harruar: fjala shqipe VE, fjala latine, OVUM, vezë, dhe ajo frënge, OEUF, vezë, që gjithsesi kanë të njëjtën prejardhje.
PRAPASHTESAT
Me prapashtesën sllave –AC është ndërtuar emri sllavisht KALJAC, i cili ka në rrënjë emrin arbërisht KALË, sado që thuhet se ky ka ardhur nga latinishtja CABALUS (kabalus); OTAC, me rrënjën arbërishte *ATË, duke e shndërruar A-në fillimore në O-; MAGARAC, me rrënjën arbërishte *MË-GAR.
Me prapashtesën -AK, që nuk është sllave, sepse është përdorur këndej në anët tona para sllavëvet, janë ndërtuar fajlët: ŠPINAKL (shpinakëll), nga SHPIN(Ë)-AK-ËL; ŠPURAK (shpurak), nga fjala arbështe *SHPUER.
Me prapashtesën iliro-arbërore –AN janë ndërtuar fjalët: ODRIPAN, nga fjala iliro-arbërishte RRIP, ku merr pjesë edhe parashtesa sllave OD-; RAVAN, nga folja iliro-arbërishte *(ME) RA dhe një V epentetike.
Prapashtesën –AR e ka pasur edhe ilirishtja. Me këtë prapashtesë janë ndërtuar fjalët: DINAR, për mendimin tim, nga *DHI-N-AR. BUNAR, që për rrënjë ka foljen *(ME) BUNUE; POKLISAR, me rrënjën arbërishte KLITH, dhe me parashtesën sllave PO-.
Me prapashtesën sllave të ngjashmërisë –AST janë bërë fjalëta: SINJAST, që ka në rrënjë emrin arbërisht THINJË; BARZAST, duke pasur në rrënjë ndajemrin iliro-arbëror *(I) BARDHË, zgjëruar me prapashtesën po iliro-arbërishte –(Ë)Z(Ë).
Prapë me një prapashtesë të sllavishtes –AV, janë ndërtuar disa iliro-albanizma të atyre gjuhëve: RUNDAV, nga *(I) RRUNTË, që më tutje lidhet me foljen *(ME) RRUE; LIGAVm që ka në bazë foljen arbërishte *(ME) LYE; BRAV, ku BR i përgjjigjet emrit të arbërishtes *BERR, pra, forma prirëse ka qenë *BERR-AV dhe ka dhënë BRAV.
Kemi këtu edhe një ndërtim me prapashtesën e dyfishtë –AV-ICA, të emrit HUNJAVUCA, që ka për rrënjë emrin iliro-arbërisht HUNDË.
Me prapashtesën e vjetër iliro-arbërore –B(Ë) mendoj se është ndërtuar emri sllavisht UBAO, që, në format e tjera të fleksionit, bën: UBLA (ublla), UBLI etj, nga një bazë, gjithsesi e vjetër, iliro-arbërishte *UJË, duke marrë edhe një prapashtesë të dytë –ËL: *U(JË)-B(Ë)-ËL. Ka edhe një rrugë tjetër shpjegimi: *U(JË)-(AM)B-ËL, por edhe në këtë rast, formanti -B, sërish merret si prapashtesë.
Me prapashtesën sllave -ĆI (qi), për të cilën, pa hyrë në hollësitë e prejardhjes së saj, po themi se përdoret, si prapashtesë foljeformuese, në një varg fjalësh, si IĆI, POĆI, NAĆI, IZAĆI (iqi, poqi, naqi, izaqi) etj, është ndërtuar folja ZEĆI (zheqi), e cila ka në bazë foljen arbërishte *(ME) DJEGË, ku DJ ka dhënë ZH.
Me prapashtesën ruse –EBO (jevo) dhe me rrënjën arbërishte ZJARR është ndërtuar emri ЗАРЕВО (zarjevo).
Me prapashtesën e vjetër iliro-arbërishte –(Ë)G(Ë) ka shkuar në gjuhët sllave një varg fjalësh: DRUGA, nga *DRU-GË; BALEGA, nga *BAL-ËGË; LIGAV, nga *LYE-GË plus -AV; LUG (llug), *UL-ËGË; SATRUGATI, nga *S-DRU-G(Ë)-ATI; STRUGA, nga *STËR-U(JË)-GË; VERIGA, nga *VAR-ËGË.
Prapashtesa -ICA e sllavishtes, mendoj unë, lidhet origjinisht me prapashtesën –ËZË të iliro-arbërishtes, e cila ka shkuar te sllavët nëpërmjet italishtes veneto-dalmatine. Në rusisht kemi emrin ЗАРНИЦА (zarnjica), që ka për temë fjalën arbërishte *ZJARR-NË apo *ZJAR-M(Ë)-NË.
Prapashtesa sllave –JETI, pa hyrë në hollësitë e formimit të saj, ka krijuar në sllavisht foljen ŠUTJETI (shutjeti), e cila ka në bazë foljen arbërishte *(ME) SHUE, me fikë, ose ndajemrin *(I) SHUTË.
Me 3 variantet e prapashtesës -K, -KË dhe –KA, prapashtesë e hershme në gjuhën iliro-arbërishte, por shumë prodhuese edhe në sllavishtet, është ndërtuar një numër jo i pakët iliro-albanizmash në gjuhët sllave: BILJKA, nga *(ME) (M)BI-L(Ë)-KË; KORAK, nga *K(Ë)RAH-KË; KRINKA, nga *KRYE-N-KË; MLEKO, nga *(I) (A)M(B)-LË-KË, fjalë që gjendet edhe në ndonjë gjuhë perendimore me formën MILK; MRAK, nga *(Ë)M(Ë)-(E)RRË-KË; REKA, nga *RRJE(DH)-KË; REKESA, nga *RRJE(DH)-KË-SË; SVRAKA, nga *SORR(Ë)-KË; ШПУЛЬКА (shpulka), nga *(ME) SHPU(E)-LË)-KË; TETKA, nga *(E) T(Ë) ET-KË; PRPUŠKATI (përpushkati), nga *(ME) PËRPUSH(Ë)-KË plus prapashtesa foljeformuese sllave –ATI; VAJKATI, nga *VAJ-K(Ë)-ATI. (Edhe këtu, si në rastin para këtij, kemi, në të vërtetë, një prapashtesë të dyfishtë, -KATI, që është mjaft produktive në sllavishtet, si: VIKATI dhe NJUŠKATI (njushkati). Kjo e fundit sërish ka në bazë emrin iliro-arbërisht HUNDË.
Vargu i iliro-albanizmavet në sllavishtet me prapashtesën –LË, -L, -ËL, është përsëri mjaft i gjatë: ШПИНДЕЛЬ (shpindel), nga *SHPUE-NT-ËL, ku, siç shikohet, përbërja fjalëformuese nuk është aspak e thjeshtë; ŠPINAKL (shpinakëll), nga *SHPIN(Ë)-AK-ËL; SOKO(L) [soko(ll)], nga *ZOG-ËL; MLEKO, nga *(I) (A)M(B)-LË-KË; BUJOL, nga *(M)B(Ë)-UJË-(Ë)L; FRULA (frulla), nga (ME)FRY-LË; GRKLJAN (gërklan), nga *GRYKË-LË; KOKULICA, nga KOKË-ËL-ICA, në mos qoftë nga KOK(Ë)-UL-ICA, ku -ICA lidhet me arbërishten -ËZË; KRILO (krillo), nga shumësi i emrit KRAH me prapashtesën –ËLË: *KRIH-ËLË; KRULENJE, nga *KRU(E)-L(Ë) plus prapashtesa emërformuese sllave –ENJE; KUKOLJ, nga *KOK(Ë)-ËL; MAGLA (maglla), nga *M(Ë)-AG-(Ë)LË; ШПУЛЬКА (shpulka), nga *(ME) SHPU(E)-L-KË; UBAO (UBLA) (ublla), nga *U(J)(Ë)-BË-L(Ë); BILJKA, nga *(ME) (M)BI-L(Ë)-KË.
Edhe prapashtesa vendëse iliro-arbëreshe –MË, -ME, -M, ka shkuar në gjuhët sllave në mjaft raste, bashkë me rrënjë të ndryshme fjalësh: BREME, nga *(E)BAR-ME; PIZMA, nga *PEZ(Ë)-MË; PLEME, nga *PJELL(Ë)-MË; RAME, nga *KRAH-MË; STRM (stërm), nga *(I) STËR-RA-MË. Siç shihet, këtu ka disa formime shumë të rëndësishëm.
Prapashtasa –ËN, -ËNË, e cila cilësohet si indoevropiane, ka shërbyer në shumë raste edhe për të krijuar ilro-albanizma në gjuhët sllave: BUJON, nga *(M)B(Ë)-UJË-N(Ë); PELENA, nga *PJELL-ËNË; HRANA, nga *(E) HANGËR-NË; TMURAN, nga *TË-MURR-ËN(Ë); ЗАРНИЦА (zarnjica), nga *ZJARR-(Ë)NË apo *ZJAR-MË-NË, ku –ICA, siç e kam thënë, ka shkuar te sllavët nëpërmjet italo-dalmatishtes, përndryshe, në origjinë, ajo është -ËZË; PLANINA (pllanina), nga *PYLL-(Ë)N(Ë)-INË, huazim me domethënie të madhe; ШПИНДЕЛЬ (shpindel), nga *(ME) SHPU(E)-N-T-ËL ; VRAN, nga *(ME) VRA-NË; këtu forma VRANË mund të jetë pjesore e vjetër e arbërishtes, nga edhe ka dalë forma jugore VRARË; GRINUTI, nga *(ME) NGRITË, ku del problem rënia e formantit –ITË dhe zëvendësimi me –(Ë)N(Ë), të përngjitur me formën –NUTI, DIRNUTI, MAKNUTI, PUKNUTI etj; USAHNUTI, nga U-SAH-NUTI, ku prapë kemi formantin -NUTI, por ku rrënja *-SAH- del qartësisht nga folja *(ME) THA.
Prapashtesa e lashtë -G, që unë mendoj se ka qenë *-NG apo *ËNGË, del te fjala sllavishte BRIGA, e cila vjen qartësisht prej iliro-arbërishtes *BRENGË, formuar prej foljes *(ME) BRE.
Me prapashtesën sllave –ENJE është ndërtuar emri sllavisht KRULENJE. Kjo fjalë sllavishte ka për rrënjë emrin arbërisht *KRUE, prej nga duket se ka qenë krijuar folja *ME KRULUE dhe, së andejmi më në fund ka dalë KRULENJE.
Prej foljes *(ME) SHTRUE ka dalë në arbërisht, me ndihmën e prapashtesës -ONJË, emri SHTRONJË. Së këndejmi, me prapashtesën sllave –AÇA (aça), ka dalë iliro-albanizmi ŠTRUNJAČA (shtrunjaça).
Formanti –O është një prapashtesë që shërben për të formuar në gjuhët sllave emra të gjinisë asnjanëse. GRLO (gërllo), ka dalë nga *(AN)G-ËR-LË, ashtu siç ka dalë edhe fjala shqipe GRYKË nga *(AN)G-(Ë)R-ËKË, me labializimin e Ë-së para K-së. VEDRO ka dalë nga *VE-DRU, ku për VE- është vështirë të thuhet: Tregon rrumbullakësi, pra, a është njëra nga rrënjët e kompozitës, apo është ndonjë parashtesë? BLATO (bllato), ka dalë nga *BAL(Ë)-TË, me rënien e A-së dhe, njëkohësisht, shndërrimin e Ë-së në A. DLETO gjithkështu ka dalë nga *DAL(Ë)-TË, ku edhe kuptimisht përligjet folja *(ME) DALË. Por edhe këtu, në variantin sllavisht, A-ja ka rënë për llogari të Ë-së në rrokjen pasardhëse.
Me prapashtesën –OK, që e kanë sllavishtet, por edhe gjuhët romane, midis të cilave, rumanishtja, është krijuar në rusisht Iliro-albanizmi ШПЕНËК (shpjenjok), që vjen prej foljes arbërishte *(ME) SHPUE, ndoshta permes formës *SHPUEN-KË.
Prej foljes *(ME) SHPUE është krijuar në rusisht edhe emri ШПОРА (shpora), siç duket, prej emrit *SHPUER, që në trajtë të shquar bën *SHPORI.
Prapashtesa -ËS, -S, e iliro-arbërishtes, bën pjesë në një varg iliro-albanizmash të thuajse të gjitha gjuhëvet sllave. TALAS (tallas), nga *THELL-ËS, ku TH-ja këtë herë nuk ka dhënë S, por ka dhënë T dhe kjo duhet shpjeguar me atë që dukuria e kalimit të TH-së në T ka ndodhur në kohë shumë të hershme, ndoshta qysh në shekujt e marrëdhënievet pellazgo-helene, dhe sllavët ta kenë gjetur ndër ne jo me TH, por me T. POJAS, që është krijuar me parashtesën sllave PO-, me rrënjën arbërishte -IJË- dhe me -ËS, që në sllavisht ka evoluar në -AS. KLAS (kllas), që vjen nga *KALL(I)-(Ë)S, ku A-ja ka ndërruar vend me LL-në. KOSA, që vjen nga folja arbërishte *(ME) KORRË dhe nga prapashtesa –ËS, me rënien e RR-së, ndoshta për shkak të reduktimit të Ë-vet. MLECI, që vjen nga *M(Ë)-LET-(Ë)S , me grupin TS të mbledhur në C. PRSI (përsi), që vjen nga *PAR-SË, ku A-ja midis P-së dhe R-së është rrëgjuar në Ë, të cilën sllavët nuk e shënojnë fare. REKESA, vjen nga *RRËKE-SË. Dhe VRAS, që e ka bazën te folja arbërishte *(ME) VRA, pra: VRASË, me kuptimin: që vret.
Prapashtesa -ST, -STË, që e kanë gjuhët sllave, por që e kanë pasur edhe ilirët, shumë shekuj para sllavëvet, del në raste të ndryshëm edhe në formën –ŠT (sht). Në rusisht kemi emrin ГОРСТЬ (gorst), që unë mendoj se ka ardhur nga një formë e mundshme iliro-arbërishte *GUR-STË, e cila, më vonë, në arbërisht e shqip, me kalimin e S-së në SH dhe me ndërrimin e vendevet midis tingujvet U e R, ka përfunduar në GRUSHT. Gjuhëtarët kanë thënë që emri GRUSHT vjen në shqip prej sllavishtes, por duket se është e kundërta. KRASTA, duket se vjen nga *KRUE-STË, pra, diçka që kruhet. KRESTA, vjen prej emrit arbërisht KRYE me prapashtesën -STË. Mirëpo, te folja KREŠTATI (kreshtati), që gjithkështu lidhet me emrin arbërisht KRYE, prapashtesa -ST, e bashkuar me prapashtesën sllave foljeformuese -ATI, ka kaluar në -ŠT (-sht).
Te emri GREPŠA (grepsha), kemi prapashtesën sllave –ŠA (sha), të prapashtuar rrënjës arbërishte GREP.
Themi gjithmonë iliro-arbërishte ose arbërishte, sepse të gjithë këta huazime sllavët i kanë bërë në kohën kur ne quheshim ilirë (përfshirë këtu variantet: maqedonë, epirotë, dalmatë etj, sipas kohës dhe sipas autorëvet), ose arbër, e jo shqiptarë. Në ato kohë ne nuk quheshim shqiptarë.
Prapashtesa foljeformuese sllave -TI, -ATI, -ITI, është pjesë e një numri të konsiderueshëm fjalësh sllavishte me prejardhje nga iliro-arbërishtja. UŠULJATI (ushulati), ka për rrënjë emrin arbërisht *SHUL. ŠTIPATI vjen prej foljes *(ME) SHTYPË. ŠEPATI, vjen prej foljes *(ME) SHQEPUE, me çalue. STRUGATI, e ka temën *S-DRU-GË, ku rrënja është *DRU. STROPOŠTATI SE (stroposhtatit se), ka në bazë ndajfoljen *POSHTË. SISATI është një folje interesante që vjen prej foljes arbërishte *(ME) THITHË, ku 2 tingujt TH kanë dhënë 2 tinguj S, sepse TH-ja në gjuhët sllave nuk ekziston. PRPUŠKATI (përpushkati), vjen prej foljes arbërishte *(ME) PËRPUSHË dhe një prapashtese të ndërfutur -K-. Ndoshta këtu mund të mendohet një formë e mëhershme *(ME) PËRPRUSHË, në kuptimin e largimit të hirit për të dalë PRUSHI. Rënia e R-së këtu do të na ndihmonte për të kuptuar edhe formimin e emrit KOSË nga *KORRËSË. Folja GREJATI vjen nga arbërishtja *(ME) NGROHË, ku J-ja duket se vjen nga H-ja. KAJATI SE, ka të ngjarë të ketë në bazë foljen *(ME) KAJT(Ë). KAZATI, vjen nga *(ME) KALLËZUE. LIZATI ka në bazë fjalën *LYEZË, që vjen prej foljes *(ME) LYE dhe prapashtesës –ZË. PITATI vjen prej foljes (ME) PYETË. Nëse do të ish sllavizëm në gjuhën shqipe, do të thuhej: *ME PITATË e jo: ME PYETË. PRLJITI (përliti), ka si temë foljen *(ME) PËRLYE, rrënja është *ME LYE. DRHTATI (dërhtati), vjen prej foljes (ME) (U) DRIDHËH, ku DH-ja bashkë me I-në ka rënë për shkak të prapashtesës –ATI. Folja VIRITI ka shkuar në sllavisht prej doljes *(ME) VU RE, gjegjësisht *(ME) VËREJTË. PRLITI (përliti), vjen nga *(ME) PËRVËLUE, me ç’rast rrokja VË ka rënë, edhe kjo, pas gjasës, për shkak të prapashtesës –ITI. POJITI, është ndërtuar me 2 ndajshtesa sllave, parashtesën PO- dhe prapashtesën –ITI, dhe me rrënjën arbërishte *UJË, prej së cilës ka mbetur vetëm J-ja. PITI, në të vërtetë, s’është tjetër, veçse folja *(ME) PI, së cilës i është shtuar formanti foljeformues i sllavishtes -TI. Folja PIRITI ka për rrënjë formën PIR, e cila, krahasuar me greqishten πυρ (pir), zjarr, ka nevojë për shqyrtim më të gjërë, por unë po marr për bazë vetëm faktin që kjo rrënjë fjale gjendet te emri i PIRUSTËVET të Ilirisë. OŠURITI (oshuriti), është ndërtuar me parashtesën sllave O-, me rrënjën arbërishte *ZHUR dhe me prapashtesën, prapë sllave, -ITI. KLETI vjen prej foljes së lashtë *(ME) KLA, ku, me sa duket, prapashtesa –TI, ka shkaktuar shndërrimin e A-së në E. BDETI, vjen nga folja arbërishte buzukiane *(ME) BDI. Prof.E. Çabej mendon se është sllavizëm, por unë shoh aty një bazë *DITË, e cila, para se të shkonte te sllavët, ka pësuar një zhvillim të vetin brendapërbrenda iliro-arbërishtes. BUJATI, vjen nga *(M)B(Ë) UJ(Ë).
Një prapashtesë arbërishte -TË më duket se e gjejmë te fjala ruse ШПИНДЕЛЬ (shpinjdjel), te tingulli D. Këtë fjalë unë e kam zbërthyer në pjesoren e foljes ME SHPUE, pasuar nga një –N, pastaj –TË dhe në fund –ËL. Pra: *SHPUE-N-TË-L(Ë). Emri LAKAT (llakat), vjen nga ndajemri arbërisht *(I) LAK-ËT. Te emri DLETO, shohim një formim nga pjesorja e foljes arbërishte *(ME) DALË dhe prapashtesa -TË, duke iu shtuar në fund prapashtesa sllave të gjinisë asnjanëse -O. Te emri BLATO (bllato) dallohen rrënja *BAL(Ë) dhe prapashtesa –TË, pra: *BAL(Ë)-TË, shndërruar në BLATO me ligjet e brendshëm të sllavishtevet. Te ŠPELUNKA (shpellunka) shihet shkoqur rrënja *SHPELLË, ndërsa –UN-KA është një prapashtesë dyshe.
Prapashtesën -ËZ, -Z, -ËZË, e gjejmë në një numër jo të pakët fjalësh të sllavishtevet. Hulumtimet e mbaskëndejmë sigurisht që do ta shtojnë këtë numër, sepse, sidomos në Mesjetë, kjo prapashtesë ka qenë, në gjuhën arbërishte, shumë prodhuese. Emri në rusisht РАЗ (raz), vjen nga *HERË-Z. Emri MRAZ vjen nga *MARDHË-Z, me rënien e DH-së pas një metateze. BREZA, vjen nga *BARDHËZ-ZË, konstatim i rëndësishëm ky, sepse mund të mbështet edhe te fakti që edhe emërtimi latinisht, Betula alba, e përmban ndajemrin I BARDHË: alba. Te folja LIZATI shohim pjesoren e foljes *(ME) LYE dhe prapashtesën -ZË: *LYE-ZË plus -ATI. Emri KUKURUZA vjen nga *KOKËRR-ZË. Folja KAZATI, vjen nga rrënja *KALLI dhe prapashtesa –ËZ, nëpërmjet foljes *(ME) KALLËZUE.
Ndërkaq, te emri GRANICA unë shoh thuajse në mënyrë të pakundërshtueshme një iliro-albanizëm nga më interesantët. Nga *GUR ka dalë *GURANË, nga *GURANË, ka dalë *GURANËZË dhe, këndej, nën ndikimin e veneto-dalmatishtes, prapashtesa –ZË është huazuar në formën –ICA. Forma –ICA, në shekujt e instalimit gradual të sllavëvet në Gadishullin e Ilirisë, sigurisht që ka qenë e stabilizuar, dmth e konsoliduar në gjuhën zyrtare, në qytetet e asaj kohe. Te rusishtja kjo fjalë duhet të ketë shkuar e gatshme, në formën që është edhe sot: ГРАНИЦА (granjica).
NDËRRIMET E TINGUJVET
Kapitulli që do të shqyrtojmë në vazhdim, është më i vështiri. Është kapitulli ku do të renditen rastet e ndërrimit apo zëvendësimit të tingujvet njëri me tjetrin në procesin e kalimit nga njëra gjuhë te tjetra. Ndërrimet cilësorë të tingujvet ndodhin rëndom brendapërbrenda një gjuhe, apofonitë apo alternancat, por, kur tingujt ndryshojnë gjatë kalimit të një fjale nga një gjuhë në tjetrën, kjo, pa dyshim, përbën një pengesë shpjegimi jo të lehtë.
Në fjalët VERIGA, nga *VAR(Ë)G(Ë), SENO, nga *SANË dhe MLEČANIN (mleçanin), nga LATIN, kemi kalim të A-së në E. Te KRILO (krillo), nga *KRAH, kemi ndërrim të A-së në I, por duhet ditur që ka ndodhur te gjuha dhënëse. Te fjalët OTAC, nga *ATË, ORAH, nga *ARRËH dhe BOS, nga BATH, kemi kalim të A-së në O. Te fjala BIGAR, nga *MBI GUR, na del që U-ja është shndërruar në A. Që të gjitha këto kërkojnë, ose të mirarsyetohen, ose, me arsyetime të tjerë, të hidhen poshtë këto etimologji.
Te emri STOPANIN, që supozohet se vjen nga *S-TËBANË, B-ja është shurdhuar në P.
Edhe te ndajemri GRINTAV, nga *(ME U) GRINDË, si dhe te folja STRUGATI, nga *S-DRU-GË, shohim një shurdhim të D-së në T.
Te folja ZEĆI (zheqi), nga *(ME) DJEGË, grupi DJ ka dhënë ZH. Te emri KACA, nga *KADË-ZË, kemi kalim të DZ-së në C. Këtu ka ndodhur më parë shurdhimi i D-së në T dhe i Z-së në S, pastaj grupi TS ka dhënë C.
Te fjalët DINAR, nga *DHINAR, një etimologji që do të bënte histori, nëse do t’i konfirmohej saktësia, te GRAD, nga *GARDH, që gjithashtu do të bënte histori, PRDA, nga *PORDHË dhe URDA, nga *URDHË, kemi kalimin e DH-së në D. Krejt kjo është e shpjegueshme për gjuhët sllave, pasi ato nuk e kanë tingullin DH.
Te fjala TALAS (tallas), që vjen nga *THELLËS, zanorja E kalon në A. Kalimin e E-së në I e kemi te emrat BRIGA, nga *BRENGË dhe PIZMA, nga *PEZËM.
Zanorja Ë, e cila mungon në gjuhët sllave, me përjashtim të pozicionit para R-së e në ndonjë rast edhe para L-së, ku, ndonëse nuk shkruhet, realisht ekziston, në rastet kur një fjalë kalon prej iliro-arbërishtes në ato gjuhë, në mos rëntë për fare, shndërrohet në A, në E, në I, në O dhe në U. E gjithë kjo kushtëzohet nga situatat konkrete të tingujvet në fjalët përkatëse. Te fjalët SVRAKA, nga *SORRË-KË, РАЗ (raz), nga *HERË-ZË, PLANINA (pllanina), nga *PYLLËNINË, MRAK, nga *(Ë)M(Ë)-(E)RRË-K(Ë), LAKAT (llakat), nga *(I) LAKËT(Ë), zanorja Ë kalon në A. Te fjalët: RAME, nga *KRAH-MË, kemi kalim të Ë-së në E. Te fjala VIRITI, *(ME) VU RE, por ndoshta në formë *VE RE,kemi kalim të 2 E-vet në 2 I. Te VERIGA, nga *VARË-GË dhe te KIŠA, nga *KË-SHI, kemi kalim të Ë-së në I. Te fjalët: STOPANIN, nga *S-TËBANË, KOŠUTA (koshuta), nga *KË-SUTË, KOREN, nga *KË-RRANË, KORAK, nga *KËRAH-KË, BUJOL, nga *(M)BË-UJË-LË, kemi kalimin e Ë-së në O. Te fjalët: KUKURUZA, nga *KOK-ËRR-ZË, KLJUSE, nga *KALË-SË, kemi kalim të Ë-së në U. Te fjala falenderuese HVALA (hvalla), nga *(ME) FALËH, ka ndodhur zëshmimi i F-së në V, shoqëruar me një zhvendosje të H-së nga fundi në fillim. Shurdhimi i G-së në K ka ndodhur te fjalët: KRUH, prej *GRUNËH, me rënien e N-së dhe te SOKO(L) (sokoll), prej *ZOG-ËL.
Rrokja HE shqiptohet si JA te fjala ruse ЯКОРЬ (jakor) ardhur nga *HEKUR. Ngjashëm me të, H-ja kalon në J, te fjala gjithsllavishte KRAJ, që vjen nga iliro-arbërishtja *KRAH. (Për këtë iliro-albanizëm shih “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujvet”, Ulqin, 2013, f.279-302. Aty ka 20 faqe arsyetim vetëm për 1 fjalë dhe kjo është kushtëzuar prej faktit që gjuhëtarët e derisotëm na kishin thë të kundërtën.)
Zanorja i kalon në U te fjala ŠTUR (shtur), që vjen nga *(I) VË-SHTIRË, në mos paçim këtu si bazë për krijimin e fjalës ŠTUR, në vend të ndajemrit *(I) VË-SHTIRË, foljen *(ME) SHTHUR.
Rrokja JA, e cila gati do të mund të quhej diftong, kalon në A, te fjalët: ЗАРНИЦА (zarnjica), ЗАРЕВО (zarjevo) dhe ZAR (zhar), që të 3-a nga *ZJARR.
Rrokja apo diftongu JE kalon në A te fjala MAGLA (maglla), nga *MJEGULL, kurse në E te fjalët: PELENA, nga *PJELLË-NË, PEĆI, nga *(ME) PJEKË.
Tingulli K zëshmohet në G te folja GRABITI, që vjen nga *KË-RRABË dhe kalon në Q, qiellëzohet, te folja PEĆi (peqi), nga folja *(ME) PJEKË.
Te SLAMA (sllama), nga LAMË dhe te VAL (vall), nga VALË, tingulli L kalon në LL, kurse te fjalët: PELENA, *PJELLË-NË dhe CILJ, nga *(ME) QËLLUE, ka ndodhur e kundërta: Tingulli LL ka kaluar në L.
Reduktimin e grupit MB në B e gjejmë te fjalët: GRABITI, nga *(ME) RRËMBYE dhe BILJKA, nga *ME) MBI. Por (ME) RRËMBYE mund të ketë kaluar nga forma *KËRRABË, kështu që MB të jetë reduktuar në B qysh më parë.
Te rasti HUNJAVICA, nga *HUNDË, shohim një zëvendësim të grupit ND me NJ, kurse te KLJUN, nga *KËL-HUNDË, kemi N në vend të ND-së.
Grupi NG, i pasuar nga një R, reduktohet në G te foljet GRINUTI, nga *(ME) NGRITË dhe te GREJATI, nga *(ME) NGROHË.
Te emri STADO, nga *(I) STANTË, grupi i bashkëtingëllorevet NT ka dhënë D.
Kalimin e zanores O në U dhe O në V, e kemi te fjalët: KUKOLJ, nga *KOK(Ë)-ËL, KUKURUZA, nga *KOKËRRZË dhe SVRAKA, nga *SORRË-KË.
Në emrin GROB, që vjen nga *GROPË, që mund të lidhet edhe me foljen *ME GËRRYE, shohim zëshmim të P-së në B.
Te CILJ, që krahasohet me emrin *QËLLIM, natyrisht, duke hequr prapashtesën -IM, dhe me foljen (ME) QËLLUE, kemi shndërrim të Q-së në C dhe kjo do shpjeguar.
Në gjuhët sllave nuk ka 2 lloje të tingullit R, pra, nuk ka R të butë dhe R të fortë (RR), si në gjuhën shqipe. Prandaj në të gjithë huazimet nga iliro-arbërishtja, R-ja e fortë (RR) ka kaluar në R të butë dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse, nëse do të kalonte fjala nga sllavishtet në arbërisht, nuk kish pse të dilte nga R e butë një R e fortë. Emri KUKURUZA, që e kemi përsëritur shumë herë, në variantin arbërisht ka pasur një RR: *KOKËRRZË dhe kjo RR është zbutur në gjuhët sllave. Emri MRAK lidhet me foljen *(ME U) ERRË, *[(Ë)M(Ë)-(E)RRË-K(Ë). Ndajemri ODRIPAN, ka në rrënjë emrin *RRIP. Emri ORAH vjen nga *ARRËH. Emri shumë domethënës REKA, vjen nga folja *(ME) RRJEDHË. Emri REKESA vjen nga *RRËKESË. Ndajemri RUNDAV, vjen nga *(I) RRUNTË. SVRAKA, nga *SORRË-KË. TMURAN, nga *(I) MURRË-N(Ë). TURA, nga *TURRË. TRK (tërk), nga *TURR-(Ë)K(Ë). ЗАРНИЦА (zarnjica), nga *ZJARR. ЗАРЕВО (zarjevo), prapë nga ZJARR. ZAR (zhar), po ashtu nga ZJARR.
Te KOŠUTA (koshuta), që vjen nga *KË-SUTË, ka ndodhur kalimi i zakonshëm i S-së në SH.
Zëshmimin e T-së në D e shohim te emri DIM, që vjen nga TYM, dhe te ndajemri RUNDAV, që vjen nga *(I) RRUNTË.
Grupi i bashkëtingëllorevet TS ka dhënë C në fjala MLECI, që vjen nga *M(Ë)-LET-(Ë)SË, por nuk ka dhënë C te fjala BUS, që, mendoj unë, vjen nga *(I) BUT(Ë)-SË.
Grupi TSH, të cilin gjuhët sllave nuk e kanë, ka dhënë thuajse gjithnjë tingullin e përbërë Ç.
Tingulli TH, të cilin gjuhët sllave prapë nuk e kanë, thuajse gjithnjë ka dhënë S. BOS, që vjen nga BATH. Mjafton të krahasojmë 2 fjalët: ME M-BATHË dhe ME Z-BATHË, që të kuptojmë se rrënja është BATH dhe se forma BOS vjen pikërisht nga kjo rrënjë. Te FRUS, që vjen nga *FRUTH, te POKLISAR, që vjen nga *(ME) KLITHË, te SENO, që ka në bazë foljen *(ME) THA, te SINJAST, që e ka rrënjën *THINJË, te SISATI, që vjen prej foljes *(ME) THITHË, te USAHNUTI, që prapë lidhet me foljen *(ME U) THA, te të gjitha këto fjalë shihet kalimi i tingullit TH në S dhe kjo do të ish e mjaftueshme për të vërtetuar prejardhjen iliro-arbërore të këtyre fjalëve.
Por jo gjithmonë tingulli TH i iliro-arbërishtes ka dhënë S në gjuhët sllave. Te fjalët ŠTUR (shtur), që ka gjasa të ketë ardhur nga *(ME) SHTHURË, dhe TALAS (tallas), që vjen nga *THELLËS, tingulli TH ka rezultuar në T. Edhe kjo inkonsekuencë e TH-së, sigurisht, e ka shpjegimin e vet. Ndoshta kemi të bëjmë me shtrirjen në kohë të njërës apo tjetrës dukuri fonetike. E them këtë, sepse vihet re që, në Antikitetin e Hershëm, një TH, e supozuar e gjuhës pellazgo-ilire, ka dhënë T e jo S. Psh, mund të mendohet që emri i ATHINËS të lidhet, në përputhje edhe me fabulën e mitit, me emrin *E THAN/Ë,-A, por ajo helenisht ka dhënë ATENA, me T e jo me S.
Zanorja e iliro-arbërishtes U, herë vetëm e herë në përbërje të diftongut të supozuar UE, UO apo UA, ka dhënë në sllavishtet: E,I,O, por ka raste kur edhe ka mbetur U apo është transformuar në V. Emri KRASTA, mendoj se vjen nga emri prejfoljor *KRUESTË, që duhet të ketë dalë nga folja *(ME) KRUE apo *(ME) KRUO. Këtu, dyzanorëshi UO, UE apo UA ka reflektuar në A. Fjala ruse ШПЕНËК (shpjenjok), prapë duhet të lidhet me foljen *(ME) SHPUE nërmjet një emri të supozuar të mundshëm *SHPUE-NË-KË, por këtu dyzanorëshi UE ka dhënë E, apo më saktë, JE. Emri KRESTA duhet lidhur me foljen *(ME) KRUE dhe, më këndej, me emrin prejfoljor *KRUESTË. Këtu UE ka rezultuar prapë në E. Te fjala ruse ШПИНДЕЛЬ (shpindjel) kemi edhe një herë foljen *(ME) SHPUE (*SHPUENTËL), por këtu dyzanorshi del me I. Kemi tash 3 raste ku UE apo U kanë dhënë O: ШПОРА (shpora), prej një forme të mundshme *SHPUER, ЯКОРЬ (jakor), nga *HEKUR dhe ГОРСТЬ (gorst), nga *GURË-ST(Ë). Rastet ku UE ka dhënë U apo V, janë: ŠTRUNJAČA (shtrunjaça), nga *(ME) STRUE, ŠPURAK (shpurak), nga *SHPUER-AK, KRULENJE , nga *(ME) KRULUE, vlaga (vllaga), nga *(ME) U LAGË, VAL (vall), nga *VALË, por në lidhje me foljen *(ME) ULË, dhe, në fund, kemi DRVO (dërvo), prej formës arbërishte DRU, ku U-ja është shdërruar në V, sigurisht prej prapashtesës sllave -O, të gjinisë asnjanëse.
Ashtu siç ndodh me bashkëtingëlloret DH dhe TH, që nuk përdoren në gjuhët slave, ashtu edhe zanorja Y nuk përdoret në ato gjuhë. Y-ja zëvendësohet zakonisht me I, por ndodh ndonjëherëedhe me U. Në etimologji, këta tinguj shpeshherë shërbejnë mjaft mire për të kuptuar cila ka qenë kahja e shtegtimit të një fjale. Kështu, fjla vjen, kur krahasohen format e e mrit TYM dhe DIM, kahja e lëvizjes së kësaj fjale është, jo nga DIM në TYM, por e kundërta, nga TYM në DIM. Ka qenë më pare me formën TYM te ilirët apo arbërit, dhe prej këndej ka shkuar te sllavët, duke e kthyer Y-në në I.
Ndërkaq, në emrin sllavisht FRULA (frulla), e cila krahasohet me foljen shqipe ME FRY, duke e ditur që zanorja Y ka dhënë edhe U në gjuhët slave, ne e kuptojmë që kjo fjalë ka shkuar nga shqipja, dua të them, nga arbërishtja apo ilirishtja, në sllavisht e jo nga sllavishtja në gjuhën tone. Gjykimi është I thjeshtë: Të kish ardhur nga sllavishtja, s’kish nevojë të thuhej ME FRY, por do të thuhej edhe në shqip ME FRU. Gjithkështu kemi në sllavisht fjalën HALABUKA (hallabuka), të ardhur nga arbërishtja *HALLABYK, sepse, në këtë relacion, Y-ja jep U e jo U-ja Y.
Fjala KREŠTATI (kreshtati), lidhet me emrin arbërisht *KRYE-STË, I cili, në bashkim me prpashtesën –ATI, dyzanorëshin YE e ka reduktuar në E.
I njëjti dyzanorësh, te emir KRINKA, që vjen nga një formë e mundshme *KRYE-N-KË, është reduktuar në I. Po kështu, edhe te ndajemri LIGAV, që vjen nga një formë e mundshme *LYE-GË, dyzanorëshi YE është mbledhur në I. te folja PITATI, qëvjen nga *(ME) PYETË, kemi prapë kalim të YE-së në I. Ndërsa te ŠTIPATI (shtipati), që vjen nga folja *(ME) SHTYPË, kemi kalim të Y-së në I. Te emir ŠUT (shut), që vjen nga *SHYT, zanorja Y ka dhënë U.
Janë dukuri që duhen vëzhguar e studiuar edhe rastet kur një Z kalon në S apo ZH, si edhe kur një ZH shurdhohet në SH. Te SOKOL, që sipas meje, vjen nga *ZOGËL, Z-ja ka dhënë S, te ZAR (zhar), që vjen nga *ZJARR, tingulli Z ka dhënë ZH. Te folja OŠURITI (oshuriti), nga fjala arbërishte *ZHUR, kemi, ndërkaq, kalim nga ZH në SH.
RËNIA E TINGUJVET
Një dukuri tjetër fonetike, që e shoqëron fjalëformimin, brenda secilës gjuhë fleksive, por sidomos në procesin e shtegtimit të fjalëvet nga njëra gjuhë në tjetrën, është rënia e tingujvet. Duke studiuar iliro-albanizmat në gjuhët sllave, vihet re një varg rastesh, ku tingujt bien dhe ashtu krijojnë jo pak vështirësi edhe në zbulimin e prejardhjes së njërës apo tjetrës fjalë.
Te fjala DLETO, që vjen nga *DALË-TË, shohim që ka rënë zanorja A. Te BREZA, që vjen nga *BARDHËZA, te KLJUSE, që vjen nga *KALËSË, te MRAZ, që vjen nga *MARDHËZË, te PRSA (përsa), që vjen nga *PARËSË dhe te STRM (stërm), që vjen nga *STËR-RA-MË, në të gjithë këta raste kemi rënie të tingullit A.
Në shembujt në vazhdim do të shohim rënien e DH-së. BARZAST, nga *BARDHËZ(Ë) plus –AST, DRHTATI (dërhtati), nga *DRIDHËH, BREZA, nga *BARDHËZË, MRAZ, nga MARDHËZ(Ë), REKA, nga *RRJEDH-KË.
* * *
Këta shembuj do të na shërbejnë, midis tjerash, edhe për të shpjeguar etimologjinë e etnonimit tonë ARBËN (ARBËR). Dihet se trevën ku është formuar i quajturi “fis” i ALBANËVET, kanë jetuar të quajturit prej të huajvet PARTHINË, që, në të vërtetë, në gjuhën e vendit, s’mund të jenë quajtur ndryshe veçse *BARDHËNË. Në shekujt VIII-IX ka ndodhur në këto hapësira, nën ndikimin edhe të sllavëvet të ardhur, apo thjeshtë ndër sllavët e ardhur, dukuria fonetike e quajtur metatezë. Kështu, edhe etnonimi *BARDHËNË ka pësuar metatezë dhe ka marrë formën *ARDHBËNË. Mirëpo, duke qenë vështirë për t’u shqiptuar, DH-ja sakaq ka rënë dhe kështu ka dalë emri ynë nacional i Mesjetës, nën të cilin ne, pasardhësit e ilirëvet, kemi bërë histori të madhe.
* * *
Te emri BRAV, nga *BERR plus –AV, kemi rënien e E-së. Edhe te folja VIRITI, që vjen nga *(ME) VU RE, duket se ka rënë E-ja, shkaktuar prej prapashtesës sllave -TI.
Rënien e H-së e konstatojmë te fjalët: KRILO (krillo), ardhur nga *KRIH(Ë)-L(Ë), RAME, ardhur nga *KRAH-MË dhe rusishtja РАЗ (raz), nga *HERËZ(Ë). Te kjo e fundit ka rënë krejt rrokja HE.
Te emri STRUGA, që unë e gjej të prejardhur nga një formë e mundshme *STËR-UJ(Ë)-GË, mund të shikojmë një rënie interesante të tingullit J nga një rrënjë edhe më interesante UJË, rënie kjo që, në rast se gjendet e vërtetë, do të mund të hapë rrugë për hulumtime në shumë fjalë që kanë në bazën e vet fjalën UJË. Për shembull, emri UBAO, i cili mund të ketë ardhur prej një forme: *U(J)(Ë)-B(Ë)-L(Ë). Tingulli L në fund të fjalëvet jep çuditërisht gjithmonë O. P.Skoku e gjuhëtarë të tjerë, fjalën UBAO e quajnë fjalë starosllave, por ajo, me fjalën UJË brenda, nuk mund të jetë veçse iliro-albanizëm në sllavishte.
Te emri RAME, që vjen nga *KRAHMË, ka rënë K-ja e fillimit të fjalës. Te KAZATI, nga *KALLËZË, ka rënë LL-ja, me shtimin e prapashtesës -ATI. Te HRANA, që vjen nga *HANGËRNË, ka rënë një grup i tërë tingujsh, ndoshta –ANG, duke ndërfutur midis R-së dhe N-së një A. Te KRUH, nga *GRUNËH, ka rënë rrokja NË. Është me interes të vihet re që të 2 popujt sllavë të Jugut, edhe kroatët, edhe sërbët, emrin e bukës, artikullit kruesor jetik të njeriut, e kanë nga vendësit. Kroatët, nga *GRUNËH, që, me sa duket, kultivohej më shumë në atë anë, kurse sërbët nga ELBËH, sepse, si duket, në vendtet ku ishin vendosur ata, ishte ELBI ai që kultivohej më shumë. Të njëjtin emërtim për bukën, si sërbët, e kanë edhe rusët. Edhe kjo ka rëndësinë e vet në fushën e studimevet.
Madje, edhe në fjalët të quajtura të turpshme, huazimet nga iliro-arbërishtja nuk mbeten prapa. Këtu kam shënuar vetëm emrin PRDA (përda), që vjen nga *PORDHË dhe ku O-ja ka rënë, apo, thënë më saktë, është rrëgjuar në një Ë, e cila në sllavishtet jugore nuk shkruhet, por ka edhe mjaft fjalë të tjera nga kjo sferë, që sllavët i kanë marrë prej nesh, si bukën që hamë.
Te fjala ŠEPATI (shepati), që vjen nga folja *(ME) SHQEPUE, ka rënë Q-ja. Kjo Q ka një paraardhëse të vetën K, sepse forma e mëhershme ka qenë: *ME SHKEPË.
Te emri KOSA, që vjen nga *KORRËSE, ka rënë RR-ja. Te GRANICA, që vjen nga *GURAN(Ë)-Z(Ë), ka rënë U-ja. Zanorja U ka rënë edhe në 2 fjalë të tjera: TRK (tërk), që vjen nga *TURR-KË, VEDRO, që vjen nga VE-DRU. Këtu U-ja është zëvendësuar, është shtyrë, nga prapashtesa sllave e gjinisë asnjanëse –O. Te folja PRLJITI (përliti), që vjen nga *(ME) PËVËLUE, prapë kemi një rënie të rrokjes VË dhe ka gjasa që edhe kjo ta ketë një lidhje me U-në.
Rënien e zanores Y e kam konstatuar te 2 iliro-albanizma, që janë të rëndësishëm në gjuhët sllave: Te GRKLJAN (gërklan), që vjen nga *GRYKË dhe te PLANINA (pllanina), që vjen nga *PYLL.
Te emri BILJKA, nga *(ME) MBI, shohim një asimilim të grupit MB në B. të njëjtën dukuri e shohim te folja GRABITI, që vjen nga *(ME) RRËMBYE, veçse ky asimilim ka ndodhur më parë në arbërishten, duke dhënë emrin *KËRRABË dhe pastaj ka shkuar në gjuhët sllave.
Grupi ND është asimiluar në N te emri KLJUN, që vjen nga *KËLHUNDË, dhe te HUNJAVICA, që vjen gjithkështu nga *HUNDË, veçse këtu N-ja ka dhënë NJ, ndoshta për shkak të ndonjë I-je që mund të ketë qenë aty.
Edhe grupi NGR është reduktuar në GR, duke e shmangur N-në, te foljet: GRINUTI, që vjen nga *(ME) NGRITË, dhe GREJATI, që vjen nga *(ME) NGROHË.
Të gjitha këto dukuri janë gjithandej të krahasueshme me shembuj të shumtë dhe të vërtetueshme. Veçse nuk mund të përballohen me punën e 1 apo 2 individëvet. Kërkohet punë institucionesh.
DUKURIA E METATEZËS
Është thënë në studimet në fushën e sllavistikës, se, metateza, fjalë që vjen nga greqishtja, μετάθεσις (metathezis), këmbim vendesh, si dukuri fonetike, ka qenë veçanërisht vepruese në gjuhët sllave në shekujt VIII dhe IX. Ky është një kapitull i linguistikës i rëndësishëm, sepse është edhe domethënës. Është i rëndësishëm, se hap shtigje në rrugët e kërkimevet dhe jep mundësi për të vënë re apo sqaruar një varg dukurish të tjera, gjuhësore e kulturore, por është edhe domethënës, sepse kjo dukuri, dukuria e metatezës, përbën një prag kalimi nga faza e një grupi gjuhësh të pashkruara në fazën e një grupi gjuhësh që sapo fillojnë të shkruhen, me kontributin e klerikëvet që, pikërisht në ata shekuj, kanë përhapur krishtërimin në ata popuj. Ka qenë një armatë e tërë klerikësh, të udhëhequr nga të njohurit Cirili e Metodi.
Në materialin që kam në dorë dhe që qëllimisht e kam reduktuar, sepse edhe kështu po shkon shumë e gjatë parashtresa, kemi nja 10 raste të këtij lloj rokade tingujsh brenda së njëjtës fjalë. Nuk do harruar paraprakisht që metateza është dukuri që shfaqet kudo në kontaktet midis popujvet të ndryshëm, sidomos kur ata popuj janë analfabetë.
Te emri BLAVOR (bllavor), që vjen nga *BULLAR, kanë shkëmbyer vendet tingujt LL dhe U, që në ndërkohë ka qenë shndërruar në VO. Te emri BLATO (bllato), që vjen nga *BALTË, kanë shkëmbyer vendet L-ja me A-në. Te HVALA (hvalla), që vjen nga *FALËH, janë shkëmbyer H-ja dhe F-ja, me ç’rast tingulli F është zëvendësuar me V. Te GRAD, që binshëm vjen nga *GARDH, janë shkëmbyer A-ja dhe R-ja. Emri rusisht ГОРСТЬ (gorst) vjen nga *GUR(Ë)-ST i arbërishtes, por në formën GRUSHT, që e ka shqipja, duket se metateza ka ndodhur brenda arbor-shqipes, pasi kjo fjalë i ka qenë dhënë gjuhës ruse. Edhe kjo ka rëndësi të vihet re, sepse ka gjuhëtarë që fjalën GRUSHT e bien nga sllavishtja. Te emri PLEME, që vjen nga *(E) PJELLME, ka ndodhur shkëmbim vendesh midis L-së dhe J-së, me ç’rast JE është reduktuar në E. Emri KLAS (kllas) vjen nga *KALLËZ apo *KALLËS, ku vendet i kanë shkëmbyer LL-ja dhe A-ja. Te emri HLEB, që vjen nga *ELBËH kanë ndërruar vendin: H-ja, e cila nga fundi ka dalë në krye, dhe L-ja me E-në. Te emri HRANA që vjen nga *(E) HANGËRNA, pasi kanë rënë tingujt NG, kanë ndërruar vendet R-ja dhe A-ja. Te emri LUG (llug), që vjen nga *UL-(Ë)G(Ë), kanë ndërruar vendet U-ja me L-në. Bie në sy që, në shumicën e rastevet, nuk ka ndodhur ndërrim vendesh midis bashkëtingëllorevet, por midis një bashkëtingëlloreje dhe një zanoreje. Megjithatë, unë medoj që kjo nuk duhet quajtur ndryshe, veçse metatezë, mbështetur edhe te domethënia e kësaj fjale në greqisht.
Kemi 2 raste të ndërfutjes së ndonjë tingulli në trup të fjalës, një lloj epenteze. Kështu te ndajemri RAVAN, që lidhet me foljen *(ME) RA, midis rrënjës RA- dhe prpashtesës –ËN (-AN), është ndërfutur një –V-. Por kjo s’është punë e vogël, sepse pas kësaj, janë ndërtuar fjalët: RAVNICA, ultësirë, RAVNANJE, rrafshim, e një varg fjalësh të tjera. Te folja STROPOŠTATI SE (stroposhtati se), që vjen nga *(ME U) STËRPOSHTË, duket se më parë ka ndodhur një ndërrim vendesh, një metatezë, midis R-së dhe Ë-së, pastaj Ë-ja ka evoluar në O.
DISA RELIKE
Duhen vënë në dukje, përpara mbylljes së kësaj parashtrese marrëdhëniesh ndërgjuhësore, por njëkohësisht edhe ndërkulturore, disa dukuri që është me vend të konsiderohen mirëfilli relike.
Te emri sllavisht NEDELJA, që vjen nga *NË E DIEL, kemi të ruajtur nyjën e përparme të arbërishtes E. Kjo nyjë, në shqipen e sotme përdoret te emrat e ditëvet të javës: e diel, e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë.
Grupi KL, i cili në gjuhën e sotme shqipe ka përfunduar në Q (qumësht, me qa), është ruajtur në sllavishtet te iliro-albanizmi KLETI, që vjen nga forma e lashtë arbërishte *(ME) KLA e që sot shqiptohet: ME QA. Megjithatë, mbetet e paqartë, pse nuk është *KLATI, por KLETI dhe pse, gjatë zgjedhimit, kjo LE kalon në U: KUNEM.
Në disa nga fjalët, që në sllavisht kanë shkuar prej arbërishtes, ruhet një N e hershme, e cila sot në gjuhën shqipe nuk shqiptohet. Te emri DINAR, që unë e bie nga emri iliro-arbërisht *DHI, ruhet N-ja, e cila në shqip del vetëm te ndajemri: I DHIRTË, tashmë e rotacizuar. Te emri KRINKA, që vjen nga *KRYE , N-ja në shqip ruhet vetëm te shumësi: KRENË, KRERË. Te emri sllavisht TURIN ruhet forma e vjetër e kësaj fjale me tingullin N si pjesë e rrënjës, ndërsa në shqip ky tingull është ruajtur vetëm në trajtën e shquar: TURINI.
Te vepra e Dom Gjon Buzukut është pasqyruar grafikisht një H fundore, e cila vjen gjithmonë fill pas një zanoreje të shkurtër. Është debatuar shumë në lidhje me këtë tingull. Madje, ka pasur zëra që këtë H e kanë quajtur si shfaqje vetjake, si “defekt” personal të vetë Dom Gjon Buzukut. Në fjalët që i kanë marrë sllavët prej parashqiptarëvet, kjo H del e ruajtur në një varg rastesh. Te folja DRHTATI (dërhtati), që vjen nga *(ME U) DRIDHËH-TË, tingullin H e gjejmë në pozicionin para nyjës së prapme arbërishte –TË dhe pasi aty ka ndodhur një rënie e tingujvet IDH. Te emri i rëndësishëm i sërbishtes: HLEB, që vjen nga *ELBËH, tingulli fundor H, duke iu bindur ligjit të metatezës, ka ardhur në krye të fjalës. Pra, nga *ELBËH ka dalë HLEB. Ndërkohë, te emri po aq i rëndësishëm i kroatishtes: KRUH, që vjen nga *GRUNËH, tingulli i famshëm buzukian nuk ka dalë në krye, por ka mbetur në fund. Në këtë rast, G-ja është shndërruar në K, ndërsa rrokja NË ka rënë fare. Te emri ORAH, që vjen nga *ARRËH, H-ja fundore sërish është ruajtur. Po kështu edhe te emri STREHA, për të cilin unë mendoj se ka ardhur nga një *STËR-REH, tingulli H është ruajtur, vetëm se këtu E-ja para H-së nuk duket se ka qenë e shkurtër dhe kjo e turbullon sadopak rrjedhën e arsyetimit. Te folja USAHNUTI, që vjen prej foljes *(ME U) THAH, folje e cila, me sa duket, e ka pasur në fund edhe këtë H, kjo H është ruajtur. Natyrisht, nëse gjykimi im, në këtë pikë, përputhet me të vërtetën. Përndryshe, aty mund të kenë vepruar ligje të tjerë fonetikë.
PËRMBYLLJE
Erdhi vetë kjo mbyllje me një dozë dyshimi. Është krejt e natyrshme për çdo hulumtues që të mos jetë 100% i sigurtë në atë që ka zbuluar. Kjo pasiguri është veçanërisht e pranishme në fushën e etimologjisë. Etimologjia, thonë, i ngjan një fushe të minuar, ku çminuesit në çdo çast mund t’i shpërthejnë minat nëpër duar. Këtë ma ka pasë thënë një studiues i njohur i gjuhësisë, Prof.Dr. Bahri Beci, dhe unë e kam vënë në dukje edhe herë tjera këtë lloj rrëzikshmërie, ndonëse nuk kam mundur të heq dorë së ecuri nëpër fusha të minuara.
Sidoqoftë, nuk mund të mos pohoj që këtu po tentohet për të hapur një terren të ri hulumtimesh, si në albanologji, ashtu edhe në sllavistikë.
Ilirët nuk mund të vështrohen më ashtu si janë vështruar deri më sot. As arbërit e mëvonshëm nuk mund të vështrohen më, jo vetëm me syrin e Shtadtmylerit dhe keqpërdoruesvet të tij të mëvonshëm, por as me syrin e pohuesvet më të zellshëm mbi vazhdimësinë iliro-arbro-shqiptare.
Studiuesit e ardhshëm, natyrisht, do të mbështeten në hullitë që i kanë hapur studiuesit e deritashëm, por shikimi do të jetë shumë më i gjërë e më depërtues se deri tash. Ilirët kanë qenë faktor, edhe politiko-ushtarak, edhe kulturor në Perandorinë Antike të Romës. Por edhe mbas ndarjes së asaj perandorie në 2 pjesë, ilirët kanë vazhduar të jenë faktor i rëndësishëm qytetërimi, veçanërisht në gadishullin e tyre, përkundër një vargu ngjarjesh të pafavorshme për ta.
Ngjarjet e pafavorshme, të karakterit TË JASHTËM, kanë qenë: 1.Mësymjet e barbarëvet dhe shkretimet që ata i kanë bërë këtij vendi në mënyrë të vazhdueshme për disa shekuj. 2.Ndarja e Perandorisë së Romës në 2 pjesë, me ç’rast, vetëm Ilirisë, ndryshe nga ç’ndodhi me vendet e tjerë, i “takoi” të ndahet në 2 gjysma. 3.Uzurpimi i pushtetit nga ana e grekëvet, në Perandorinë Romake Lindore, e quajtur pellazgo-ilirisht BIZANT, qytet *MBI ZANËTË, qytet mbi ngushticë. 4.Instalimi i popullatavet sllave, për gjithnjë, në tokat e Ilirisë.
Këta ishin 4 faktorët kryesorë TË JASHTËM, që penguan zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të etnitetit tonë. Por ka pasur edhe një faktor, tashmë, jo ngjarje, por një mosngjarje TË BRENDSHME, e cila ka bërë që faktori ilir, jo në Gadishullin e Ilirisë, por në krejt Evropën, të mos arrijë nivelet që ai do të mund t’i arrinte. Ky ishte MOSPËRDORIMI I SHKRIMIT NË GJUHËN ILIRE. Kjo mosndodhje pa dyshim u ka shkaktuar ilirëvet dëme më të mëdhenj se të gjithë barbarizmat e barbarëvet.
Megjithkëtë, faktori ilir, në të gjithë këta shekuj, duhet vështruar krejt ndryshe nga ç’është parë gjer më tani.
Në vazhdim të kohëvet pasilire, unë mendoj që edhe faktori arbro-shqiptar duhet të vështrohet krejt ndryshe nga ç’është vështruar gjer më tani.
Nëse arrin shkenca të pohojë gjithanësisht që ndikimi iliro-arbëror ka qenë i këtyre përmasave në gjuhën dhe kulturën e popujvet sllavë, jugorë, lindorë e perendimorë, kaq i madh sa ç’lejohet të duket në këtë parashtrim TË SHKURTËR, atëherë popujt sllavë, sidomos këta të Jugut, doemos duhet të kultivojnë një tjetër ndjenjë ndaj shqiptarëvet të sotëm. Ky është edhe thelbi politik i studimevet në fushë të kulturës të njërit apo tjetrit popull.
Ekziston midis sllavëvet, veçanërisht ndër sërbë, malazezë dhe sllavomaqedonë, një rrymë përçmimi e madje urrjtjeje ndaj shqiptarëvet. Ndaj grekëvet një e këtillë rrymë nuk vihet re. Pse? Sepse tashmë, midis tjerash, është krijuar edhe bindja që grekët i kanë dhënë Botës, pra edhe sllavëvet, themelet e kultures. Nuk ka midis sllavëvet në shkallë të dukshme as italofobi. Pse? Sepse Italia, pasardhëse e Romës Antike, ka rrezatuar kulturë.
Tani shtrohet pyetja: A do të mund të vazhdojë ky qëndrim denigrues ndaj kombit shqiptar, kur shkollarët e atyre popujve të mund të marrin vesh që edhe emrin e BUKËS e kanë prej nesh?! A do të mund të vazhdojë një qëndrim i tillë denigrues, kur, ta zëmë, nxënësit e UKRAINËS të kenë marrë vesh që emri i atdheut të tyre shpjegohet me një fjalë të gjuhës shqipe, me fjalën KRAH?!
Gjokë Dabaj – Durrës, 18 korrik 2013